Albspirit

Media/News/Publishing

 Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: POLICIMI, PROFESIONI 200-VJEÇAR

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Fusha e sigurisë dhe policimit është një ndër fushat me të ‘gjuajtura’ në dekadat e fundit. Populli thotë ‘shkon gjuha tek dhëmbi’ dhe jo vetëm. Ka dy vite që në tregun e letrave të sigurisë të ngjeshur në faqe, me pesë pjesë e katërmbëdhjetë krerë është dhe “Policimi dhe çështjet e sigurisë”. Autorët Drejtues i Lartë Dr. Bilbil Memaj dhe Dr. Hasan Shkëmbi i janë drejtuar auditorit të përzgjedhur të fushës së sigurisë dhe policimit me aspekte teoriko-praktike të policimit profesionist. Eksperienca e gjatë në detyra të larta në fushën e policimit dhe rendit publik si dhe ekspertiza në fushën e sigurisë kombëtare dhe atë publike, kanë prerë ‘nyjen gordiane’ të policimit si profesion apo zanat. Policimi vjen si një format i zgjidhur teorikisht dhe praktikisht, duke ofruan shembuj hulumtues nga policimi perëndimor dhe hedhur dritë përtej shoqërive postmoderne. Këtu nuk gjenden as modele dhe as praktika të pjesshme apo të plota të këtij lloj publikimi. Autorët parapëlqejnë të mbeten autoktonë në ‘parcelën’ e lëvrimit të policimit, pa shkelur në rrugë të pashkelura. Disa ndër autorët më në zë të policimit në botën perëndimore kanë ‘mësuar shqip’, që në fakt janë referencat e autorëve duke sjellë elegancë dhe thellësi mendimi për studiuesit e fushës. Policimi nuk është zanat, por një profesion mëse dyqindvjeçar, pavarësisht se përcaktime të qarta rreth policit dhe policimit i gjejmë edhe në antikitet si Aristoteli, Demosteni, Themistokliu, Sofokliu, Tit Livi etj., që ruajtjes së rendit i jepnin vlerësim të lartë.

POLICIA, POLICIMI MODERN DHE ÇËSHTJET E POLICIMIT PROFESIONIST

Robert Peel, “babai” i policisë botërore, ka qenë i pari që e ndau policinë nga ushtria, sipas Enciklopedisë Britanike. “Policimi dhe çështjet e sigurisë” i bëjnë ‘autopsi’ problemit dhe sjellin në pah evolucionin që solli policimi si profesion në jetën e sigurinë publike të kombeve, një model policimi të kodifikuar në parime, që i ka rezistuar kohës për gati dy shekuj. Dhe kjo nis pikërisht nga Britania si atdheu i inovatorëve që eksportoi falas policimin dhe parimet e tij. Policimi si qasje e re teoriko-filozofike, por edhe operacionale e praktike vjen natyrshëm dhe shtrihet në ‘damarët e planetit’, duke u shtrirë edhe në Europë, Ballkan dhe mbarë botën. Është një vërshim i natyrshëm i së resë që nuk ka forcë që ta ndalë që vjen nga policia e parë e botës, si modeli ekselent që u eksportua falas për gjithë komunitetin botëror, duke shuar diskutimet e debatet shterpë. Kjo frymë eksportuese rrjedh nga ‘procesi akademik i Bolonjës’ dhe depërton natyrshëm përmes arsimimit, kualifikimit dhe trajnimeve të policimit si pjesë fillimisht programore dhe më tej si ide që prodhojnë elitat në fushën e sigurisë dhe policimit. Policimi vjen në një libër të qënësishëm si komponent e veprimtari e qëndrueshme, e domosdoshme dhe principiale për sigurinë e brendshme. Ajo është në ‘shtëpinë e vet’, që ka krijuar shtratin e vet të parimeve dhe normave që ofron policimi si profesion i vështirë, kompleks, jo gjithmonë dhe jo të gjithë munden ta arrijnë dhe të performojnë pa inteligjencën dhe pa arsimimin solid.

Për këtë arsye policimi modern me të drejtë kërkon një qasje arsimimi dhe trajnimi modern dhe mbi të gjitha me bazueshmëri të gjerë juridike legjislative. Për këtë arsye Monteskje (Charles-Louis de Secondat, Baron de La Brède et de Montesquieu 1689-1755) thoshte: “Atje ku ekzistojnë ligjet, liria nuk mund të nënkuptojë veprimet e gjithë asaj që dëshirohet. Liria është e drejtë atëherë kur zbatohet e gjithë ajo që ligjet lejojnë dhe nëse një qytetar bën atë që ligjet e ndalojnë nuk do të ketë liri për askënd”. Iluministi i parë francez barazon lirinë politike me sigurinë personale dhe juridike, ku veçanërisht insiston në respektimin e parimeve dhe të shtetit juridik, por që theksin e vendos tek organizimi dhe ndarja e tri pushteteve që e bën policia e mirë, (sipas veprës themelore të tij “Mbi frymën e ligjeve”). Për këto raste fjalën e merr në dorë ruajtësi dhe profesionisti i zbatimit të ligjit që është policia dhe policimi si veprimtari profesionale. Fakt është se nuk ka rëndësi ‘korsia’ nga vjen studiuesi dhe hulumtuesi i sigurisë, i policimit, i rendit, i mbrojtjes së komunitetit, i ndërgjegjësimit për standadizim. E rëndësishme është rezultati, standardi modern policor i bazuar, i analizuar shkencërisht dhe mbi të gjitha përfundimi, rezultantja, kryerja e sukseshme e misionit të policimit si veprimtari.

Trajtesa rreth policimit është mbledhur ‘grusht e nga një grusht’, në veprimtaritë më të sukseshme të planetit dhe që konkludohet se, “policimi në një shoqëri me shumë probleme ekonomike e sociale, kriza financiare të shoqëruara edhe me shpërthime të trazirave urbane ka nevojë për aftësitë e larta profesionale të punonjësve të policisë të përgatitur me njohuri nga fushat akademike: komunikim, bashkëpunim, rrjetëzim në komunitet, aftësi analitike, mënyra strategjike të të menduarit dhe operimit”. Në këtë mënyrë profesioni i policisë është bërë më kompleks dhe brenda kompleksitetit të tij do të kërkojë vëmendjen e merituar, analiza të thelluara dhe veprimtari kërkimore në interes të ardhmërisë parandaluese dhe operuese në praktikën e strukturave policore.

Gjithë pjesët e krerët janë rrjedhojë e një vështrimi të thellë në procesin studimor sikurse janë “Vështrimi në origjinën e zhvillimeve të policimit”, etimologjinë, historinë, policimin në antikitet, mesjetë, epokën koloniale, policimin moder, policinë metropolitane londineze dhe policinë e prefekturës së Parisit. Punimi fut në korrniza dhe në qasje policimin, politikat, konceptet, praktikat, zbatueshmërinë ligjore. Pasi kapërcen shekujt dhe eksperiencat e civilizimeve vijnë trajtesa të konceptit mbi policimin demokratik, të filozofisë dhe të parimeve duke u ndalur në rolet dhe stilet e policimit, mandati i policisë, roli dhe stilet e policimit, filozofia dhe debatet mbi rolin e policisë në shoqërinë demokratike.

POLICIMI DHE ‘SIGURIA’ SI KONCEPT I MBROJTJES PUBLIKE

Në fakt ‘siguria’ si koncept ka lindur me vonesë por veprimtaria policore dhe ruajtja e qetësisë është në një moshë me moshën e shtetit. Aktualisht në mjedisin e sigurisë policia ka marrë vlerat e një aktori të rëndësishëm. Sfidat e reja të sigurisë publike, veçanërisht në këto dekadat e fundit e veçanërisht pas LIIB, si pjesë përbërëse e sigurisë së kombeve, si nevojë për rend e siguri, si elementë esencialë të Sigurisë Kombëtare, për ndërveprim në një mjedis kërcënues gjithnjë e më kompleks. Përgjegjshmëria e studimit ndalet tek “Dhuna urbane dhe politikat qytetëse”, “Efektet e globalizimit në policimin postmodern”, “Konceptet doktrinare të policimit të sigurisë publike” duke bërë krahasueshmëri dhe hequr paralele historike me politika, qasje, koncepte, të drejtat në disa vende perëndimore, “Doktrina e policimit në komunitet”, “Qasje doktrinare të sigurisë në komunitet” me tendencë ndërtimi i parnershipit polici-komunitet etj.

Analiza teorike e praktike e ‘Policimit’ nuk mund të kuptohen pa “Trendet e policimit në shoqërinë postmoderne”, pa sfidat dhe kërcënimet e së ardhmes, pa policimin asimetrik, zgjidhjen problemore, pa policimin e udhëhequr nga inteligjenca, proaktivitetin, policimin gjeografik, policimin elektronik e dixhital, policimin parashikues bashkë me metodat, teknikat dhe kërcënimet e policimit parashikues. Mbyllja e studimit shkon në limitet kulmore për teori e praktika të policimit që lidhen me “Policimin e fuqisë së fortë (hard Power), të fuqisë së butë (soft pawer) dhe i policimit të zgjuar (smart pawer)”, që koncepton: “fuqinë në policim”, “policia shtrënguese/hard”, “policimi i fuqisë së butë/soft”, “policimi i fuqisë së zgjuar/smart”, “policimi i hapësirave me përqëndrim të lartë të krimit”, duke sjellë edhe shembuj e përvoja perëndimore, që veshin teorizimin e policimit me prakticitetin ndërkombëtar.

“Policimi dhe çështjet e sigurisë” kanë ‘shkelur’ dhe përbuzur javashllëkun dhe rutinën, janë ngritur mbi përgjumjen dhe apatinë skolastike. ‘Policimi’ është një zgjim dhe një thirrje për mbështetje për t’iu kthyer argumentit jo për vete, jo për ‘stoli intelektuale’, por për të domosdoshmen, për shtetin e së drejtës, për të drejtën dhe të vërtetën, për të sotmen dhe për të nesërmen, për atë që duhet bërë dhe që duhet çimentuar dhe mbrujtur me dituri, me arsim e kulturë, sepse është immediate edukimi për “policimin e shekullit të 21-të, edukim dhe armatosje me dije për një shoqëri multikulturore dhe postmoderne”. Libri është një material reference, një hulumtues për sigurinë kombëtare, për sigurinë publike, një derë e hapur për të detajuar programimin akademik mbi policimin dhe policinë. Depërtimi nëpër kornizën filozofike të paradigmës së shkencës së policisë dhe polemikat është një ‘ftesë për debat’ dhe një sfidë, që ‘dorezat’ hidhen për shkencëtarët që të zgjidhin çështjet themelore teorike, metodologjike e shoqërore, që u japin përgjigje dilemave të shekullit për policimin, policinë, filozofinë e policisë, kuptimin semantik, pjesët përbërëse të shkencës së sigurisë, lidhshmërinë të policimit, hulumtimit policor dhe praktikën operacionale policore, bashkëveprimin, botën akademike, fushat e përbashkëta, këndvështrimet krahasuese. Në këtë pikëpamje marrin vlerë zhvillimi principial për ata që ‘bëjnë policimin’, ‘artin e policimit për studentët e policisë’, ‘bazat teorike dhe shkencore të profesionit’, ‘kualifikimet e specializimet’, ‘moderniteti në policim’ dhe që të gjitha këto lidhen me çështje të kulturës dhe formimit bazal. Autorët kanë përjetuar në moshë të pjekur ‘çlirimin’ e policisë nga zinxhirët e diktaturës dhe shndrimin e saj në institucion në shërbim të demokracisë dhe të ligjit. Ata kanë përjetuar të dy ‘botët’ e policimit në Shqipëri në dy epoka, për të ardhur në ‘pikën e ngopjes’ dhe për ta hedhur vështrimin në vendet euro-atlantike dhe të partneritetit statategjik për ta shndruar policimin shqiptar në policim europian në praktika, në koncepte, në teori dhe në prakticitet. Synimi i tipizimit është thelbi, përbajtja e policimit që në demokraci modelimi policor është plotësisht i përputhshëm me institucionet demokratike sipas përvojës.

Libri është një ‘autopsi’ e mendimit policor dhe policimit si veprimtari, që vlen të mbetet pjesë e trashigimisë historiografike të policimit në Shqipëri. Nga ana tjetër është një gur i rëndësishëm në kështjellën e arsimimit policor në Shqipëri, duke menduar për gjeneratat e ardhshme në mënyrë të përgjegjshme. Nëse i referohemi Alcide de Gasperi, ai thoshte: “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme”. Dhe në këtë kontekst, autorët kanë menduar që gjenerata e ardhshme të mësojë të shkuarën, të tashmen dhe të parashikojë të ardhmen sepse “pa të shkuar nuk ka të ardhme”. Nga ana tjetër vërtetohet dashamirësia fisnike si shtetarë studiues me veti e cilësi që shpalosin përgjegjshmërinë dhe dashamirësinë e së ardhmes, funksionalitetit të policimit dhe armatosjes së strukturave që në Akademinë e Sigurisë me përgatitje të lartë teorike, si detyrim për gjithë brezat e policimit për t’u thelluar në dijet e së vërtetës, të drejtës, të ndershmes dhe një formati strikt të intelektualizmit policor. Fakt është se “Policimi dhe çështjet e sigurisë”, shkon përtej definicioneve se: “Policimi si një proces dhe veprimtari të realizimit të qëllimit të shërbimit policor brenda korrnizave të ligjit dhe respektimit të së drejtës”, si dhe “Policimi si sinergji e punonjësve të policisë për të kryer detyrat, për mbajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, parandalimin e shkeljeve, hetimin, duke garantuar liritë dhe të drejtave të njeriut”.

Edhe pse policimi bazohet në doktrinën e përdorimit të forcës minimale dhe propocionale ndaj shkelësve të ligjit në thelb është rojtare e sigurisë së brendshme komunitare, pavarësisht statusit njerëzor apo kufizues. Policimi është mbrojtje, ruajtëse rigoroze e rregullit, e rendit, qetësisë e ligjit, është veprimtari komplekse e përballjes me krimin dhe me kriminelin me detyrimin ligjor për ta mbrojtur atë. Mandanti i policimit fillon dhe mbaron vetëm brenda kornizës ligjore prandaj edhe veprimtaria e shërbimit profesionist është nën dy vëzhgues të ashpër të ligjit dhe të syrit të publikut.

IDENTITETI EUROPIAN I POLICIMIT

Librat kanë fatin e tyre, por ‘librat nuk shkruajnë fate’, por vërtetësi pavarësisht nga ‘uniforma që vesh’, ‘armatimi që mban e përdor’. Në shkencën e sigurisë, merr vlerë çdo detaj i shkencës së policisë dhe shkencave ligjore, shkencës ushtarake, teorisë së inteligjencës, diplomacisë, mbrojtjes civile, veprimit të faktorëve ekstremë, por sidomos faktorëve njerëzorë. Shqipërisë i shkon më për shtat dhe përbashkim me qasjen europiane të policimit, ndërkohë që ajo duhet të shikohet në sfidat e përbashkëta praktike të sigurisë në objektivat dhe në metodat për një qasje të përafruar dhe për të formatuar atë që në një komunitet dhe treg të përbashkët europian quhet ‘identiteti i përbashkët europian i policimit’. Shqipëria dhe shqiptarët do të ballafaqohen si deri më sot me sfida të përbashkëta të policimit, prandaj edhe zgjidhjet mund e duhet të jenë nën frymën europianiste, në çdo sfidë dhe në çdo zgjidhje krize edhe në të ardhmen. Istrumenti i fuqisë së brendshme edhe përballë kërcënimeve terroriste duhet që siguria publike kërkon sinergjizëm në zgjidhet e policimit shqiptar, të njëllojta me zgjidhjet europiane. Ruajtja e ekulibrave të qetësisë publike në hapësirën europiane mund të flasë nën një gjuhë. Sipas “Thomas Feltes and Maurice Punch”(2005, faqe 36) puna e policisë moderne europiane do përballet me gjashtë zhvillime qendrore: “më shumë profesionalizëm, më shumë bashkëpunim ndërkombëtar, reformë administrative e menaxhimit, teknologji dixhitale, bashkëpunim me agjenci komunitare dhe private, kulturë të ndryshme policore”.

Ndërkohë që Herman Goldstein (1931-2020) thotë se: “Forca e një demokracie dhe cilësia e jetës që gëzohet nga qytetarët e saj përcaktohen së tepërmi nga aftësia e policisë për të kryer detyrën”. Në shek. XXI, policimi do të përballet me megatrendet në perspektivën e sigurisë, trendet që formësojnë të ardhmen e policimit, ndikimet e teknologjisë në policim, çështje të tjera kritike të policimit, sjellin edhe kërkesa në rritje për kërkime të thelluara në fushën e policimit, ngritjen e nivelit teorik e akademik, bashkëpunim ndëruniversitar brenda e jashtë vendit, kërkime të përbashkëta dhe shkëmbim përvoje reciproke.

Të dhënat e antikitetit që historikisht dhe kronologjikisht vijnë me emërtime të ndryshme janë rrënja e së djeshmes policore si: ‘policia’ e antikitetit ishte ‘shuma e të gjithë autoriteteve shtetërore’ ose fjala frënge ‘police’, latinisht ‘politia’ (qeverisje, administrim), greqisht ‘polis’ (qytet, qytet-shtet) dhe ‘politeia’ (arti i qeverisjes së qytetit, rend, kushtetutë). (Sipas Henry George Liddell, Robert Scott, A Greel- English Lexicon, on Perseus Digital Library). Edhe pse sot ka evoluar dhe konsoliduar me gjetje e zgjidhje të reja, me prakticitet dhe teori moderniste. Është fakt se që prej përcaktimeve të filozofit Aristotel për nocionin “politea” e deri në ditët tona evolimi është i dukshëm jo vetëm në terma

Në parimet e njohura të policimit janë: “efikasitetit, lidhja me publikun, bashkëpunimi vullnetar, zvogëlimi i përdorimit të forcës fizike, paanshmëria, përdorimi me kriter i dhunës vetëm për të rivendosur rendin, paralajmërimi në kohë, ndërmjetësimi, policia është anëtar i publikut që paguhet me taksat e tyre dhe për të ruajtur qetësinë e tyre, veprimi rigoroz dhe brenda kompetencave ligjore, efikasitet i shpejtë etj., si provë e dukshme në syrin e publikut. Ky është formati i policimit si profesion, që edhe pse ka një histori profesionistësh dyqindvjeçarë, si emër dhe veprimtari në forma nga më të ndryshmet, në uniforma të larmishme, në armatim dhe në thelb është i vjetër sa njerëzimi, bashkëudhëtar i shoqërisë njerëzore, që me lindjen e saj.  Identiteti europian i policimit paracakton sot kushte krejtësisht të reja, metodologji efikase, arsimim solid, kooperim bashkëkohor, rend e qetësi për qytetarin.

Në kuadrin e policimit europian, individualitetet dhe persnalitetet që kanë sjellë produktivitet të shkruar mbi ‘policinë dhe policimin’ janë gjurmët më të dukshme për sot dhe për brezat. Dr. Memaj, breza punonjësish të policisë ndër vite e thërrasin thjeshtë “gjenerali”, aktualisht drejtor/rektor i Akademisë së Sigurisë. Ai në bashkëpunim me Dr. Shkëmbi, që të dy me eksperiencë mbi dyzet vjeçare policore kanë evidentuar gjerësisht historinë, traditën dhe perspektivën e policimit shqiptar. Pas librave “Lidershipi në policinë e shtetit”, “Histori e Policisë”, “Akademia e Policisë në Shqipëri”, “Policitë e vendeve të Bashkimit Europian” e dhjetra publikime të tjera, “Policimi dhe çështjet e sigurisë” vjen si udhërrëfyes të policimit, një studim profesional jo vetëm për elitën drejtuese akademike dhe intelektuale, por për një masë të gjerë të policimit, si rekomandim mbi profesionalizmin dhe karrierën e trupës policore, që beson në realizimin e misionit të policimit me drejtuesit e saj dhe gëzon respektin e qytetarëve. Libri është një refleksion udhërrëfyes për modelin e policisë dhe profesionistët e policimit në Shqipëri.

 

Please follow and like us: