Bardhyl Berberi: Ç`është ky komb kosovar?
Sot në Pogradec kishte shumë të ardhur nga Kosova për 7 Marsin edhe pse pandemia është kërcënuese. Më tërhoqi vëmendjen një burrë në Drilon, i cili i tha kamarierit “na shtro dy tavolina se ne jemi nga kombi kosovar…
– Nga kombi shqiptar, ia preva unë, por ai nguli këmbë, duke thënë se ne jemi kombi kosovar.
Me sa duket ngatërronte nocionin e shtetit me atë të kombit, megjithëse tha që jam profesor në Universitetin e Prishtinës. Këtu gjërat komplikohen më tepër… Madje ai shtoj se dhe analisti juaj Fatos Lubonja kështu mendon si unë… Është krijuar një ndarësi e çuditshme nga njerëz sa të paaftë por aq dhe keqdashës që duan të krijojnë të çara që e ndajnë kombin tonë në komb shqiptar dhe komb kosovar!
Fjalori i gjuhës shqipe veçon si paresor kuptimin që mbi një shekull nënkupton bashkësine e gjuhës dhe etnisë së një populli. E thënë troç, me nocionin ‘kombi shqiptar’ nënkuptohet teresia e atyre që ndihen dhe deklarohen si shqiptarë pavarsisht se në çfarë shteti jetojnë.
Janë disa të ashtuquajtur intelektualë apo profesorë që pretendojnë se janë koka të mëdha këtej kufirit dhe më gjërë që e injorojne kuptimin e parë, shumë më të perhapur jo vetëm në gjuhen shqipe, por edhe gjithandej, duke arritur në përfundimin se shteti është parakusht dhe bërthama e kombit, prandaj me krijimin e shtetit të Kosoves, pos kombit shqiptar, duhet të njihet edhe kombi kosovar.
Në një polemikë që pata me profesorin kosovar ky insistonte se vetëm shtetasit e Shqipërisë përbëjnë kombin shqiptar, kurse ata jashtë territorit të saj, varësisht se në cilin shtet jetojnë dhe çfarë pasaporte kanë, duhet të quhen pjesëtarë të kombit kosovar, ose te kombit maqedon, malazez, serb etj.
E pra, t’i thuash shqiptarit në Maqedoni se je maqedonas e bën atë pjesëtar të kombit maqedonas dhe është sikur t’i biesh në kokë me çekiç, sepse per shembull për një strugan apo tetovar kyç për të është refuzimi i kombësisë maqedone dhe kjo vlen edhe për ata banorë të Luginës së Preshevës apo ata të Malit të Zi.
Edhe serbët e Kosovës mund ta pranojnë shtetësinë, por jo edhe kombësine kosovare sepse ata kanë kombësi serbe.
Shtetësia dhe luajaliteti ndaj shtetit ngatërrohen me përkatësine etnike dhe kombëtare.
Nuk ka komb kosovar, siç pretendojnë ata që e ngatërrojnë konceptin e kombit me atë të shtetësisë. Ka vetëm shtetësi kosovare që, ndër të tjera, është një ndër nënidentitet (në një trevë shqiptare) e të qenit shqiptar me kombësi.
Të mos harrojmë se një tezë të tillë ka kohë që e elaboron dhe e përdor Beogradi zyrtar duke bërë ndarjen e Shqipërisë nga Kosova dhe duke folur për dy kombe të ndryshëm, por mjerisht këtë tezë e kanë marrë edhe ca sharlatanë shqiptarë këtej e andej kufirit, çka duhen rikujtuar dhe vënë në një memorial turpi.
Togfjalëshi “kombi shqiptar” ështe emërtim përmbledhës për të gjithë ata që ndihen dhe deklarohen si shqiptarë dhe kjo është e padiskutueshme dhe nuk ka asnjë demagog apo të shitur që mund të luajë me konceptin e kombit…
Pogradec, 7 Mars 2021./albspirit.com