Albspirit

Media/News/Publishing

Pëllumb Nako: Najada dhe doktor Gëzim Lamaj nga Berati

Najadën e njohin të gjithë në Shqipëri. Doktor Gëzim Lamajn nga Berati, pak e njohin.
Najada tashmë është zonja Najada sepse do ta kemi në Parlament. Doktor Gëzimi do të mbetet ish-Doktor Gëzimi sepse Covid-19 e mori në mënyrë të pabesë. Najadën e pret kolltuku, doktorin nga Berati e mori gropa e zezë. Kur Najada kishte ditlindjen e së bijës, gjithë kombi shqiptar e mori vesh që Najada nuk shkoi dot ta uronte sepse ishte në krye të punëve. Doktor Gëzimi nga Berati ishte mjek i ekografisë, i vetmi në qytet për të lexuar imazhet e skanerit, kaq të rëndësishëm për identifikimin e Covid-19 dhe askush në media nuk e mësoi sesa i ngarkuar ishte, askush nuk e di nëse shkoi në ndonjë ditëlindje të fëmijëve të tij apo jo. Askush nuk e di sesi do të jetë e ardhmja e tyre pa babanë. Të paktën ata të cilëve u ka qëndruar te koka, e dinë dhe kjo nuk është pak. Kryeministri i dërgoi tufë me lule Najadës. Mbarë mileti u mrekullua nga gjesti kalorsiak i Shefit. Për vdekjen tragjike të doktor Gëzimit nuk u kujtua askush nga qeveria të thoshte qoftë edhe një fjalë. Najada e zënë kaq shumë me punë e gjente kohën të dilte në media për të bërë debat me opozitën. Doktori Gëzimi ishte larg, shumë larg gjërave të tilla, nuk kishte kohë. Najada i duhet Kryministrit për politikë, kurse doktor Gëzimi nuk i duhet. Najada na doli e majtë, kurse për doktor Gëzimin askush nuk e di. Sepse Najada i shërbeu politikës në këto kohë të vështira, kurse Doktor Gëzimi u shërbeu njerëzve si gjithë armata e kolegëve të tij.
Blerja e shpirtit të shitur ngrihet si vlerë, propagandohet si model, besnikëria ndaj profesionit e shpirtit të lirë, lihet në harresë, varroset. Këtë kohë po jetojmë./albspirit.com
Please follow and like us: