Albspirit

Media/News/Publishing

Kozeta Zavalani: Jonela Hasani, e vetmja shqiptare e nominuar për ‘Global Woman Awards’

Nga Kozeta Zavalani

Kujtoj se magjia e dashurisë sime me Amerikën u shfaq, në fund të vitit 99-të, kur shkela për herë të parë dhe ndesha pamjen e mrekullueshme me shkëlqimin e dritave natën në Nju Jork, ku lumi Hudson takon Oqeanin Atlantik. Jemi nisur me makinë së bashku me Valentina Hasanin nga Washingtoni, pas përfundimit të konferences së Rrjetit Botëror të Grave. Nuk mund ta harroj bisedën, që bëmë së bashku, se ndoshta ndonjë prej fëmijve tanë do të bëhej i suksesshën në New York. Dhe pikërisht këtë dëshirë po e plotëson vajza e mikes sime, Jonela Hasani që është e vetmja shqiptare e nominuar për Global Woman Awards në kategorinë e grave frymëzuese.

Ëndrra e saj e hershme ka qenë që të bëhej dikush, të ishte e suksesshme në realizimin e objektivave dhe dëshirave të saj. Dhe siç historia ka treguar, njerëzit që ia dalin vetë mbanë, kanë një rrugëtim të gjatë e të vështirë përpara. Shqiptarja Jonela Hasani, 38 vjeçe, është diplomuar dhe punon në Shkollën e Mesme Gjithëpërfshirëse të Natës dhe Ditës (MCNDHS) në Manhattan. Znj. Hasani emigroi në Shtetet e Bashkuara në moshën 19 vjeçe. Megjithëse kishte mbaruar shkollën e mesme në vendin e saj të lindjes, mungesa e aftësive në anglisht e pengoi atë të ecte përpara. Pasi foli me dikë me të cilën ajo ishte miqësuar pak pas mbërritjes së saj në SHBA, zonja Hasani zbuloi MCNDHS kur ishte 19 vjeç.

Zonja Hasani thotë: “Pasi panë notat e mia dhe folën me mua personalisht, ata panë potencialin tim dhe më dhanë mundësinë e regjistrimit. Unë isha me fat që një nga këshilltarët e mi të klasës pa veçantinë e historisë time dhe më dha guximin ta ndaj me të tjerët”, shpjegon zonja Hasani. Në moshën 21 vjeçare, doja të shkoja në Kolegjin Baruch, që të isha një biznesmene. Më pëlqente koncepti për të punuar në një korporatë të madhe dhe për t’u veshur me një kostum, siç do të prisnit nga një zonjë e sofistikuar. Ndërsa u bë pasioni im, unë shpejt mësova se të duash diçka dhe të marrësh diçka, janë dy gjëra shumë të ndryshme. Prandaj, për shkak të këtyre ndryshimeve, unë nuk isha në gjendje të shkoja në Kolegjin Baruk”.

Në vend të kësaj, zonja Hasani u regjistrua në City College të New York (CCNY), ku filloi të studionte për inxhinieri. Pas disa kurseve brenda semestrit të parë, ajo vendosi të ndryshojë drejtimin për në financë, ku më në fund mund të përmbushë ëndrrën e saj. Sidoqoftë, kishte çështje që erdhën dhe e penguan atë të realizonte ëndrrën e saj. Si rezultat, ajo u detyrua të transferohej nga CCNY në Kolegjin LaGuardia, ku vendosi të merrte infermierinë. “Nuk mund ta përfundoja programin e Infermierisë sepse ishte shumë konkurrues dhe nuk doja të humbja më shumë kohë në përpjekjen për të përmbushur ëndrrat e mia”, thotë ajo. “Vendosa të kthehem në CCNY, dhe këtë herë, me siguri, të përfundoj Diplomën Bachelor për Shërbimet Njerëzore. “Kam kuptuar se duke ndjekur kurse të ndryshme nën Shërbimet Njerëzore, unë përshtatem më mirë në përqendrimin e Psikologjisë. Unë u diplomova me një Bachelor të Arteve në 2014 dhe vazhdova me pasion arsimin tim dhe u regjistrova në Universitetin Alfred për programin master në këshillimin shkollor dhe e përfundova me rezultate të shkëlqyera në maj të vitit 2016”.

Rruga e saj drejt suksesit është unike. Gjatë ditëve të shkollës së mesme, ajo nuk kishte asnjë burim informacioni për të ardhmen. Ndërsa kishte një departament kolegji brenda MCNDHS, ajo ndjeu se nuk kishte burime të mjaftueshme në dispozicion, bazuar në situatën e saj në atë kohë. “Nuk e ke mundësinë që dikush, të të dedikojë kohën për të ndihmuar dhe t’ju shpjegojë me shumë detaje se çfarë të bësh dhe çfarë drejtimi të marrësh, nëse nuk ke dokumenta”, kujton zonja Hasani. “Thashë me vete se kur të merrja letrat e mia, do të kaloja kohë duke aplikuar për kolegj sepse doja të isha si të gjithë”.

Ajo dëshironte të bëhej dikush, të kishte një jetë më të mirë dhe një arsim më të mirë. “Doja të isha më e mira”, shprehet ajo. Ndërsa është zhvendosur në jetën e saj dhe po përgatitet për fazën tjetër, zonja Hasani nuk do ta harrojë kurrë se ku e ka filluar kur erdhi në SHBA. Ajo do të dëshironte t’i thoshte kujtdo që po vjen nga një prejardhje e ngjashme, duke luftuar për të gjetur se çfarë të bëjë pas përfundimit të shkollës së mesme, se ata kanë nevojë të flasin me dikë. “Gjithmonë jini gati të ndani atë që po ndodh me ju, veçanërisht me njerëzit e duhur. Merrni ndërhyrje të hershme sepse është e rëndësishme që ju të merrni pikërisht atë që dëshironi. Sigurohuni që të mos ngecni në një vend që ju lë të vetmuar dhe të paaftë të performoni në mënyra që do t’ju ndihmojnë të keni sukses “.

Ajo shton, “Ju patjetër që dëshironi të jeni diku, që të ndiheni të lumtur dhe po ndihmoni për të bërë një ndryshim”. Jonela Hasani është bërë anëtare në Global Woman Club që në dhjetor të vitit 2020. “Më datën 16 Shkurt 2021 Global Woman Club më dërgon një ftesë që unë isha nominuar me çmimin “Inspirational Global Woman of the Year 2021 Award” (Gruaja Globale frymëzuese e Vitit 2021) dhe gjithashtu të marr pjesë në Global Woman Summit 2021. Ndihem shumë krenare dhe mirënjohëse për nominimin tim si finaliste në mesin e grave nga e tërë bota. Për të fituar këtë çmim prestigjoz duhet të kryet votimi. Votimi ëshë i hapur deri në 2 Mars, 2021. Global Woman Summit 2021 do të zhvillohet në datën 5-8 Mars 2021. Ky është Samiti i 5-të i Global Woman Club, që do zhvillohet në Londër, në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë Samit do të marrin pjesë personazhe të mëdhenj nga e gjithë bota të profesioneve të ndryshme që hapin gjurmët e trasformimit, fuqizimit dhe zhvillimit”- tregon Hasani.

Ky nderim është pjesë e atij rrugëtimi të gjatë dhe të lodhshëm të saj. Jonela Hasani prej 20 vitesh jeton në shtetin e New Yorkut, pasi vendosi të largohej nga Shqipëria. Asokohe ishte vetëm 19 vjeç dhe sapo kishte përfunduar shkollën e mesme “Ismail Qemali”. Pa përkrahje, me mbështetjen e vetme morale të vëllait të saj më të madh, 25 vjeçar atëherë, arriti ti mbijetonte kontinentit të largët dhe të realizonte ëndrrën e saj me sukses. Por ajo thotë se ka qenë realisht e mundimshme dhe sfilitëse e gjithë rruga, e cila nuk ka përfunduar ende. Sepse ëndrrat vazhdojnë. “Kur emigrova drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ëndrra ime ka qenë që të bëhesha dikushi në jetë. Kjo ëndërr më ndiqte gjithmonë dhe pse nuk dija se nga tia filloja dhe çfarë doja të arrija. Shpresa dhe dëshira që kisha brenda meje më mbante të motivuar dhe më jepte shtytje që të merrja iniciativën e vetme për çdo gjë në jetë. Nuk mund të shmang frikën që gjithmonë më ka ndjekur në çdo hap që kam bërë dhe në çdo vendim që kam marrë. Frika, është pika ime më e fortë, që më bën të dal nga vetvetja dhe të marr përsipër timonin e jetës sime në dorë. Nuk kam patur asnjë mbështeje ekonomike; prindërit i kam patur në Shqipëri dhe unë jam përballur me jetën e vështirë dhe po ashtu dhe të ashpër të New Yorkut në një moshë shumë të re. Çdo gjë që e kam arritur në jetë, është me forcat e mia, me shumë sakrificë, mundim dhe kam patur shumë netë që nuk i numeroj dot, kur kam qendruar pa gjumë, por ia kam dalë mbanë. Objektivi im përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë që çdo gjë që kam arritur në drejtim të jetës time profesionale, ta vë në dukje dhe të vlerësohem”- tregon Jonela Hasani.

Ajo rrëfen se pjesmarrja në këtë eveniment është krenari dhe privilegj, jo vetëm për të si individ, familjen e saj, të afërmit dhe rrethin shoqëror, por për të gjitha femrat shqiptare dhe shqiptarët në botë. Jonela tregon se përgjatë rrugëtimit të votimit, mbështetja e shqiptarëve nga e gjithë bota ka qenë shumë e ngrohtë dhe e madhe, ku me shumë dashuri, po e mbështesin për një fitore për këtë çmim. “Me pjesëmarrjen time në këtë eveniment, më jepet mundësia të njihem me personazhe të mëdhenj nga e gjithë bota, të profesioneve të ndryshme dhe të kem mundësine të ndaj objektivat e mia profesioniale që unë aktualisht ushtroj”- thotë ajo.

Jonela në shtetin e New Yorkut punon si School Counselor (Këshilltare Udhëzuese) në një shkollë të mesme trasferuese e quajtur Manhattan Comprehensive Night and Day High School. Misioni i kësaj shkolle është të ndihmojë nxënësit e grupmoshave (17 deri në 21 vjeç), të cilët për arsye dhe rrethana të ndryshme, arsimimi i tyre ka qenë i ndërprerë. Shkollimi dhe pozicioni i saj në Departamentin e Edukimit të Qytetit të New York-ut për 16 vjet, e ka mundësuar të ushtrojë përvojën e fituar, duke punuar shumë afër me nxënësit. “Gjithashtu, më ka dhënë besueshmëri dhe përvojë që të përfshihem në mënyrë aktive në të gjitha aspektet e komunitetit shkollor. Unë i kam kushtuar jetën time fëmijëve/adoleshentëve të varfër ose fatkeq, të cilët për arsye të ndryshme, nuk kanë arritur të mbarojnë shkollën. Me punën dhe përkushtimin tim, unë përpiqem gjithmonë t’u hap dyert e suksesit këtyre njerzve kaq nevojtarë. Në shkollën ku unë punoj, kam krijuar një program “Klubi i Vajzave dhe Djemve” me mision dhe vizion për Vetë-Zbulimin dhe Fuqizimin, ku ata të jenë në gjendje të eksplorojnë dhe ndajnë cilësi të veçanta mendimesh, ndjenjash dhe ideshë. Me përvojën time në arsim kam frymëzuar shumë nxënës të bëhen të suksesshëm në jetën e tyre. Filozofia ime është “Çdo student mund të ketë sukses me ndihmën dhe udhëzimin e një mentori, që e sheh botën përmes syve të tyre drejt suksesit. Zemrat e tyre pasqyrojnë dashuri dhe dëshirë, për të ecur drejt suksesit”, tregon ajo. Tek iu kthehet kujtimeve të 20 viteve të shkuara, ajo tregon se ka ardhur në Amerikë në vitin 2001 si emigrante me një vizë të thjeshte si çdo emigrant tjetër shqiptar, ku ka hasur shumë vështirësi si në gjuhën angleze, dokumente dhe anën ekonomike.

“Dua të përmend që kam pasur mbështetje të ngrohtë nga vëllai im që është 6 vite më i madh se unë, që kishte ardhur 3 vite më përpara, Unë isha vetëm 19 vjeçe dhe vëllai në atë kohe ishte 25 vjeç. Ne të dy ishim shumë të rinj në moshë, kur nisëm një rrugëtim të panjohur të jetës tonë në Amerikë. Prindërit tanë i kishim në Tiranë, kështu që si unë, dhe vëllai im e filluam jetën tonë nga fillimi, ku më shumë se kurrë na mungonte edukumi dhe ngrohtësia prindërore, që na nevojitej asaj kohe.

Në vitin 2001, pa humbur kohë unë filloj një punë; merrem me procedurat e dokumenteve të mia dhe futem në shkollë. Fillova punë në një dyqan lulesh që e kisha pranë me shtëpinë ku jetoja. Në atë kohë baza e pagesës për orë ishte 5 dollarë, nëse ishe me dokumente. Por, për fat të keq, une nuk kisha dokumentet dhe kjo e bënte më të vështirë për të marrë atë pagë aq të ulët. Kështu që unë paguhesha vetëm $3.75 për orë dhe punoja me orë të zgjatuara. Në të njëjtën kohë dhe pse shkollën e mesme e kisha kryer në Tiranë në gjimnazin “Ismail Qemali”, të cilin e përfundova me sukses në vitin 2000, e rekomanduar nga një person i afërt i familjes tonë, unë fillova përsëri studimet në një shkollë të mesme trasferuese e quajtur Manhattan Comprehensive Night and Day High New York”, tregon ajo. Më tej diplomohet në qershor të vitit 2003 me rezultate të shkëlqyera dhe gjithashtu del në gazetën New York Times (At School for Hardest Cases, Perseverance, Night and Day.

“Dalja e emrit tim në këtë gazetë, ka qenë dhe zanafilla e ëndrrave të mia në Amerikë. Dalja e emrit tim në gazetën New York Times më hapi rrugën për të filluar ëndrrën time. Kjo gazetë më ndihmoi për fillimin e procedimit të dokumenteve të mia, gjë që ishte një arritje shumë e madhe për mua në atë kohë dhe më pas për pranimin tim në kolegj. Pas diplomimit unë kam punuar disa punë si shitëse, por e kuptova që ëndrrat e mia nuk po më realizoheshin. Punoja shtatë ditë në javë dhe akoma nuk kisha mundësi të paguaja faturat në kohë. Papritmas, kuptova se kisha nevojë për më shumë sesa një diplomë të shkollës së mesme, për të arritur një karrierë. Gjithmone kam dashur të arrija diçka, por e kam patur shumë të vështirë, sepse nuk kisha asnjë përkrahje dhe ndihmë nga askush. Më duhej të punoja 2 punë me orë të zgjatura, për të plotësuar nevojat e mia personale”, thotë ajo.

Shkrimi në gazetë ku mori kthesë jetësimi i ëndrrës

Mandej, në pranverën e vitit 2004, regjistrohet në City College of New York si studente me kohë të pjesshme dhe gjithashtu në vitin 2005 vendos të punojë në ish shkollën e mesme ( Manhattan Comprehensive Night and Day High School) ku u diplomua dhe punon ende. Në City College of New York, Jonela zgjodhi një degë ndërdisiplinore në fushën e Shërbimeve Njerëzore ku u diplomua në vitin 2014 në degën: Shërbime Njerëzore dhe me degë të dytë për Personat me Aftësi të Kufizuara Intelektuale dhe Zhvillimore. Ajo ndoqi më tutje masterin në arsim me një përqëndrim në Këshillim Arsimor, që e përfundoi në vitin 2016.

“Në punën time që bëj aktualisht, mund t’i kuptoj më mirë nevojat e nxënësve dhe t’i ndihmoj ata të merren me shumë situata në të cilat gjenden. Gjithashtu, ndihem rehat në mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve për jetën pas shkollës së mesme, dhe paralajmërimin e tyre për mundësitë e zhvillimit personal, që janë në dispozicion të tyre në shkollë dhe komunitete të tjera. Rruga ime drejt suksesit ka qenë unike dhe shumë e vështirë. Pa përkrahje dhe udhëzim për jetën, unë arrita që me çdo sakrificë, mundim dhe dedikim të bëhem dikushi në jetë. Nuk mund të harroj kurrë se si e fillova këtë rrugëtim dhe kjo nuk mund të bëhej e realizueshme, nëse nuk do kisha mbështetjen e disa njerëzve, që më përkrahën dhe më dhanë dorën e ngrohtë dhe istitucionit ku unë punoj”- rrëfen Jonela.

Gjatë karrierës së saj në SHBA, ajo është vlerësuar me disa çmime dhe puna e saj është pasyryar në disa media të vendit. Në Prill 2019, ajo është nderuar me çmimin “Community Champion Award” nga Federata e Bashkuar e Mësuesve / Shkollave të Mesme Akademike . Në Ceremoninë e Ditës së Unionit të Mësuesve që u mbajt më 5 Nëntor te vitit 2017 Joenla Hasani është nderuar me “Career Advancement Award” dhe “Above and Beyond Award”. Në qershor të vitit 2016 është vlerësuar me çmimin “The James F. Dougherty Award for Excellent in Professional Counseling’ nga Center Intergrated Teacher Education ( (CITE), etj.

Please follow and like us: