Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Ta kujtojmë Luigj Gurakuqin!

Ta kujtojmë Luigj Gurakuqin, këtë arbnor të madh, politikan të klasit të lartë, studiues, poet e përkthyes, që kombit i dha dashuni, dinjitet e nder pafund.
Ta kujtojmë Gurakuqin, sepse në historinë e politikës shqiptare, të karakterizuar nga ngatërresa e tradhti pafund, personalitet e tilla janë të rralla.
Ai ravijëzohet si figurë shembullore dhe është i pashoq përreth tij.
Atëbotë kur veproi dhe krijoi ai “Shqipnija ishte një tokë e lânun për pêsëqind vjet djerr” – shkruan Gjon Kamsi një nga njohësit e veprës së Gurakuqit dhe shton se “ai u bâ mësues, luftar e rá dëshmori i Atdheut”.
Gurakuqi ishte njeri i ndërgjegjshëm deri në pikën e fundit, thjesht ishte “ndera e djelmnisë shkodrane”, shkruan Fishta.
Ai e dinte se “mevetësia e Shqipnisë” asht nji e tillë:
“E andërrueme nga vjershtorët e e dëshiruem vetëm nga zêmrat e djeguna të disa pak atdhetarëve, që vuenin e dirgjeshin nepër burgjet e errëta e që qanin e rënkonin nepër shkretinat e largëta të dëbuem nga Atdheu i dashun, mvetësija e Shqipnis na dukej të gjithëve si nji dëshir i pa arrijshëm, si një dhuratë tepër e çmueshme për vorfnín t’onë, si nji pemë e ambël, e shijshme, të cilën Perendija u a kishte ndaluem Shqiptarëve të mjerë”.
Gurakuqi shkroi poezi dhe përktheu poezi, shkroi mbi vargnimin në gjuhën shqipe, duke dhanë kështu kontribut tepër të vlefshëm dhe shumëdimensional në historinë e kulturës shqiptare.
Siç kanë vlerësuar njohësit e veprës së tij, ai po t’ia kishte kushtuar kohën ma tepër letërsisë se politikës, sot do ta rradhitshim ndër autorët më të mirë shqiptarë.
Gurakuqi në fushën e politikës përfaqëson një autoritet të përkorë e të ditur, një shembull prej të cilit mund të frymëzohet secili prej shqiptarëve që e do vendin e vet, sidomos breznitë e reja.
Ai u vra para 96 vjetëve në një pusi dhe vazhdon të mbetet një rrëfim i pakryer, një rrëfim të cilin duhet ta kallëzojmë shpesh, dhe të cilin, e kemi detyrim moral t’ua përcjellim brezave që vijnë. Sepse, figura e ti në universin e mjegullt e të padijshëm të politikës shqiptare, ndrit mirësi, dije, urtësi, dashuri, kulturë dhe ndershmëri, tipare këto që u mungojnë shumicës së politikanëve shqiptarë.
Figura e tij është nga ato të paktat që rri drejt dhe nuk kërruset përballë ndërgjegjes historike – të mbushur me përplot politikanë mendjekëqij dhe “dijetarë” të verbuar pas posteve dhe famës boshe.
Prandaj figurat madhore – si ajo e Gurakuqi – ndonjëherë trazojnë ndërgjegjet e vrara, dhe shpeshherë tentohet të heshtet. Sepse, shpërfillja është armik i përhershëm për njerëz me peshë, sidomos kur kjo vjen nga një mjedis i ndotur, ku prodhohen përditë autorite të rreme.
Edhe në këtë kohë të amullta në të cilat po kalojmë si komb, Luigji përfaqëson një model, për të cilin kemj nevojë, sot dhe nesër, sepse vepra e tij është oksigjen që ndihmon pastrimin e mushkërive të ndotura të politikës dhe kulturës shqiptare./albspirit.com
Please follow and like us: