STEFAN ÇAPALIKU RRËFEN SERAFIN FANKON, FELININ E TEATRIT SHQIPTAR
Shkrimtari dhe dramaturgu i mirënjohur Stefan Çapaliku sjell para lexuesit librin e tij më të ri monografik kushtuar Serafin Fankos, Felinit të Teatrit Shqiptar. Ky libër është vëllimi i tretë i kolanës “Imago & Verbum”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, dramaturgu Stefan Çapaliku tregon në libër njohjen me mjeshtrin e madh të Teatrit Serafin Fankon, bashkëpunimet e ngushta, dhe përmasat gjigande të një artisti të kalibrit europian.
KUJTIMET E PRAGËS
Për shkak të disa rrethanave familjare, mjeshtrin e kam njohur që herët. Por njohja e vertetë profesionale, ndodhi në vitin 1994. Ishte një koinçidencë e çuditshme, fakti që unë kisha pak muaj që isha kthyer nga Praga, ku 30 vite më parë ai kishte qenë student. Pra, kujtimet e Pragës na lidhnin të dyve. Atë si student universitar dhe mua si student pasuniversitar. Aso kohe unë kisha provuar të shkruaja pa sukses një dramë, e cila për fatin tim të mirë, më ka humbur. Thjesht mbaj mend se titullohej “Gjurmë mbi borë” dhe se qe shkruar një vit para rënies së komunizmit. Ishte njëfarë teksti revisionist, diçka si hibrid i ideve të reja me rrënjët e kalbura të sistemit të kaluar. Pastaj kaluan kund pesë vjet dhe unë pata disa përvoja teatrore jashtë Shqipërie, natyrisht si spektator, më e çmuara e së cilës ndodhi kur qeshë si student në Pragë, më 1993.
DRAMA “FTESË PËR DARKË”
Kësisoj, drama që më lidhi profesionalisht me Serafin Fankon ishte “e dyta”, “Ftesë për darkë”. Kështu pra, me dramën time “të parë” ndën sqetull, ngjita shkallët e katit të tretë të pallatit “me hark”, ku jetonte mjeshtri. E hapi derën ai vetë. Aso kohe Serafin Fanko ishte rreth mesit të pesëdhjetave, aq sa jam unë sot. Ai zakonisht rrinte ulë mbi një divan përballë televizorit, me një gotë të vogël, që gjerbej me ngadalë. Vështirë të kishte televizioni një spektator më të mirë se ai. Kur unë i dhashë tekstin, doli pa fjalë nga dhoma tjetër, si të qe duke u nisur drejt një tempulli, ku do kryehej në heshtje rituali i shenjtë i leximit. Thjeshtë, ai më la vetëm me televizorin e vet. Dhoma ku shkoi ndahej me atë të ndenjes prej një vetrate. Atje ishte biblioteka, një tavolinë e rëndë njëkëmbëshe dhe disa karrige druri të errët, me një tapiceri vishnje. Mbi tavolinë shtrihej një tavëll shumë e madhe dhe mjaft e rëndë prej kristali. Në murin përballë bibliotekës disa piktura. Në mos gaboj njëra ishte e vetë Serafin Fankos dhe tjetra e kolegut të vet, aktorit Bep Shiroka. Gjithashtu në një cep të murit vareshin edhe dy rrahje në bakër, rezultat të kapriçiove të tij. Unë pra mbeta këndej këtyre sendeve të vyera dhe ia nisa të tymosja cigaret e mia, pa pasur nevojë të përdorja shkrepse. M’u duk sikur edhe ai kishte nisur të tymoste të vetat, pa pasur nevojë të përdorte shkrepse. Druhem se kjo qe hera e parë dhe e fundit që asistoja në një seancë tymosje simultane. Kisha një padurim të jashtzakonshëm dhe doja të gjeja një mënyrë për ta shtyrë kohën që nuk ecte kurrsesi. Ai po konsumonte historinë time, që nëse do t’i pëlqente unë do bëhesha dikushi, nëse jo, nuk e di se me çfarë punësh të tjera do merresha. Mirëpo mbas kund treçerek ore, ai doli me syzet në majë të hundës dhe me tufën e letrave në dorë. Vërehej një farë hutimi në sytë e tij. Pasoi një pauzë, me gjasë teatrale. Pastaj ai tha: Po. Më pëlqen. Më pëlqen, përsëriti. Do ta vë në skenë, theksoi, dhe u duk se i vuri pikën aty për aty muhabetit. Atë çast mu duk se perceptova sesi ai u shndërrua në kumbarën tim në altarin e shenjtë të teatrit.
T’I HYSH TEATRIT NGA SHPINA E SKENËS
Me atë rast pata mundësinë t’i hyja teatrit nga shpina e skenës. Të dilja në skenë, kur salla qe bosh. Të kundroja me andje trarët, litarët dhe shtangetat, që rrinin të varura si gijotina të fshehta, të thikta dhe të befta. Të verbohesha lumturisht prej projektorësh gjithfarë ngjyrash. Pra, të përjetoja atë magji, atë abragadabra që të bën të biesh në dashuri njëherë e përgjithmonë me teatrin. Pata mundësi pastaj të mos mungoja asnjë ditë në prova dhe të nisja e ta kuptoja procesin e ngjizjes së asaj materie organike, që thirret shfaqje dhe që kryen misionin e mishërimit të fjalës, siç thotë Gjoni në ungjillin e vet. Pra me pak fjalë nisa të kuptoj zanatin e këtij prestigjatori, duke e parë nga të gjitha perspektivat e mundshme.
KUR SABOTONTE TEATRI KOMBËTAR
Fatkeqësisht, për mua ky qe bashkëpunimi i parë dhe i fundit në fushë të teatrit. Diku nga gjysma e dytë e viteve ’90 patëm edhe dy tre tentativa të tjera për bashkëpunime, të sabotuara mendjelehtësisht, mendjehollësisht dhe mendjedjallëzisht nga Teatri ynë Kombëtar. Gjithsesi, bashkëpunimi i dytë mbeti në dokufiksionin “Qyteti në menopauzë” më 2001. Një film ky i realizuar në Shkodër, si bashkëpunim i Serafin Fankos, Arian Çuliqit dhe meje. Dhe bashkëpunimi i tretë paska qenë ky libër. Ka kaluar shumë kohë nga momenti kur më vetëtoi ideja e shkrimit të këtij teksti, derisa u gjenda përmbi dramat, platformat, letrat, fotot dhe posterat e tij; përballë kolegëve të vjetër dhe të rinj; bri bisedave të gjata me të gjithë ata që e njohën nga afër dhe punuan me të.