Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: A DUHET NJË “BARAK OBAMA” NË SHQIPËRI?


-Një pyetje që duhet ta diskutojmë qetë-

 

Amerikanët janë shumë të lidhur me historinë e tyre, që ka moshë foshnjore krahasuar me lashtësinë shqiptare. Në të gjitha debatet që bëhen dhe vetë deklarimet politike, ka një tëndencë për të bërë krahasime historike. Psh shumë gazetarë  dhe analiste e panë ardhjen e Barak Obamës në Shtëpinë e Bardhë si një “Linkoln të dytë”. Mendimi im personal është se Barak Obama është një fenoment tipik amerikan që mund të ndodhë “vetëm në Amerikë” për vetë natyrën dhe specifikën e demokracisë dhe lirisë në këtë vend. Natyrisht historitë e mëdha, vijnë si rezultat i ngjarjeve  dhe fenomeneve të “vogla” që avash sjellin ortekun sikurse ishte “Orteku Politik” në SHBA nëntorin e kaluar. Personalisht kam pasur rezervat e mia ndaj ish-kandidatit Obama, por tani që ai është presidenti im, respektoj si çdo amerikan tjetër. Ai është një lloj shprese, që as më shumë e as më pak po “galvanizon” shoqërinë amerikane, që për hir të së vërtetës në momente krize, di të mobilizohet dhe të angazhoet tërësisht për të bërë një hop të ri zhvillimi. Ky është edhe roli i presidentit në një shoqëri të lirë: të insprirojë dhe të rivendosë besimin tek individët e lirë. Dhe, Amerika përmes një cikël masash komplekse është në rrugën e ringritjes. Sepse këtu krizat shkojnë e vijnë, krizat janë pjesë e zhvillimit kapitalist. Ndërsa do të platitet kjo krizë, një tjetër krizë do të lindë shpejt. Krizat në  shoqërinë njerëzorë janë si vetë fenomeni jetë. Në këndvështrimin tim në Amerikë më shumë se krizë në kuptimin klasik ku kërcënon zija e bukës, protesta mbarëpopullore, urrejtja ndaj qeverisë dhe “hakmarrja” përmes revanshit, këtu, jetojmë “krizën e  përkëdhelisë” amerikane, ose thënë më shkoqur kjo është kriza e  zgjidhjeve të shumta që kanë pasur njerëzit në këtë vend. Tani amerikanët mund të kenë më pak shanse të zgjedhin, më pak varietet shansesh luksi, (shpesh i panevojshëm), më pak madhështi dhe hapësirë jetese (shpesh vetëm për ego individi) dhe ky kufizim është hapi i parë drejt ringritjes së ekonomisë dhe prosperitetit amerikan. Unë e besoj këtë sepse punoj përditë me amerikanë që kanë “thyer kokën” financiarisht, duke bërë zgjidhje të gabuara ose duke marrë vendime të gabuara. Dhe këto janë leksione të mëdha për një shoqëri të tërë.

Në pikun e kësaj krizë të thellë Amerika kërkoi një zgjidhje dhe erdhi një president me ngjyrë, që dita-ditës po punon në një mënyrë të re: të qëndrojë në kontak me ata që votuan, t’u flasë çdo javë amerikanëve dhe të ruajë rolin e tij udhëheqës duke folur hapur me ata që e votuan për këtë post. Barak Obama, si fenonen qetësoi Amerikën nga frika e madhe se “i erdhi fundi superfuqisë”. Ai dhe shumë të tjerë po luftojnë që dominanca amerikane të vijojë së paku edhe një shekull (!). Në të vërtetë këtë askush nuk e di saktësisht, por ka një “ego revolucionare” që ky vend të arrijë t’i japë leksione pjesës tjetër së botës edhe për dekada që do vijnë. E në këtë proces nuk ka frikë të pranohen “marrinat” amerikane, por edhe të pranohen ato që janë vitale në këtë shoqëri të kapitalit dhe dollarit: liritë e individit si motorri që ruan dhe mban gjallë këtë vend.

Kam jetuar 10 vjet këtu dhe thuajse, po kaq në demokracinë e brishtë në Shqipëri. Pjesën më të mirë të rinisë ma konsumoi një shoqëri e mbyllur që unë herë e besoja, herë bëja pyetje me veten time. Nuk di kë të fajësoj më parë, por thënia e hershme e Sali Berishës “Të gjithë bashkëvojtes, të gjithë bashkëfajtorë” ishte edhe hapi më i mençur (edhe pse mbeti hap i ngrirë) që mund të hidhej në Shqipërinë postkomuniste. Berisha erdhi në atë kohë si një “urugan popullor”, që shumë shpejt harroi se politikanët shërbejnë, dhe kur ata shërbejnë mirë mbeten në pediestale dhe monumente… Ky është edhe rrënimi që pëson politika e Shqipërisë. Politikanët harrojnë se janë aty të shërbejnë, jo t’u shërbehet, të luftojnë për prosperitet, zhvillim dhe dinjitet kombëtar, jo të “kacafyten” mes njëri-tjetrit si fëmijët e kopshtit, të debatojnë vizione dhe politika largpamëse jo të “shajnë me nënë e babë” në parlament…

Vitet e hershme të demokracisë në Shqipëri i kam jetuar me një romantizëm adoleshenti. Besoja se gjërat do të ndryshonin, besoja se vështirëstë ishin të përkohshme dhe përpiqesha që  në punën time si gazetar në Radio-Tirana  të sillja risi aq sa mundesha. Kurrë nuk më verbuan partitë dhe udhëhqesit e tyre. Punoja të sillja zëra, përvoja, kundërshti që zhvillojnë një shoqëri dhe sidomos komunitetin rural shqiptar. Jam krenar për aq sa kam bërë, por ndërsa përpiqesha të isha individ i pavarur, por me përgjegjësi në shoqëri, shihja se gjërat grryheshin nga brenda. Politikanët ishin dhe mbeten “molje” të shoqërisë shqiptare… Ata kurrë nuk mundën të reformonin ëndrrën shqiptare se “Shqipëria do të bëhet…”. Ata u bashkuan dhe u ndanë, u puthën dhe shanë, u pështynë dhe u lëpinë aq keq me njëri-tjetrin, aq gjatë dhe aq patrupësisht, saqë sot pas njëzet vitesh, zor se gjen dikë që të përfaqësojë një vlerë të qëndrueshme dhe unike apo origjinale. Gjinushi psh u puth dhe e pështyu Berishën. Ilir Meta u puth dhe  e pështyu Nanon. Rama pështyu Nanon dhe sa të tjerë u pështynë dhe u lëpinë… Ne kemi më shumë kryetarë partish se sa policë. Po sa shembuj të tjerë mund të sjell? Nuk harroj kohën kur Berisha mbeti “i vetëm” në kullën e PD-së dhe për një kohë të gjatë nuk bëri konferenca shtypi, por një ditë mori guximin dhe filloi… Përjavë në PD do bënte konferenca. Natyrisht shumica e gazetarëve që preferonte tek presidenca firosën. Në atë  kohë Zamira Koleci më tha: “Shefqet, shko tek konferenca e Berishës…” Unë kurrë nuk e kisha pritur këtë urdhër të shefes, por puna është punë. Në një nga ato ditë e pyeta Berishën ndër të tjera: “Sa e besoni ‘strategjinë e gjelbër’ të Xhuvelit (i cili ishtë ministër i Nanos) dhe ai më tha: “Zoti Meko, sa mund t’i thuash rrethit katror, aq mund t’i besohet Lufter Xhuvelit…”. Kjo s’ka asnjë “miligram” fantazi…

Unë u lodha nga ato që shihja dhe jetoja. Një kakofoni që nuk ndalte nga adminisitrata në politikë, në koalicione, deklarata, denoncime, sajime… Dhe përfundova në një ikanak. Jam një i ikur që sërish vij aty me ide të çmendura mbase. Sepse dua që një komb si i imi, të mbetet dinjitoz dhe krenar. Unë dua që politika të bëhet pjesë e paqes dhe  e prosperitetit në Shqipëri, jo më “mollë sherri” siç ka qenë deri më sot. Unë dua që në Tiranë, të shoh një progres në angazhimet politike, sikurse ka një “revolucion” në treg dhe iniciativën private të individëve të vecantë… Nëse flasim për zhvillimet e fundit në Shqipëri, nuk ka dyshim se tregu dhe binzesi janë shumë më të avancuar se sa vetë politika dhe insitucionet… Kur isha në Tiranë vitin e kaluar Gjok Uldedaj, kryetar i dhomës së tregëtisë në Tiranë, ky njeri i modelit të suksesit dhe principit do të më thoshte: “Ne kemi vendosur standarde perëndimi në bizneset tona, ne duam që këta standarde t’i mbrojë ligji dhe insitucionet…”.

Koha po troket. Çdo kombi ka ecur përmes dramash. Drama jonë po zgjat shumë. Drama jonë është kthyer në tragjedi dhe kjo ka vetëm një burim: politikën e konfliktit. Çdo iniciativë çdo ide, çdo hap në Tiranë përplaset me konfliktin, mosbesimin, etiketimin dhe “luftën e ndyrë”… Pse nuk ndryshojmë? Dhe, ndërsa shkruaj këta radhë bëj një pyetje për të gjithë shqiptarët: A na duhet një “Barak Obama”?  Se në SHBA Barak Obama është bërë si Skënderbeu ynë 500 e ca vjet më parë simbol uniteti dhe lidër frymëzues. (Natyrisht nuk do të mbetet përherë i tillë. Udhëheqsit janë bërë të konsumohen, jo të vdesin në karrige). Po ne a duhet  të  favorizojmë një fenomen të tillë në Tiranë? A mundet që diku, nga “celulat” e partive të dalë dikush dhe të jetë ndryshe? Të dalë dikush dhe t’i bashkojë shqiptarët për një Shqipëri që mund tëjetë ndryshe dhe e dëshiruar nga të gjithë ne, brenda dhe jashtë saj?

Oh, çfarë përrallash po na tregon? Oh, çfarë lajthitjeje? Po flet nga maja e “fikut” apo maja a  “thanës”?! Unë e kuptoj befasinë tuaj, por ju përpiquni të besoni sinqeritetin tim. Barak Obama erdhi nga askund. Ai erdhi nga nga “organizatë komuniteti” në Çikago dhe ja ku është sot. Ai nuk ishte “afër detit- afër mbretit”, sikurse janë gjithë politikanët tanë: Ilir Meta afër Nanos, na u bë “i madh”, Majko “afër Nanos’ u bë kryeministër, Topi “besnik i heshtur” i Berishës u bë president, Genc Pollo u bë zëvendëskryministër se  ishte afër dhe larg Brishës… A doni më? Pra të gjithë në çorbën politike të Tiranës janë gatuar në një “kazan”. Si mundët që dikush të jetë ndryshe?

Unë mendoj se duhet një shpresë e re që t’i bashkohet shumica, që të krijohet një urugan sikurse e bëri këtë Berisha gati 2 dekada më parë. “Dy herë nuse” nuk shkon më. Një model Obama i duhet Shqipërisë që  të dalë “e para në Ballkan”, sidomos tani që Kosova nuk është sikurse ishte dje. Kosova është shtet dhe kjo do të thotë shumë për potencialiet e prosperitiet të kombit shqiptar në Ballkan. Dhe nuk e kam fjalën për  “dominancë”, flas për lulëzim të një kombi të lashtë. Unë mbase jam skeptik ose shoh “ëndrra në beze”, por sërish besoj se fenoment dhe talentet janë edhe në politikën shqiptare, por këta fenomene nuk kanë shans të manifestohen. Le tu kujtoj një shebull të thjeshtë: A ju befason një plejadë e tërë aktorësh të rinj humori, që të gëzojnë me talentin e tyre? Ata kanë qënë aty, diku duke “fjetur” por konkurenca e lirë më media i zbuloi, u dha shans dhe ja ku jemi… Humori dhe skena kanë një klasë të re talentesh që sërisht të bëjnë të kujtosh me respekt të gjithë Prosin, Roshin, Sallakun, Manushin, Trebickën…Gjikën… (lista e gjatë e një plejade)… Kështu edhe në fushën e letrave.

Kështu mund të ndodhë e duhet të ndodhë edhe me politikën: Nëse partitë lenë të lirë njerëzit të konkurojnë për ide dhe debat brenda gjirit të tyre,(ose brënda sojit të vet) ne do shohim se në mos në këto zgjedhje, në ato lokalet do të  dalin drejtues të talentuar që do të sfumojnë “gjerdanin e kalbur” të udhëhqesve të sotëm… Kur them a na duhet një “Barak Obama” në Tiranë, nuk bëj thjesht një analogji me atë që ndodhi në SHBA, por një ngjashmëri që duhet të ndodhë aty dhe vetëm aty. Politika shqiptare ka nevojë për një “klizmë” të përgjithshme, për një pastrim total jo vetëm të “traktit tretës politik”, por edhe të çdo qelize institucionale.

Hidhni vetëm një sy tek Europa dhe do shihni se ka fenomene dinamike: Kancelaria Gjermane, Presidenti  francez, kryeministri Britanik të gjitha këta janë fenomene të reja që Tirana i shpërfill. Ne mbetëm duke ndjekur komshinjtë tanë të mplakur në demokracinë e tyre si Italia dhe Greqia. Shikoni më tej të dashur miq, shikoni përtej oqeanit dhe do të gjeni frymëzime të reja. Është koha e përmbysjeve se si bëhet poltika në Shqipëri. Dhe ky zë vjen nga larg, por vjen i sigurt. Unë gati 2 vjet më parë kisha një ndjesi se Topi do të ishte risi në politikën shqiptare, por me sa duket “topat” e Berishës e asgjësuan edhe këtë shans dhe vetë Topi do ta “qajë” shansin, sepse ai nuk diti me mençuri të dilte nga presidenca dhe të fliste me popullin. Por e keqja është se Topi mban rreth vetes “statuja” jo profesionistë që të mund të shpalosin vizione  dhe politika dinamike. E nëse në kabinet fton “miqtë” por jo talentet,  natyrisht  nuk mund të gjesh ndonjë habi  se si Topi mbetet “pa top” në lojën me Berishën apo edhe të tjerët…

Po ku mund të jetë ku fenomen i dëshiruar? Le të behët një konkurim i lirë “në bazë” dhe keni për të parë se është dikush, ëshë një njeri, është një fenomen shqiptar që ka gjasa t’i sfidojë të gjithë. Por duhet të jemi të përgatitur që përballë këtij fenomeni të jemi të përgatitur: të tolerojmë dhe të dëgjojmë. T’i “tradhëtojmë” dashuritë e vjetra në politikë dhe do të shohim se shoqëria do të ndihet ndryshe. Ti japin shans një “furtune” që do të sjellë ditë me diell dhe shpresë për një komb që qysh nga rënia e diktaturës ende nuk sheh një udhëheqës që të përfaqësojë përmasat e shpirtit dhe ëndrrës shqiptare. Ku është ky njeri? Mund ta gjejmë? Mund ta emërojmë? Mund ta blejmë? Jo. Ky njeri është diku, nuk është i tipit Velija, që thotë hapur se “u bleva të bëhem politikan”. Ky njeri nuk  duhet të jetë pjellë apo imitues i politikanëve të sotëm, duhet të jetë ndryshe. Ky tip udhëheqësi do të vijë dhe ne do të befasohemi nga mënyra se si kjo do të ndodhë. Le të presim. Ai është diku dhe duhet të vijë, por ju duhet të jeni të përgatitur për një betejë të gjatë. Më të gjatë se ajo e Obamës në SHBA.

Vërtet a na duhet një udhëheqës që të mos ketë lidhje me asnjë ish-udhëheqës? A duhet një njeri që ta dojë dhe mbështesë shumica, por të ketë po aq kundërshtarë dhe oponentë politikë dhe përsëri të fitojë zgjedhje të lira? Le të jemi të lirë në votime, dhe ky fenomen do të ndodhë në mos sot, nesër. Nesër, Shqipëria mund të jetë ndryshe dhe ne do të kujtojmë: “Na ishte njëherë…”. Vërtet, a na duhet një udhëheqës ndryshe nga ata që na trashëgoi dhe na i imponoi dhunshëm e brutalisht komunizmi? Ju pyes, dhe le të flasim…
Minneapolis, SHBA, Maj 2009.

 

Please follow and like us: