Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: HOMAZH I VONUAR PËR HAJRIE RONDON

Në 70-vjetorin e lindjes së saj (1 mars 1951).
Atje, brigjeve të Bregdetit Jugor, gjatë këtyre 12 viteve të fundit, së bashku me mikun tim, Prof. Dr. Josif Papagjonin, kemi përgatitur e botuar “SHTIGJET E VENDLINDJES”,-një Antologji Letrare me 50 firma krijuesish bregdetas në çdo numër (poetë, shkrimtarë, artistë, filozofë, historianë e studjues të këtyre shkencave),-fillimisht me mbështetjen e Kryetarit të Komunës Lukovë, Z. Vladimir Kumi e në vijim, nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Z. Jorgo Goro. Në këto promovime, në Himarë e në fshatrat e Bregut, u duk edhe artistja jonë Delvinjote, Hajrie Veizi, e cila më bëri të përlotem, kur foli herën e saj të parë, duke thënë se e ndjente veten të emocionuar që interpretonte diçka para profesorit të saj, që i kishte “dhënë dorën” për të hyrë në Shkollën e Lartë të Aktrimit, kur zyrtarët e atjeshm e pengonin me “dërc-vërce” dokumentash! Larguar ndër vite të rënda, thuajse e kisha harruar ish-studenten time, e njohur në gjithë Shqipërinë si artiste e mëvetshme, po edhe si Drejtoreshë e Teatrit “Bylis” të Fierit, martuar e banuese tashmë në Himarë, në po ato shtigje të vendlindjes sonë…
Çmimi i parë i ndarë përgjysmë!
Por jeta dhe largimi në dhe të huaj, të ndan edhe me njerëzit, sado që përpiqesh të mos ndahesh shpirtërisht me ta dhe me vendin tënd!… Dhe, në gushtin e vitit 2010, do ta shikoja Hajrie Rondon në një Festival Aktrimi në Vlorë, unë në sallë, në karriken e Jurisë dhe ajo në skenë, në rolin e një nëne labe të përmasave tragjike. Dhe që do të na befasonte me karakterin që kishte krijuar, të një gruaje të fortë, së cilës i rrëmbejnë vajzën të prostituojë në Itali. Dhimbja e saj jepej gradualisht nga Hajrie Rondo, si një traumë psiqike që afrohej me marrëzinë, duke e rritur atë në trajtën më alarmuese, aqsa të tre që ishim përball saj , si antarë të Jurisë: Artistët e Popullit Margarita Xhepa e Birçe Hasko, si edhe unë i mërguari, do të rëqetheshim e do të viheshim në një mëdyshje. Ndjeva përbri meje se aktoria e madhe Margaritë, interpretuese e shumë figurave të nënave e grave shqiptare, provoi nga artistja e re një emocion drithëruas! Vetiu na lindi pyetja se kujt duhej t’ia jepnim çmimin e parë? Hajrie Rondos apo Dhimitër Orgockës,-veteranit të skenës, i cili ,-edhe ai,- e interpretoi “Amokun” e Cvajkut me mjeshtëri të lartë artistike, thuajse e barabartë me të për nga niveli, forca interpretuese e nga karakteri i figurës origjinale të gruas shqiptare në monodramën e fuqishme “Klithmat e një nëne të marrë” të Odise Plakut. Dhe që na duhej të bënim edhe “veprimin e padëgjuar” të ndarjes përgjysëm të këtij çmimi, si barazi e vlerave të aktrimit… E kështu vepruam, duke e bërë shokun tim të klasës, Albet Verrinë si “vëzhgues i Teatrit”, që të “hidhej përpjetë” nga kjo zgjidhje! Edhe ai ishte shpallur “Artist i Popullit”, po nga krahu ynë ishin dy “Artistë Populli” e vetëm njeri prej tyre, që isha unë, që shpallur dikur si “Armik i popullit”!
Hahahahhaa! Po tashmë kishte perënduar ajo kohë. Dhe ne tani flisnim të qetë për të drejtën e vlerave të artit! Se, Artistja e Merituar Hajrie Rondo qe e padiskutueshme në rolin e saj dhe e një niveli me Artistin e Merituar Dhimitër Orgocka. Dhe, sikundër e thotë dhe vet populli: “Kurrë, hakun tjetrit mos ia ha”! Për të bërë që artistia e re, të përulej në avanskenë, kur u ngjita aty për t’i dorëzuar Diplomën e Jurisë. Edhe pse aktore me përvojë tashmë, fjala e saj para mikrofonit vibroi nga emocioni i papërshkruar e i dridhej në duar tufa me lule të freskëta. Deri atëhere ajo kishte interpretuar në skenë 160 role, në teatër, në estradë e në kinematografi, qe rritur e aftësuar si krijuese, duke i dhuruar publikut një galeri të tërrë grash e nënash me dinjitet aktrimi e duke rrëmbyer kështu admirimin e publikut të gjërë, po edhe të regjisorëve që e angazhonin tani përherë, përkrah artistëve më të çmuar të skenës e të ekranit shqiptar, sikundër qe tani Margarita Xhepa, përball saj. Po edhe në raste e shfaqje të tjera, me Kadri Roshin, Sandër Prosin, Tinka Kurtin, Sulejman Pitarkën, Ilia Shytin, Robert Ndrenikën e me rradhë. E mëvetshme në dramë, ashtu edhe në komedi, në teatër, në estradë e në kinematografi, në sheshe publike e salla të mëdha, për të interpretuar fjalën! Në “udhët e së panjohurës” së artit…
Në dramatikën e figurave të grave e të nënave
Edhe kur qe vajzë e re 21 vjeçe, e sapo dalë nga shkolla e aktrimit, Hajrie Rondo, do të luante në skenë me dhjetra figura grash të vjetra në moshë, në saje të përshtatjesh me karakteret e tyre, aq sa ajo përpiqej t’i ndante, t’i trajtonte e karakterizonte më ndryshe, nga roli në rol. E kishte filluar me rolin e nje gruaje qytetare, tek drama dokumentare “Heronjtë e Linasit” që e kishte shkruar Sulejman Pitarka, për t’iu përgjegjur “flakë për flakë”,-sikundër thuhej, për shprehjen e kërkesave partiake të asaj kohe. Dhe, pak më mbrapa, për të kaluar tek figura e nje gruaje realiste, me këmbët në tokë, tek drama e Teodor Laços “Gjëmimi i atij dimri” në vitin 1976, si edhe tek “Baladë për një grua” të Dritëro Agollit,- ku do të interpretonte një grua intelektuale, me dinjitet njerëzor e forcë morale. Po, mos e thëntë Zoti, që të kesh në repertorin e një teatri shfaqje e role të përafërta, brenda disa “kallëpeve” e formave standarte, që u imponoheshin artistëve atëhere, kur edhe disa regjisorë po aty mbetën, qoftë edhe nga halli! Dhe i takonte aktorit mandejë që të “zbuste” a të ndryshonte skemën sado pak, aq sa e lejonte Çensori, Autori vetë, po edhe Aktori, aqsa mundej të bënte, me interpretimin e tij, me gjetje nuancash, detajesh, nëntekstesh e prirjesh, brenda karaktereve të personazheve. Këtu hynte në punë Mjeshtëria e Aktorit, po edhe ajo e njohjes me jetën. Delvinjotia Hajrie (Veizi) Rondo, i dinte këto “tendenca” që e afronin dhe e largonin nga jeta reale e personazheve të saj. Po njihte deri në palcë edhe gratë e Jugut e ashtu do t’i paraqiste edhe në skenë apo në ekran. Qe vetvetja si Artiste,-në kuptimin më të mirë të kësaj fjale…
Që ndër filmat e parë të saj, ende pa u mbyllur “sipari” i epokës diktatoriale, Hajrien e shohim në një film ta Anagnostit (“Vëllezëer dhe shokë”) të vitit 1980, ku spikati me një grua revolucionare që ngrë zërin e protestës, kundër pushtuesve italian, po me thjeshtësinë e vet, kur edhe protesta bëhet e natyrshme. Dhe, pas dy figurave të nënave të saj në skenë (në “Dy krisma në Paris” të Pëllumb Kullës e në “Dashuri me fantazmat”të D. Maxhios), spikati përsëri në filmin “Nëntori i dytë” me gruan fshatare të mërgimtarit, i cili kthehet e i vjen në shtëpi bashkë me Ismail Qemalin, kur asaj do t’i shpëtojë shtama e ujit nga dora e t’i thyhej dhe jo pa i’u dridhur qerpiku e zëmra. Me skenarin e Natasha Lakos e regji të Muharrem Fejzos, Hajrie Rondon do ta shohim edhe një herë tjetër me nënën e Avni Rustemit në filmin “Një emër midis njerëzve”, si një grua e thjeshtë dhe e dhimshur, me dashuri njerëzore, e prekshme,me fjalën që i peshon rëndshëm, me kokën varur tek supi i të birit që kthehet në Libohovë, me vështrimin e thellë në kohë e me brenga ngarkuar. E kundërta do të jetë Hajria në filmin “Një vit i gjatë”, me një rol kryesor, si drejtoreshë,-personazh i mbingarkuar, nga njera anë me detyrë shtetëror, ne drejtimin e nje Kombinati Kimik e, nga ana tjetër, me një hallë familjar të rënduar, me aksidentimin e të shoqit që bie nga motori e i rezikohet prerja e këmbëve. Një film tipik i Realizmit Socialist, ku aktoria është vendosur midis dy zjarreve, midis detyrës dhe familjes, duke u munduar si aktore që të “shpëtonte” figuren e saj me ca pikime lotësh në ndjeshmërinë e saj ekstreme, kur jeta i bëhej e paduruehme! Thuajse e njëjta gjë do të ndodhte edhe me filmin “Pesha e Kohës” me regji të Rikard Ljarës, po me një rol që përfaqësonte ndjeshëm gruan e partishme të asaj kohe, e rritur artificialisht në përgjegjësi, që dialogon fort bukur edhe me burrat, bile edhe në tryezën e rakisë! Po në filmin “Kush vdes në këmbë”, me skenar të Naun Priftit e regji të Vladimir Priftit, Aktoria vjen përsëri në tabanin e vet realist. Si Zonjë Shtëpie e kohrave të njëhershme, ikonë e shënjtëruar, si grua e Petro Nini Luarasit, që edhe kur tund djepin e foshnjës mendon thekshëm për jetën e përkushtuar ndjeshëm të të shoqit, në të mirën e kombit, duke i lënë asaj hallet e rënda të shtëpisë, kur edhe “qumështi i gjirit i pritet si me thikë”! Ndjehej pra, në interpretimet e Hajrie Rondos, në rolet e këtij karakteri të dyzuar, ajo zbutje e njerëzishme që e ka vetiu natyra e gruas. Po, në interpretimin e figurës së Nicës, në shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” që erdhi dhe e vuri në skenë Artisti i Popullit Serafin Fanko nga Shkodra, spektatorët e Fierit, do të bindeshin se kishin në mesin e tyre nje mjeshtre të vërtetë aktrimi të nënave të gjymtuara shqiptare nga luftrat e paprera, kur vatanin e tyre e kishin shkelur të huajt, ardhur rrishtazi të mblidhnin kockat e ushtrisë së tyre të vrarë e humbur këtyre anëve. Nica-Rondo, si nënë që është, ulet para tyre me një këngë vaji lemeritëse, për këta njerëz që erdhën e u vranë këtu dhe pastaj ngrihet në këmbë me klithmën e mallkimit, rrëmben grykën e thesit makabër e ia hedh ndër këmbët e tij, gjeneralit të huaj. Dhe publiku ngrihet në këmbë në një çast të vetëm, si një trup i vetëm, për të duartrokitur artisten e tyre, si grua e ndjeshme, e fortë dhe e ashpër e Labërisë…
Në “shtratin” e vet të komedisë
Duke ndjekur shumicën e roleve te saj në Youtubë, më rezulton edhe më e suksesshme në komedi, me një rezatim edhe më të ndritshëm, kur vërtetësia e personazheve të saj, bëhet e gjithpushtetshme e sugjestive. Ndaj edhe, të gjitha rolet e saj në komedi, thuajse janë personazhe kryesorë, karaktere e tipa që e kanë të qeshurën brenda vetes… Dhe që të gjitha krijimet e saj, janë me fizionominë e plotë shqiptare. Mandej, tanimë ajo e di se, t’i bësh të tjerët të qeshin nuk duhet të qeshësh vetë , mos ta provokosh të qeshurën, po të mbashë në brendësinë tënde hallin që ke, problemin që të shqetëson e seriozitetin që të shtyn të flasësh e të lëvizësh në kushte e rrethana të caktuara, sikundër bënte Çaplini i madh, një sërë aktorësh komikë botërorë, si edhe tek ne Mihal Popi, Viktor Gjoka, Pandi Raidhi, Nikolin Xhoja, Tano Banushi, Roland Trebicka e Koço Devole. Apo si shembëlltyra brilante e interpretimeve të Robert Ndrenikës. Hajrie Rondo, si më e preferuara e roleve kryesote në filmat televiziv komikë të Arian Çuliqit, e ka bazën e vet në rolet e saj komike. Po edhe “baza” e interpretimemeve të saj në Teatrin “Bylis” të Fierit, si edhe në estradën e këtij qyteti, qyshkur luhej skeçi i Çobo Rapushit me Luftar Pajën, Hasn Bregun, Fuat Boçin, Arqile Lipen e të tjerët me rradhë, ku edhe Hajrie Rondo do të “hidhte kripën e saj të lezetit”. Bashkë edhe me Xhuljeta Kullën si partnere, po edhe me bashkëshortin e saj Pëllumbin, qe shkroi aq shumë skeçe, komedi e drama per Hajrien e të tjerët. Se, ky Çoboja që kapërdisej poshtë e përpjetë, kishte në krahun e vet një grua labe të “thekur” e të zgjuar që s’e linte të bënte “xhap” e të fliste kuturu, sukundër e interpreton Hajria, në një shkallë superiore satirizuese… E pastaj, në disa komedi më të plota të Pëllumb Kullës. Po ashtu, tek roli i gjyshes, në komedinë e Joneskos “E ardhmja qëndron tek vezët” e në rolin e Karmelës në komedinë e Pirandelos “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra”. Po edhe në komedinë greke “Pazari” të L. Keqaidhis, ku shkëlqeu me rolin e Dhespinës, për të mos harruar edhe zonjën Zoicikë të Karaxhales në komedinë rumune “Një letër e humbur”. Më kishte qëlluar rasti, fatlumërisht, që të shikoja dikur në skenën e Fierit edhe komedinë e Ilir Bezhanit “Sa mirë bëri që vdiq”, ku tipi i gruas nga fshati bëhet edhe më i vrazhdët, me “djallin” brenda vetes, finoke deri në grotesk!
Që të gjitha këto role Hajria i ndërton, i qëndis si karaktere. Ndërsa në komeditë humoristike Hajrie Rondo “operon”, herë me Burleskun e herë me Groteskun e kamufluar bukur. Me një cilësi të lartë interpretuese. Kështu, tek filmi komik “Dashuri në Krisma”, për trazirat e 97-ës, kur paraqitet situata e futjes në burg të plakut të shtëpisë, për të shpëtuar të birin dhe, akti anti human, ç’njerëzor, sado ulëritës që ështe, shndërrohet në një “thagmë të satirës groteske”, në atë rrëmujë, ku edhe Cekja po edhe Hajria janë në nivelin më të lartë të interpretimit në komedi,-fare thjesht, qetësisht, me frikën alarmuese të asaj kohe brenda vetes, kur tragjikia merr trajtën e komikes, me seriozitetin më të thellë dhe me natyrësinë më të madhe!… Duke besuar që të gjithë se “Shtëpia pa qera”, burgu, të kthehet nganjëherë edhe si një shpëtim! E sigurt tashmë në këtë gjini, nga më të vështirat, ajo nuk e ka të “zorshme” që të interpretojë edhe nikoqiren e shtëpisë, bashke me Robert Ndrenikën e Roland Trebickën në filmin “Tifozët” apo Administratoren e “Shtëpisë së të moshuarve” në filmin e Kumbaros “Ne dhe Lenini”, tek shprehet, me mburrjen e autoriteteve të asaj kohe, se do t’u “shtyp kokën të pabindurve kapitalisa”! E, për të kulmuar në dy komedi brilante: në një tip gruaje origjinale, tek filmi i Anagnostit “Përrallë nga e kaluara”, Tanën, ku Hajrie Rondo mbahet mend si grua tipike fshatare, me gjuhën briskë, impulsive, “Halemadhe”,-si i thonë fshaçe, me temperamentin e gjallë dhe me atë vështrim zhbironjës si të maceve të egëra. Sarkastike! Tjetër gjë është ajo tek komedia “Zi e ma ZI ” e Kristo Floqit, kur brenda harkut kohor që përcakton Aristoteli, i duhet të presë e pikëlluar ngushëllimet e vekjes së burrit, e pastaj ta spostojë veten edhe në kërshërine e zgjedhjes së bashkëshortit të ardhëm, ngaqë “jeta vazhdon” e do të vahdoj ende, duke kaluar kështu në metamorfozën më të shkëlqyer, që vetëm një aktore si Hajrie Rondo mundej ta bënte të besueshme, bile edhe ta kapërcente! Në një tjetërsim të hatashëm…
Epilogu i një jete të këputur…
Mirëpo, ja ku vjen edhe një çast, një çast i vetëm, kur jeta bëhet si në TEATER, kur mbyllet perdja e mbetet vetëm brenga, ngjarja e dikurshme dhe emocioni drithërues i asaj jete që ke bërë a e ke parë dikur, sado e gënjeshtër që të jetë sajuar e mpleksur nga dramaturgu dhe që na bën të besojmë se edhe kështu do të ketë ndodhur realisht .E pastaj këputet befas. Si më 9 shtator të vitit 2017… Sikur nuk ka egzistuar. Bie perdja. Si në jetën e Hajrie Rondos dhe i të tjerëve që kemi numëruar më parë me dhimbjen më të thellë të ikjeve! Këputet jeta në mes! E, “iu këput” edhe jeta e asaj vajze nga Veizajt, që erdhi nga Delvina në shkollën tonë, punoi 40 vite në Fier, pranë Teatrit dhe Estradës së atjeshme, me më shumë se 120 role, duke kryer edhe funksionin e Drejtoreshës, krijoi 40 role në filmin tonë, mori dhe pjesë në 300 veprimtari kulturore e artistike, deri sa nuk mundej më, e sulmuar nga njera prej sëmundjeve vdekjeprurëse të shekullit “kancerit të gjirit”. Dhe erdhi pastaj të banonte në Himarë, në vendlindjen e të shoqit Kiço Rondo, sportistit shtatlartë, volejbollistit të shquar të Fierit që ngriti aty dy ekipe volejbolli (për djem e vajza), duke e përsëritur të njëjtën sukses edhe në Himarën e tij, me edukatë qytetare e mjeshtëri sportive, këmbëngulës, i mirë dhe i heshtur, ashtu si ishte edhe bashkëshortja e tij Delvinjote. Ajo thoshte, jo pak herë: “Në jetën time kam pasur si lajtmotiv që ta shoh dhe ta përjetoj me ngjyrat më të bukura. Një nga këto ngjyra është ajo e profesionit që kam zgjedhur. Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur me dhëmbë”!
Po, ajo e donte jetën dhe e mbante atë “me dhëmbë”, – sikundër thoshte… Sidomos kur “Hija e Vdekjes” iu afrua fare afër! Pati edhe një interval shërimi e qetësie dhe u angazhua menjëherë në Teatrin e Metropolit në Tiranë, për të interpretuar aty një rol, rolin e fundit. Me një komedi që titullohej “Tre dhëndurrët”, me plot të qeshura në publik, në rrethanën më tragjike të jetës së saj… Duke interpretuar hareshëm, me gëzimin e jetës brenda vetes. Bashkë me kënaqësinë se tashmë, ishte ngjitur në skenë edhe e bija aktore, e mikluar prej talentin të saj shpërthyes! E kthehet rishtazi në Himare, ku e ushqente dashuria e thellë e fëmijëve dhe e bashkëshortit të saj, po edhe natyra e qetë dhe e rrallë e atij vendi të bekuar! E vetmja perde që nuk mbyllej! Ndërkohë që i shoqi mburrej se kishte “një grua të përkryer” dhe kishte të drejtë të mburrej. Se Hajria i donte të gjithë njerëzit që kishte përreth saj, se të gjithë e kishin duartrokitur me zjarr. Po ja që, sipari kishte rënë ngadalë përpara publikut dhe harresa po e bënte punën e saj të kobshme! Qëndroi 10 vite në harresë këtu në Himarë, rrëzë malit të Vetëtimave, pa Teatrin e saj, pranë dallgëve të detit, që kanë rrahur në jetë të jetëve edhe shkëmbinjtë e “Vajzës së Valëve” të të ziut Neço Muko Himarioti, që e pati jetën fare të shkurtër, po edhe të Bardit të fundit Lefter Çipa, që sapo e përcollëm atje lart, në retë e Pilurit, me këngë vaji, shoqëruar me fyellin e  Bariut… Po këtu pranë, në fshatin Himarë, u përcuall me theshtësi e me fare pak njerëz, edhe AJO, që i bëri njerëzit të qeshin e të qajnë njëherësh, Artistia e Meritur Hajrie (Veizi) Rondo nga Delvina, nusja e Himarës! Që meritonte funeralin madhështor që i takonte! Në “shtegun e jetës”! Pa mundur më ta përshëndeste numrin e ri të “Shtigjeve të Vendlindjes”, bllokuar po aty, nga telashet e kohës, më pas edhe nga Tërmeti e Pandemia e Covid-19, – dy vite rradhazi (!), kur do të ziheshin “shtigjet e jetës normale” e do të shuhej e dhe “fitili i qirit” i kësaj artisteje të jashtëzakonshme që kishte Shqipëria…
(Shkruar në Athinë në fundshkurtin e vitit 2021, në rrethanat e “Lockdown” të përsëritur)/albspirit.com
Please follow and like us: