Albspirit

Media/News/Publishing

Mit’hat Frashëri: Çështja e Epirit (1)

 

La Population de l’Epire, 1915, Sofje.
Përktheu nga origjinali: Aleko Gjergo.
Redaktorë: Manjola Tërshana, Syrja Xhelo & Çerçiz Loloçi
Botimet “Lumo Skëndo”, Tiranë 1998.

 

 

 

 

Martirizimi i një populli

Lexuesit

I dashur lexues, në jug të Evropës, në buzë të Adriatikut, ndodhet një vend që quhet Shqipëri. Ajo ka qenë pjesë e Turqisë Evropiane deri më 1912. Gjatë Luftës Ballkanike ky vend shpalli pavarësinë nëpërmjet një kongresi kombëtar të mbledhur në Vlorë më 28 nëntor. Konferenca e Ambasadorëve në Londër e konfirmoi këtë pavarësi duke e shpallur Shqipërinë një vend neutral dhe e vendosi atë nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha.

Popullsia e Shqipërisë e kalon pak milionin, por jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbeten më shumë se një milion e gjysëm shqiptarë të tjerë, të ndarë ndërmjet grekëve, serbëve dhe malazesëve.

Popullsia një milionëshe që formon mbretërinë e Shqipërisë është e përbërë nga katolikë, ortodoksë dhe muslimanë që nuk kërkojnë gjë tjetër veç të jetojnë në paqe, nën mbretin e tyre europian me fenë kristiane, të cilës ata e vendosën t’i kushtohen dhe që më në fund Fuqitë e Mëdha do t’ua japin këtë të drejtë një ditë.

Por jeta e shqiptarëve do të jetë fatkeqë në tokat e tyre të zëna prej fqinjëve grekë, serbë e malazesë pasi këta lakmojnë deri edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke shqiptare me etjen për ta parë të zhduket edhe shqiptari i fundit.

Do t’u tregojmë këtu një prej periudhave të kësaj lakmie të këtyre fqinjëve tepër kristiane. Krahinat tona më të pasura dhe më të lulëzuara të Jugut, tani s’janë më veç gërmadha të mbuluara nga hiri. Një popullsi e tërë paqësore, që kërkon veç të jetojë në tokën e të parëve të saj, është shfarosur.

Shqipëria neutrale e nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha, është shqyer e shkatërruar prej Greqisë. Ky krim është i pashembëllt, pasi është pasojë e pabesisë dhe e dredhisë.

Kjo fatkeqësi nuk ishte pasojë e një lufte. Fshatrat tona nuk u shndërruan në hi dhe njerëzit tanë (përfshi gra dhe fëmijë) nuk u masakruan gjatë furisë së ndonjë beteje. Këto barbari u kryen me qetësi dhe të peshuara mirë e bukur.

Këto tmerre u injoruan, bile kaluan pa u vënë fare në dukje. Shumë pak persona të së ashtuquajturës botë e qytetëruar, u shqetësuan për këtë. Disa syresh edhe i duartrokitën, duke u përpjekur t’i quanin ato si një veprim civilizues të Greqisë.

Fillimi

Në verën e vitit 1913 Zografos, ministri i Jashtëm i Greqisë, atëhere guvernator i Janinës, gjatë një darke që jepte për shqiptarët e shquar të Janinës dhe të rretheve të tjera, përveç mjaft fjalëve plot butësi evangjelike, la të shqiptoheshin nga goja e tij auguste këto fjalë të një “mirësie” të përjetshme:

“Mos krijoni iluzione: edhe nëse do të jemi të shtrënguar të braktisim Epirin, ne nuk do të lëmë veçse tokën, gjithçka mbi dhe do të rrafshohet”. (1)

Meqënëse në fëmijërinë tonë na patën mësuar që çdo grek është në mënyrë të natryshme gënjeshtar dhe batakçi, ne besonim se edhe në këtë rast bëhej fjalë për një kërcënim të pafuqishëm. Tani Zografos është shfaqur si burrë me karakter dhe i ndershëm. Në zanatin e tij prej batakçiu, ai e mbajti fjalën.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër nuk shënoi asnjë vijë për kufirin jugor të Shqipërisë. Ajo vendosi ta rishohë çështjen në terren nëpërmjet një komision ndërkombëtar, i cili do të caktonte këtë kufi pas një studimi etnografik të rajoneve.

Shumë shpejt, një komision i përbërë nga përfaqësues të gjashtë Fuqive të Mëdha, shkoi në Korçë dhe përshkoi vendin nëpërmjet këtij qyteti dhe detit duke kaluar nga Kolonja, Përmeti, Leskoviku, Gjirokastra e Delvina. Me të mbaruar punë, ai u kthye në Firence dhe përgatiti një protokoll ku njihte plotësisht karakterin krejtësisht shqiptar të rretheve e krahinave të vizituara.

Greqia u përpoq me anë të marifeteve të saj meskine dhe të ulta për ta mashtruar komisionin. Grekët ishin brenda rolit të tyre! Në Kolonjë, bie fjala, autoritetet greke sollën me një frymë familje puro greke për t’i vendosur në rajone të tjera me ngut të madh, për të mbushur mendjen e komisionit ndërkombëtar që vendasit janë grekë.

Ç’komedi qesharake!

Një shembull tjetër i hileve greke: në fshatin Qinam të Kolonjës, ku komisioni duhej të kalonte në mbrëmje vonë, autoritetet greke varën një këmbanë në një pemë me qëllim që të krijohej përshtypja e pranisë së një kishe ortodokse. Disa fëmijë të vegjël, të sjellë nga larg, duhej të llomotisnin greqisht! Ndërkaq, një prej kafsharëve, bashkëshoqërues i komisionit, ia nxorri bojën kësaj hileje aspak të ndershme dhe fort të trashë të autoriteteve greke (2).

Gjatë gjithë kësaj kohe, rrebeshi i telegrameve dhe peticioneve drejtuar Konferencës së Ambasadorëve, nuk rreshti për asnjë çast. Qindra mijëra shqiptare në Rumani, Egjypt, Amerikë, si dhe ata që gjenin prehje në Vlorë, të gjithë me origjinë nga provincat e Korçës dhe të Gjirokastrës, pjesa më e madhe e krishterë–kërkonin t’i bashkoheshin Shqipërisë duke protestuar nëpërmjet ndjenjave të tyre shqiptare.

Këto dokumenta janë të regjistruara ashtu siç duhet në regjistrat arkivale të Konferencës së Ambasadorëve, por shumë pak gazeta pranuan të hapnin kolonat e tyre me to.

Kështu pra, u njoh që Korça dhe Gjirokastra t’i ktheheshin Shqipërisë si më parë. Populli shqiptar manifestoi vullnetin e tij dhe komisioni konstatoi në vend karakterin krejtësisht shqiptar të banorëve. Këtej vijës së kufirit mbeteshin në Shqipëri, në jug të Delvinës, një duzinë fshatrash të përzier me grekë apo shqiptarë të greqizuar. Ndërsa përtej kësaj vije, prej Kepit të Ftelisë deri në Prevezë e Janinë, më shumë se 100 mijë shqiptarë (një pjesë e madhe e të cilëve në Çamëri, rajoni i banuar prej shqiptarëve më të mirë) i mbetën Greqisë.

Kështu, nëse për këtë çështje, kishte ndonjë që duhej të hidhërohej, kjo ishte sigurisht Shqipëria dhe aspak Greqia. Pra Greqisë s’i mbetej gjë tjetër, veç të pranonte si një favor këtë vendim dhe t’i nënshtrohej atij. Në fakt tamam këtë bëri ajo në dukje dhe nëpërmjet notës së saj të datës 21 shkurt 1914, njoftonte Fuqitë e Mëdha se e pranonte vendimin e tyre. Por hesapet duheshin bërë gjithmonë, duke pasur parasysh pabesinë greke. Duhej përdorur dredhia, atje ku metodat e bindjes nuk mund të ndikonin.

Zografos ishte atje dhe ai s’e kishte harruar hiç kërcënimin e bërë. Ne nuk mund ta ndajmë veprimin e Zografos prej atij të qeverisë greke. Edhe nëse Venizellos ishte vërtet i sinqertë, s’kish asnjë dyshim që Zografos vepronte në një mendje me klikën ushtarake greke, shef i së cilës ishte mbreti Konstandin. Zografos me kompani kërkonin pra një marifet dhe do ta kopjonin atë nga autonomia jetëshkurtër e Gumuldjinës. Por ndërsa atje komedia kishte një karakter të parrezikshëm, këtu gjërat u shndërruan në tragjizëm dhe komedia e ashtuquajtur epiriote la pas një vazhdë të kuqe në analet e kohës.

Masat e nevojshme ndërkaq ishin marrë dhe Zografos nuk fshihte aspak qëllimet e tij: fjala ishte për të mbajtur Epirin dhe në pamundësi të mos braktisej ky rajon i shqiptarëve pa e masakruar e pa e shkatërruar më parë rrafsh me tokën.

Që në fillim të pushtimit të tyre, grekët ishin përpjekur të formonin disa “legjione të shenjta” me vullnetarë shqiptarë, të destinuar për të përkrahur bashkimin e Epirit me Greqinë. Të rinjtë merreshin me forcë, të terrorizuar prej oficerëve dhe nënoficerëve grekë. Zanatçinj dhe dyqanxhinj paqësorë shkuleshin me dhunë nga punët e përditshme të tyre dhe stërviteshin ushtarakisht. Sidoqoftë këto ishin veprime që nuk mund të shkaktonin turbullira.

Por Greqia, e cila e dinte më mirë se kushdo që për ta mbajtur Epirin nuk mund të mbështetej kurrsesi te shqiptarët e vërtetë, veproi në mënyra të tjera.

Në krye ajo iu drejtua dy fuqive mike dhe mbrojtëse, Francës dhe Rusisë prej të cilave fitoi shpejt mbështetjen dhe ndihmën e duhur. Sidoqoftë vetëm politika është e pamjaftueshme për të dhënë rezultat pa u mbështetur nga një forcë materiale dhe meqë kjo forcë nuk mund të rekrutohej brenda vendit (cili shqiptar do të kish dëshirë të luftonte për aneksimin e atdheut të tij nga Greqia?!) u përdor pak dinakëri, gjithnjë sipas mënyrës greke. Ushtarë të rregullt grekë, nën komandën e oficerëve të tyre, u maskuan si të ishin vendas, duke u hequr si banda epirote, me fjalë të tjera, si shqiptarë që kërkonin bashkimin me Greqinë dhe që luftonin për këtë bashkim!

Atëhere me qëllim që të krijohej ideja se rrethet e Epirit ishin zbrazur prej grekëve, të njëjtët ushtarë me të njëjtët oficerë në krye, bënin të njëjtën udhë në drejtim të kundërt dhe merrnin rishtaz në zotërim të njëjtat rajone, gjithmonë me po ato armë të tyre: pushkë, municion, mitraloza e të tjera.

Largimi i ushtarëve grekë apo më mirë, gjoja zbrazja e Epirit, filloi nga Korça më 3 mars 1914. Në këtë ditë u mbajt një proces-verbal ndërmjet kolonelit grek Konduli dhe majorit shqiptar Mustafa. Xhandarmëria jonë, e organizuar prej misionit hollandez, mori në zotërim qytetin e Korçës dhe hareja e përgjithshme arriti kulmin sa në këtë krahinë aq edhe në tërë Shqipërinë.

Pritej që ky largim të vazhdonte, shpresohej të shihej që vendi i pastruar nga uzurpatorët të kthehej te mëma për t’u bashkuar me të.

Por a është e mundur vallë t’i zihet besë ndonjëherë fjalës së dhënë prej një greku dhe nderit të tij?

Ja disa fakte që do të shërbejnë për të ilustruar historinë e çështjes së quajtur Epirote dhe që do të mund të hedhin mbi të një farë drite. (4)

“Më 19 mars grekët lajmëruan xhandarët tanë, që të shkonin për të marrë në dorëzim fshatin Odriçan pranë Frashërit (kazaja e Përmetit). Por në momentin kur tanët u futën në fshat, grekët tradhëtisht hapin zjarr nga kisha: oficeri Qani u plagos, ndërsa 12 burra u vranë.

Natën e 18 Marsit u luftua në Radom, pranë Leskovikut, të cilin grekët e kishin zbrazur dhe ia kishin rikthyer xhandarmërisë shqiptare. Ndërkaq po këta grekë kthehen dhe sulmojnë njerëzit tanë, por përball rezistencës së vendosur morën arratinë duke lënë nja tridhjete të vrarë.

Po atë ditë grekët, si hakmarrje për humbjen e paparashikuar të tyre, ekzekutuan shtatë fshatarë, ndër ta edhe një djalë katërmbëdhjetë vjeçar. Këta fshatarë të ngratë ndodheshin në duart e grekëve në Leskovik, si karvanarë të marrë me qera).

Ja pra ndershmëria dhe besnikëria e grekëve!

Ndërsa zyrtarisht e sa për sy e faqe gjoja largoheshin ushtarë grekë nga Epiri, në të vërtetë rrënohej vendi dhe bëhej kërdia. Zografos, Venizellos dhe Lidhja (ose më mirë klika) ushtarake paguhej nga kreu i Fuqive (!). Kështu luhej komedia: grekët luanin rolin e tyre dhe Europa bënte sikur nuk e kuptonte ose më keq akoma, lëshonte klithma admirimi për poshtërsitë e panumërta të tyre.

Tamam të nesërmen e të ashtuquajturit largim të ushtarëve grekë prej Korçës, disa korrespondentë gazetash përhapnin zëra për ripushtimin e qytetit prej grekëve. Megjithëse kthimi i këtij kryevendi u krye në formën e duhur, ishte shumë e vështirë të merrej me mend goditja e projektuar nga fqinjët tanë të jugut. Në të njëjtën kohë në Shqipëri thuhej, dhe kjo besohej sinqerisht, që Greqia nuk do të guxonte kurrë ta bënte një të tillë pabesi tamam nën hundën e gjashtë fuqive nënshkruese të traktatit të Londrës, të cilat në mungesë të ndonjë ndjenje tjetër duhet të kishin të paktën një çikë sedër.

Ndërkaq ja se çfarë ndodhi:

Grekët, duke braktisur Korçën, kishin lënë në qytet nja tridhjetë të sëmure me dy mjekë, një oficer dhe disa ushtarë që duhej të rrinin tek koka e të sëmurëve. Kjo ishte një vatër e vogël infeksioni, që gabimisht u tolerua, pasi disa andartë grekë u futën tinëz në qytet dhe netët e 3 e 4 prillit u tentua kryerja e një aksioni, i cili dështoi menjëherë përpara rezistencës së banorëve vendas. Kur besohej se rreziku kishte kaluar, më datën pesë të po atij muaji u mësua mbërritja e një bande të armatosur fare pranë Korçës. Këtu u zhvillua një luftim i vërtetë prej të cilit agresorët morën arratinë duke shpëtuar kokën drejt viseve të Jugut.

Ç’farë kishte ndodhur?

Zografos dhe klika ushtarake përgjonin kryerjen e aksionit të armatosur në Korçë të përgatitur prej grekëve nën patronazhin e peshkopit grek të qytetit, një fanatik sektar, andart siç ishin të gjithë priftërinjtë e sjellë prej Patriarkanës Ekumenike të Konstadinopolit, një kolerë e vërtetë për besimtarët ortodoksë shqiptarë, të cilëve ata mendonin t’i udhëhiqnin shpirtrat. Meqënëse aksioni i armatosur në Korçë dështoi, qeveria helenike e mori vetë çështjen në dorë duke shpresuar se shpata do të ish më e fuqishme dhe më e vlefshme se kryqi.

Treqind e pesëdhjetë ushtarë u nisën nga Kosturi (qytet në Jug të Korçës, një territor shqiptar i aneksuar nga Greqia), të komanduar nga oficerë të ushtrisë aktive të madhërisë së saj helenike: Mavraza, Laza, Benapoli, Asterio, Ilia Papageorgiu. Shtojini këtyre pesë oficerëve edhe një personazh me një fizik të mbrapsht, një lloj Kuazimodo të quajtur Bussios, ish deputet grek Serfixhes në parlamentin otoman dhe do ta keni para syve të gjithë ngjarjen e nevojshme. Ushtarë e oficerë, përpara se të merrnin udhën e agresionit, do të merrnin bekimin e peshkopit grek të Kosturit. (5)

Gjatë këtyre operacioneve grekët nuk nguruan të kryenin qindra mizori: I vunë flakën shumë fshatrave, i therën dhe i dogjën të gjallë banorët paqësorë e të pafajshëm – përfshi edhe gra e fëmijë. Fshatarë të tjerë i larguan me forcë për të krijuar idenë e rreme të një eksodi ndaj qeverisë shqiptare, të gjitha këto me synimin e vetëm për të shkretuar vendin dhe për të mbjellë skamjen.

Ndërmjet krimeve të shumta të tyre mund të përmendim vrasjen e një prifti vllah: Papa Harallambi i Korçës, i therur me gjak të ftohtë së bashku me të vëllanë dhe kushëririn e vet. Ky krim i kryer ndaj një personaliteti të shenjtë, ngjalli indinjatë dhe zemërim të madh.

Dhe ndërsa këto krime e tmerre kryheshin në Korçë – në një mënyrë krejt të ultë e të pandershme – gazetat greke ngazëllonin! Ato nuk gjenin dot shprehje për të lajkatuar këtë vepër makabre, për të admiruar sakrificën dhe “patriotizmin” grek! “Le Temps” njoftonte më 5 Prill që Korça ndodhej në duart e grekëve! E njëjta gazetë, pas disa ditësh, në numrin e saj të 13 Prillit thoshte ndër të tjera kështu:

“…gjatë një përleshjeje të vogël, at Balamaci është vrarë pasi është keqtrajtuar rëndë…”.

E vini re cinizmin?! Vrasja e poshtër e një prifti të nxjerrë me dhunë nga shtëpia, cilësohej thjesht si një keqtrajtim…

Po akoma më e fëlliqur ishte zhurma që përhapnin grekët për të mbuluar poshtërsitë e tyre. Po binin të gjitha këmbanat: pa skrupuj e pa turp grekët çirreshin për kapjen gjoja të vrasësve kur furisë së tyre shkatërruese nuk i shpëtonte asgjë. Nuk mund të mos qeshësh kur lexon gazetet greke të vitit të kaluar! Në numrin 10 Prill 1914 të “Le Temps” lexojmë këtë telegram:

 

“Athinë, data 9. Xhandarmëria shqiptare pasi çarmatosi paraprakisht popullsinë e Korçës, nisi masakra të përgjithshme. Qeveria greke i bëri të njohura faktet e saj…”.

Kjo është e gjitha! Po të dëgjosh grekët del se janë autoritetet shqiptare ata që masakruan të krishterët! Por ajo që na çudit në telegramin e mësipërm është ky turp që ne po e vëmë në dukje më poshtë: duke folur për banorët e Korçës për ta thuhet thjesht “të krishterë”, ose kudo gjetkë dhe përherë grekët përdornin shprehjen “grekë” për të krishterët ortodoksë të Shqipërisë.

Tamam këtu qëndron çmenduria e pakorigjueshme e fqinjëve tanë të dashur të Jugut! Për ata kushdo që është ortodoks është domosdo grek; është e pamundur për një grek të bëjë dallimin ndërmjet kishës ose fesë dhe racës nga ana tjetër. Në këtë mënyrë shqiptarët ortodoksë janë marrë për grekë ashtu siç janë quajtur si të tillë bullgarët, vllehët apo serbët deri në ditët tona (6).

Përsa u përket grekëve, siç e kemi thënë edhe më lart, ashtu siç e kanë përcaktuar edhe konferencat e Londrës dhe të Firences, nuk ka syresh në të gjithë Shqipërinë përveç nja dhjetë fshatrave të përzier në jug të Delvinës. Nuk gjendet asgjëkund tjetër qoftë edhe një grek i vetëm. I mëshojmë termit i VETËM dhe e nënvizojmë atë sepse grekët, për të cilët janë të huaja të gjitha ndjenjat e ndershmërisë e të turpit, nuk kanë rreshtur kurrë së bëri të mundurën e të pamundurën për të mashtruar opinionin publik botëror.

Në të kundërt gjenden më shumë se 100 mijë shqiptarë në rajonet që shtrihen në jug të Kepit të Ftelias (kufiri jugor i Shqipërisë) në Prevezë dhe në Artë.

Të kthehemi në çështjen e Korçës.

Fatkeqësisht e keqja nuk është lokalizuar vetëm në rrethinat e Korçës; murtaja greke shtrihej përgjatë gjithë frontit të kufijve jugore nga Bilishti në detin Adriatik, duke kaluar nga Leskoviku, Përmeti, Tepelena, Himara… Xhandarmëria shqiptare, nën komandën e oficerëve hollandezë, kish shkuar të merrte në dorëzim krahinat që grekët duhet të zbraznin sipas notës së datës së 21 Shkurtit nëpërmjet së cilës Greqia deklaronte se i nënshtrohej vendimeve të Fuqive të Mëdha për kufijtë e Shqipërisë.

Por në vend të marrjes thjesht në dorëzim, xhandarëve tanë ju duhej të hynin në luftime të vërteta kundër ushtarëve grekë të maskuar ku më pak e ku më shumë si andartë.

Ne nuk kemi as më të voglin dyshim për natyrën e vërtetë të këtyre të ashtuquajtur andartë. Ka dëshmi të shumta të cilat vërtetojnë që këta epirotë s’ishin gjë tjetër veçse ushtarë grekë ose vullnetarë. Raporti i gjatë i shefit të misionit hollandez në Shqipëri që po e publikojmë në fund të këtij libri, është një provë më shumë për çka parashtruam më sipër. Tani kam para syve dëshmitë e gjashtë grekëve të kapur me armë në duar në Korçë më 6 Prill 1914. Të gjithë këta “trima” pohuan se ishin ushtarë grekë duke dhënë saktësisht edhe numrin e kompanisë dhe të batalionit të tyre. (7)

Autori i këtyre radhëve u ndodh më 28 Prill (9 Maj) 1914 në Kolonjë, në jugperëndim të Korçës, me majorin hollandez Verhulst në një takim që duhej të zhvillohej ndërmjet nesh dhe disa oficerëve epirotë. Unë pashë tri oficerë grekë, ku më i madhi ishte me gradën e kapitenit dhe quhej Cipuro. Ata mbanin të gjithë uniformën greke, kasketën ushtarake dhe… kurorën mbi kasketë. Jashtë rregullit, ndërmjet këtyre oficerëve trimoshë, ndodhej një farë Stefo, që hiqej si shqiptar por që ne e njohëm pa mundim që ishte një grek apo më mirë një vllah i greqizuar prej rajonit të Gramozit, nga fshati Liskateh, i cili ndodhet në territorin shqiptar të aneksuar nga Greqia.

Për askënd nuk ishte më mister. Greqia i pranonte me vullnet mjaft të keq vendimet e Fuqive të Mëdha, apo më mirë të themi, nuk i pranonte fare ato. Ndërkaq rezistenca e saj u bë akoma më e thjeshtë pasi Fuqitë e Medha nuk ishin hiç të prirura për të mbrojtur vendimet që ato vetë i kishin marrë në Londër.

Greqia e shtynte gjithmonë për më vonë datën e largimit të trupave greke prej Epirit, ndërkohë që Venizellos u bënte vizitë qeverive të Europës. U tha që ky largim prej Shqipërie do të fillonte më 18 Dhjetor 1913, pastaj më 18 Janar, më tej akoma më 18 Shkurt dhe më në fund kjo histori filloi më 3 mars 1914 prej qytetit të Korçës.

Përballë vullnetit të keq të Gerqisë, Shqipëria ishte tepër e dobët dhe aspak në gjendje për të vendosur drejtësinë me forcat e saj. Kështu që ajo vendosi për ta kthyer çështjen në duart e fuqive nënshkruese të konferencës së Londrës.

Pra siç e patëm vënë në dukje, vullneti i të mëdhenjve nuk ishte aspak aq i mirë a ç’dëshëruam e shpresuam ne. Venizellos kish arritur të merrte disa premtime gjatë turneut të tij dhe ai shpresonte të mbante jugun e Shqipërisë. Sidoqoftë, duhej bërë çmos për të mos dalë në shesh të palarat, meqë vetë Fuqitë e Mëdha donin të linin përshtypjen që e mbanin fjalën e dhënë sipas firmës së vënë ku boja ishte ende e freskët. Me një fjalë, duheshin lënë të dy palët e interesuara ta sqaronin problemin ndërmjet tyre; pra të vihej përballë Shqipëria e vogël e sapolindur me Greqinë pesë herë më të madhe dhe me një pavarësi gati shekullore.

E kjo Greqi, duke mos dashur të kompromentojë përkrahësit e saj, shpiku komedinë epirote, u përpoq të bëjë sa të jetë e mundur të besueshme, rezistencën e armatosur nga brenda vendit kundër bashkimit me Shqipërinë! Për ta realizuar këtë projekt, Zografos, ky tradhëtar (8) i shërbente si marionetë, me qejf të madh klikës ushtarake. Ushtarë, oficerë, municione, armë dhe para u vunë në dispozicion të tij. Një bandë e madhe keqbërësish dhe kriminelësh si dhe mjaft ish burgaxhinj të sprovuar nga e gjithë Greqia, u çuan për të shtuar radhët e rekrutëve për legjionet, të cilët me kulmin e paturpësisë quheshin të SHENJTË!

 

Referenca

  1. Ne garantojmë autencitetin e tekstit, nëpërmjet dëshmive të shumë bashkëkohësve.
  2. Dhelpëritë e qeverisë greke provokuan neveru dhe humbje durimi të z. Asquith, kryeministër i Britanisë së Madhe.
  3. Për ne Epiri është i gjithë Jugu i Shqipërisë, deri në gjirin e Artës. Për grekët është vetëm pjesa që formohet prej rretheve të Kores dhe të Gjirokastrës.
  4. Kemi nxjerrë dy paragrafet e mëposhtëm nga gazeta “Koha”, botimi Frëngjisht dhe Anglisht, nr.1, që doli në Korçë më 3/16 Maj 1914. Numri i dytë dhe i fundit i kësaj gazete doli më 15/28 Maj.
  5. Shih Brailsford, “Macedonia, its races and their future”, London 1905, një përshkrim i peshkopit të Kastorias dhe të terrorizmit religjioz të grekëve.
  6. Kjo çmenduri është e përgjithshme tek të gjithë grekët: një ish konsull i përgjithshëm grek në Selanik, aktualisht ministër i Plotëfuqishëm në Romë, përdor të njëjtën gjuhë me një seriozitet të habitshëm! Fare pak kohë më parë (Janar 1915) qeveria e Venizellos a nuk pretendonte, dhe pa shaka, që në Durrës kishte 1800 grekë, duke dashur të thotë me këtë për gjithë sa qenë të krishterë-ortodoksë! Fjalë për fjalë: “Lajmëtari (Le messager) i Athinës i datës 9 Janar (n.s.) 1915: Komuniteti helenik i Durrësit, sipas një statistike zyrtare, llogarit jo më pak se 2000 shpirt (!)
  7. Në muajin Prill 1914 gjendeshin në Korçë tri të rinj të huaj: konti Pimodan (francez), princi Stourdza (rumun) dhe Mr. H. Shervord Spencer (amerikan. Këta tri zotërinj, ndonëse kishin ardhur thjesht për kuriozitet dhe si turistë, u gjendën në epirotë, në Kolonjë, në jugperëndim të Korçës; ata panë me sytë e tyre se ata që thirreshin epirotë, nuk ishin veçse ushtarë dhe oficerë grekë, të veshur si hajdutë malesh.
  8. Kujtojmë këtu që gjatë gjithë problemit epirot, Zografos dhe kolegu i tij Spiro Milo, të dy epirotë, domethënë shqiptarë, i pari bir i një babai me origjinë nga Gjirokastra dhe i dyti i lindur në Himarë, që të dy hynë të rinj në shërbim të Greqisë dhe, si gjithë tradhtarët, me një devotshmëri servile ndaj çështjes greke.
Please follow and like us: