Mustafa V. Spahiu: U DOGJE GJER NË FUND E PRAPË QIRI
Triptikon për Naim bej Frashërin, në 175-vjetorin e lindjes
Katër stinësh të jetës Orfe i shpresës,
Riosh i magjepsur n’ “Lulet e verësë”-
Vargjet tua m’i hapën krahët e derës,
“Bagëtia e bujqësia” sinonim i besës.
Dagëllisë e pash prejardhjen diellore,
Në Frashër m’u shfaqe ti bilbil vetë, e
Ditëve lind përsëri nga Zoti i vërtetë,
Ç’i bie xhurasë – fyelli jehonte prore.
Bulëzon frashëri me një bredh të ri,
Vjosa t’i lanë faqet sapo nis t’agojë,
“O eros” çdo foshnje nis t’belb’zojë.
Qeshja jote na flladit – qershor me shi,
E – “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve,”
“Istori e Skënderbeut” nis e t’parëve.
II.
Me penë këndove – gjuha jote na flet,
Cepave t’Arbërisë bukur e ke mbjellur
Te kro’i fshatit t’gjithë janë mbledhur;
Këngëtim’i zjarrtë – palca jonë këlthet.
N’galakse – mburrja ty sa të ka hije…
Ndaj engjëllit mordja s’kishte mëshirë!
Ngado ta kërkojmë fjalën më t’dëlirë-
“Gjithësia” t’nis kurora thurur me yje!
Majës s’Tomorrit n’amshim i diellzuar,
Në këtë përvjetor – na flakrojnë sytë;
Vallë, lindja jote është si qiellit yjtë…
As penat e reja s’kanë për t’harruar,
Grykës së Gramozit lehtas vjen erë,
Poet zemrash – me ne je përngaherë.
III.
Vijnë zogjët e jugut me këngë të arta,
Faqet e stinëve çdo ditë po përtriten.
Ëndërrat e blerta – shkëmbit po rriten;
Ylberet e dyfishta – hovesh me flatra.
Nga tok’e bekuar çdo lule sythat i qet,
Ardhja poetit po kumbon në hapësirë,
Me artin naimian ende nuk jemi ngirë!
Sa bukur e tjerri fjalën n’boshtin e vet.
Lindur e rritur n’Frashërin e Përmetit,
Abdyli gjithë vëllezërit i morri me vete,
Me fatin në ballë shtigjeve t’kësaj jete.
Vajtën në Janinë pastaj përtej – detit!
Veprat i kem’ peng vatrash shekullore,
Shekujt varg s’do t’i harrojnë prore…
E shtunë, 6/7 mars 2021, në Dardaninë Ilire.
[1] Titulli i këtij triptikoni, është huazuar nga një varg i lirikut të shquar Rrahman Dedaj (1939 – 2005).