Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Gjergj Sinani: Feja dhe edukimi (1)

KREU II: PËRVOJA EUROPIANE E EDUKIMIT DHE FESË

Problemet që lidhen me studimin e fesë në edukimin publik po bëhen çështjet më të diskutueshme se kurrë më parë edhe në planin ndërkombëtar. Në këtë diskutim janë përfshirë jo vetëm specialistët e fesë, por edhe politikanë, nëpunës civilë, OJQ dhe grupe të tjera brenda shoqërisë civile, si dhe edukatorët që merren me edukimin qytetar dhe edukimin ndërkulturor. Ky interes nuk duhet parë si pasojë e ngjarjeve sociale dhe politike të momentit, por i përmbajtjes së procesit të edukimit që përfshin mësimin për të ditur, mësimin për të bërë, të mësuarit për të jetuar së bashku dhe mësimin për të qenë vetvetja. Në këtë kontekst, edukimi fetar duhet të lidhet me të gjitha këto aspekte dhe sidomos me këtë të fundit.

  1. Larmia fetare dhe edukimi qytetar

Roli i fesë në edukim është parë në mënyrë të ndryshme në shtetet europiane. Prandaj, edhe një vështrim krahasues i kësaj përvoje, do t’i shërbente zgjidhjes së problemit. Për shembull, në Gjermani, kishat kanë një përgjegjësi prej supervizori për edukimin fetar, por brenda një kuadri kushtetues për të drejta të barabarta dhe mosdiskriminues. Sistemi “konfesional” është i ndryshëm në Hollandë, ku shkollat kanë të drejtën për të mësuar fenë e sponsorit. Kemi dhe shembuj të tjerë, si rasti i Sllovakisë, ku shkolla mëson atë që pranohet si fe shtetërore, domethënë katolicizmin roman. Kualifikimi i mësuesve përcaktohet nga kisha në fjalë, në marrëveshje me ministrinë e arsimit dhe sportit.

Janë dhe sistemet jo-konfesionale ku fetë nuk kanë rol në edukimin publik. Për shembull, në edukimin publik në Francë, nuk ka subjekte që t’i kushtohen në mënyrë specifike studimit të fesë dhe çdo mësimdhënieje që mbulon fenë, përfshihet te historia ose filozofia dhe duhet të jetë informative. Suedia përfaqëson një formë tjetër të modelit jo-konfesional. Ashtu si në Francë, nuk ka një impenjim të trupave fetarë në edukim, por në dallim nga situata në Francë, edukimi fetar shikohet më shumë në marrëdhënie me zhvillimin e fëmijve dhe të rinjve. Ka edhe sisteme mikse, si ai në Angli dhe në Uells, ku shkollat publike kanë një formë të edukimit fetar, i cili synon paanasinë në trajtimin e fesë, ndërsa shkollat, që nuk financohen plotësisht nga shteti, mund të mësojnë fenë e trupit sponsorizues.

Për të kuptuar dallimin që ekziston në Europë, duhet parë edhe synimi në edukimin fetar. Dallimi bazohet në edukimin me, rreth dhe nga feja. Edukimi me fenë ka të bëjë vetëm me një traditë fetare dhe ka si objektiv që t’i aftësojë nxënësit se si të besojnë te feja ose të forcojnë besimin. Edukimi rreth fesë ka të bëjë me përdorimin e metodave përshkruese dhe historike dhe nuk ka synim as të forcojë apo të rrënojë besimin fetar. Edukimi nga feja synon t’i përfshijë nxënësit në përgjigjet e ndryshme ndaj fesë dhe çështjeve morale, pasi kështu ata do të përpunojnë pikëpamjet e veta në një mënyrë reflektive.

Kjo larmi përvojash shpejgohet nga fakti se marrëdhënia ndërmjet shkollës dhe fesë, ashtu si marrëdhënia ndërmjet shtetit dhe kishës, është çështje e identitetit nacional në çdo vend europian. Ndaj BE-ja nuk ka asnjnë qasje uniforme ndaj mësimit fetar në shkollat publike.

Le të hedhim një vështrim të përgjithshëm, para se të ndalemi në disa raste të veçanta. Mësimi në shkollë rreth fesë është një tregues i fortë se si janë ndërtuar marrëdhëniet kishë–shtet dhe shkollë–fe brenda një kuadri nacional të dhënë. Kështu, në vendet ku identiteti nacional ka qenë i lidhur historikisht e fuqishëm me një konfesion të veçantë (si luteranizmi në Danimarkë, ortodoksia në Greqi apo katolicizmi në Itali), besimi fetar ka ndikuar dukshëm në edukimin shkollor. Madje, në disa vende, përcaktimi i qëllimeve të shkollës përfshin edhe dimensionin fetar. Le të marrim disa shembuj.

Kushtetuta greke, e cila është kornizuar “në emër të Trinisë së Shenjtë, bashkësubstancial dhe i pandashëm” në nenin 3.1, përcakton se “feja dominuese në Greqi është ajo e Kishës Lindore Ortodokse të Krishtit” dhe e lidh zhvillimin e ndërgjegjes fetare të studentëve me ndërgjegjen nacionale të tyre: “Mësimdhënia përbën një mision fondamental të shtetit. Qëllimi i saj është edukimi moral, kulturor,  profesional dhe fizik i Helenëve, si dhe zhvillimi i ndërgjegjes nacionale dhe fetare dhe formimin e tyre si qytetarë të lirë dhe të përgjegjshëm” (Neni 16.2).

Në Britaninë e Madhe, ligji mbi arsimin i vitit 1988 shpall se tërë kurrikula e edukimit shkollor synon të promovojë “zhvillimin shpirtëror, moral, kulturor, mendor dhe fizik të studentëve në shkollë dhe shoqëri”. Fakti i përfshirjes së “zhvillimit shpirtëror” në listën e qëllimeve të edukimit tregon afërsinë e shkollës me edukimin fetar.

Në Gjermani, qëllimi i edukimit në disa lande përcaktohet në lidhje me fenë. Kështu, në landin e Hesenit, misioni i edukimit në shkollën publike përcaktohet në lidhje me “traditat kristiane dhe humaniste”, ndërsa ne Baden-Vyrtemberg, theksohet se arsimi duhet të ndikojë “në përgjegjësinë para Zotit dhe dashurisë së krishterë”.

Përsa i takon Italisë, Konkordati i vitit 1984, në nenin 9.2 shprehet: “Republika italiane, duke njohur vlerën e kulturës fetare dhe duke marrë parasysh faktin se parimet e katolicizmit janë pjesë e trashëgimisë historike të popullit italian vazhdon të sigurojë brenda sistemit shkollor mësimin në fenë katolike në shkollat publike jo universitare në të gjitha nivelet dhe tipet”.

Siç shihet prerogativat e shtetit në çështjet e edukimit shkollor theksohen ngado dhe, në disa vende, si Irlanda, kushtetuta thekson veçanërisht rëndësinë e së drejtës së prindërve në këtë fushë: “Shteti pranon se edukatori i parë dhe natyror i fëmijës është familja dhe premton që të respektojë të drejtën dhe detyrën e patjetërsueshme të prindërve për të siguruar, brenda mjeteve të tyre, edukimin fetar dhe moral, intelektual, fizik dhe social të fëmijëve të tyre. Prindërit janë të lirë të sigurojnë edukimim, qoftë privat, qoftë ai përmes shkollave private ose përmes shkollave të njohura ose të krijuara nga shteti”.

Duhet theksuar se edhe pse pushteti qëndror ushtron disa përgjegjësi në çështjet e edukimit, në shumë vende autoritetet rajonale dhe lokale luajnë një rol të rëndësishëm. Kështu, në Gjermani, edhe pse edukimi vendoset “nën supervizimin e qeverisë federale”, në fakt përgjegjësia u takon landeve. Kjo gjë është më e dukshme në Zvicër ku çdo kanton përbën një shtet më vete brenda Konfederatës Helvetike. Kështu, edukimi fetar në këto vende duhet studiuar në nivel rajonal.

Në këtë kuadër të përgjithshëm vlen të theksohet se dallimi ndërmjet shkollave publike dhe private nuk nënkupton dallimin ndërmjet shollave laike dhe fetare. Në Europë ka shkolla konfesionale dhe jo konfesionale, si dhe shkolla private shekullare. Në disa vende, si Belgjika, shtrirja e rrjetit të shkollave katolike ka ndikuar në edukimin publik. Neni 2 i protokollit të parë shtesë të Deklaratës Europiane për të Drejtat e Njeriut ndalon, ndërmjet të tjerash, çdo monopol shtetëror mbi edukimin: “Askujt nuk mund t’i refuzohet e drejta për edukim. Shteti, në ushtrimin e funksioneve, në fushën e edukimit dhe arsimit, duhet të respektojë të drejtën e prindërve për të siguruar një edukim dhe arsimim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike”. Megjithatë, nuk i vendoset shtetit ndonjë detyrim financiar kundrejt edukimit privat. Ajo që na intereson është çështja e mësimit fetar në shkollat publike jo konfesionale.

  1. Sfidat e edukimit fetar

Pavarësisht larmisë së marrëdhënieve shtet–fe dhe shkollë–fe dhe pavarësisht larmisë teorike dhe ligjore të trajtimit të fesë në shkollë, që na paraqet hapësira europiane, ato ndeshen me sfida të përbashkëta. Shekullarizmi dhe shtimi i individëve, që deklarojnë se nuk i përkasin asnjë feje, fenomeni i akulturimit ndaj fesë, që haset te studentët dhe humbja e kontaktit me jetën fetare, ekzistenca e minoriteteve myslimane në shumë vende europiane, një pluralizëm fetar që shfaqet në shoqëritë europiane përmes prezencës të të gjitha llojeve të grupeve fetare dhe rrjeteve të tyre, të cilat janë burime të shkarjeve sektariste të gjithfarë lloji, si dhe ndërthurja e lidhjeve fe–politikë në konflikte të ndryshme ndërkombëtare, shfaqjet e antisemitizmit dhe islamofobisë, problemi i limiteve të paraqitjes fetare në kontekstin edukativ, janë çështjet me të cilat përballen shoqëritë europiane. Me një intensitet më të ulët këto probleme shfaqen edhe në shoqërinë tonë post-totalitare.

Régis Debray, me të drejtë, e fillon raportin e tij “Mësimi i faktit fetar në shkollën laike” për ministrinë franceze të arsimit me evidentimin e “akulturimit” fetar, me pyetjen që bëjnë të rinjtë përballë tablosë së Virgjëreshës së Botiçelit: Kush është kjo grua jo e re? Ky akulturim që prek të gjitha dijet duhet parë më gjerë. Prandaj, kur flet për rëndësinë e mësimit të faktit fetar në shkollën laike, ai thekson: “Qëllimi nuk është që të rivendoset ‘Zoti në shkollë’, por të zgjerohet intinerari njerëzor në rrugë të shumta, për aq sa vazhdimësia kumulative, që quhet gjithashtu kulturë, dallon llojin tonë shtazor nga të tjerët, me më pak shans. Traditat fetare dhe e ardhmja e Humaniteteve ndodhen në të njejtën barkë. Nuk mund të përforcohet studimi i fetares, pa përforcuar studimin fare shkurt”. (Régis Debray, L’enseignement du fait religieux dan l’école laique, Odile Jocob, Paris, 2002, f. 16).

Pra, çështja e edukimit fetar nuk duhet parë e shkëputur nga përvetësimi i dijeve, i dijeve për jetën me qëllim që nxënësi të mbetet gjithmonë i civilizuar.

Ekziston gjithashtu edhe një konsensus europian rreth nevojës për të forcuar rolin e dijeve për fenë në edukimin shkollor publik. Në Rekomandimin 1720, aprovuar më 4 Tetor 2005, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës deklaronte si më poshtë:

“6. Edukimi është thelbësor për të luftuar injorancën, stereotipet dhe moskuptimin e feve. Qeveritë duhet, gjithashtu, të bëjnë më shumë për të garantuar lirinë e ndërgjegjes dhe shprehjen fetare, për të inkurajuar mësimin fetar, për të promovuar dialogun me dhe ndërmjet feve dhe për të nxitur shprehjen kulturore dhe sociale të feve.

7. Shkolla është një element i rëndësishëm për edukimin dhe formimin e aftësive kritike të qytetarëve të ardhshëm dhe, gjithashtu, për dialogun ndërkulturor. Ajo do të hedhë themelet e sjelljes tolerante bazuar në respektin për dinjitetin e çdo qenie njerëzore. Shkolla do të duhet t’u mësojë studentëve historinë dhe filozofinë e të gjitha feve kryesore në mënyrë të matur dhe objektive, duke respektuar vlerat e Konventës europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe do të luftojë fanatizmin në mënyrë efektive. Është thelbësore që të kuptohet historia e konflikteve politike nën emrin e fesë. Të kuptuarit e fesë është pjesë integrale e kuptimit të historisë së njerëzimit dhe qytetërimeve të tij. Ky të kuptuar është tërësisht i ndryshëm nga besimi në një fe të veçantë ose nga praktikimi i riteve të saj. Edhe në vendet, ku një besim predominon dukshëm, duhet mësuar origjina e të gjitha feve dhe jo të privilegjohet një fe ose të promovohet proselitizmi”.

Tri modelet kryesore të mësimit të fesë në Europë

Pavarësisht larmisë së përvojave të mësimit të fesë në shkollë, në Europë mund të evidentohen tri kategori; 1) vende ku nuk ka mësim feje në shkolla, 2) vende me mësim fetar konfesional, 3) vende me mësim fetar jo konfesional.

Silvio Ferrari, jurist italian, në një studim për këtë çështje, na jep një përmbledhje të edukimit fetar konfesional në Europë. Mësimi fetar organizohet dhe kontrollohet nga komunitetet fetare, të cilat ngarkohen me zgjedhjen dhe trajnimin e edukatorëve, hartimin e kurrikulave dhe aprovimin e materialeve (Austria, Belgjika, Spanja, Greqia, Malta, Polonia, Portugalia, Republika Çeke). Në disa vende (për shembull, Hungari, Itali, Letoni, Lituani, Gjermani, Finlandë), shteti dhe bashkësitë fetare kooperojnë në zgjidhjen e çështjeve të mësipërme. Në këto sisteme, mësimi fetar kërkon një çertifikim nga bashkësitë fetare (kështu ndodh në Austri, Belgjikë, Gjermani, Spanjë, Greqi, Hungari, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Poloni, Portugali, Republika Çeke dhe Sllovaki).

Zakonisht, mësimi fetar është një lëndë shkollore me zgjedhje. Atje ku kjo është e detyrueshme, studentët kanë të drejtë të marrin një përjashtim (Gjermani, Austri, Qipro, Finlandë, Greqi, Maltë, Sllovaki). Mësimi fetar konfesional është lëndë që, nga pikëpamja organizative dhe ekonomike, mbështetet nga shteti (i cili paguan mësuesit dhe parashikon lokalitetet dhe kohën). Por ky organizim shtetëror është selektiv dhe vetëm disa fe mund të mësohen në shkollë. Kështu, çështja e kritereve të zgjedhjes përbën një problem. Në këto sisteme, çdo vend mund të përcaktojë se cila fe duhet të mësohet në shkollë. Për ta bërë këtë, shumë vende përdorin kritere historike dhe statistikore, (tani Spanja njeh besimin katolik, protestant, hebre dhe mysliman, sipas rëndësisë së tyre historike). Në vendet me dy besime (si Zvicra ose Gjermania) shihet një prirje e kurseve ekumenike protestante dhe katolike. Ndërsa mësimi fetar konfesional përfshin, kryesisht, studimin e fesë në përgjithësi edhe pse kjo filtrohet përmes një mësuesi të trajnuar në një traditë fetare të veçantë.

Duhet theksuar se mësuesit janë të detyruar të marrin parasysh dëshirat e studentëve të tyre, të cilët edhe mund të largohen nga auditori, në se kurset nuk u përgjigjen pritshmërive të tyre. Kështu, presioni i pjesëmarrjes ndikon njëlloj drejt një shekullarizmi, si dhe në diskutime mbi çështje ekzitenciale, që u interesojnë të rinjve në ditët e sotme.

Kategoria e tretë ka të bëjë me edukimin fetar jo konfesional. Kjo përvojë haset, sidomos, në vendet europiane veriore protestante. Në këto vende, mësimi fetar në shkollë ka qenë konfensional, edhe pse bëhej nën drejtimin e shtetit dhe jo të kishës (lidhej me kishat nacionale luteriane). Por, me kalimin e kohës edhe në këto shtete, shekullarizmi e ka transformuar gradualisht këtë mësim konfesional në jo konfesional. Kështu, në Suedi, edukimi fetar, që në fillim kishte qenë mësimi në besimin protestant, u ndryshua në “mësim mbi krishtërimin” (1919), “studimi i krishtërimit” (1962), “studimi i fesë (1969) dhe, së fundi, në “edukim mbi çështjet e jetës dhe të ekzistencës” (1980). Suedia përfaqëson një shembull karakteristik të shekullarizmit të mësimit konfesional nga brenda. Një zhvillim të ngjashëm shihet në kantonet e Zvicrës, në Zyrih dhe Lugano, si dhe në landin gjerman të Hamburgut, ku u arrit në kursin “edukimi fetar për çdo njeri”. Në Angli dhe në Uells, një “mësim fetar” konfesional kaloi drejt një mësimi jo konfesional, “edukimi fetar multibesimtar”, me programe që përfshijnë element të traditave fetare tradicionale, që janë prezent në vend; shumë programe përfshijnë krishtërimin, në format e tij të ndryshme, së bashku me judaizmin, islamin, hinduizmin, budizmin dhe fenë sike. Gjithashtu, që nga zbatimi i ligjit të vitit 1988, ka kërkesa që edukimi fetar në shkollat e financuara nga shteti të jetë pluralist dhe jo konfesional.

Për këtë qëllim janë përgatitur edhe qasje të ndryshme pedagogjike. Tiparet e edukimit fetar jo konfesional mund të përmblidhen si më poshtë:

Edukimi fetar organizohet dhe kontrollohet nga shteti, i cili ka përgjegjësinë e trajnimit dhe shpërblimit të mësuesve, përcaktimin e kurrikulës dhe aprovimin e materialeve, (mundësisht, si në rastin e Mbretërisë së Bashkuar në konsultim me bashkësitë fetare). Në këto vende, edukatorët nuk kërkojnë një çertifikatë nga bashkësitë fetare. Mësimi fetar është i detyrueshëm, por është i mundur edhe përjashtimi. Karakteri jo konfesional i kurseve nuk e përjashton theksimin që bëhet ndaj krishtërimit (si në rastin e Danimarkës dhe Mbretërisë së Bashkuar). Ligji i vitit 1988 specifikon se edukimi fetar duhet të reflektojë faktin se traditat fetare të Britanisë së Madhe janë kryesisht të krishtera, duke përfshirë në kurrikul praktikën e feve të tjera të mëdha, që përfaqësohen në vend. Në Danimarkë, shihet prioriteti ndaj krishtërimit, sidomos në shkollën e mesme, por kurrikula është e hapur edhe ndaj pluralizmit fetar.

  1. Modele të ndryshme europiane të mësimit fetar në shkollë

Pas kësaj paraqitje të përgjithëshme të larmisë së mësimit fetar në Europë le të ndalemi më në detaje mbi përvoja të disa shteteve.

Mësimi fetar në Gjermani mund të kuptohet, duke mbajtur parasysh dy faktorë; vendi i fesë në shtetin shekullar në planin juridik dhe, së dyti, pesha e saj. Historia e Gjermanisë ka qenë karakterizuar nga lidhje të ngushta ndërmjet shtetit dhe fesë deri në fillim të shek. XX. (Për rastin e Gjermanisë ne jemi bazuar në studimin e Peter Schreiner: «La religion à l’école en Allemagne», në Revue Internationale d’éducation, CIEP, 2004).

Që nga Kushtetuta e Vajmarit (1918 – 1919) dhe, sidomos, që nga ligji themeltar (1949), Gjermania është ndarë me këtë të kaluar. Sot ajo është një shtet shekullar, filozofikisht neutral dhe i hapur ndaj fesë. Neni 4/1 shpall se “liria e besimit dhe ndërgjegjes dhe liria për të shprehur besimet fetare dhe filozofike janë të paprekshme” dhe pika 2 shpall se “liria e ushtrimit të kultit është e garantuar”. Në Gjermani, e drejta themelore mbi lirinë e fesë garantohet nga kushtetuta dhe shteti është neutral nga pikëpamja filozofike. Ky neutralitet imponon marrjen parasysh të fesë dhe nuk justifikon kontrollin ndaj vlerave kulturore dhe bindjeve të shoqërisë. Liria e fesë, e garantuar juridikisht, nuk nënkupton vetëm lirinë për të patur ose jo një fe (liria negative e fesë), por edhe atë për të zgjedhur fenë që do (liria pozitive e fesë). Kjo i imponon shtetit lënien e hapsirës për ushtrimin e bindjeve fetare dhe zhvillimin e personalitetit të individit në planin filozofiko–fetar. Mësimi i fesë në arsimin publik i shërben individit për garantimin e ushtrimit të një të drejte themelore. E njëjta çështje shtrohet edhe kur flitet për vlerën, që i duhet dhënë fesë në arsimin publik.

Ndarja e kishës nga shteti, e sanksionuar me ligj, favorizon autonominë dhe pavarësinë e shtetit dhe të bashkësive fetare, duke i ndarë në planin e organizimit të institucioneve të tyre. Ndërkaq, në Gjermani, ekzistojnë “gjurmë” të kooperimit ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare, që vijnë që nga historia dhe që ruhen akoma. Një shembull për këtë janë fakultetet e teologjisë në universitetet gjermane ose mësimi i fesë si disiplinë më vete në arsim, si dhe rite të tjera. Mësimi i fesë dhe pjesëmarrja e bashkësive fetare në përcaktimin e përmbajtes së këtyre aspekteve e dëshmojnë këtë. Për më tepër, përvoja e dhimbshme e totalitarizmit ka bërë që populli gjerman ta shikojë si detyrë dhe ta shkruajë “përgjegjësinë e tij përpara Zotit dhe njerëzve”, siç thuhet në preambulën e Kushtetutës.

Bashkësitë fetare e ndjekin nga afër evolucionin e shoqërisë civile. Shoqëria civile është një sferë, ku aksioni social vendoset ndërmjet ekonomisë dhe shtetit, me një interes të shtuar për institucionet laike. Kisha protestante po zë gjithnjë e më shumë një vend si “institucion i ndërmjetëm” në shoqërinë civile, brenda një trekëndëshi shtet – kishë – shoqëri dhe synon që të kuptohet si e tillë. Nga ky kontekst dalin tri karakteristika; larmia e elementëve të bashkuar në një shoqëri civile, autonomia e institucioneve dhe organizatave të ndryshme dhe sensi dhe kurajoja qytetare, domethënë prirja e qytetarëve për t’u investuar personalisht në mbajtjen dhe rinovimin e shoqërisë civile. Ndikimi i kishës në shoqëri dhe përgjegjësia e saj duket në fushën e edukimit, në luftën që ajo zhvillon për drejtësinë dhe në detyrën e saj të përkujdesjes.

Feja dhe bashkësitë fetare në sistemin edukativ

Vendi i fesë dhe roli i bashkësive fetare në jetën shoqërore mund të kuptohen përmes tre shembujve; themelet ligjore të sistemit edukativ, pluralizmi i mësimdhënies dhe mësimi fetar në shkollat publike.

Mbi bazën e marrëdhënies që ekzsiton ndërmjet shtetit dhe fesë dhe në përputhje me ligjin themeltar, rëndësia dhe orientimi fetar është integruar në ligjet shkollore të 16 landeve të Gjermanisë. Për shembull, në Bavari, objektivi i edukimit “është respekti për Zotin” ose “konsiderimi i bindjeve fetare”; në Baden-Vyrtemberg, edukimi dhe formimi bëhen “në ndërgjegjen për Zotin dhe në dashurinë e krishterë për të afërmin tënd” dhe në Hesen, qëllimi edukativ i shkollës bazohet në “traditën humaniste dhe të krishterë”. Shërbimet fetare në shkollë, për të celebruar fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor ose çdo formë të shërbimit pastoral, janë rrënjosur në peisazhin shkollor të shumë rajoneve.

Një vend tjetër, ku duket përgjegjësia edukative e bashkësive fetare, është mësimi privat. Shkollat katolike dhe protestante përfaqësojnë pjesën më të madhe të shkollave jo publike në Gjermani.

Besimet e tjera (islami dhe judaizmi) ekzistojnë në mënyrë të izoluar. Bashkësitë fetare marrin pjesë drejtpërdrejt në sistemin edukativ publik në shkolla, veçanërisht në edukimin fillor dhe formimin e përgjithshëm. Pas viteve ’90, pas rënies së murit të Berlinit, në isht RDGJ u hapën shumë shkolla protestante me nxitjen e prindërve, të cilët donin që fëmijët e tyre të merrnin një edukim tjetër nga ai që kishin marrë më parë. Sipas Schreiner, numërohen 980 shkolla protestante me 141000 nxënës dhe 1146 shkolla katolike me 370000 nxënës. Këto shkolla janë ilustrim i garancisë kushtetuese, në kuptimin se shteti nuk ka monopolin shkollor, shprehje e pluralitetit të arsimit publik dhe privat.

Megjithatë, nga pikëpamja sasiore, këto shkolla private zenë 6%, por me tendencë rritjeje këto vitet e fundit. Për më tepër, ekzistojnë një numër i madh çerdhesh për fëmijë të drejtuara nga Kishat.

Në debatin për ndarjen e kishës nga shteti, çështja e mësimit fetar ishte në qendër të debatit. Për një periudhë të shkurtër mësimi fetar u hoq nga shkollat publike. Kisha ndoqi një rrugë tjetër, duke favorizuar hapjen e shkollave konfesionale, ku bëhej mësimi i fesë. Për zbutjen e kësaj ndarjeje u pranua “mësimi simultant” në shkollë, domethënë një shkollë publike, ku bëhej mësim fetar protestant, katolik, hebre dhe të tjera. Kjo zgjidhje u pranua që në krijimin e Republikës Federale Gjermane dhe u fiksua te Kushtetuta e 1949-ës. Në nenin 7/3 të kësaj kushtetute thuhet se mësimi fetar është një “çështje e mësimit të rregullt”. Që atëherë edukimi fetar u fut në të gjithë sistemin shkollor, përfshirë dhe atë publik, “në përputhje me parimet e bashkësive fetare”, që mund edhe të mos ishin të krishtera.

Në disa lande ka kurse të mësimit hebre ose ortodoks, kurse mungesa e organizimit juridik të bashkësive myslimane e bën të vështirë futjen e kurseve të fesë myslimane, që gjithsesi konsiderohet e domosdoshme. Statusi i kurseve të mësimit fetar fiksohet nga landet përkatëse, të cilët punojnë në bashkëpunim me bashkësitë fetare. Kooperimi ndërmjet shtetit dhe kishës, në lidhje me mësimin fetar, për gjermanët nuk përbën cënim të parimit të ndarjes së fesë nga shteti. Filozofikisht shteti është neutral (neni 4 i Ligjit themelor); askush nuk mund të jetë viktimë për shkak të përkatësisë fetare.

Kështu, shteti nuk mund të diktojë, as të përcaktojë përmbajtjen e kurseve të mësimit fetar. Ky funksion i është deleguar bashkësive fetare. Ato e “lehtësojnë” shtetin nga një detyrë, që nuk mund ta realizojë. Koncepti i përmbajtjes së mësimit fetar në shkollë në kompetencë të bashkësive fetare, duke ia lënë përgjegjësinë e përgjithshme sistemit edukativ shtetit, i lejoi Gjermanisë të mbajë mësimin fetar në shkollë edhe pas ndarjes së kishës nga shteti. Shteti njeh vlerën edukative të fesë në tekstet në fjalë, duke iu nënshtruar parimit të neutralitetit filozofik dhe nuk ndërhyn në çështjet e kuptimit të fesë. Kjo mënyrë ecte kur ekzistonin vetëm protestantizmi dhe katolicizmi, por, kur shoqëria po bëhej multikulturore, atëherë dolën sfida të reja. Sfida është se a duhet vazhduar t’u jepet një mësim fetar fëmijvë të besimit hebre, ortodoks dhe mysliman?! Problemi është më i mprehtë për mësimin e fesë për fëmijët myslimanë.

Janë propozuar disa variante për fëmijët, që nuk marrin pjesë në kurset e mësimit fetar. Për të zëvendësuar kurset e fesë, disa lande, që në vitet ’70, kanë futur kurse të etikës (Baden-Vyrtemberg, Hesen, Renani- Palatinat, Saksë, Saksë-Anhalt), për vlerat dhe normat (Saksonia e poshtme), filozofi praktike (Breme, Shlezvig-Holshtain, Maklembur-Pomerani, Renani-Vestafali). Trajtohen edhe çështjet fetare, por më shumë në aspektin informative, duke mbajtur distancë nga një pozicionim i caktuar.

Deri në moshën 14 vjeçare vendosin prindërit për lënien apo heqjen e fëmijëve të tyre nga mësimi fetar, më pas, vendimi për këtë u lihet vetë të rinjve.

Mësimi i fesë në shkollë justifikohet për shumë arsye. Justifikohet nga rëndësia historike dhe kulturore e krishtërimit, për gjetjen e pikave të referimit në shoqërinë aktuale (për shembull, pika referimi në lidhje me festat dhe ritet fetare, ose pika referimi kulturore në tërësinë e saj, me besimet dhe qytetërimin e saj), përmes modeleve antropologjike (prirjet e njeriut ndaj transcendencës), nga perspektiva e zhvillimit psikologjik drejt evolucionit fetar, që nga fëminija ose adoleshenca (e drejta e fëmijës për një fe) dhe, së fundi, nga liria pozitive e fesë, ashtu siç shprehet te Ligji Themelor.

Si edhe në vende të tjera europiane, edhe në Gjermani çështja e mësimit fetar në shkollë është bërë objekt debatesh. Ndarja e këtij mësimi, sipas konfesioneve, është vënë në diskutim për arsye teologjike. Argumentimi bazohet mbi domosdoshmërinë e një kooperimi ekumenik për një mësim sipas konfesioneve. Kisha evangjelike kërkon një model, ku konfesionet të kooperojnë dhe mësimi fetar të jetë mbi konfesional. Kisha katolike është më e tërhequr edhe pse ekzistojnë kooperime zyrtare në nivelin rajonal. Debate ka edhe mbi prezencën e kryqeve në shkolla, si dhe me mbulimin e grave myslimane.

 

Edukimi fetar në Austri

(Bazuar në studimin e Helmar-Ekkehart Pollit, Religious Education in Austria, në Religious Education in Europe, iko, Norway, 2007, f. 19 – 24).

Tipi i qeverisjes: Republike federale

Popullsia: 8 184 691

Përkatësia fetare: Katolikë 73.6%

Protestantë: 4.9%

Myslimanë: 4.2%

Të tjera: 3.5%

Të paspecifikuar: 2.0%

Pa asnjë fe 12.0%

Për një kohë të gjatë Austria njihej si një vend katolik, por, më pas, si pasojë e zhvillimeve të perandorisë Austro – Hungareze dhe migracioneve, tashmë ka edhe protestantë, myslimanë, ortodoksë, hebrej dhe të tjerë.

Për të kuptuar mësimin në shkollë të fesë në Austri duhen mbajtur parasysh bazat historiko legale.

Në 1774, reforma shkollore e Maria Terezës ia delegoi mbikqyrjen e edukimit dhe shkollave Kishës Katolike Romane. Në vitin 1886 shteti mori përgjegjësinë e edukimit dhe të shkollave, duke ia lënë përgjegjësinë edukimit fetar kishës. Që prej asaj kohe ky proces njihet si mësimi i fesë në shkollë.

Austria është një shtet shekullar. Ajo është neutrale ndaj fesë. Kushtetuta garanton lirinë e fesë në dy mënyra; lirinë nga feja (liria negative e fesë) dhe lirinë për fe (lirinë pozitive të fesë). Në rastin e dytë, shteti parashikon hapësirë për aktivitetet fetare, si dhe u lejon individëve dhe bashkësive fetare të shprehin besimet e tyre. Edhe pse kisha është e ndarë nga shteti, ka elemente të marrëveshjeve ligjore, që parashikojnë kooperim në fusha të ndryshme. Një nga këto fusha është edukimi fetar në shkollë.

Korniza për edukimin fetar përcaktohet në konkordatin ndërmjet Austrisë dhe Vatikanit më 1936, si dhe ligjit federal të 1949 në lidhje me edukimin fetar në shkollë. Ky ligj e përcakton edukimin fetar si “një lëndë të zakonshme në shkollë”, por ajo ç’ka mësohet në të është përgjegjësi e bashkësive fetare.

Pra, edukimi fetar është, njëherësh, detyrë dhe çështje e shtetit ashtu si çdo lëndë tjetër në sistemin edukativ publik. Nga ana tjetër, përmbajtja e mësimdhënies, akreditimi i mësimit fetar dhe tekstet janë përgjegjësi e bashkësive fetare. Ideja kryesore është “kisha në shkollë”. Shteti është përgjegjës për kushtet e përgjithshme.

Edukimi fetar bëhet në të gjitha shkollat e detyrueshme: në shkollën fillore dhe në të gjitha tipet e shkollave të mesme në bazë të dy kushteve:

1) Edukimi fetar në Austri është një sistem konfesional. Besimi i studentëve, i mësuesve të edukimit fetar dhe tipi i edukimit fetar duhet të korrespondojnë.

2) Normalisht, shteti parashikon dy leksione në javë, por, nëse ka më pak se dhjetë studentë (minimum tre studentë), bëhet një leksion në javë. Në Austri njihen 13 kisha dhe bashkësi fetare. Kështu, e drejta për edukim fetar nënkupton se nxënësit zgjedhin edukimin fetar. Për këtë duhet deklaratë formale nga prindërit (për fëmijët nën 14 vjeç, ose nga vetë fëmijët). Në disa gjimnaze, kush nuk zgjedh edukim fetar, duhet të zgjedhë një subjekt alternativ të quajtur ‘Etikë’. Të gjitha kurrikulat, me përjashtim të edukimit fetar, përcaktohen nga ministritë e edukimit. Përgjegjës për programin e edukimit fetar janë bashkësitë fetare. Ato autorizojnë edhe tekstet. Meqë nxënësit i marrin tekstet falas nga shteti, për tekstet e edukimit fetar shteti përcakton çdo vit një buxhet limit për çdo nxënës, kurse shkolla vendos se me cilin tekst do të punohet.

Përqasja ndaj mësimit fetar bazohet në karakterin konfesional të mësuesit, nxënësit dhe përmbajtjes.

Vetëm nxënësit, që nuk i përkasin një bashkësie të pranuar zyrtarisht, mund të ndjekin një edukim fetar duke e zgjedhur vetë. Megjithatë, edukimi fetar në shkollë nuk është një hyrje në besimet e tyre respektive. Ky edukim synon t’i mbështesë nxënësit në mënyrën e tyre të mendimit dhe të jetuarit në një botë pluraliste dhe post moderne. Prandaj, pjesë të rëndësishme të përmbajtjes së lëndës janë tema ekumenike dhe në lidhje me fetë botërore. Edukimi fetar mund të zgjidhet edhe si një lëndë për provim.

Mësuesit për edukimin fetar janë të papërgatitur për disa nivele shkollore. Së pari, ka mësues të edukimit fetar për shkollën fillore, për shkollën e mesme dhe për shkollat për fëmijë me aftësi të kufizuara. Ka dy mënyra për t’u bërë mësues. Njëra, është trajnimi në një akademi për mësuesit e edukimit fetar (6 semestra). E dyta, është një trajnim normal mësuesish dhe kurse shtesë për edukimin fetar (edhe ky 6 semesetra), por këto kurse shtesë janë vetëm për mësues me kohë të pjesëshme. Nëse dikush do të bëhet mësues me kohë të plotë, ai duhet të trajnohet në akademi për edukim fetar dhe të pajiset me një diplomë për edukim fetar. Mësuesit e edukimit fetar në gjimnaz dhe në shkollat e larta profesionale nga klasa e 5-të tek e 12-ta dhe, respektivisht, nga e 9-ta te viti 13 i shkollës.

Ka dy mënyra për t’u bërë mësues i edukimit fetar në këtë nivel. E para, është studimi teologjik, që përfundon me një shkallë që quhet Magjistër (niveli Master). Mënyra e dytë, është trajnimi universitar për t’u bërë mësues i shkollës së lartë për edukim fetar dhe një lëndë të dytë. Trajnimi në universitet shoqërohet edhe me një vit trajnim praktik në shkollë. Këta mësues kanë të gjitha të drejtat dhe detyrat si mësuesit e tjerë dhe e marrin pagën nga shteti. Por ata kanë dy autoritete mbikqyrës, nga autoritetet shtetërore, që është një mbikqyrje formale nga autoritetet e kishës për përmbajtjen e mësimit. Për shembull, drejtori i shkollës duhet të sigurojë kushte të mira për mësimdhënien, por vlerësimi i cilësisë së punës së mësuesit është përgjegjësi e autoriteteve të kishës.

Përveç sistemit publik ka edhe shkolla private konfesionale. Shumica e këtyre shkollave janë katolike, por ka edhe protestante, hebreje dhe myslimane. Mësimi fetar bëhet në përputhje me programet e shkollave publike të shtetit federal, por dimensioni fetar ze një pjesë më të madhe se në shkollat shtetërore. Shkollat katolike dhe protestante dhe, në teori edhe shkollat myslimane, janë të hapura për nxënësit nga besime të tjera. Shkollat hebreje janë vetëm për nxënës hebrej.

Edukimi fetar në Itali

(Bazuar në studimin e Flavio Pajer, Religious Education in Italy, në Religious Education in Europe, iko, Norway, 2007, f. 115 – 120).

Tipi i qeverisjes: Demokraci parlamentare

Popullsia: 8 184 691

Përkatësia fetare: Katolikë 85.0%

Protestantë: 0.9%

Ortodoksë: 0.9%

Myslimanë: 1.5%

Hebrej: 0.05%

Të tjera 12.1%

Le të ndalemi në bazat historike dhe ligjore të edukimit fetar (IRC, Insegnamento della Religione Cattolica) në Itali. Në Itali edukimi fetar nuk është subjekt i detyrueshëm në kurrikul. Ligjërisht nuk bazohet as te kushtetuta, as te ndonjë ligj shtetëror. IRC bazohet në një konkordat ndërkombëtar ndërmjet Republikës italiane dhe Vatikanit dhe mbi marrëveshjet ndërmjet shtetit dhe besimeve të njohura nga shteti. Aktualisht, në shkollë ekziston vetëm IRC bazuar në një konkordat të ri nga viti 1984. Minoritetet e tjera fetare, që kanë marrëveshje me shtetin nuk kanë kërkuar mësim fetar në shkollat shtetërore, por janë të lira të fillojnë në shkollat e tyre. Shteti italian është shtet laik. Kisha katolike ka të drejtë të ketë shkollat e veta, por nuk ka të drejtë për financim shtetëror. Në fakt, rrejti i shkollave katolike zë vetëm 5% të nxënësve dhe numri është në rënie. Kjo nënkupton se shumica e familjeve katolike, nëse ato duan një edukim fetar katolik për fëmijët e tyre, duhet ta kërkojnë atë te shollat shtetërore. Nga ana tjetër, kisha katolike e ka forcuar ndikimin brenda familjeve dhe në kishat lokale. Për shumë të rinj, edukimi fetar realizohet nga lëvizjet rinore mjaft të organizuara dhe të financuara nga kishat. Sistemi universitar nuk ka fakultet teologjik që nga viti 1873, kur ato u mbyllën. Edhe Universiteti katolik i Milanos nuk ka një fakultet teologjik. Përveç Fakultet Valdez të Teologjisë, nëntë nga fakultetet teologjike i përkasin universiteteve pontifikale internacionale të vendosura në Romë dhe dhjetë e kanë autoritetin nga Konferenca Episkopale Italiane. IRC është një subjekt me zgjedhje për studentët, por shkollat mund ta ofrojnë atë brenda orëve të kurrikulës së rregullt: 60 orë në vit në arsimin parashkollor, 2 orë në javë në shollën fillore dhe një orë në javë në shkollat e mesme (niveli i parë dhe i dytë). Zgjedhja bëhet nga prindërit për fëmijët nën 14 vjeç dhe nga vetë studentët, kur e kanë kaluar këtë moshë. Vendimi merret çdo vit, kur fëmija regjistrohet në shkollë. Studentët marrin një raport, që nuk është i krahasueshëm me disiplinat e tjera dhe nuk ndikon në karrierën shkollore. Tekstet e këtij edukimi duhet të aprovohen nga autoriteti kishtar.

Nuk ka ndonjë subjekt ose aktivitet tjetër detyrues për nxënësit, që nuk marrin pjesë në edukimin fetar katolik. Në disa shkolla ofrohen aktivitete, por janë iniciativa lokale. Qasja e IRC është konfesionale. Drejtohet nga kisha katolike romane dhe jepet mësim nga mësues katolikë, mbi bazën e programeve mësimore në përputhje me vizionin e traditës së krishterë. Institucionet kishtare katolike; a) vendosin mbi programin nacional, b) rekrutojnë mësuesit e edukimit fetar, c) aprovojnë mësuesit, d) aprovojnë tekstet në përputhje me programin.

Përmbajtja e IRC përfshin aspekte historike, biblike, dogmatike dhe etike, që pasqyrojnë besimin katolik, por ky mësim nuk nënkupton besimin ose anëtarësinë e studentit te kisha dhe qëllimi nuk është të mësohet besimi ose të ofrojë ndonjë lloj eksperience fetare. IRC është konfesional përsa i takon përmbajtjes: edhe materiali mësimdhënës është po ashtu konfesional, por qëllimet edukative janë jo konfesionale. Në fakt, tekstet janë normative, janë skolastike, që nënkuptojnë një natyrë kulturore, informative, kritike dhe jo pastorale ose katekiste. Gjithashtu, edhe studentët që nuk i përkasin besimit katolik, mund të marrin pjesë në këtë edukim, sikurse dhe studentët katolikë mund të largohen prej tij, përderisa kjo lëndë është me zgjedhje. Qasja didaktike është kryesisht hermeneutiko – antropologjike dhe më pak historiko – kulturore. Studimi i Biblës është pjesë e kurrikulës, por nuk i jepet vend qendror. Në shkollat e mesme nxënësit preferojnë që të zgjedhin pjesë nga programi, që fokusohet në çështjet mbi jetën dhe problemet ekzistenciale. Programi i ri parashikon dije edhe për fetë e tjera, i cili nuk është sipërfaqësor si në të kaluarën.

Problemi i mësuesve

Në sistemin parashkollor dhe shkollat fillore, mësuesi mund të japë këtë lëndë në qoftë se do ta jape dhe nëse ka kualifikimin e domosdoshëm për ta bërë atë. Nëse jo, atëherë emërohet një mësues i veçantë. Në shkollën e mesme, niveli i parë dhe i dytë, kërkohet një mësues specialist. Kushdo që do e japë këtë lëndë aprovohet nga autoriteti kishtar lokal. Mësuesit e marrin formimin bazë në institutet rajonale të shkencave fetare. Këto janë nën drejtimin e kishës. Koha e studimit është tre vjet, për shkollat fillore dhe pesë vjet për mësuesit e shkollave të mesme. Parashikohet edhe një trajnim i vazhdueshëm, seminare dhe worshope, që organizohen nga qendra teologjike ose pedagogjike nga dioqezat. Mësuesi i edukimit fetar paguhet nga administrata shtetërore, si çdo mësues tjetër. Në vitin 2004, mësuesi i edukimit fetar fitoi të njejtin status juridik me përcaktimin e kualifikimeve hyrëse.

Përsa i takon shkollave private, rregullat janë të njëjta si në shkollat publike. Ka vetëm ndryshime të vogla si, për shembull, dy orë në javë edukim fetar në vend të një ore, siç është në arsimin publik dhe pjesëmarrja e detyrueshme e të gjithë nxënësve në shkollat konfesionale. Aspekteve pastorale u jepet më tepër prioritet se aspekteve kulturore dhe mësuesit nuk kanë të njejtin kualifikim, siç kërkohet në shkollat shtetërore. Rajonet e Trentos dhe të Bolzanos kanë disa ndryshime nga pjesa tjetër e Italisë.

 

Edukimi fetar në Greqi

(Bazuar në studimin e Georg Tsakalidis, Religious Education in Greece, në Religious Education in Europe, iko, Norway, 2007, f. 89 – 96).

Tipi i qeverisjes: Demokraci parlamentare

Popullsia: 10 668 354

Përkatësia fetare: Grekë ortodoksë 98.0%

Myslimanë: 1.3%

Të tjera: 0.7%

Pas rënies së diktaturës në Greqi, ndërmjet teologëve dhe mësuesve të edukimit fetar, ka patur shumë diskutime mbi edukimin fetar në shkolla. Pavarësisht diskutimeve, teologjia ortodokse e identifikon veten si teologji liturgjike, pra, e shikon edukimin fetar si mbështetje për nxënësit në zhvillimin e orientimit jetësor. Duhet theksur se numri i të rinjve, që ndjekin kishën është shumë më i madh se në vendet e tjera europiane. Kjo është rezultat i traditave liturgjike që ekzistojnë prej shekujsh në familje dhe kongreagacionet e shumta. Në Greqi, çdo ditë shkollore fillon me lutje. Në disa shkolla kjo kombinohet me këngë kishtare.

Pavarësisht debateve politike dhe teorike, edukimi fetar i ka ruajtur pozitat në shkollën greke. Duhet theksuar se në Greqi nuk ka shkolla jo konfesionale. Edukimi fetar, në kushtetutën e re (1975), nuk përmendet drejtpërdrejt, por objektivat e edukimit, që janë përmendur në tekst, nuk mund të realizohen pa edukimin fetar. Për shembull, neni 16/2 shpall se qëllimi i edukimit të të gjithë grekërve duhet të jetë “edukimi moral, shpirtëror, njohës, profesional dhe fizik i të gjithë grekëve, zhvillimi i ndërgjegjes nacionale dhe fetare, si dhe edukimi i qytetarëve të lirë dhe të përgjegjshëm”. Objektivat fetare të edukimit, bazuar te kushtetuta, interpretohen si detyrim i shtetit për të organizuar dhe financuar edukimin fetar. Për pasojë, shteti është përgjegjës për edukimin fetar dhe për tekstet shkollore. Ai mund, por jo domosdoshmërisht, të konsultohet me kishën. Mësuesit e edukimit fetar caktohen nga shteti, pa një leje nga kisha. Mundësia për të zgjedhur këtë edukim u jepet vetëm nxënësve të feve të tjera ose fëmijëve nga familjet ateiste. Edukimi fetar është një lëndë e zakonshme shkollore. Në programet shkollore dhe në çertifikatën e nxënësit, ajo përmendet e para dhe është domethënëse për testimet dhe vlerësimet. Aktualisht, edukimi fetar bëhet dy orë në javë nga klasa e parë në të gjashtën dhe nga viti i parë deri tek i treti në gjimnaz dhe nga viti i parë deri tek i dyti në lice. Në vitin e tretë të liceut jepet një ore në javë. Problemet e fesë trajtohen të lidhura me historinë lokale. Edukimi fetar është më i dobët në shkollat teknike dhe profesionale.

Që nga viti shkollor 2006 – 2007, edukimi fetar ka marrë një aspekt ndërfetar me qëllim që të përshtaten objektivat e përgjithshëme me shkollën moderne. Kjo qasje e re synon edhe një vështrim kritik ndaj çështjeve fetare dhe vlerave, shqyrtimi i rolit të krishtërimit për kulturën dhe historinë e Greqisë dhe të Europës, perceptimi i shprehjeve të ndryshme të fetarisë, zhvillimi i një mënyre të pavarur të të menduarit, perceptimi se mesazhi i vërtetë i krishterë është transkulturor, transnacional dhe ekumenik, pranimi i karakterit multi-kulturor dhe multi-fetar i shoqërisë dhe zhvillimin e dialogut. Këto objektiva të reja janë shoqëruar edhe me ndryshime në tekstet e edukimit fetar, në trajnimin e mësuesve dhe rolin e kishës në këtë proces, si dhe në mësimin fetar për minoritetin islamik në Thrakë.

 

KREU III: MËSIMI I FAKTIT FETAR NË SHKOLLËN LAIKE

Disa njerëz besojnë te Zoti, disa të tjerë janë ateistë, të tjerë janë agnostikë. Këto janë tri tipet e mëdha të zgjedhjeve shpirtërore. Kështu, problematika ndërmjet pushtetit temporal dhe jetës shpirtërore është më e gjerë se problematika e mërrëdhënieve ndërmjet politikës dhe fesë. Konfuzioni i rendit temporal dhe atij shpirtëror mundet, në rastin e ekstremeve të teokracisë dhe fondamentalizmit, të prodhojë institucionalizimin e një skllavërie shumëformëshe të trupit nga shpirti. Nga kjo varësi lindi nevoja e laicitetit si realizim i lirisë shpirtërore dhe autonomisë së jetës temporale. Edukimi në një shoqëri demokratike dhe pluraliste synon lulëzimin personal dhe social të çdo njeriu. Në këtë kontekst, vlerat fetare dhe morale formojnë një fushë mjaft të ndieshme, sepse ato kanë të bëjnë me besimet dhe kuptimin tonë për botën.

  1. Kuptimi i laicitetit dhe fenomeni fetar

Pyetja që shtrohet është: A është i pajtueshëm me karakterin laik të shumë institucioneve publike, me neutralitetin politik ose me një laicizëm të fortë të edukimit në përgjithësi marrja në konsideratë e dimensionit fetar në edukimin ndërkulturor? Dihet se demokracitë, në shkallë dhe mënyra të ndryshme, janë shoqëri laike. Megjithatë, ky pohim kërkon disa shpjegime. Kështu, laiciteti ‘à la française’ është një mënyrë e veçantë për të rregulluar marrëdhëniet ndërmjet kishës dhe shtetit, por këto parime politike dhe juridike gjenden edhe në forma e në kontekste të tjera demokratike. Nuk ekziston një “laicitet i kulluar”, dhe, madje, një shoqëri krejtësisht laike nuk do të ishte e dëshirueshme. Duke marrë parasysh kompleksitetin e shoqërive moderne, siç i pamë edhe në modelet e mësipërme në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet kishës dhe shtetit, të përpunuara nga traditat kombëtare, instancat politike dhe juridike duhet të përpunuar një qëndrim progresist kundrejt feve, pasi edhe ato vetë janë në evolucion. Përshtatja ndaj pluralizmit supozon që shoqëritë demokratike të jenë të afta për të kombinuar karakterin e tyre kombëtar, të përcaktuar nga kultura dhe historia, me një koncepsion qytetar dhe plurietnik të vetë këtij realiteti pluralist. Neutraliteti politik nuk nënkupton që shteti duhet ta injorojë faktin se qytetarët, shoqërisht dhe politikisht, veprojnë sipas besimeve të tyre. Për më tepër, shteti duhet të jetë gardian në ruajtjen e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë së qytetarëve të vet, duke mos privilegjuar këtë ose atë grup fetar.

Laiciteti nuk duhet parë si një kërkcënim për fenë dhe feja nuk duhet parë si një kërcënim për laicitetin. Megjithatë mbetet rreziku që dimensioni fetar i edukimit ndërkulturor të prekë ndjeshmërinë e besimtarëve dhe jo besimtarëve; të parët, nga frika se bindjet e tyre mund të banalizohen dhe relativizohen, të dytët, nga frika e një lloj proselitizmi të veshur me petka të reja, ose nga një shfrytëzim i besimit njerëzor. Këtu, duhet shtuar edhe fakti se në shumë vende, dimensioni fetar, tradicionalisht, konsiderohet si i lidhur vetëm me sferën private (familja, bashkësia fetare ose mësimi fetar në shkollat konfesionale).

Megjithatë, cilado qoftë forma që merr sistemi laik ose shteti i së drejtës në një kontekst kombëtar të dhënë, neutraliteti politik duhet të përpunojë mënyra dhe mjete për të integruar larminë, respektimin e traditave dhe dialogun ndërkulturor në përputhje dhe realizim të të drejtave themelore të secilit.

Kjo fuqizon aftësinë tonë për të jetuar së bashku. Pra, shoqëritë laike duhet të ofrojnë një kuadër, që lejon pranimin e laicitetit në një shoqëri qytetarësh të barabartë. Ky pranim është një kusht sine qua non në qoftë se aktorët publikë duan të përcaktojnë norma të përbashkëta në një kontekst pluralist.

Këto norma të përbashkëta nuk mund të përcaktohen njëherë e përgjithmonë. Ato procedojnë perms një ndërveprimi dhe dialogu në një kontekst multikulturor. Prandaj, edukimi luan një rol thelbësor në mirëkuptimin ndërkulturor, në favorizimin e bashekzistencës harmonioze dhe të tolerancës.

 

  1. Pritshmëritë, rezistencat dhe kuptimi i shtrëngesave

Përse duhen studiuar fetë në shkollë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, duhet ndalur shkurtimisht në argumentet kryesore pro dhe kundër. Katër argumente parashtrohen në favor të studimit të fesë në shkollë, që mund të përmblidhen si më poshtë:

  • Argumente, që rrjedhin nga natyra e fesë,
  • Argumente, që rrjedhin nga “çështjet e fundme”,
  • Argumente, që rrjedhin nga analiza e shoqërisë botërore,
  • Argumente, që rrjedhin nga karakteri pluralist i shoqërisë.

Ndërsa kritika përmblidhet në katër grupe argumentesh:

  • Argumenti filozofik,
  • Argumente teologjike,
  • Argumenti linguistik,
  • Argumenti praktik.

Argumentet në favor të studimit të feve në shkollë bazohen në koncepsionin se edukimi buron nga mënyra se si shikohet marrëdhënia e individit me shoqërinë. Në qoftë se kjo marrëdhënie shikohet nga pikëpamja e shoqërisë, insistohet në funksionet e integrimit të procesit edukativ. Të përgatitet nxënësi për të zënë vendin e vet në shoqëri duke i transmetuar atij trashëgiminë sociale dhe kulturore të shoqërisë, ku ai ka lindur. Në qoftë se këtë marrëdhënie e shikojmë nga ana e individit, arrijmë në dy koncepsione të ndryshme; i pari që nuk e merr shoqërinë në konsideratë dhe që e shikon fëmijën si subjekt, që zotëron në vetvete farën e personalitetit të vet dhe ku roli i edukatorit është që të ndihmojë këtë farë që të zhvillohet; i dyti, që e shikon shoqërinë si kundërshtar në zhvillimin e individit. Në këtë optikë, edukimi bëhet një aktivitet, që synon të çlirojë individin nga shtypja e shoqërisë. Tensioni ndërmjet integrimit shoqëror dhe zhvillimit personal nuk është pa ndikim në përcaktimin që i jepet mësimit fetar në shkollë, si dhe qëndrimit që duhet mbajtur ndaj kësaj lënde shkollore.

Ata që e konsiderojnë shkollën, në terma profesionalë, si përgatitje për punë, e quajnë të padobishëm mësimin fetar dhe si të përshtatshëm vetëm për ata që do t’i kushtohen rrugës fetare. Ata që e konsiderojnë shkollën si mësim i disa roleve shoqërore, e konsiderojnë mësimin fetar si faktor që nxënësi të vihet në kontakt me kërkesat morale të shoqërisë dhe që të mësojë ta rregullojë sjelljen e tij në funksion të këtyre kërkesave. Së fundi, ata që e konsiderojnë mësimin e fesë si diçka që duhet t’i trasmetojë nxënësit trashëgiminë kulturore të shoqërisë ku ka lindur, përdorin dy tipe argumentesh në favor të mësimit të fesë. Për disa, mësimi i fesë është i domosdoshëm që nxënësi të ndërgjegjësohet për rolin e rëndësishëm që luajnë besimet fetare në zhvillimin e kulturës kombëtare. Për të tjerë, nxënësi nuk duhet të kënaqet me një ndërgjegjësim të tillë, por vetë ai duhet t’i përshtasë besimet fetare, ndryshe mbijetesa e kulturës kombëtare do të jetë problematike. Për më tepër, nxënësi duhet ta pranojë të vërtetën e mesazhit të krishterë, në qoftë se do t’i gjejë një kuptim jetës së tij.

Por ka disa probleme:

Së pari, në një shoqëri multikulturore është e vështirë të dihet se cila kulturë dhe cili mesazh duhet mësuar.

Së dyti, e vërteta e mesazhit të bashkësive të ndryshme të besimtarëve nuk ka të njëjtin status epistemologjik dhe nuk u nënshtrohet rregullave të njëjta të verifikimit, si ato të lëndëve të tjera, që mësohen në shkollë. Këto janë çështjet që dalin nga një konceptim edukimi, që privilegjon integrimin shoqëror. Edhe qasja që insiston në zhvillimin personal të atij që edukohet ka ngjallur diskutime pasi mund të çojë në reaksione brenda shoqërisë, për shkak të theksimit të subjektivitetit individual, që mund të shpjerë në një kornizim të rrugës edukative të të rinjve.

Por ka edhe një koncepsion, që nuk absolutizon as shoqërinë dhe as individin. Sipas këtij koncepsioni, që quhet demokratik, edukimi duhet ta ndihmojë çdo individ, që të kuptojë shoqërinë dhe trashëgiminë e saj kulturore, duke ia nënshtruar shoqërinë një gjykimi kritik për të ndihmuar në lindjen e një shoqërie më të mirë, duke ndryshuar strukturat dhe institucionet, që nuk u përshtaten kushteve të reja. Në këtë kontekst, edukimi fetar konsiderohet si edukim specifik, pasi ka një structure epistemologjike të veçantë. Kështu, studimi i fesë në shkollë mund të justifikoht nga dy argumente që rrjedhin nga natyra e fesë;

  1. a) ekziston një fushë unike e eksperiencës njerëzore që quhet fe ose një mënyrë e veçantë për të gjetur kuptimin e jetës që është fetare,
  2. b) për të qartësuar se çfarë nënkupton feja, duhen shqyrtuar disa fenomene që i përkasin fetarisë.

Të gjithë autorët në favor të këtij argumenti bazohen në parimin se dukimi i një personi nuk është i plotë në qoftë se ai nuk hyn në tërësinë e eksperiencës njerëzore, që përfshin dhe eksperiencën fetare të njeriut. Me fjalë të tjera, edukimi fetar nuk lidhet vetëm e vetëm me pajtimin ose mospajtimin e ringjalljes së Jezusit (pasi ky diskutim ka karakterizuar vendet perëndimore), por përmes kuptimit se çfarë nënkupton, në planin fetar, fakti i ringjalljes së Jezusit. Edukimi nuk ka të bëjë me besimin ose mosbesimin, por me bazat e besimit ose mosbesimit. Kjo do të thotë që për të qenë vetvetja, edukimi duhet të jetë kritik në raport me përmbajtjen me qëllim që të shmanget indoktrinimi. Ekziston një papajtueshmëri ndërmjet edukimit dhe çdo forme ndikimi të një autoriteti të jashtëm, që kërkon të përjetësojë vetveten dhe t’i mbajë njerëzit në një gjendje varësie.

Në argumentin, që lidhet me “çështjet e fundme”, problemi nuk ka të bëjë me bagazhin e dijeve që lidhen me fenë, por më shumë me disa çështje-çelës, që prekin jetën e çdo njeriu. Fetë duhen pare përmes shqyrtimit të “çështjeve të fundme”, sepse këto çështje bëjnë të mundur të shikohen të dhënat fetare të lidhura me jetën e nxënësit. Termi “çështje të fundme” duhet dalluar nga çështje të tilla si “A do ta prekë pagën time inflacioni?”, ose “A do të kem punë vitin tjetër?”. Ato kanë të bejnë me pyetje si “Kush jam unë?”, “A jam unë i lirë?”, “Përse ka kaq vuajtje?”, “Kush është i afërmi im?”, “A është vdekja fundi i gjithçkaje”?

Të gjitha fetë i kanë shtruar këto çështje dhe, nga përgjigjet që kanë dhënë, kanë nxitur shkrimin e faqeve më interesante të literaturës fetare. Këto pyetje shqetësojnë ende të rinjtë dhe i shtyn që të studiojnë fetë. Ky bagazh dijesh mbi fenë nuk synon vetëm informimin, por stimulimin e nxënësve në kërkimin personal të një filozofie ose teologjie, që i jep kuptim jetës. Kjo është një qasje ekzistenciale, që vë në qendër fëmijën. Megjithatë, edukimi fetar nuk ka monopolin e shqyrtimit të këtyre çështjeve, pasi përmbajtja e edukimit fetar është feja dhe jo tërësia e çështjeve që lidhen me kuptimin e jetës. Përgjigjet që japin fetë për këto çështje duhen parë në raport me ato që japin shkencat, artet dhe shkencat humane.

Grupi i tretë i argumenteve lidhet me shoqërinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, në kuptimin se për të promovuar të kuptuarit ndërkombëtar është e domosdoshme që të kemi dije mbi kulturat e ndryshme nga tonat, gjë që supozon edhe studimin e feve. Kjo bëhet akoma më imperative edhe nga revolucioni teknologjik. Për shembull, si mund të kuptohet 11 Shtatori 2001 pa njohur vahabizmin dhe variantet e ndryshme kuranike? Si mund të kuptohen ngjarejt në ish Jugosllavi pa njohur ndarjet konfesionale në zonën ballkanike? Si mund të kuptohet muzika xhaz dhe pastori Martin Luter King pa folur për protestantizmin dhe Biblën? Historia e feve nuk është një përmbledhje kujtimesh të fëminisë së njerëzimit.

Kundërshtimet ndaj mësimit fetar përqëndrohen në vështirësitë praktike, që rrjedhin nga niveli i përgatitjes së mësuesve dhe mangësia e materialit didaktik. Përveç këtij aspekti praktik, disa filozofë të fesë theksojnë idenë se një fe mund të kuptohet vetëm “së brendshmi”, në kuptimin se një besimtar mund të kuptojë vetëm fenë e tij, ndërkohë që jo besimtari ka për fenë perceptime të përftuara nga sociologu dhe historiani.

Argument tjetër kundërshtues thotë se, që një profesor të flasë për fetë jo vetëm që duhet t’i njohë në thellësi, por të njohë edhe gjuhën si shprehet një fe e caktuar. Kjo duhet për të kuptuar problemet e  përkthimit, për të kuptuar më mirë konceptet themelore, të cilat shpesh janë të vështira për t’u kuptuar, për të qënë në gjendje që të komunikojnë me besimtarët, që i përkasin një tradite të caktuar dhe për të patur akses në dokumente, që ende nuk janë përkthyer. Frika nga ana e laikëve dhe mendjeve të lira është se përmes edukimit fetar në shkollë mos biem në katekizëm. Kësaj frike i ka dhënë një përgjigje Régis Debray në raportin që përgatiti për ministrin e edukimit nacional të Francës.

  1. Askush nuk duhet të ngatërrojë katekizmin dhe informacionin, pohimet e besimit me ato që ofron dija, dëshminë nga llogaritjet, epistemologjinë e Revelacionit me atë të arsyes, raportin e së shenjtës me kujtesën, që synon besimin me raportin analitik që synon dijen. Mësimi fetar, sado i argumentuar, presupozon autoritetin e një fjale të zbuluar të pakrahasueshëm me diçka tjetër, dija supozon një qasje përshkruese, faktuale dhe nocionesh të feve në pluralitetin e tyre, nga Lindja e Largët në Perëndim dhe pa privilegjuar njerën apo tjetrën. Republika nuk duhet të bëhet arbitër ndërmjet besimeve dhe barazia në parim ndërmjet besimtarëve, ateistëve dhe agnostikëve vlen a priori edhe për besimet.
  2. Për sa i takon kërkimit të kuptimeve rreth anktheve metafizike të qenies njerëzore ose për lidhjen e individit me kohën, kozmosin dhe njerëzit e tjerë, fetë nuk kanë a priori eskluzivitetin dhe prioritetin. Edhe përgjigjet, që na vijnë nga filozofia, shkencat, arti ndaj çështjeve që shtrohen rreth vdekjes, origjinës dhe finalitetit të universit kontribuojnë plotësisht në formimin e kuptimeve. Por shkolla, përmes mësimit të filozofisë, duhet ta zgjerojë inteligjencën reflective dhe kritike, pasi si mund ta kuptojmë zhvillimin e qytetërimeve pa marrë parasysh gjurmët që kanë lënë fetë e mëdha?
  3. Në jetën e përditëshme gëlojnë botime dhe sharlatanë, që hiqen se kanë kontakt me Perëndinë, duke përhapur një valë ezoterizmi dhe irracionalizmi, që nxit pasionet e njerëzve, sidomos të të rinjve. Por edhe fondamentalistët nuk mungojnë t’i indoktrinojnë të rinjtë, të cilët nuk janë të qartësuar për tekstet, që ata referojnë. Është provuar se një njohje objektive dhe e qartë e teksteve të shenjta, si dhe të traditave të tyre, bën që shumë të rinj integristë ta shkundin tutelën e autoritetit fanatik dhe, shpesh, jo kompetent. Qasja e dijetarit dhe qasja e besimtarit nuk i bëjnë konkurrencë njeri tjetrit. Prova është se të dyja mund të ekzistojnë te disa persona. Optika e dijes fillon duke bërë një ndarje ndërmjet fetarisë, si objekt të kulturës dhe fetarit, që ka si objekt kultin. Laiciteti ka të bëjë me atë që është e përbashkët për të gjithë, domethënë gjurmët e dukshme dhe të prekëshme të besimeve të ndryshme kolektive mbi botën, që njerëzit kanë sipas përkatësive, por pa i përzier.
  4. Deontologjia e mësimdhënies nënvizon se bindjet personale të mësuesit nuk duhet të ndikojnë nxënësin. Të japësh mësim për të njohur një realitet ose një doktrinë është diçka, të promovosh një normë ose një ideal është diçka tjetër. Mësuesit e kualifikuar i dinë mirë këto gjëra, që lidhen me artin e mësimdhënies. Në këtë kontekst, një didaktikë mbi shkencën për fetë duhet parë si parakusht para se të bëhet një hap konkret në shkollë, pasi vërtet fetë kanë një histori, por nuk janë vetëm histori dhe, aq më pak, statistikë. Të flasësh për kontekstin historic pa spiritualitetin që e gjallëron një fe, mbart rrezikun e një mësimi të thatë, pa jetë. Nga ana tjetër, të flasësh për mençurinë pa kontekstin social që e ka prodhuar, ka rrezik të shkohet drejt mistifikimit. Duhet informuar mbi faktet për të përpunuar kuptime.

Tek e fundit, parimi i laicitetit vendos lirinë e ndërgjegjes në plan të parë dhe është më i gjerë se sa liria e fesë që përdorin disa vende. Në këtë kuptin, laiciteti nuk është një opsion shpirtëror si të tjerët, por ai bën të mundur bashkekzistencën, pasi ajo që është e përbashkët nga e drejta për të gjithë njerëzit duhet të qëndrojë më lart se ajo që i ndan në fakt. Përmes kësaj dijeje për fetë mund të përballohet edhe fenomeni i fondamentalizmit, çështje që do të kërkonte një trajtim të veçantë.

  1. Përfundime.

Shkolla, si një institucion në shërbim të kërkesave të ndryshme që i bëhen asaj nga shoqëria civile, përballet me nevojën e reformave, që duhen bërë në përputhje me kërkesat e një shoqërie pluraliste  dhe në përputhje me konventat europiane, që synojnë mosdiskriminimin e të gjithë individëve pavarësisht ideve dhe besimeve të tyre. Përvoja e deritanishme europiane që parashtruam deshmon për një evolucion të mësimit fetar edhe vetë brenda kurseve konfesionale. Ky mësim ekziston, por është zhvilluar nën ndikimin e dy faktorëve; njeri është sociologjik, në kuptimin se pluralizmi fetar dhe filozofik i shoqërive europiane i detyron që të përfshijnë në kurrikulat shkollore më shumë alternative fetare dhe jo fetare dhe, së dyti, një faktor ligjor, përmes rëndësisë së parimit të mosdiskriminimit mbi baza filozofike dhe fetare bazuar në aktet ndërkombëtare dhe sidomos në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë kontekst do të theksoja disa parime për edukimin fetar nga dokumentet ndërkombëtare të përmbledhura në “Parimet drejtuese të Toledos mbi mësimin mbi fetë dhe besimet në shkollat publike”, përgatitur nga këshilli konsultativ i ekspertëve të ODHIR mbi lirinë e fesë dhe besimit.

Disa nga konkluzionet dhe rekomandimet mund t’i paraqesim si më poshtë:

  1. Dija rreth feve dhe besimeve mund të përforcojë vlerësimin mbi rëndësinë e respektimit të të drejtave të çdo njeriu për lirinë e fesë ose besimit; mund të nxisë qyterarinë demokratike dhe të promovojë kuptimin e larmisë sociale dhe, në të njejtën kohë, të forcojë kohezionin social.
  2. Dija rreth feve dhe besimeve përmban një potencial për të reduktuar konfliktet, që bazohen në mungesën e kuptimit të besimeve të tjera dhe inkurajojnë respektimin e të drejtave të tyre.
  3. Dija mbi fetë dhe besimet është pjesë e rëndësishme e edukimit cilësor, pasi kërkon që të kuptohet më mirë historia, letërsia dhe arti dhe mund të ndihmojë në zgjerimin e horizonteve kulturore dhe thellimin në studimin e kompleksitetit të të kaluarës dhe të së tashmes.
  4. Mësimi rreth feve dhe besimeve bëhet efektiv, kur kombinohet me përpjekjet për të ngulitur respsktin për të drejtat e tjetrit edhe kur ka mospërputhje rreth feve dhe besimeve. E drejta për lirinë e fesë ose besimit është një e drejtë universale dhe përmban dhe detyrimin për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve, përfshirë respektin për dinjitetin e të gjitha qenieve njerëzore.
  5. Një besim fetar (ose jo-fetar) i një individi nuk përbën një arsye të mjaftueshme për ta përjashtuar këtë person nga mësimi rreth feve dhe besimeve. Konsideratat më të rëndësishme në lidhje me këtë lidhen me ekspetizën profesionale, si dhe me qëndrimet bazike kundrejt tëdrejtave të njeriut në përgjithësi dhe, në veçanti me lirinë e fesë ose të besimit.
  6. Përshtatja e arsyeshme e politikave ndaj nevojave fetare mund të kërkohet për të shmangur shkeljen e të drejtave për lirinë e fesë ose besimit. Edhe kur nuk kërkohet në mënyrë strikte si çështje ligjore, kjo përshtatje i kontribuon krijimit të një klime toleranceje dhe respektit reciprok.
  7. Edhe kur ka kurse të detyrueshme rreth feve dhe besimeve, ato duhet të jenë mjaftueshëm neutrale dhe objektive dhe askujt që merr pjesë në këto kurse nuk duhet t’i shkelet e drejta e fesë dhe besimit.

OSBE, në përputhje me përfundimet e parashtruara më sipër, ka përpunuar disa rekomandime për shtetet anëtarë. Në radhë të pare, OSBE rekomandon njohjen e parimeve të Toledos midis mësuesve, stafeve administrative të shkollave, shoqatave të studentëve, organizatave të prindërve, vendimarrësve për politikën edukative dhe të gjithë palëve, që janë të interesuar për mësimin rreth feve dhe besimeve dhe këto parime duhet të jenë bazë në zbatimin dhe zhvillimin e një mësimi të tillë. Prandaj edhe në Shqipëri duhen përkthyer dhe përhapur këto parime drejtuese me qëllim që të shmangen zgjidhjet e nxituara dhe burokratike, siç ishte, së fundmi, një udhërrëfyes i shpërndarë nga këshilltari i ministres së arsimit dhe sporteve se si të bëhet mësimi i fesë në shkollë.

Ndër rekomandimet e tjera të OSBE për shtetet palë janë:

  1. Në zhvillimin dhe implementimin e këtyre programeve, të zbatohen standartet dhe rekomandimet relevante të organizatave ndërkombëtare, përfshirë OSBE, si dhe Rekomandimet 1202 (1993) mbi tolerancën fetare në një shoqëri demokratike, 1396 (1999) mbi fenë dhe demokracinë dhe 1720 (2005) mbi edukimin dhe fenë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
  2. Të vlerësohen kurrikulat ekzistuese që përdoren në shkollat publike, që kanë të bëjnë me mësimin rreth feve dhe besimeve me qëllim që të përcaktohet nëse ato promovojnë respektimin e të drejtës për lirinë e fesë dhe nëse janë të paanëshme, të balancuara, përfshirëse, në përputhje me moshën, të çliruara nga paragjykimet dhe që plotësojnë standartet profesionale.
  3. Të vlerësojnë procesin, që shpie në zhvillimin e kurrikulës mbi mësimin rreth feve dhe besimeve për t’u siguruar se ky proces është i ndieshëm ndaj nevojave të bashkësive të ndryshme fetare dhe për t’u mundësuar të gjithë aktorëve të interesuar që t’u dëgjohet zëri i tyre.
  1. Të shqyrtojnë se në ç’masë institucionet ekzistuese trajnuese të mësuesve janë në gjendje që të parashikojnë trajnime profesionale të domosdoshme rreth mësimit të feve dhe besimeve, në mënyrë që të promovojnë respektimin e të drejtëve të njeriut dhe, në veçanti, lirinë e fesë dhe të besimit.
  2. Të përcaktojnë se në ç’masë institucionet trajnuese të mësuesve parashikojnë dije të mjaftueshme mbi çështjen e të drejtave të njeriut, kuptimit mbi larminë e pikëpamjeve fetare dhe jo fetare në shoqëri, zotërimit të mirë të metodave mësimdhënëse të ndryshme, një qasjeje të kuptueshme mbi mënyrën se si jepet mësim feja dhe besimi në mënyrë për të qënë i paanshëm dhe profesional dhe respektin për tjetrin.

Duke theksuar edhe rolin e shteteve palë në procesin e organizimit, të përzgjedhjes së autorëve, në cilësinë e teksteve, bazuar në rekomandimet e mësipërme dhe ndihmën e Këshillit Konsultativ për përpunimin dhe zhvillimin e kurrikulave, që lidhen me mësimin e fesë, OSBE ka përpunuar këto parime kyçe drejtuese të këtij procesi.

  1. Mësimi rreth feve dhe besimeve duhet të jepet në mënyrë të tillë që të jetë i drejtë, i saktë dhe i bazuar në dije të sakta. Studentët duhet të mësojnë rreth feve dhe besimeve në një ambient që respekton të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe vlerat qytetare.
  2. Ata që japin mësim mbi fetë dhe besimet duhet të kenë një angazhim ndaj lirisë së fesë, që kontribuon në ambientin shkollor dhe praktikat, që nxisin mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve në frymën e respektit reciprok dhe mirëkuptimin ndërmjet anëtarëve të komunitetit shkollor.
  3. Mësimi rreth feve dhe besimeve është përgjegjësi e madhe e shkollës, por, në mënyrën se si ky mësim bëhet nuk duhen injoruar roli i familjeve dhe organizatave fetare në trasmetimin e vlerave fetare në gjeneratat suksesive.
  4. Duhen bërë përpjekje për të krijuar trupa këshillimorë në nivele të ndryshme, që të mbajnë një qasje përfshirëse për të përfshirë aktorë të ndryshëm në përgatitjen dhe zbatimin e kurrikulës dhe në trajnimin e mësuesve.
  5. Aty ku programi detyrues përfshin mësimin rreth feve dhe besimeve, por që nuk është mjaftueshëm objektiv, duhen bërë përpjekje për ta riparë atë, për ta bërë më të balancuar dhe të paanshëm. Por aty, ku kjo nuk është e mundur ose nuk mund të bëhet menjëherë, njohja e të drejtave të vendosura mund të jetë një zgjidhje e kënaqëshme për prindërit dhe nxënësit, duke siguruar se rregullimet e vendosura strukturohen në një mënyrë sensitive dhe jo diskriminuese.
  6. Ata që japin mësim mbi fetë dhe besimet duhet të jenë edukuar në mënyrë të përshtatshme për ta bërë këtë. Mësues të tillë kanë nevojë të kenë dije, qëndrime dhe aftësi për të dhënë mësim mbi fetë dhe besimet në një mënyrë të drejtë dhe të balancuar. Mësuesit kanë nevojë jo vetëm për kompetenca mbi çështjen, por edhe aftësi pedagogjike, kështu që ata mund të ndërveprojnë me studentët dhe t’i ndihmojnë ata që të ndërveprojnë me njeri tjetrin në mënyrë sensitive dhe në respekt të njeri-tjetrit.
  7. Përgatitja e kurrikulave, teksteve dhe materialeve edukative për mësimin mbi fetë dhe besimet duhet të marrin parasysh pikëpamjet fetare dhe jo fetare në mënyrë që të jenë përfshirës, të drejtë dhe që respektojnë idetë e të tjerëve. Kujdes i duhet kushtuar materialit të pasaktë dhe paragjykues, veçanërisht kur përforcon stereotipet negative.
  8. Kurrikula duhet zhvilluar në përputhje me standarte profesionale të pranuara me qëllim që të sigurohet një qasje e balancuar në studimin e feve dhe besimeve. Zhvillimi dhe zbatimi I kurrikulës duhet, gjithashtu, që të përfshijë procedura të hapura dhe të drejta që u jep të gjitha palëve të interesuara mundësi të përshtatshme për të ofruar komente dhe këshilla.
  9. Vetem kurrikula cilësore në fushën e mësimit të feve dhe besimeve mund të kontribuojë në mënyrë efektive në qëllimet edukative të Parimeve Drejtuese të Toledos nëse mësuesit trajnohen profesionalisht për ta përdorur kurrikulën dhe për të marrë trajnime të vazhdueshme për të zhvilluar më tej dijet dhe kompetencat e tyre në lidhje më këtë çështje. Çdo përgatitje bazike e mësuesve duhet vendosur në një kuadër dhe zhvilluar në përputhje me parimet demokratike, të të drejtave të njeriut dhe të përfshijë një vështrim në larminë fetare në shoqëri.
  1. Kurrikula, që fokusohet në mësimin e feve dhe besimeve, duhet t’i kushtojë vëmendje zhvillimeve historike dhe bashkëkohore që karakterizojnë fetë dhe besimet dhe të reflektojë çështjet globale dhe lokale. Ajo duhet të jetë e ndjeshme ndaj shfaqjeve të ndryshme lokale, të pluralitetit fetar dhe shekullar, të pranishëm në shkollat dhe bashkësitë që u shërbejnë. Ndjeshmëri të tilla do të ndihmojnë në trajtimin e çështjeve që lidhen me studentët, prindërit dhe aktorë të tjerë në edukim.

Meqënëse ky diskutim sapo është hapur në shoqërinë shqiptare, pas rënies së regjimit totalitar komunist, që e kishte ndaluar fenë me ligj, përvoja dhe parimet e mësipërme europiane në lidhje me mësimin e feve dhe besimeve në shkollë, duhet të përbëjnë kuadrin më të rëndësishëm parimor dhe konceptual për gjetjen e zgjidhjeve, që të ndikojnë në ruajtjen dhe përforcimin e tolerancës fetare dhe kohezionit social. Në këtë kontekst mund të jepen edhe disa rekomandime praktike:

  1. Duhet të krijohet një grup pune me ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët duhet të studiojnë se si paraqitet fakti fetar në lëndët humane, që zhvillohen në sistemin shkollor, si filozofia, sociologjia, historia, gjeografia, letërsia etj. Në të njejtën kohë duhet studiuar edhe kuadri ligjor ekzistues, me qëllim që të shikohet mundësia e rregullimeve dhe përmirësimeve, në përputhje me aktet ndërkombëtare dhe kuadrin kushtetues ekzistues.
  2. Duhet krijuar një institute, që të merret me trajnimin e mësuesve që do të merren me këtë subjekt. Për formimin e vazhdueshëm duhet menduar edhe një stazh kombëtar multidisiplinar. Ky stazh duhet zhvilluar në universitet. Në këtë kuadër mund të organizohen edhe universitete verore për kualifikimin e studentëve dhe mësuesve. Ky institut duhet të përpunojë edhe mjete pedagogjike të përshtatshme dhe të kontribuojë për një vlerësim sa më të mire të botimeve ekzistuese dhe atyre që do të përgatiten në të ardhmen. Një kurs i posaçëm duhet të jetë “Filozofia e laicitetit dhe mësimi i faktit fetar”. Përbërja e këtij instituti duhet të jetë me ekspertë që vijnë nga disiplina të ndryshme si, filozofia, sociologjia, pedagogjia, historia, historia e artit, letërisa, gjuhësia, artet plastike dhe muzika, me qëllim që të përgatiten dhe botohen dosje dhe mjete pedagogjike që destinohen për nxënësit.
  1. Pasi të përgatitet një raport nga grupi i ekspertëve, atëherë ai duhet t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë publik, me pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile, bashkësive fetare dhe bashkësive të prindërve. Në këtë mënyrë do të shmangen diletantizmat, nxitimet dhe zgjidhjet e gabuara, pasi ato kanë një ndikim shumë negativ në formimin e të menduarit kritik të nxënësve.

BIBLIOGRAFIA

  1. Robert Jackson, Siebren Miedema, Wolfram Weisse, Jean-Paul Willaime, Religion and Education in Europe, Waxmann, 2007.
  2. Elza Kuyk, Roger Jensen, David Lankshaer, Elisabeth Löh Manna, Peter Schreiner, Religious Education in Europe, iko, ICCS, Oslo, Norway, 2007.
  3. Toledo Guiding Orincioles on teaching about Religion and Beliefs in Public Schools, OSCE/ODHIR, 2007.
  4. Fernand Oullet, L’étude des religions dans les écoles, EDSR, Canada, 1985.
  5. Diversité religieuse et éducation interculturelle: manuel à l’usage des écoles, Council of Europe Publishing, 2007.
  6. The Religious dimension of intercultural education, Council of Europe Publishing, 2004.
  7. Cok Bakker § Karin Griffioen, Religious dimension in intercultural education, Duch University Press, 2001.
  8. Régis Debray, L’Enseignement du fait religious dans l’école laique, Odile Jacob, Paris, 2002.
  9. Jean Boussinesq, La laicité française, Edition du Seuil, Paris, 1994.
  10. Jean- Michel Ducomte, La loi de 1905, Quand l’Etat se séparait des Eglises, Les Essentiels Milan, 2005.
  11. Henri Pena-Ruiz, La laicité, Flammarion, 2003.
  12. Facilitating Freedom of Religion or Belief: A Descbook, Martinus Nijhof Publishers, Netherland, 2004.
  13. Hans Maier, L’Eglise et la démocratie, Criterion, Paris, 1992.
  14. Giovanni Cimbalo, Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri, Naimi, Tiranë, 2013.
  15. J. Swire: ALBANIA the Rise of a Kingdom, Arno Press & the New York Time, New York, 1971.
  16. Sir Charles Eliot: Turkey in Europe, Edward Arnold, London, 1908
  17. Alain Ducellier: “La façade maritime de l’Albanie au Moyen Age”, Institut for Balkan Studies, Thessaloniki, Greece.
  18. Jaques Bourcart: Shqipëria dhe shqiptarët, Dituria, Tiranë, 2004
  19. At Giuseppe (Zef) Valentini, Vepra I, Plejad, Tiranë, 2005.
  20. Gjergj Sinani, The Religious Phenomenon in Albania, European Journal For Church and State Research, V. 6, 1999, PEETERS, Belgium.
  21. Gjergj Sinani, Liria e ndërgjegjes, e mendimit dhe e fesë, Fodacioni shqiptar i shoqërisë civile Tiranë 1998,
  22. Gjergj Sinani, Shoqëria civile, Fodacioni shqiptar i shoqërisë civile, Tiranë, 1997.
Please follow and like us: