Albspirit

Media/News/Publishing

KA HUMBUR KRUJA!? Historia shqiptare po bëhet si torta e 100-vjetorit, ku kushdo mund të mbushë legenin bosh të kasolles apo katundit me lavdi të vjedhur

Nga Shaban Murati

 

 

Thonë që Marin Barleti, Naim Frashëri, Fan Noli dhe nja njëmijë e kusur historianë, studjues, diplomatë, shkrimtarë e poetë të huaj, që kanë shkruar mbi 1 mijë vepra për Skënderbeun nga shekulli 15 deri në shekullin 21, të gjithë e lidhin emrin, jetën dhe luftën e tij 25 vjeçare për lirinë shqiptare me kalanë dhe me qytetin e Krujës, si kryeqendër e mbretërisë së tij të pavarur. Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri jo më kot i drejtohej: ”Krujë, o qytet i bekuar, prite, prite, Skënderbenë!”. Nuk dha adresë tjetër.

Me siguri e kanë gabim. Sepse sot rapsodët e rrapeve dhe përralltarët ëndrrazgjuar shqiptarë, të ndihmuar nga qeveritë dhe bashkitë mendjeshkurtëra të mllefeve krahinore, e kanë fshirë emrin dhe lavdinë historike kombëtare të Krujës. Madje folklori shqiptar i majëplepit ka fshirë dhe epopenë e “Rrethimeve të famshme të Krujës”, duke i lënë dorë të lirë fantazisë së çdo çiftelije apo zurnaje fshati të pretendojë emrin e fshatit të vet sikur Skenderbeu e paska mbrojtur nga rrethimi i famshëm i ushtrisë osmane.

Në korridoret e pushtetit të dikurshëm si gazetar i Radio-Tiranës kam dëgjuar se në vitin 1968, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, një nga historianët zhbërës të shqiptarësisë së historisë sonë i propozoi Enver Hoxhës që ta zbrisnin qytetin e Krujës në Fushë-Krujë “që të mos lodheshin udhëheqja dhe populli të ngjiteshin në kalanë e Krujës”.

Enver Hoxha, që ishte kush ishte dy pare mend i kishte sa të mos dëgjonte këshillat me helm serb dhe grek të pseudoshkencëtarëve, e la qytetin e Krujës aty ku e kishte ndërtuar Zoti dhe historia, dhe madje e shpalli “Qytet-Hero” në vitin 1968 dhe ndërtoi në Krujë edhe Muzeun Kombëtar të lavdisë së Skënderbeut dhe të Krujës, sepse nuk ndahen dot, dhe janë lavdia e përbashkët e kombit.

Por në shekullin 21 paturpësia e bashkuar me injorancën dhe me ligësinë e ka zhdukur emrin e qytetit të Skënderbeut dhe e ka dënuar me heshtje. Pavarësisht se kronikanët e kohës shkruajnë se Skënderbeu lindi, u martua, u trashëgua, luftoi për 25 vjet dhe vdiq në qytetin e Krujës. Të ndash Skënderbeun nga Kruja është të dënosh me harrim të dy.

Me sa duket Kruja do të pësojë fatin e Trojës, që tani po na e nxjerrin në Mal të Zi, ndaj të mos duket çudi kur pas harrimit të nisin kërkimet për të gjetur rrënojat e Krujës në rajonet joshqiptare të Ballkanit. Sepse Krujën, që ka qenë edhe kryeqendër e shtetit të parë shqiptar të Arbërit në shekullin 12, edhe kryeqendër e mbretërisë së Skënderbeut në shekullin 15, duan ta zhbëjnë fqinjët tanë territorengrënës dhe lakejt e tyre shqiptarë. Dikush don të na lerë pa histori dhe po shpikin katundet e tyre si kryeqendra fantazma të lavdive të rreme mesjetare.

Si nuk i bën përshtypje kujt që gjatë 30 viteve të demokracisë drejtuesit e shtetit shqiptar, të cilët nuk kanë lënë gur e ferrë të skërkave të tyre pa shkuar e pa mbajtur fjalime hymnizante patriotike në hiç për hiçin, nuk shkuan njëherë në Krujë dhe nuk mbajtën kurrë fjalime në kalanë e saj të famshme për Skënderbeun dhe për lavdinë e qytetit-hero të Krujës. Nuk shkuan as për “vitin pompoz të Skënderbeut”!!!.

Aq i madh është mllefi antishqiptar, sa nuk i lë të bëjnë as demagogji. Ndaj historia shqiptare po bëhet si torta e 100 vjetorit të pavarësisë, ku kushdo mund të mbushë legenin bosh të kasolles apo të katundit të vet me lavdi të vjedhur.

Ka ardhur koha t’u kërkohet qeverive dhe institucioneve qendrore dhe lokale të Shqipërisë që t’u drejtojnë lutje zyrtare arkivave të Stambollit, të Venedikut, të Vatikanit, të Napolit, etj. që të na gjejnë ata se ku ndodhet qyteti i humbur i Krujës dhe nëse ai qytet ka ndonjë farë lidhje me historinë dhe me lavdinë e Skënderbeut, të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar./gazeta dita

Please follow and like us: