Albina Deda: Besëlidhja e Lezhës, kujtesë, reflektim dhe shkundje për të gjithë!
577 vite më parë, më 2 mars 1444 në katedralen e Shën Kollit në Lezhë u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në memorien e historisë sonë kombëtare!
Gjergj Kastrioti menjëherë pas kthimit nga Turqia, mblodhi në një kuvend të gjitha principatat shqiptare ku realizoi bashkimin e të gjithë princave shqiptarë ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt, Topiat dhe princi i Malit të Zi e shumë të tjerë!
Duke njohur forcën dhe autoritetin e Gjergj Kastriotit kuvendi e vendosi komandant të përgjithshëm!
Ai menjëherë rriti rezistencën e ushtrisë dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman.
Kuvendi realizoi Besëlidhjen e madhe shqiptare, që i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit!
Kuvendi i Besëlidhjes nuk u mbajt rastësisht në qytetin e Lezhës, ai në atë kohë ishte në zotërimin e Venedikut gjë që i jepte përkrahjen e duhur në Europë, si dhe nga ana tjetër nuk përfaqësonte kryeqendrën e principatave duke shmang grindjet e mundshme duke siguruar barazi dhe një nga veprimet me diplomatike të kohës.
Kjo ditë natyrisht, normalisht, do festohej thjesht si një memorie… por në fakt sot është jo vetëm ditë rikujtimi por një ditë reflektimi e shkundje për të gjithë pasi sot për fat të keq jemi prapë nën sundim, nën sundimin e atyre që nuk kanë principe, besë, fe e as atdhe, që armët e tyre janë nënshtrimi, mjerimi, shpopullimi, korrupsioni e krimi.
Sot këta sundues të popullit kanë hipur në majat më të larta të piramidës së shtetit e pushtetit, të cilët jo vetëm po sundojnë por po e çojnë drejt mjerimit këtë popull i cili sa pati filluar të shijonte frutet e lirisë e demokracisë!
2 marsi i vitit 1444 nuk është thjesht një datë kujtese, por është një apel për të gjithë ne, një mesazh i fortë për bashkim sot dhe vetëm sot, për të ardhmen e rrezikuar të Atdheut tonë, i cili sot ka nevojë më shumë se kurrë t’i shohë të bashkuar të gjithë bijtë e bijat e vet të mirë në një qellim, mendje e zemër, si atëhere!/albspirit.com