Albspirit

Media/News/Publishing

Vlerësimet e Volterit për Skënderbeun

Skënderbeu, shtatore e piktorit shqiptaro-amerikan, Vasiliev Nini.

 

Në veprën madhore të Volterit, Ese mbi zakonet dhe shpirtin e kombeve dhe mbi faktet kryesore të historisë që nga Sharlëmanji deri te Luigji XIII, në vëllimin e parë kemi një kapitull të shkurtër me titull “Mbi Skënderbeun”. Pasi Volteri shpjegon situatën e Europës përballë dy sulltanëve të fuqishëm si Murati (Amurat e shkruan Volteri) dhe Mehmeti II, i cili “ëndërronte më shumë të imitonte vlerat e babait të tij se sa të filozofisë së tij”, shkruan Volteri për të, ai ndalet veçanërisht te Skënderbeu. Ja disa pasazhe nga ky kapitull. “Një tjetër luftëtar jo më pak i famshëm, që unë nuk e di nëse duhet ta quaj osmanlli apo të krishterë, ndali progresin e Amuratit dhe për një kohë të gjatë qe një pengesë e të krishterëve kundër fitoreve të Mehmetit II: unë dua të flas për Skënderbeun, lindur në Albani, pjesë e Epirit, vend i shquar në kohët që quhen heroike dhe në kohët më të vërtetë heroike të Romakëve. Emri i tij ishte Jean Castriot”. Pasi përshkruan se si përfundoi si peng në oborrin e sulltanit dhe fatin e panjohur të vëllezërve të tjerë të Skënderbeut, Volteri na thotë se Amurati “e donte dhe në luftë e mbante pranë vetes. Jean Castriot u dallua në mënyrë të tillë sa sulltani dhe jeniçerët i dhanë emrin Scanderbeg, që do të thotë zoti Aleksandër”. Duke folur për angazhimin e Skënderbeut kundër despotit të Servisë, që ishte ngritur kundër sulltanit, aty “Skënderbeu, që atëherë nuk ishte veçse njëzet vjeç, konceptoi planin për të mos patur zot mbi vete dhe të mbretëronte”. Pra, për Volterin, ky trim nuk mund ta pranonte vasalitetin, por preferonte lirinë. Edhe Volteri pranon versionin e marrjes së kalasë së Krujës përmes detyrimit të sekretarit të sulltanit dhe më pas shtiu në dorë tërë Albaninë. Këtu vlen të theksojmë një vlerësim të Volterit për shqiptarët: “Shqiptarët mbaheshin për ushtarët më të mirë të këtyre vendeve. Skënderbeu i udhëhoqi aq mirë, diti të nxirrte shumë avantazhe nga forma e terrenit të ashpër dhe malor, sa me pak trupa ai i ndali gjithmonë ushtritë e mëdha turke”. Edhe në kapitullin ku përshkruan rënien e Kostandinopojës dhe tronditjen e madhe që krijoi në Europë ky pushtim, Volteri shkruan: “Në Europë kishte vetëm dy princa të denjë për të sulmuar Mehmetin II. Njeri ishte Huniadi, princi i Transilvanisë, por që mezi mbrohej; tjetri, ky i famshmi Skënderbe, i cili mund të mbështetej vetëm në malet e Epirit, pak a shumë si dikur don Pelazhi në ato të Asturias kur muhamedanët nënshtruan Spanjën”. Emrin e heroit tonë Volteri e përmend edhe kur kalorësit e Maltës e ndalën Mehmetin II në Rodos: “Kalorësit, që sot janë kalorësit e Maltës, patën, ashtu si Skënderbeu, lavdinë t’i dëbonin ushtritë fitimtare të Mehmetit II”.

 

 

Marrë nga eseja e prof. dr. Gjergj Sinani( https://alb-spirit.com/2018/11/28/prof-dr-gjergj-sinani-skenderbeu-si-pjese-e-ndergjegjes-europiane/?fbclid=IwAR3LinwXRU6W-CKQT9GXmIG0lrSKcggVShu4BULDSXNtPZGQQWxIJUOBnkU)

 

Volteri – filozofi i mbretërve, mbreti i filozofëve

Please follow and like us: