Mehmetali Rexhepi: NJË LITAR KAMBANE
Avujt që lëshoje nga brendia
diku do t’i hidhte ekologjia
prej nga i ardhkan teshtimat
neurozat, vetëtimat, shkreptimat
*
fjalamanët përmbysnin kontejnerët e mendjes tyre
u rrëshqitnin në gracka përgojimesh duke shtuar stoqe inerte
bridhje së toku dhe kundërmimin ua tumirje
shqisat e ndjenjës kishin njëjtësuar shije
*
avujt e afsheve të reve
dolën pas lëpirjes së një rrëkeje
prore i ndiqte anarkia e erës
ç’t’i bësh asaj breshërime mbi vellon e nuses të verës
*
çlirimi u gjykua si ngjarje anarkike
do t’u shpërthejë pezmi dhuntive instinkte
se si i ngrehje ledhet për atë tjetrin
mes gjembash zilie vishje vetveten
*
të panumërta mësymjet ambicie
e ngushtuar hapësira kozmike
lajthitesh të zgjerosh ngastrën tënde kadastrale
në hapësirën e kaltër të përbindëshave
*
shtrënguar nga graviteti
të shtrembërohet fytyra në mijëra ngërdheshje
e pamasë gjithësia orbitat shtrijnë kufij
rrezet me duar të nxehta gatuajnë epshe
*
nuk mbaheshin dhe u binte pesha
çfarë t’u mbetej pos derdhjes së ndjenjave
puthjes së deteve dhe të vjella
mbi lumenj të vizatuar pa rrjedha
*
për t’i vënë frerin stuhisë
asaj përmase vigane
ti shpirt militarist je fare i brishtë
të mbeti në dorë veçse një litar kambane