Albspirit

Media/News/Publishing

Kujtim Mateli: Në 74-vjetorin e shkrimtarit Dashmir Zaçe

 

Ditët e vitit ndryshojnë nga njera-tjera jo vetëm nga bukuria që u japin stinët, por për atë se ato mbajnë brenda tyre fytyrat e njerëzve që i lindën në një mjedis të caktuar. Ne përmetarët e kemi të veçantë 22 shkurtin e çdo viti, (se na kujton 22 shkurtin e vitit 1947), se është dita e lindjes e Dashmir Zaçes, e përmetarit të përkushtuar për vendlindjen, e mësuesit të talentuar dhe mbledhësit të folklorit, e poetit, tregimtarit dhe veprimtarit të palodhur që deri në ditën e fundit të jetës së tij, ishte plot gjallëri dhe besim për ta ndryshuar jetën njerëzore, për ta bërë atë sa më të bukur dhe më të mirë. E gjithë veprimtaria e Dashmir Zaçes, është modeli i njeriut të mirë, që jetën ia përkushtoi vendlindjes dhe Atdheut. Ai u dallua në disa fusha dhe la emrin e tij për t`u përjetësuar ndër breza.
Dashmir Zaçe ishte një mësues i spikatur në profesionin e tij. Në Përmet ai u dallua në shkollat 8- vjeçare ku dha mësim, në gjimnazin e vetëm të qytetit, por edhe si kryeinspektor në Seksionin e Arsimit. Kudo la gjurmë me mendimet dhe veprimtarinë e tij për një arsim sa më cilësor. Po ajo që do ta shkëpuste nga njerëzit e tjerë dhe do t`i jepte vlerë personalitetit të tij do të ishte pjesëmarrja e tij në trupën pedagogjike në shkollën shqipe të Selanikut, ku për disa vjet do të punonte si mësues pa asnjë shpërblim fininanciar, por me dëshirën dhe qëllimin e lartë që gjuha shqipe të kishte standartin e saj edhe te brezat e rinj të emigrantëve në Greqi. Vetëm një gjuhë që mësohet në shkolla, që shkruhet dhe lexohet mund t`i bëjë ballë presionit të gjuhës së vendit ku ke shkuar. Atdhetarët e vërtetë dallohen nga pjesa tjetër, se jo çdo kontribut që ata japin, presin t`u paguhet. Dashmiri mbeti bashkë me pjesëtarët e tjerë të shkollës shqipe në Selanik, pishtar i kohës dhe i brezave që vijnë.

Pas disa vitesh qëndrimi në Selanik, Dashmiri kthehet në qytetin e tij të lindjes, në Përmetin e bekuar prej vetë Perëndisë. Vrullin e punës së tij e kanalizoi në përkushtimin për të lartësuar vlerat e qytetit të tij, ndaj folklorit dhe letërsisë. Tani e shohim Dashmirin si krijues, që me penën e tij, në vëllimin me tregime “Rrëfimet e nënës sime” do të skaliste personazhe dhe karaktere letrare që i përcjellin shoqërisë mesazhin e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit me njëri-tjetrin. Në konkursin mbarëkombëtar të vitit 2015, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri”, në ditëlindjen e Naimit, më 25 maj, do ta shohim Dashmirin si poet. Poezia e tij “Hëna”   tregonte se Dashmir Zaçe kishte udhëtuar shumë si poet, kishte shkruar ndoshta disa qindra poezi për të arritur në këtë pikë kulmore, siç ndodh me të gjithë poetët dhe pritej prej tij një vëllim poetik që do t`u shtohej bibliotekave të përmetarëve, por dhe miqve të tij të shumtë në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, te miqtë e tij më të ngushtë, sidomos të atyre në Selanik.
Po atë vit, Dashmiri kishte nxjerrë një përmbledhje me këngë popullore përmetare “A kanë ujë ato burime” me 191 këngë popullore që i kishte mbledhur nga e gjithë treva e Përmetit, ku secila këngë mban dhe vendin ku autori e kishte dëgjuar. Poeti dhe folkloristi Dashmir Zaçe po i kthehej artit të fjalës, të cilin e kishte mbajtur përbrenda një jetë të tërë, sepse donte që në profesionin e tij si mësues të jepte maksimumin për brezat e rinj. Ishte koha, kur po ecte i sigurt dhe po jepte kontributin e tij në fushë të letërsisë.
Po vdekja e tij e papritur në datën 26 shtator 2016, ishte një humbje e rëndë jo vetëm për familjen e tij, për banorët e qytetit të Përmetit, por për këdo që e njohu dhe bashkëpunoi me të. Jeta dhe vepra e tij do të mbesin të përjetshme, siç do të mbesin këngët përmetare të mbledhura prej tij, siç do të mbesin krijimet e tij artistike, siç do të mbesin brezat, të cilët do t`i përcjellin njëri-tjetrit kontributin e Dashmir Zaçes në fushë të arsimit./albspirit.com

Please follow and like us: