Organet muzikore prestigjoze të Europës pasqyrojnë albumin e kompozitorit Thoma Simaku
Organet muzikore prestigjoze të Europës pasqyrojnë albumin e kompozitorit Thoma Simaku.
Albumi i ri i kompozitorit Thoma Simaku me shtëpinë suedeze po vazhdon të pasqyrohet në disa nga organet muzikore më prestigjoze në vendet europiane.
Radioja Kombëtare e Francës në emisonin e saj më 7 Shkurt 2021 e cilësoi ‘muzikë mahnitëse’ (musique etonnante’).
Mbas kritikës gjermane ‘Das Klasik & Jazz’ (të cilën Opus Alb. e botoi të plotë’), revistat kryesore britanike dhe franceze (‘Gramophone’, dhe ajo ‘Diapason’) bënë një vlerësim të dukshëm.
Së fundi, ky album është zgjedhur nga revista muzikore e BBC-së në edicionin e shkurtit 2021, e cila i ka dhënë 4 yje!
Në të shkruhet:
‘Nuk e njihja fare Simakun, por kam arritur të vlerësoj së tepërmi aftësinë e tij për të krijuar me guxim peizazhe të thella muzikore. Veprat për kuartet harqesh në këtë CD janë veçanërisht imponuese’.
Universiteti i York-ut i ka botuar këto artikuj:
Në recensionin maksimal me pesë yje të revistës franceze ‘Diapason’ të muajit janar 2021, shkruhet:
“Ekspresionizmi i Simakut në veprat për kuartet harqesh rrjedh më tepër nga një prirje për një gjuhë harmonike dhe tekst muzikor specifik, se sa thjesht nga një sensitivitet i lartë ekspresiv’.
Duke folur për Kuartetin Nr 5, kritiku Pierre Rigaudière shprehet: “Pothuajse e pamaterializuar (koha e parë Spaziale), goditje fshikulluese të akordeve (fillimi i kohës së dytë), një lirikë elektrizuese dhe shtëllumbat kromatike, pasojnë njëra-tjetrën pa e humbur momentin. Në pjesët për piano, kompozitori shqiptaro-britanik parapëlqen ornamentet dhe rezonancat e gjata, sic shihet në pjesët solistike, që Joseph Houston i interpreton me një rrjedhshmëri të lartë, pa sakrifikuar tingullin dhe efektin e atakut. Në kuintetin “Con-ri-sonanza” (2018), piano dhe harqet alternohen dhe duket sikur hakërrehen me njeri-tjetrin. Me momentin kur janë bashkë, një akord spektral buron nga nota më e ulët e violoncelit që sjell më vete dhe zgjidhjen e shumëpritur”.
Revista britanike ‘Gramophone’ e fillon artikullin duke përmendur dy albumet e para të Simakut me shtëpine diskografike “Naxos”, te cilët kanë ndihmuar për të bërë të njohur idiomën e tij muzikore “moderniste, por aspak hermetike”.
Kritiku anglez Richard Whitehouse vazhdon me dy veprat më të fundit për kuartet harqesh, te cilat “pasqyrojnë pikërisht këtë mendim”, duke thënë:
“Kuarteti Nr. 5 (2015) përqëndrohet në dualitetin: dy kohë kontrastuese, e dyta në dy pjesë, ku kjo e fundit përbën një sintezë edhe më domethënëse për faktin që përputhet me formulën [Orwelliane] 2 + 2 = 5.”
Më tej kritiku anglez Whitehouse shkruan: “Pianoja dhe kuarteti i harqeve bashkohen në veprën ‘Con-ri-sonanza’, titullin e së cilës mban dhe albumi, e cila rezulton si një afirmim i hollë i unitetit brenda diversitetit”, dhe e përfundon artikullin duke thënë: ‘Ata që kanë dyshuar vazhdimësinë e vlerave të estetikës moderne, mund të habiten’./opus.alb
Please follow and like us: