Albspirit

Media/News/Publishing

Romani ‘Zogjtë e qyqes’ i shkrimtarit Gani Mehmetaj fiton çmimin ‘Kadare’

Romani “Zogjtë e qyqes” i autorit Gani Mehmetaj shpallet fituesi i Çmimit letrar “Kadare 2021”, ndërsa 5 finalistët e kësaj gare me dorëshkrime në prozë ishin autorët Behar Jacaj, Ballsor Hoxha, Arbër Ahmetaj dhe Marcel Hila.

Gazetar, publicist, shkrimtar, dramaturg dhe kineast, Gani Mehmetaj, (1955), ka lindur në Pejë, ndërsa është autor i një numri veprash.
“Zogjtë e qyqes” është rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve.

 Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme, si edhe shpërfaqja e tyre dinamike.

Romani “Zogjtë e qyqes” trajton me vlera të spikatura letrare artistike, urrejtjen në mes të serbëve e shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjellta, dashurinë e pa realizuar që e intrigon lexuesin, ndërsa pasuron letrat shqipe.

Në edicionin e gjashtë të këtij konkursi, nismë e “Institutit Pashko”, morën pjesë me veprat e tyre në dorëshkrim në gjininë e prozës 30 autorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, duke shënjuar një produkt të lavdërueshëm në krijimtarinë shqip.

 

Juria e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, kishte në përbërje të saj profesorin e filozofisë Blerim Latifi, shkrimtarin Loer Kume, shkrimtarin Ermir Nika, si edhe studiuesen e letërsisë Genciana Abazi.

Kryetari i jurisë, shkrimtari Preç Zogaj bën me dije se “veprat e paraqitura pohojnë fort dhe bindshëm një numër përfaqësues shkrimtarësh shqiptarë përtej kufijve gjeografikë, të cilët gjakojnë letërsinë e mirë dhe premtojnë një nivel dinjitoz të letrave shqipe në hapësirën e përbotshme komunikuese të letërsisë”.
Me një traditë të konsoliduar tashmë me 5 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë.

Romani “Zogjtë e qyqes” do të vijë së shpejti në duart e lexuesit. Ndërsa për shkak të kushteve të pandemisë, ceremonia e dorëzimit të këtij çmimi do të organizohet në një moment më të përshtatshëm ku të jetë e mundur prania e autorëve finalistë, disa prej të cilëve jetojnë jashtë Shqipërisë.

Please follow and like us: