Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Gjergj Sinani: Një ditë kujtese dhe mendimi

“Ne jetojmë në frikë, tani ne do të jetojmë me shpresë”, këto fjalë i tha gruas së vet shkrimari francez Tristan Bernard (1866 – 1947) me origjinë hebreje në makinën e gestapos që po i shpinte në kampin e përqëndrimit. Fjalë që shprehin dramën më të thellë të ekzistencës së hebrejve në Europë.

Në një kohë që karakterizohet nga mbisundimi i një fryme afarizmi dhe merkantilizmi, urrejtjeje dhe ksenofobie, racizmi dhe antisemitizmi, në një kohë të bjerrjes së vlerave humane dhe një krize të thellë shpirtërore, nuk mund të mos kujtojmë një “profeci” të Hyserlit, pikërisht në prag të Luftës II Botërore, që ai shtroi para Europës në veprën “Kriza e shkencave europiane dhe fenomenologjia transcedentale”… “Kriza e ekzistencës europiane ka vetëm dy zgjidhje: ose rënien e Europës, që është bërë e huaj me kuptimin e saj racional të jetës, rënien në urrejtjen shpirtërore dhe barabari, ose rilindjen e Europës duke u nisur nga fryma e filozofisë, në sajë të një heroizmi të arsyes që e kapërxen përfundimisht natyralizmin»[1]. Përballë optimizmit se me zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë bota bëhet më racionale, Hyserli tregoi se edhe në kulmin e shkencës dhe teknologjisë mund të futet iracionalizmi. Shpikja e fabrikave të vdekjes, a nuk ishte shenja më e lartë e iracionalizmit? Çfarë ishte Europa e viteve 1933 – 1945? «Ndërmjet miliona qeniesh njerëzore që gjetën mjerimin dhe vdekjen, shkruan Lévinas, çifutët patën eksperiencën unike të një gjendje të mjerimit total. Ata njohën një kusht më inferior sa ajo e sendeve, një eksperiencë të pasivitetit total, një eksperiencë të Pasionit»[2].  Shkurt, të kujtuarit dhe të menduarit e të kaluarës, bëhet një imperativ ekzistencial për të njohur veten tonë dhe për të tashmen dhe të ardhmen tonë dhe për gjeneratat e reja, me qëllim që ata të mos bien në një barbari të re. «Të mendosh dhe të kujtohesh, shkruante Hannah Arendt, është mënyra humane për të hedhur rrënjë, të zesh vendin tënd në një botë ku ne arrijmë të gjithë si të huaj. Atë që ne zakonisht e quajmë një person ose një personalitet, në kundërshti me faktin e të qenurit një qenie e thjeshtë ose të jesh askushi, në realitet derivon nga ky proces rrënjëzimi përmes mendimit»[3]. Puna e mendimit është një kusht i domosdoshëm me qëllim që ngjarjet që kanë ndodhur të formësohen në eksperiencë, në vend që të mbeten vetëm në sferën e psiqizmit dhe duke mos pranuar asnjë reflektim. Prandaj, të kujtuarit e atyre ngjarjeve të hidhura kur hebrejtë hidheshin në fabrikat e vdekjes, si dhe të menduarit dhe të gjykuarit jo vetëm të këtyre ngjarjeve, por edhe të atyre aksioneve të mëdha të shpëtimit dhe humanizmit, merr një rëndësi të veçantë për rrënjësimin e gjeneratve të reja në ekzistencën tonë të përditshme.

Kështu që vendosja e nocionit të detyrës së kujtesës është një mënyrë për të vendosur një marrëdhënie edhe me Shoah, për të mos vrarë edhe një herë të dytë duke harruar ata që u shfarosën në kampet e vdekjes. Por, edhe të flasësh pa fund pa thënë thelbin e gjërave, nuk i shërben njohjes sonë. Detyra e kujtesës do të implikonte të kujtuarit. Por çdo të thotë të kujtosh? Të përsëritësh disa gjëra? Të dish një numër të caktuar faktesh? Të marrësh në konsideratë një bashkësi shifrash, emrash? Jo. Më e rëndësishme se sa të jesh thjesht në dijeni për atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, është që të mendosh. Vetëm kështu ne do të dallojmë përgjegjësinë tonë. Ne duhet të themi «të vërtetën mbi të vërtetën», edhe në qoftë se kjo është një detyrë e rëndë dhe e dhimshme. Sepse, siç ka theksuar Arendt në analizën e procesit të Eichman-it, ka një lidhje të thellë ndërmjet dhunës dhe faktit të të folurit përmes klisheve. Në të dy rastet, askush nuk bën ndonjë veprim të keq dhe askush nuk është viktimë.

Për të realizuar një përtëritje shpirtërore, vlen të kujtojmë ato pika referimi në historinë tonë të afërt europiane që dëshmojnë për aktet e larta të njerëzve, të cilët, kur ora e historisë i vuri në provën e integritetit moral, treguan virtyte të larta të moralit dhe të humanizmit. Në këtë kontekst njeriu shqiptar tregoi një integritet të lartë moral. «Kodi moral i shqiptarëve i dallon ata nga popujt e tjerë të Europës. Ky grup i vogël që jetonte në kushte të ashpra ekonomike u shfaq si shoqëria më morale e ditëve më të egra të Luftës II Botërore»[4], shkruan Harvey Sarner. Si shumë dëshmimtarë okularë dhe shumë autorëve të tjerë edhe Sarner është i mrekulluar nga ky virtyt i lartë moral, që quhet «Besa», sa thekson se për fatin e hebrejve refugjatë që kërkonin strehë nga makina vrasëse naziste, ata u mirëpritën nga familjet shqiptare, sepse për ta «mik» nënkupton mik jo vetëm në shtëpi, por edhe në vendin e vet. Virtyti i besës, sipas të cilit nëse shqiptari të jep fjalën ai më mirë vret djalin e vet se sa ta thyejë atë, pasi në rast të kundërt ai humbet nderin e tij, vlen të kujtohet dhe të mendohet për të kuptuar personin njerëzor. Ajo që përbën unicitetin e rastit shqiptar është fakti se edhe qeveria kuislinge, pavarësisht nga mëkatet e saj, nuk dorëzoi asnjë hebre te pushtuesit nazistë. Kur atyre ju kërkua që të dorëzonin një listë të të gjithë hebrejve që gjendeshin në Shqipëri, ata jo vetëm që nuk u bindën, por deklaruan se për aq kohë sa do të ishin ata në sundim asnjë e keqe nuk do t’u vinte hebrejve.

Pavarësisht se kjo fjalë është përdorur shumë edhe nga diskursi politik, më duhet të theksoj se të paktë janë ata që kanë reflektuar ndaj kësaj vlere të shqiptarëve. Ky përbën një virtyt të kulluar moral, sepse nuk përmban interesin brenda. Dhe këtë na e shpjegon në disa rreshta të mrekullueshme albanologu hungarez Franc Baron Nopça, i cili e pa këtë virtyt si te të krishterët dhe te myslimanët. Pas një përshkrimi të hollësishëm të virtyteve shqiptare ai vëren se «rezultati ishte se dallova që një besë mund të ishtë e qëndrueshme vetëm atëherë kur njerëzit nuk e venë re nëse unë jam ose jo i interesuar në arritjen ose mosarritjen e besës»[5]. Ky veprim i shqiptarëve dëshmon edhe për një fakt tepër të rëndësishëm se është e pamundur për një qenie njerëzore që brenda tij të mos punojë humaniteti i tij. Ky është një fenomen shumë vendimtar. Humaniteti ynë është i lidhur në mënyrë të pandashme me një hapje thelbësore që na bën të shqetësohemi për të tjerët, sidomos kur ata ndodhen në një gjendje të dëshpëruar. Dhe pikërisht këtë hapje thelbësore ne duhet ta mendojmë filozofikisht në qoftë se ne duam që të kuptojmë qenien e të qenurit tonë, sepse edhe gjyetari nuk mund ta vrasë një zog që fluturon drejt tij për të kërkuar një strehë. Ndërmjet dëshmive të shumta që kanë dalë në dritë mbas përmbysjes së regjimit totalitar komunist, vlen të theksohet vlerësimi që ka bërë Dr. Mordecai Paldiel për këtë virtyt, drejtor i departamentit të të drejtëve në Yad Vashem: «Ky (virtyt) është vetëm e vetëm shqiptar. Dhe në sajë të Besës pothuajse të gjithë prej 2000 hebrejsh në vend u shpëtuan dhe mbijetuan. Si përfundim, shembulli shqiptar është dëshmi e një tipi Islamik sjelljeje i ndryshëm nga ato që për fat të keq përbëjnë kryetitujt e këtyre ditëve. Jo hakmarrja, urrejtja dhe vetvrasja, por dhemshuria, dashuria mirëbërëse dhe ndihma ndaj personave të një besimi dhe origjine tjetër… »[6]. Kjo tregon se virtyti tjetër i shqiptarëve është toleranca fetare. Alain Ducellier, duke folur për situantën fetare në Shqipëri që nga shek. XIV dhe kthimin në myslimanizëm vlerëson frymën e tolerancës fetare ndër shqiptarë: «Që nga kjo epokë, dhe për shkak të pozitës së saj gjeografike, Shqipëria dëshmoi një tolerancë fetare tepër të rrallë dhe që do të mbetet një nga tiparet permanente të historisë së saj, cilëtdo qofshin protagonistët”[7]. Më lejoni edhe një dëshmi tjetër nga një gazetare zviceriane, Noëlle Roger dhënë në revistën e njohur Revue des deux Mondes në vitin 1922, siç ajo e pa në Tiranë: “Disa ditë më parë në një kishë ortodokse të Tiranës po kremtohej shërbimi funebër për një oficer shqiptar të krishterë, i cili kishte vdekur. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe myslimanë, të cilët mbanin edhe një prej kurorave. Hoxhallarët mbanin qirinjtë. Prifti i krishterë nderoi Muhametin dhe hoxha mysliman nderoi Jezu Krishtin… Kështu e kuptojnë bashkimin e kryqit me gjysëm hënën shqiptarët, gjë që Perëndimi nuk ka rreshtur kurrë së kundërshtuari…”[8].

Nga këto fakte dhe dëshmi më lejoni që të bëj një refleksion filozofik sipas një të mbijetuari nga kampet famëkeqe të shfarosjes për shkak të origjinës hebreje, Emmanuel Lévinas. Në këtë virtyt, që sapo evidentuam, shikojmë edhe problemin e përgjegjësisë. Urdhëresa hynore thotë: “Ti nuk do të vrasësh”, atëherë pse njerëzit vrasin? A është Zoti përgjegjës për këtë? “Përgjegjësia personale e njeriut kundrejt njeriut është e tillë që Zoti nuk mund ta anullojë. Ja komentari rabinik i dialogut ndërmjet Zotit dhe Kainit: “A jam unë mbrojtës i vëllait tim?”, pyetja nuk është një paturpësi e thjeshtë. Ajo vjen nga ai që ende nuk e ka ndjerë solidaritetin njerëzor dhe që mendon (si shumë nga filozofët modernë) se secili ekziston për veten dhe se gjithçka është e lejuar. Por Zoti i zbulon vrasësit se krimi i tij ka tronditur rendin natyror”[9]. Në qoftë se njeriu do të udhëhiqet nga parimi se secili ka të vërtetën e vet dhe çdo gjë është e lejuar, pasojat janë shumë të rënda. Njerëzimi bie në barbari nëse udhëhiqet nga parimi nihilist se çdo gjë është e lejueshme. Prandaj Lévinas e ve theksin te përgjegjësia që duhet të ndjejë ai që prek njeriun tjetër. “E keqja nuk është një parim mistik që mund ta fshimë përmes një riti, ajo është një ofendim që njeriu i bën njeriut. Askush, madje as Zoti, nuk mund të zëvendësohet me viktimën”[10]. Edhe sot marrëdhënia me tjetrin po bëhet treguesi më i qartë i humanitetit të shoqërive tona, si në Perëndim dhe në Lindje. Përsëri, mendimtari që njohu natën naziste në pamjen më të egër të saj, kampin e përqëndrimit, mund të na shërbejë për të ndriçuar aktualitetin. “Marrëdhënia me tjetrin nuk është një marrëdhënie idilike dhe harmonioze kungimi, as një simpati përmes së cilës ne vendosemi në vend të tij, por e jashtme nga ne; marrëdhënia me tjetrin është një marrëdhënie me një Mister”[11].

E bëra këtë arsyetim për të treguar se Besa nuk është një rit, se njeriu shqiptar veproi fisnikërisht duke shpëtuar jetën e tjetrit jo se thjesht zbatoi urdhëresën hyjnore, por sepse në qenien e tij nuk mund të jetonin dy persona. Ai nuk mund të jetonte me vrasësin brenda vetes. Tek vuajtja e tjetrit që kërkonte strehë dhe shpëtim ai shikonte tërë njerëzimin, pafundësinë. “Pafundësia, shkruante Levinas, jepet vetëm në vështrimin moral: ajo nuk njihet, ajo është në shoqëri me ne. Tregëtia me qeniet që fillon me “Ti nuk do të vrasësh”, nuk është konformë me skemën e marrëdhënieve tona të zakonshme me botën: subjekt që njeh ose që absorbon objektin e tij si një ushqim, nevojë që kënaqet. Nuk kthehet në pikënisje, që shkon në kënaqësi, në kënaqje të vetvetes, në njohje të vetes. Ajo inaguron qasjen shpirtërore të njeriut. Për ne, një fe duhet të vendoset në një rrugë tjetër”[12]. Pra, detyra themelore e të qenurit njerëzor do të thotë që të bësh atë që duhet bërë edhe pa qenë nevoja t’i bëhet thirrje ndonjë parimi universal. Shqiptari bëri atë që duhej bërë pa hezituar. Humaniteti i tij nuk do të ishte i qetë në qoftë se ai nuk do të bënte atë që i kërkohej atij në atë kohë: të shpëtonte të pafajshmit. Duket se maksima e Sokratit se më mirë është që ta pësosh vetë të keqen se sa ta bësh atë, ishte rrënjësuar thellë tek ata edhe pse nuk e njihnin filozofinë e tij. Merita jonë historike, përfshirë dhe tolerancën fetare, nuk duhet parë si një mbijetesë e padobishme. Aktualiteti e bën imperative kujtesën e meritave historike.

Pra, detyra e kujtesës është jo vetëm që të sjellë në kujtesën e njerëzve shembuj që tregojnë se si shfaqet humaniteti i njeriut, kur vihet në provën e faktit që i sjell historia, por edhe që të kuptojmë se kjo barbari nuk ishte fakt vetëm i një individi immoral, por se kjo ishte vepër e një sistemi të ri. Kjo do të thotë se forca e një njeriu u ridublua, ose u drejtua, përmes një sistemi. Atëherë detyra jonë është që të kuptojmë dhe t’ua trasmetojmë të rinjve koherencën e tmerrshme të këtij sistemi të të keqes.

Detyra e kujtesës është që mendojmë se si u lindën marksizëm – leninizmi, stalinizmi dhe nazizmi, por gjithashtu edhe aspektet e jetës sonë aktuale. Duke lexuar dhe kujtuar ne njohim një eksperiencë që lidhet me ne edhe sot, përfshirë dhe demokracitë liberale. Regjimet totalitare që përjetuam, përfaqësojnë botën e jo-lirisë, të mos-zbutjes, botën e ndrydhur ku edhe Zoti ishte tërhequr. Përballë autoritetit të tyre arbitrar, meskin dhe të padrejtë, e vetmja rrugë shpëtimi ishte të ndiqje ligjin tënd individual, të refuzoje nënshtrimin dhe të kapërxeheshin barrierat ndaluese. Kur sistemet e refuzojnë lirinë, atëherë vijnë periudhat e katastrofave.

Detyra e kujtesës na thërret që të mendojmë se disa janë humanë dhe disa nuk janë. Ne të gjithë duhet të gjejmë mënyrat për të qenë humanë. Të jesh human nuk është një natyrë, por diçka që ne duhet të jemi dhe që nuk është e parapërcaktuar. E thënë filozofikisht, qenia e të qenurit human nuk është natyrore. Prandaj Levinasi theksonte se çështja vendimtare duhet të jetë ajo e etikës, domethënë e marrëdhënies me tjetrin. Kështu, projekti nazist i shfarosjes nuk kishte asnjë lidhje me luftën, por ishte kërkuar si një projekt sistematik deri në realizimin e vet total. Thelbësorja e këtij krimi nuk ishte thjesht zgjedhja e viktimave, por natyra e tij. Sigurisht herbrejtë ishin viktimat kryesore, por e rëndësishme është të kuptohet se me këtë krim kemi të bëjmë me një sulm ndaj vetë humanitetit të njeriut, nën formën e seleksionit. Historia ka njohur shumë konflikte ndërmjet popujve, por ajo që karakterizon krimin nazist është karakteri kalkulues, mekanik, burokratik i shfarosjes dhe, nga ana tjetër, zbatimi si projekt “mjeksor”. Nazizmi kishte si veçori se ishte një antisemitizëm “shkencor” dhe mjeksor dhe kjo gjë për herë të parë në historinë e njerëzimit.

Dita e kujtesës na thërret të reflektojmë se si u arrit në racionalitetin e tmerrshëm të shfarosjes e mishëruar kjo në kampet e përqëndrimit. Veçanësia e këtyre kampeve ishte drejtimi i tyre i pastër administrativ dhe teknik që fshiu çdo lloj humaniteti. Qeniet njerëzore nuk ishin gjë tjetër veçse mallra që i hypnin në trena drejt një shkatërrimi të programuar. Duke e bërë industrial këtë shkatërrim të qenieve njerëzore dhe pastaj në kufoma, kjo i bëri nazistët që të mendojnë në mënyrë teknike, domethënë vetëm e vetëm në funksion të rezultatit të kërkuar; shkatërrimin masiv dhe ekonomik për maksimumin e popullsisë. Prandaj, sot na duhet që të kuptojmë katastrofën e djeshme, pasi, siç shprehej Niçe, të vërtetat që harrohen kthehen në katastrofa. Të tregosh se e vërteta e sistemit nazist funksiononte në një moment pavarësisht nga qeniet njerëzore që e bënë të ishte, kjo do të thotë që të mohohet përgjegjësia e secilit dhe lirinë që duhet të na karakterizojë. Është kollaj të quhet barbari ose monstruozitet ajo që ndodhi me nazizmin, por ajo që ndodhi u krye përmes përdorimit të metodave industriale që u përdorën në mënyrën sa më pak spektakolare të mundshme që synonin një “seleksionim biologjik” sa më afikas. Por, a jemi në të lirë sot nga një marrëdhënie biologjike me qenien njerëzore? A jemi ne të lirë nga perspektiva e operimit të një seleksioni efikas ndërmjet atyre që kanë të drejtë për të jetuar dhe atyre që nuk e kanë? A jemi ne të lirë në raport me sëmundjen, të bazuar me çdo çmim te efeikasiteti, duke mohuar dimensionin me të vërtetë njerëzor të mjeksisë? A jemi ne të lirë nga një marrëdhënie totalitare me natyrën, me kafshët dhe tërë gjallesat, domethënë a jemi ne të lirë për t’i parë jashtë skemës së rentabilitetit ku ne i shikojmë këto gjëra? Këto pyetje, që shtrohen në shoqërinë e teknologjisë së lartë, do të thotë se brishtësia e kushtit tonë nuk është një aksident i thjeshtë, por është fytyra e ekzistencës njerëzore.

Prandaj ne kemi nevojë për sjelljen në kujtesën europiane të aksioneve morale që tregojnë humanitetin e një populli, pasi aksioni moral e përpunon individin. Në këtë kuptim, aksioni moral i shqiptarëve vlen të theksohet e të ritheksohet për gjeneratat e reja, pasi liria dhe institucionet demokratike nuk do të jenë të qëndrueshme pa aksionin moral.

Shpesh dëgjohet se e kaluara duhet të harrohet për të parë nga e ardhmja. Në fakt e kaluara duhet menduar për të kuptuar se çfarë lloj njerëzish jemi. Për shoqëritë që dalin nga totalitarizmi kjo është një detyrë themelore me qëllim që njerëzit të mos vazhdojnë të mbeten viktima të mashtrimit dhe iluzionit. “Një nga zbulimet e qeverisë totalitare, shkruante Hanah Arendt, ka qenë metoda që konsistonte në gërmimin e vrimave të mëdha ku varrosnin faktet dhe ngjarjet që nuk mund të flitet, ndërmarrje e gjerë që mund të realizohej vetëm duke vrarë miljona njerëz që kishin qenë aktorë ose dëshmimtarë të të kaluarës. E kaluara ishte e dënuar sikur nuk kishte ekzistuar kurrë”[13]. Nuk duhet të harrojmë se totalitarizmi, kudo ku u realizua përfshirë dhe Shqipërinë, duhet të konsiderohet si i vetmi rrezik i madh që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale. Kur totalitarizmi merr pushtetin, politika e brendshme i le vend intrigave dhe dhunës. Totalitarizmi mbështetet mbi shkëputjen e lidhjeve që e lidhin njeriun me disa pika referimi të qëndrueshme dhe duke e privuar nga çdo referencë, sidomos çdo referencë morale, njeriu aspiron nga hiçi dhe anarkia brenda tij. Totalitarizmi i premton çdo njeriu atë që ai dëshiron me qëllim që ta joshë sa më mirë. Në këtë kaos human, që nuk kuptohet si një kaos i brendshëm, sepse së jashtmi rendi ekziston, por që ka si pasojë një ndjenjë pakënaqësie të thellë, totalitarizmi shfaqet si një rrugë shpëtimi. Totalitarizmi nuk u kërkon njerëzve që të jenë vetvetja, por u kërkon një bindje të pakushtëzuar. Totalitarizmi përdor gjithçka për ta përfshirë në aparatin e pushtetit të tij, për ta dominuar individin sipas rolit që legjenda i atribuon gjarprit; ta joshë viktimën, me qëllim që ta gëlltitë sa më mirë. Kështu, njerëzit, të privuar nga çdo pikë reference, që nuk kanë më ndërgjegjen e vetvetes dhe të lirisë së tyre, por që aspirojnë që të pohohen në mënyrë të verbër duke ndjekur një rregull të imponuar, e lenë veten të bien në kthetrat e kësaj makine që i trajton thjesht si një material dhe kështu humbasin gjithçka që kishin besuar se e kishin fituar dhe e ruanin. Prandaj totalitarizmi ka vetëm një armik; vetë lirinë, domethënë të vërtetën, universitetet, vendet e kërkimit të lirë, artin dhe letërsinë, pasi ato na bëjnë që të depërtojmë në tokat e panjohura të shpirtit, gjithçka që është eksperiencë, gjithçka që piqet përmes përsosjes intelektuale, gjithçka që te çdo qenie njerëzore nuk lejon që të udhëhiqet nga diçka tjetër; ndërgjegja për të qenë vetvetja. Jo më kot Hitleri deklaronte se do t’i largonte njerëzit nga ajo humnerë që quhet ndërgjegje. Historia që ndikon në emancipimin do të ndikojë në një ripërtëritje shpirtërore, sidomos për shoqëritë e sapo dala nga regjimet totalitare. Prandaj, çdo vullnet që nuk do të mendojë rreth rreziqeve që na tregojnë historia dhe aksioni politik, atëherë ai do të përballet me surpriza të çuditshme në të ardhmen. Detyra e kujtesës është që të përjetësohet liria brenda një vendi të lirë. Në rendin shpirtëror të drejtat e pensionit nuk ekzistojnë. Më lejoni ta mbyll këtë diskutim me fjalët e Levinas… “Ekziston vetëm kjo: kohë pas kohe, muzgje të çuditshme e ndalojnë historinë e ndriçuar, drita copëtohet në flakëra të vogla të panumërta luhatëse dhe ambige, toka e fortë ju rrëshqet nën këmbë, ngjarjet fillojnë të rrotullohen në rrathë ferri rreth një ndërgjegjeje përsëri pa vend. Dhe siguri që tallen nga konfrontimi ju ngrenë nga një thelb i harruar”[14]. Shkurt, duhet ndriçuar historia për të mos harruar thelbin tonë.

[1] HUSSERL, La crise des sciences européennes et la phénomenologie transcendantale, tel gallimard, Paris, 1976, p. 382.

[2] E. Lévinas, Difficile liberté, Albin Michel, Paris, 1963, f. 25.

[3] Nannah Arendt, Responsabilité et jugement, Payot, Paris, 2009, f. 149.

[4] Harvey Sarner, RESCUE IN ALBANIA, one hundred percent of Jews in Albania rescued from Holocaust, Brunsvick Press Cathedral City, California, 1997, f. 63.

[5] F.B. Nopça, Udhëtime nëpër Ballkan, Plejad, Tiranë, 2007, f. 516.

[6] Cituar nga studimi: Hebrejtë në Shqipëri, të Shaban Sinani, Naimi, Tiranë, 2009, f. 374.

[7] Alain Ducellier: “La façade maritime de l’Albanie au Moyen Age”, Institut for Balkan Studies, Thessaloniki, p. 437.

[8] Nowlle Roger, Sur les chemins de l’Albania, Revues des deux mondes, 1922, T. 11, f. 106.

[9] E. Lévinas, Difficile liberté, Albin Michel, Paris, 1963, f. 36-37.

[10] E. Lévinas, po aty, f. 37.

[11] E. Lévinas, Le temps et l’autre, PUF, Paris, 1983, f. 63.

[12] E. Lévinas, Difficile liberté, Albin Michel, Paris, 1963, f. 23.

[13] Hannah Arendt, Responsabilité et jugement, Payot, Paris, 2009, f. 333.

[14] E. Lévinas, vepër e cituar, f. 337. /Gazeta Liberale

Please follow and like us: