Albspirit

Media/News/Publishing

Fran Gjoka: Respekt dhe vlerёsim pёr figurёn e nderuar tё mёsuesit

 

     

Po mbushën 134 vjet nga hapja e sё parёs Shkollё Shqipe nё trojet shqiptare, sipas historiografёve tanё, por kurrё nuk u angazhuam tё dokumentonim njё datё tjetёr, kur dihet se themelet e arsimit shqip u hodhёn rreth shekullit tё 15 – 16 – tё. Pavarësisht nga kjo, mësuesi ka qenë figurë mjaft e respektuar në të gjitha periudhat e historisё njerëzore, si një person me shumё influencё jo vetёm pedagogjike, por edhe shoqёrore, ishte një figurë e nderuar dhe e respektuar nga mbarë opinioni publik, sidomos nga masa e rinisë, prindërit dhe nga nxënësit e shkollës. Ndodhte kjo, pasi ai ishte misionar i kulturës dhe diturisë, personi që përhapte dije dhe kulturë në mbarë vendin. Mësuesi pёrgatiste brezat, njerëzit që do t’i dilnin zot fateve të atdheut. Këtë mision mësuesit e kanë përfunduar me sukses në kohë të ndryshme, duke punuar gjithmonë me përkushtim për të realizuar me sukses detyrat dhe misionin e tyre fisnik. Po nëse respektohej nga shoqëria në të kaluarën, mësuesi nuk vlerësohej nё nivelin e duhur nga shteti, sepse veç punës mësimore, përgatitjes ditore, aktivitetit me nxënësit, mësuesi i duhej shtetit në fuqi për të përçuar vijën politike të partisë-shtet. Në këtë pikëpamje, mësuesi nё tё kaluarёn qe një shërbëtor i sistemit në fuqi, dinjiteti i tij qe i nëpërkëmbur, pasi emërohej, shkarkohej dhe madje edhe kontrollohej nga njerëz inkompetentë pushtetarë dhe partiakë të asaj kohe.

Kam punuar si mësues dhe kam fituar njё përvojë rreth 40 vjeçare në arsim, e kujtoj mjaft mirë atë kohë të vështirë, kur mësuesi pasi kishte ecur disa orë rrugë në këmbë, kryente gjashtë orë mësim, madje shpesh edhe me klasa kolektive, shkonte në brigadë ose kolektiv punonjësish për të referuar tema politike ose sociale pa asnjë lloj vlere, përgatiste dhe zhvillonte temat fiktive të formave të edukimit në parti, pa asnjё lloj motivimi ose shpёrblimi dhe kthehej në shtëpi i sfilitur për të kryer përgatitjen ditore për të nesërmen. Ndërsa për detyrime shoqërore apo familjare nuk diskutohej fare dhe as që mendonte njeri se mësuesi i gjorë kishte detyrime të tilla, siç kanë të gjithë njerëzit në shoqëri. Më e keqja është se edhe sot po ndodh pikërisht kështu. Figura e nderuar e mësuesit sot, jo vetëm që nuk vlerësohet, por për më tepër duket se urrehet. Mësuesit sot i duhet të përballojë një stres të jashtëzakonshëm, që i vjen nga të gjitha anët. Ai është objekt kritikash nga shoqëria, ministria, Drejtoritë Rajonale, ZA, Drejtoritë e shkollave, njësitё vendore dhe bashkitë, prindërit, madje edhe nga vetë nxënësit, të cilët tani e përçmojnë mësuesin duke treguar hapur se nuk janë fare të interesuar për mësim dhe as për edukimin e tyre. Asnjë shoqatë, asnjë institucion, asnjë ligj nuk kemi deri tani që të mbrojë dinjitetin e këtij intelektuali të mjerë, madje edhe të ashtuquajturat Sindikata tё Arsimit e kanë braktisur atë. Kush hyn dhe del në dyert e shkollës, kërcënon vetëm mësuesin, e kërcënon drejtori me pushim dhe ndëshkim financiar, e kërcënon inspektori, kontrolluesi, i bën presion psikologjik prindi pse nuk ka vlerësuar nxënësin me notë më të lartë, madje edhe vetë nxënësit si pa të keq e kundërshtojnë, e kërcënojnë dhe debatojnë me mësuesin e gjorë, sepse nuk u pëlqen kultura, mësimi dhe edukata që mësuesi u sugjeron atyre në forma të ndryshme. Dhe përsëri heshtja vazhdon. Hesht shteti, hesht shoqëria, hesht drejtoria, hesht prindi, por nuk hesht nxënësi, i cili nuk pyet fare se shkolla është vendi ku mësohet dhe edukohet njeriu, por bën ç’të dojë, madje edhe në orën e mësimit. Ndodh kjo, sepse nuk kemi ligje për të ndëshkuar edhe minimalisht fajtorët pra, nxënësit apo prindёrit që bëjnë veprime antipedagogjike, antishoqërore, ndërsa mësuesin një gabim të vogël po të bëjë e “kap” ligji, e denoncojnё “Fiksi” e “Stopi”, e pushon dikasteri dhe askush nuk e mbron, si pati, si nuk pati të drejtë.

Nё ditёt e sotme, nxënësit shkojnë në shkollë për t’u dëfryer, sepse shumica prej tyre nuk mësojnë, nuk lexojnë fare, nuk e dëgjojnë mësuesin, nuk aktivizohen në mësim apo në diskutime mësimore, nuk shkruajnë detyrat që u rekomandon mësuesi, aq mё tepёr se sot disa shkolla pёrpiqen tё bёjnё mёsim online, që pёr hir tё sё vёrtetёs duhet theksuar se efektiviteti i kёtij mёsimi ёshtё tepёr minimal. Nxёnёsit sot janë të prirur pas zhurmës, pas anomalisë, përdorimit të telefonit celular në procesin mësimor, lojërave dhe diskutimeve të pavlera, largohen pa leje për në pabe, ku konsumojnë alkool, duhan, në mos përdorin edhe lëndë narkotike, stimulojnë grindje, ngatërresa, madje edhe deri në perdorimin e armëve të ftohta etj. Shpesh, në këto aktivitete të prapta, ata ndihmohen edhe nga prindёrit, nga familja dhe shoqëria. E ç’mund të bëjë mësuesi në kushte të tilla? Ai është totalisht i paaftë të veprojë, sepse nuk ka në dorë një rregullore, udhëzim apo ligj që në këto raste ndëshkon fajtorët. Në shkollat e mesme dhe të larta ky problem është i zgjidhur, megjithëse pak masa merren, po problemi qëndron tek arsimi parauniversitar, ku nuk mund të marrësh asnjë masë disiplinore. Në këto kushte, gjendja është e vështirë të ndryshojë. Probleme të tilla ka kudo në vendin tonë dhe për çudi as shoqëria jonë nuk e ngre zërin kundër këtyre fenomeneve negative dhe as institucionet shtetërore nuk marrin masa për të parandaluar këto dukuri. Është totalisht e dhimbshme të shohësh një brez të ri që nuk përgatitet për jetën sot kur është momenti i duhur për ta bërë një gjë të tillë, ku pasojat e kёsaj gjendje, do t’i shohim pas pak vitesh, të shohësh një mësues, intelektual, pjesëtar i kësaj shoqërie të civilizuar në këtë gjendje shoqërore, psikologjike dhe ekonomike, siç është katandisur kjo figurë e nderuar e shoqërisë sonë, vërtetë është e dhimbshme.

Nё biseda dhe diskutime tё ndryshme më thonë se profesioni i mësuesit është bërë i bezdisshëm për shumë arsye, sidomos për mësuesit me klasa kolektive në arsimin parauniversitar, të cilët detyrohen të bëjnë 12 orë mësimi dhe të përgatisin edhe 12 orë përgatitje ditore në ditë, një punë e mundimshme për vendosjen e së cilës mbi baza metodike dhe pedagogjike nuk mendon askush. Ndërkaq mësuesi është i detyruar që me mjeshtërinë, përvojën, aftësinë, fleksibilitetin pedagogjik të krijojë kushtet normale dhe “situata tё ndryshme pedagogjike”, në të cilën nxënësi të ketë mundësi të zgjedhë alternativa veprimi, kulturimi në përputhje me dëshirat, aftësitë dhe prirjet e tij personale. Kjo liri pedagogjike, nuk ka pse të jetë e huaj për shkollën tonë moderne, nëse mësuesi dhe nxënësi dinë të respektojnë njëri- tjetrin, duke luajtur secili rolin e vet. Me fjalë të tjera, ka ardhur koha që në shkollë të punojmë, që, duke e demokratizuar atë dhe marrëdhëniet midis mësuesit dhe nxënësit nga njëra anë, po kaq seriozisht të mendojmë për një “rikonceptim të roleve” dhe statusit të secilit, si mjet për mbarëvajtjen e punës dhe procesit mësimor dhe edukativ nё shkollё. Çështja e njohjes dhe respektimit të statusit të mësuesit dhe nxënësit, ndikon në krijimin e një atmosfere të veprimit të “hierarkisë shkollore”, e cila është e domosdoshme për një institucion të tillë, me mision social, didaktik dhe pedagogjik, siç është shkolla. Nëse do të arrijmë që në shkollë të kemi përfytyrime të drejta për statusin e mësuesit dhe nxënësit, sanksionuar me ligj, duke respektuar të drejtat institucionale të secilit, atëherë kemi për të patur një atmosferë marrëdhëniesh të mirëkuptimit reciprok. Kjo është ajo që i duhet shkollës, për të patur eficencë dhe efikasitet socio-pedagogjik, rezultate të prekshme dhe gjurmë të thella të relacioneve shpirtërore midis mësuesit dhe nxënësit. Nuk ka pse të ngatërrojmë shkollën me koncepte të skajshme konservatore, arkaike të pedagogjisë së vjetër e të re, që janë provuar se kanë qenë dhe janë antiproduktive, të panatyrshme për shkollën moderne shqiptare, në stadin e sotëm tё zhvillimit. As nxënësi, por as mësuesi nuk janë ata që kanë qenë dikur, as marrëdhëniet e tyre nuk ndërtohen mbi parime të vjetra që ngatërrojnë “statuset reciproke”, që dëmtojnë punën e shkollës.

Shkolla nuk duhet konceptuar as si vend i “pavarësisë së nxënësit” nga mësuesi, por as si fushë beteje për të treguar “unin” apo egocentrizmin pedagogjik të mësuesit. Natyrisht mësuesi është në një situatë të veçantë, sepse është i detyruar të komportojë sjelljen dhe “unin” e tij me nxënësit e tij që janë në të njëjtën kohë ”grup”, “tërësi kolektive” që duhet njohur, punuar dhe respektuar jo vetëm si grup, por dhe individualisht. Natyra e profesionit dhe e marrëdhënieve të tilla kontradiktore, të punës me “grupin” dhe “individin” në të njëjtën kohë, është ajo që e bën të vështirë, delikate, me përgjegjësi dhe të lodhshme punën e mësuesit në shkollë. Ndaj është aq shumë e respektuar puna e mësuesit të vërtetë, të cilën nuk mund ta bëjë kushdo. Ai është mjeshtër për të gjetur “masën”, midis lirisë dhe disiplinës që duhet të respektojë nxënësi në shkollë. Kjo do të thotë që duhet me kujdes të shikojmë atë raport delikat të të drejtave dhe lirive të natyrshme që ka nxënësi, me atë të drejtë që ka shkolla dhe mësuesi për nxënësin që të respektojë rregullat dhe parimet e ndërtimit dhe funksionimit të shkollës. Sipas mendimit tim, midis këtyre “dy lirive”, midis mësuesit dhe nxënësit është ajo situatë që ndikon në përcaktimin e statusit të tyre, është pikërisht ajo gjendje që mundëson funksionimin ideal të marrëdhënieve, pa cënuar dhe nëpërkëmbur të drejtat e njëri-tjetrit. Shkolla është institucion dhe natyrisht që ka nevojë për “hierarki” vlerash dhe njerëzish, që kanë role të ndryshme bashkëpunuese, që patjetër duhen respektuar. Shkolla tani është një institucion që ka tjetër mision, të edukojë qytetarë aktivë, të guximshëm, humanë, antikonformistë, me personalitet të fuqishëm e të pavarur. Këto vlera dhe cilësi që duhet të kultivojë shkolla, nuk mund të realizohen me konceptin e vjetër të statusit të mësuesit si tutelë mbi nxënësin pasiv dhe pa vetëdije personale. Shkolla është vendi i parë ku nxënësi kërkon të afirmojë personalitetin dhe identitetin e vet të dallueshëm. Nga ana tjeter, dëshira e nxënësit për të afirmuar personalitetin e tij, nuk e cënon aspak, nuk e vë në krizë autoritetin e mësuesit të talentuar, që di të kuptojë këtë aspirate të nxënësit, duke ndërtuar ndërkaq marrëdhënie të mira ndikuese me të. Nuk është e drejtë frika që kanë disa mësues, për “kufijtë” e cënuar të autoritetit të tyre. Sipas mendimit tim, pavarësisht proceseve demokratizuese që kanë përfshirë shkollën tonë, ka për të qenë kurdoherë e pranishme dhe e diskutueshme pyetja e mësuesit se “deri ku duhet të shtrihet autoriteti” i tij. Por ndërkaq edhe nxënësi ka po aq të drejtë të pyesë, se “deri ku janë kufijtë e lirisë” së tij. Kjo situatë dualiste midis “autoritetit të mësuesit” dhe “lirisë së nxënësit”, është dhe do të jetë problem i përjetshëm, ekzistencial i shkollës. Asnjëherë shkolla nuk është normale, nëse nuk ka të kristalizuar misionin, qëllimin, funksionin dhe natyrisht edhe statusin dinamik të dy figurave të përjetshme të saj: mësuesit dhe nxënësit.

Mësuesit, nё ditёt e sotme, pёrsёri sakrifikojnë me mundim të madh. Mësuesi detyrohet të hartojë plane, të përgatisë tema shkencore dhe sociale, të hartojë projekte ekstra, të redaktojë tekstet shkollore, të hartojë skenare për aktivitete të ndryshme, të plotësojë relacione informative, të përgatisë informacione për prindërit, të ndjekë kurse të detyrueshme dhe të blejë kredite profesionale me paratë e rrogës së tij të vogël. Besoj, nga sa thashë më sipër, nuk mund të gjesh institucion më të ngarkuar dhe më të vështirë dhe për më tepër as reforma nuk po i  prek këto çështje, megjithëse thuhet se mësuesi do të shkarkohet nga çështjet burokratike, megjithatë po tregohet e kundërta. Për këtë arsye, sot sheh mësues të lodhur, të stresuar, të dërrmuar, mёsues që dita–ditёs po u zbehet dёshira pёr punё, për të cilët askush nuk po interesohet. Ka vite që ёshtё miratuar udhëzimi për të mos përdorur celularin gjatë kohës së punës në shkollë dhe u bë shumë mirë. Po nëse nuk duhet ta përdorë mësuesi për asnjë lloj arsye telefonin, sepse për të mund të merret edhe masë ekstreme disiplinore, si do të veprohet me nxënësit, sidomos në arsimin parauniversitar, që e përdorin masivisht, madje edhe brenda orës së mësimit dhe mësuesi nuk ka asnjë bazë ligjore për të marrë masa ndaj këtij fenomeni shumë të përhapur në shkollat tona.  Madje edhe kur u xhiruan nga nxënësit disa mësues dhe u transmetuan në disa emisione investigative, mësuesi u penalizua pa mёshirё, ndërsa për nxënësin që pёrdori telefonin në orën e mësimit nuk u mor asnjë masë. Mendoj se ashtu siç mund të ndëshkohet mësuesi, duhet të merren masa edhe ndaj nxënësit, pasi ai është një mjet që dëmton rëndë normalitetin e orës së mësimit. Si pjesë e kësaj shoqërie, edhe mësuesit meritojnë vëmendje më të madhe jo vetëm në përmirësimin e pozitës sociale dhe shoqërore, por edhe në trajtimin ekonomik. Kam shumë shokë dhe miq mësues që punojnё nё sistemin arsimor dhe të gjithë ankohen, të gjithë kanë marrë kredi nëpër banka të ndryshme për të jetuar, overdraftët e tyre nëpër banka janë zero, madje edhe shpërblimet jepen në mënyrë selektive, por masa e madhe e mësuesve tanë nuk janë mësuar me salltanete, ata janë njerëz të thjeshtë, që jetojnë vetëm me punë, me vështirësi. Kam shumё miq mёsues që kanё dalё nё pension kohёt e fundit. Ështё absurde tё punosh rreth 43 vjet mёsues, tё kesh shkrirё gjithё aftёsitё dhe energjitё tuaja pёr edukimin e brezit tё ri dhe vlerёsimi pёr kёtё punё plot pёrkushtim dhe sakrifica, tё jetё zero. As shteti dhe as instancat përkatёse nuk interesohen pёr kёtё figurё tё ndritur. Mёsuesi kalon rreth gjysmёn e jetёs sё tij nё profesion dhe nuk stimulohet fare, nuk shpёrblehet pёr punёn e bёrё, qoftё njё ҫertifikatё mirёnjohjeje ti jepet nga dikasteri qёndror, mirё do tё ishte. Shteti ynё dhe Presidenti i Republikёs po dekorojnё persona me dhe pa merita, po japin tituj dhe vlerёsime pa doganё, po mёsues asnjё, sikur ata vetё nuk kanё dalё nga duart e mёsuesve, sikur nuk kanё dalё nga bankat e shkollave. Është e papranueshme që njё mёsues, i cili del nё pension, ta mbyllё bilancin me borxhe, ndryshe nga disa profesione ose pozicione tё larta shtetёrore që po venё pasuri dita–ditёs. Ështё momenti që nё kёtё 7 Mars tё sensibilizojmë organet shtetёrore, ekzekutive dhe shoqёrinё tё jenё mё tё vёmendshёm ndaj mёsuesit, punёs sё tij dhe trajtimit tё tij shoqёror, institucional dhe material. Nuk është e mjaftueshme të flasim vetëm dy herë në vit për këta misionarë të dijes në rang institucional, vetëm në shtator kur fillon viti i ri shkollor dhe me 7 Mars, ku i mbushim me lëvdata dhe fjalë të mira, po të marrim masa që të ndryshojmë jetën dhe veprimtarinё e tyre pedagogjike, me qëllim që kjo shtresë e shoqërisë sonë të jetë në nivelin e detyrave që shtron sot koha. Pra, edhe kur kanë festën e tyre, mësuesit nuk gëzojnë. Në këto kushte, nëse nuk ndryshohet pozita e tyre shoqërore, problemet në shkollat tona mund të përshkallëzohen dhe gjendja të përkeqësohet akoma më shumë. Nesër do të jetë vonë…Këtu ja vlen tё kujtoj disa vargje nga poezia e poetit tё njohur, Llazar Siliqi “Mёsuesi”: ”… Edhe kur kryet do na e mbulojnë thinjat,/ ndërmend do të sjellim një emër nderues,/ emrin e dashur, emrin e bukur,/ emrin e thjeshtë, por të madh, Mësues…”. Le tё jenё si lejtmotiv pёr tё ardhmen, vargjet e kёtij poeti tё madh…/albspirit.com

 

 

Please follow and like us: