Ibrahim Emiri: Paradokse të kohës që lamë pas
Ibrahim Emiri
Penelata nga tabloja e absurditeteve të kohës së monizmit
KËNDI I ZGJEDHJEVE NË PARTI
Ishte fundi i viteve gjashtëdhjetë, të shekullit që lamë pas. Kantieri i ndërtim-bonifikimit në Përmet po ndërtonte në Zhepovë një rezervuar uji për bujqësine. Inxhinieri i kantierit kishte shkuar atje për organizimin e punës të makinerisë së rëndë, si dhe për kontroll teknik të punimeve. Mbasdite, pas punës, u takua me shefin e seksionit të bujqësisë, i cili kishte ardhur për inspektim në kooperativë. Shefi, që kishte ngelur i kënaqur nga ecuria e punimeve për ndërtimin e rezervuarit, e ftoi inxhinierin në darkën, që ishte organizuar nga kryesia e kooperativës.
Në ato vite zakonisht organizoheshin darka me parinë e kooperativës, kur vinte në fshat ndonjë titullar apo shef i rëndësishëm nga Përmeti. Ishte kohë kur mikpritja, ky virtyt i lashtë i shqiptarit, respektohej si traditë sidomos në fshat, por njëkohësisht ishte ajo kohë për të cilën thuhej me qesëndi se helli ishte në by… të kooperativës! Në darkën, e shtruar në mensën e kooperativës, nuk mungonte asgjë e… sigurisht, nuk mund të mungonin dollitë me gota uji, jo vetëm për partinë heroike, komandantin legjendar e byronë politike, por edhe për udhëheqjen e rrethit e atë të kooperativës. Shefi, i cili e kishte inxhinierin pranë tij, në krye të tavolinës, e mbrojti me dashamirësi nga breshëritë e pamëshirëshme të dollive, sepse ai, si fillestar në tavolinë burrash zakoni, do kishte përfunduar shpejt “në kashtë”. Inxhinieri është djali tonë, ndërhyri shefi, prandaj nuk do ta detyrojmë me dolli, por do ta lemë të pijë sipas dëshirës e të mësojë zakonet e fshatit. Darka u ndez, jo vetëm nga dollitë, por edhe nga muhabeti e nga këngët, deri në mesnatë.
Për të fjetur, inxhinierin e mori në shtëpi sekretari i partisë. Këtu kemi këndin e zgjedhjeve në parti, foli sekretari, sapo hynë në korridor, duke ndriçuar me fener një tavolinë të vogël me mbulesë të kuqe, mbi të cilën ishte vendosur një vepër e Enver Hoxhës. (Ndriçimi në fshat atëhere bëhej me fenerë me vajguri, ose me qiri, se nuk kishte përfunduar akoma elektrifikimi). Lart në mur, inxhinieri pa të ngjitura me brumë dy fletë fletoreje të shkollës, të shkruara me dorë. Sekretari nxitoi ta sqaronte inxhinierin, i cili nuk mundi ta fshihte habinë. Një fletë me objektiva e kam shkruar unë, tha me krenari, kurse tjetrën e ka shkruar nusja e djalit, që është kandidate partie. Veç fushatës në bujqësi, shtoi ai gjithë preokupim, tani kemi edhe fushatën e rëndësishme të zgjedhjeve në parti. Shumë mirë, tha duke tundur kokën instiktivisht inxhinieri, ndërsa ngeli, jo vetëm i habitur, por sidomos i befasuar nga ky lloj këndi i zgjedhjeve të partisë brenda në familje.
Inxhinierin nuk e zinte gjumi, kur ranë për të fjetur, megjthëse koka i ishte rënduar goxha nga rakia. Këndi i zgjedhjeve, që sapo kishte pare, i kujtonte konizmat fetare të fshatrave minoritare te Dropullit, ku plakat, që faleshin e luteshin lirisht më parë, tani mundoheshin të luteshin fshehurazi, mbasi feja ishte ndaluar me ligj e…, po të diktoheshin, i pinte e zeza, të zeza!
Mbas vitit 1966 në Shqipëri të gjithë besimet fetare, që u shkatërruan me themel, i kishte zëvendësuar vetëm një besim i ri, një fe e re, feja komuniste. Vetëm qiriri i ndezur i mungonte asaj konizme komuniste, se Bibël ishte vepra e Enverit!
DIELLI I KUQ I PARTISË
Ballafaqim me një qytetar në zyrën e sekretarit të Komitetit të Partisë, lidhur me ankesën e tij për Zyrën e Urbanistikës
Në ankesën e tij qytetari pretendonte se inxhinieri i urbanistikës padrejtësisht e pengonte të hapte një dritare, në njerën nga dhomat e shtëpisë private, duke favorizuar kështu fqinjin e tij, i cili e kundërshtonte hapjen e dritares. Midis dy familjeve fqinje ekzistonte një konflikt i hershëm, prandaj prej kohësh ato as nuk flisnin me njera-tjetrën.
Inxhinieri i urbanistikës, sqaroi se qytetarit i ishte zgjidhur kërkesa, duke e lejuar hapjen e dritares, por jo në pozicionin e pretenduar prej tij. Në atë pozicion dritarja shikonte mbi oborrin e familjes me të cilën ishin në konflikt, duke cenuar privatësinë e shtëpisë së fqinjit dhe, për pasojë, mund të bëhej shkak për vazhdimin apo acarimin e mëtejshëm të konfliktit.
Pa mbaruar sqarimin inxhinieri i urbanistikës, qytetari ankues shpërtheu:
“Unë jam komunist dhe familja ime është e lidhur si mishi me thoin me Partinë, ndërsa gjitoni im është me biografi të keqe, prandaj po e kërkoj të drejtën time vetëm në Komitetin e Partisë. Inxhinieri, në vend që të më japë të drejtë mua, komunistit, përkrah armikun e klasës, duke më kushtëzuar që të hap dritaren e dhomës vetëm nga perëndimi. Jo, fare! Unë nuk do pranoj kurrë ta hap dritaren nga perëndimi, siç më thotë inxhua, por dua ta hap vetëm nga lindja, që të më hyjë në shtëpi e të më ndriçojë dielli i kuq i Partisë! Arsyetimi absurd i ankuesit ishte, sa me ligësi për inxhinierin, po aq hipokrit e patetik prej militanti të sëmurë partiak. Ankuesi kishte një familjar të tij emigrant ekonomik në Amerikë, prej të cilit i vinin herë pas here dollarë. Ankuesi nuk kishte ndonjë alergji patologjike për perëndimin, se dollarët i mirëpriste me kënaqësi prej andej. Vetëm dritaren nuk donte ta hapte kursesi nga perëndimi, duke e politizuar ankesën në mënyrën më absurde e më qesharake të mundshme.
LAPIDARI I BRIGADËS SË VI-të
Mbas festimeve të 25-vjetorit të krijimit të brigadës së VI-të, më 26 janar 1969, inxhinierin e thirri Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, i cili i shprehu një shqetësim të antarit të Byrosë Politike, ish kuadër kryesor i Brigadës së VI-të, se lapidari ishte bërë shumë i lartë. Nuk mund të jetë lapidari i brigadës së VI-të më i lartë se lapidari i brigadës së I-rë, kishte thënë ai, mbasi kjo mund ta zemërojë shokun Mehmet, kur të vijë në Përmet e ta shikojë. Brigada e I-rë Sulmuese, me komandantin legjendar Mehmet Shehun, ka bërë histori në luftën nacional-çlirimtare dhe meriton lapidarin më të lartë, prandaj shikoni mundësinë e shkurtimit të këtij lapidari, i sugjeroi Sekretari.
Shkurtimi i obeliskut beton-arme të memorialit ishte i pamundur, pasi kishte përfunduar ndërtimi i tij. Inxhinieri u mundua ta sqaronte Sekretarin, duke sjellë disa argumente teknikë për pamundësine reale të shkurtimit të obeliskut dhe ia doli ta bindë atë. Ndonëse kërkesa e Sekretarit iu duk mjaft e çuditshme dhe absurde, inxhinierin më shumë e habiti fakti se si nuk kishin vendosur që në fazën e projektimit kritere për madhësitë e memorialeve, sipas vlerave historike të momenteve simbolike të luftës nacional-çlirimtare. Në këtë mënyrë do të evitoheshin xhelozi e rivalitete të kësaj natyre, që në atë kohë as që mendohej se mund të ekzistonin tek udheheqja e lartë e partisë dhe e shtetit.
TRIBUNA
Tribuna, ku qëndronte udhëheqja e partisë dhe e shtetit më 24 maj, për festat jubilare të Kongresit të Përmetit, gjithmonë vendosej para ndërtesës së Komitetit të Partisë. Sigurisht që ai ishte vendi më i përshtatshëm në sheshin qendror të qytetit, ku para tribunës, për manifestim, mund të grumbullohej popull nga i gjithë rrethi, ndërsa udhëheqja kishte komoditetin të zbriste që nga komiteti direkt në tribunë. Veç kësaj, pamja para, që dukej nga tribuna mbi turmën e manifestuesve e sidomos mbas monumentit të kongresit, ishte një peisazh i bukur i kodrave të gjelbëruara të zonës së Shqerisë.
Por çuditërisht, në maj të vitit 1974, me rastin e 30-vjetorit të Kongresit, për “arsye” që i dinte vetëm udhëheqja, u dha urdhër që tribuna festive të mos vendosej në vendin e zakonshëm, por para hotelit të qytetit. Sheshi qendror i Përmetit, ku mund të grumbullohej populli për manifestim, ishte i njëjti, por pamja nga tribuna ndryshonte kryekëput. Në vend të peisazhit të gjelbëruar të kodrave, tashmë shikimi ndeshej me fasadat e ndërtesave të banimit përballe hotelit, që ndonse ishin lyer për festë, përsëri dukeshin të shëmtuara, për shkak të tjegullave të vjetëruara të çative. Udhëheqjes qendrore, që do të përshëndeste popullin nga tribuna, sigurisht që nuk mund t’i paraqitej kursesi një pamje e tillë e pakëndshme, sidomos në festën jubilare. Udhëheqja e rrethit kërkonte zgjidhje urgjente. Po çfarë duhej bërë? Të zëvendësoheshin tjegullat e çative me tjegulla të reja? Kjo punë kishte kosto të lartë dhe, për më tepër, kërkonte shumë kohë për realizim. Realizimi emergjent kërkohej të përfundonte sa më parë, mbasi koha nuk priste. Ajo tashmë nuk matej me ditë, por me orë. U vendos, pa asnjë hezitim, që të lyheshin me bojë të kuqe tjegullat e çative. Skuadra e bojaxhinjve, që s’po merrte dot frymë nga puna e madhe për lyerjen e fasadave ballore të qendrës së qytetit, për habinë e saj, u urdhërua të çvendosej menjëherë në lyerjen e çative. Kishin një jetë që lyenin mure e tavane, por që të lyenin edhe tjegullat e çative, kjo nuk ishte parë e dëgjuar! Po sikur shiu ta lante bojën? Larg qoftë, sikur boja e çative, e larë nga shiu, të kullonte në fasada, se askush nuk jepte garanci për cilësinë e bojës! Por paradokset dukeshin normalitete, kur i kërkonte partia!
Montimi i tribunës zakonisht përfundonte dy ditë para festës. Për të përshëndetur popullin me rastin e kongresit, në tribunën festive nuk do të qëndronin më shumë se njëzet persona, por “prova me ngarkesë” bëhej detyrimisht për të garantuar një koefiçent maksimal sigurie. S’bëhej shaka me sigurinë e udhëheqjes! Apo s’ishim të rrethuar nga armiqtë, që e kishin halë në sy Shqipërine socialiste! Jo më kot populli thoshte: “Uji fle, hasmi s’fle”! Për këtë arsye bëhej me shumë përgjegjësi e famshmja “prova me ngarkesë”. Në mes të natës, kur qyteti flinte, para tribunës rreshtoheshin disa toga me ushtarë pa armatime, të cilat me komandë hypnin me rradhë e rreshtoheshin ngjeshur me njera-tjetrën në tribunë. Komanda: ngjishu… ngjishu… ngjishu! ndërpritej vetëm kur ngjeshja e ushtarëve në tribunë ishte e plotë e s’kishte më vend ku të hidhje mollën. Nuk ishte stërvitje, ishte thjesht prova me ngarkesë e tribunës.
Në inxhinierinë e konstruksioneve, përdoren zakonisht për ngarkesa prove objekte të ndryshme me peshë, kurse ushtria kishte rregullat e saj të çuditshme: përdorte si ngarkesa prove trupa të gjalla njerëzore!
SHATËRVANI
Gjithë qytetarët e Përmetit, por sidomos pensionistët, ishin “mbikqyrësit” e përhershëm të punimeve, që po kryheshin në kompleksin arkitektonik të hyrjes së qytetit. Ky fenomen, që ishte karakteristikë e qyteteve provinciale, në këtë rast ndoshta përligjej me faktin që në hyrjen e qytetit po realizohej një transformim radikal. Por nuk mungonin rastet kur “mbikqyrësit e zellshëm” bëheshin pengesë për ecurinë e punimeve, sepse duke qenë “tepër vigjilentë”, informonin direkt tek organet e sigurimit të shtetit, sidomos kur “zbulonin” ndonjë veprimtari armiqësore.
Në një prej ditëve, kur ishte kulmi i impenjimit për realizimin e punimeve përfundimtare, inxhinierin e kërkoi urgjent kryetari i Komitetit Ekzekutiv.
– Çfar po bëni me atë shatërvanin, me çfarë ngjyre po e lyeni!? – e pyeti ai, sapo hyri në zyrë.
Pjesën e brendshme, që do të mbushet me ujë, po e lyejmë me ngjyrë të kaltër, për të krijuar vizualisht thellësinë e ujit, ndërsa bordurat po i lyejmë me ngjyrë të bardhë, për efekt dekorativ, – sqaroi inxhinieri.
– Pezullo urgjentisht punimet e ndrysho ngjyrat – urdhëroi Kryetari. – Prandaj është alarmuar Dega e Punëve të Brendshme, se në mes të Përmetit po bëhet flamuri grek?!
Inxhinieri, i befasuar nga urdhëri, u mundua ta sqaronte kryetarin se kudo shatërvanet realizoheshin me këto ngjyra e kjo nuk kishte asnjë lidhje me ngjyra flamurësh, por… më kot. Urdhëri i tij ishte i prerë: Kjo punë nuk është kaq e thjeshtë, por është me zarar, se mund të konsiderohet si veprimtari armiqësore, prandaj të ndryshohen urgjentisht ngjyrat!
Inxhinieri u nis menjëherë drejt shatërvanit, më shumë i shqetësuar, se sa i habitur nga hamendësimet e denoncimi keqdashës i “vigjilentëve”. Për të qenë në rregull me ideologjizmat e kohës, ai e kishte projektuar shatërvanin në formë ylli me pesë cepa, gjë që mund të konsiderohej si formë normale vetëm në vendet më të indoktrinuara komuniste. Megjithatë, nga u ruajt… nuk shpëtoi! “Syri vigjilent” e kishte “zbuluar” veprimtarinë armiqësore tek ngjyrat! Pikë e zezë! Pezulloi menjëherë lyerjen e shatërvanit, ndërsa i mërzitur po vriste mendjen se çfarë ngjyre mund të vendoste. Çdo kombinim ngjyrash mund të ngjasonte me flamuj shtetesh të ndryshëm, të cilët konsideroheshin armike. Dihet, që për armiq nuk vuanim, se partia e kishte bërë të qartë që ishim të rrethuar vetëm nga armiq të egër. As i kishte shkuar ndonjëherë në mend që të mësonte ngjyrat e flamurëve të shteteve. Veç flamurit kombëtar, përgjithësisht në Shqipëri, ishin të njohur vetëm flamujt e kuq të shteteve të mëdha si Bashkimi Sovjetik e Kina Popullore, me të cilët na kishte lidhur me “miqësi të pathyeshme” ideologjia marksiste-leniniste! Ta bojatiste shatërvanin me ngjyrë të kuqe, që të ishte në rregull ideologjikisht, sepse ashtu do të dukej tamam si yll komunist?! I dukej një zgjidhje, jo vetëm tepër naïve, por shumë qesharake. Ndërsa nuk po i jepte dot zgjidhje kësaj dileme, e nxorrën nga situata dy miqtë e tij artistë, të cilët kishin ardhur në Përmet për të realizuar punimet dekorative dhe pikturën murale në kompleksin arkitektonik të hyrjes së re të qytetit. Ata u skandalizuan me shqetësimin e kotë, të krijuar nga sajesat idiote të “vigjilentëve” të zellshëm.
Ata e bindën inxhinierin që së bashku të shkonin të sqaronin Kryetarin, i cili u qetësua vetëm kur artistët këmbëngulën se, jo vetëm kudo në botë, por edhe tek vila e re e Udhëheqësit në Tiranë, shatërvanet janë realizuar me të njëjtat ngjyra, si ato që po aplikoheshin tek shatërvani i Përmetit.
Kur artistët sqaruan se Udhëheqësi, jo vetëm nuk kishte bërë asnjë vrejtje për ngjyrat, por përkundrazi, i kishte pëlqyer mjaft shatërvanet, Kryetari, i cili ishte dashamirës e inkurajues i të bukurës në ndërtim, vendosi që të vazhdonin punimet sipas projektit.
Falë ndërhyrjes dashamirëse e miqësore të artistëve të shquar, shatërvani shpëtoi nga përçudnimi, ndërsa inxhinieri shpëtoi paq nga ”akuza” keqdashëse për veprimtari armiqësore.
VOTIMET
Në zyrën e informacionit të komisionit të zgjedhjeve të rrethit Përmet nuk pushonin telefonat. Me shqetësim po merreshin informacione nga komisionet zonale për ecurinë e votimeve e sidomos për përfundimin sa më parë të procesit, në mënyrë që të raportohej në Tiranë fitorja. Por, s’qe e thënë! Procesi kishte ngecur, në zonën e Frashërit nuk po përfundonte votimi. Si ka mundësi? Çfarë ka ndodhur?! Me aq pak votues, që ka zona dhe nuk po përfundojnë akoma?! Mos po vonohet ndonjë bari, që ka bagëtitë në mal?
Procesi i votimit kërkohej të kryhej sa më shpejt të ishte e mundur, në mënyrë që të raportohej sa më parë suksesi në qendër. Pra, nuk ishte thjesht një proces normal votimi, por një garë e vërtetë midis qendrave të votimit, midis qyteteve, si dhe midis rretheve e qarqeve administrative. Votimi 99.99 % për deputetët e Kuvendit Popullor, ishte i padiskutueshëm. Diskutohej vetëm koha e votimit, gara se kush do të përfundonte i pari procesin e votimit, kush do ta fitonte këtë garë të pashpallur, që ndiqej në ethe nga strukturat e votimit në qendër e në bazë? Por, çuditërisht, dikush në Miçan, nje “i çmendur”, kërkon të turpërojë Përmetin, se nuk pranon të votojë. Çfaër është ky? I deklasuar?! Jo, me përbërje të mirë. Atëhere, çfarë m… kërkon? Ai pranon të votojë për Partinë, por jo për atë kandidat për deputet. Atë nuk e do. Nuk ia jep votën atij, se ka pakënaqësira për të. Vini kë të doni, thotë, atij nuk ia jap votën dhe pikë. Bëni të pamundurën ta bindni sa më shpejt, ishte porosia e prërë nga Komiteti i Partisë. Nuk mund të lejojmë ta njollosë Përmetin një faqezi!
U përpoqën të gjithë përfaqësuesit e partisë e të pushtetit të zonës, si dhe të deleguarit e rrethit për votimet, por ai nuk bindej që nuk bindej. Pikë e zezë! Të turpërohej Përmeti nga një debil?! Shqetësimi dhe padurimi arriti kulmin, se koha po kalonte shumë shpejt. Urgjent u nis nga Përmeti njeri prej sekretarëve të komitetit të partisë dhe, pas rreth tre orësh, mbërriti në Miçan, ku kishte rënë zia. Shyqyr që votimet nuk bëheshin në dimër, se në Miçanin e pushtuar nga bora, ishte e pamundur të shkohej. Më afër qe Çorovoda, se Përmeti. Sekretari, gjithë shqetësim, shkoi direkt tek qendra e votimit, ku e prisnin, si të zënë në faj, jo vetëm komisioni i qendrës së votimit, por edhe të deleguarit e zonës e të qendrës. E sqaruan se i pabinduri nuk hante pyka. Pranonte të votonte me nje kusht: vetëm po të hiqej nga kutia e votimit fotografia e kandidatit për deputet, se atë nuk donte ta shikonte me sy. I qenë lutur që të votonte me sy mbyllur, ose të qëndronte anash kutisë, që të mos shikonte fotografinë, por qe e pamundur. Ishte kokë gdhë. E thirrën të pabindurin tek sekretari.
S’kam asgjë me partinë, këmbëngulte ai, por këtij deputetit, që keni vënë, nuk ia jap votën, nuk e dua. Mos u lodhni kot! Hiqni fotografinë e tij nga kutia, ose vini fotografinë e një deputeti tjetër, që të votoj me dy duar, këmbënguli ai.
Kjo, që kërkon ti, nuk mund të bëhet, e sqaroi sekretari, ti je i joni e nuk mund t’i bësh qejfin armikut të klasës, nuk mund të turpërosh Përmetin. Ja, po qëndroj unë para kutisë, po e mbuloj unë me trup fotografinë e kandidatit për deputet dhe kështu ti nuk mund ta shikosh fare atë, kur voton. Ti voto për partinë dhe shiko fotografinë e shokut Enver, varur tek muri.
Epo mirë, kështu edhe mundet, u bind, më në fund, i pabinduri.
U tha, u bë! Sapo vota u hodh në kuti, u njoftua urgjent Përmeti, që priste në ankth, i cili njoftoi Tiranën për përfundimin e votimeve… Me të pabindurin, sapo mbaroi “kulaçi”, filloi “kërbaçi”. Nuk i lanë gjë pa thënë: gati sa nuk e quajtën armik, se… për partinë, punë armiqësore konsiderohej ajo. Turpëroi një rreth të tërë për një kapriço, apo një kokëfortësi të tij, budallai. I vuri një njollë vetes dhe familjes, që s’do ta shlyente dot tërë jetën!
Pothuajse e njëjta gjë kishte ndodhur në Gjirokastër me një tip tjetër, i cili pinte në klub dhe nuk shkonte të votonte. Ka kohë, thoshte, deri në darkë hapur është. Pse të vjasem, në fund fare do votoj. U desh qerasja me disa dopjo raki, nga nje titullar i rrethit, që “trimoshi”, më në fund, të “bindej” për të votuar e Gjirokastra të shpëtonte nga një turp, që nuk e kishte hak. Ishin paradokse të kohës së absurditeteve!
NJERIU MONSTËR
Beqiri s’linte rast pa u mburrur si veteran i luftës, paçka se në luftë mezi kishte dalë vetëm nga fundi e s’kishte hedhur asnjë pushkë. Ai bënte çmos që herë pas here të ndodhej në sheshin e qytetit, para ndërtesës së komitetit të partisë, kur, mbas mbarimit të orarit zyrtar, dilnin kuadrot kryesore të komitetit, e sidomos kur dilte sekretari i parë. Mbasi i përshëndeste me grusht, ndihej i lumturuar, kur ndonjeri prej tyre ia kthente përshëndetjen, pa le t’ia kthente “i madhi”.
Por, një herë ndodhi që, pikërisht në kohën kur dilnin kuadrot, para komitetit të lëshonte jashtëqitjet një kalë i shërbimeve komunale. Kafshari… po kafshar, as e mori mundimin t’i hiqte, por i la pllac aty dhe iku. Bequa, sa e pa hajvanërinë, erdhi me një frymë, se nuk mund ta humbiste atë rast. Pasi priti pak, sa të afrohej “i madhi”, i cili po kalonte aty, u përkul duke i marrë jashtëqitjet me dorë, në mënyrë që ta shikonte ai, dhe si triumfator u drejtua tek koshi i plehrave, duke sharë me rob shtëpie kafsharin. Ta shikonte partia se sa vigjilent, i devotshëm e i përkushtuar që ishte!
Preokupim të veçantë kishte Beqiri, kur nga Tirana vinte ndonjë nga kuadrot e lartë të partisë, me origjinë nga Përmeti. Atë nuk e mbante vendi sa të afrohej e ta takonte, kur kuadri kalonte, i shoqëruar nga drejtuesit e partisë e të pushtetit në rreth. Mburrja, se kishte takuar shokun D, siç thoshte, mbante vlagë gjithë javën, e ndoshta edhe gjithë muajin. S’dihet mbas sa kohe e lante dorën.
Për fat të keq, Përmeti, jo vetëm i kishte të pakët kuadrot e lartë në qendër, por edhe ata pak, që kishte, u dënuan nga partia, se “dolën armiq” të saj. Përmeti nuk e priti mirë dënimin e bijve të saj, të cilët kishin qenë figura kryesore të luftës për zonën. Me dënimin e tyre, u përmbys historia e luftës nacional-çlirimtare për rrethin, sepse ata ishin strumbullari i saj. Nuk mjaftoi dënimi i tyre në forumet e partisë në qendër, por duhet të telendiseshin edhe në popull, në bazë. Në aktivin e organizuar nga partia për dënimin e veprimtarisë armiqësore, si dhe për diskreditimin publik të figurës së ish shokut D, Bequa mezi priste të merrte fjalën. Vdiste që të fliste në gjyqet publike, sidomos kur trasmetoheshin me altoparlant në sheshin e qytetit, të mbushur me popull. U ngrit i pari për diskutim dhe nuk la gjë pa thënë për “armikun e partisë”, sikur të mos kishte qenë ai që mburrej dhe e quante veten me fat që e kishte takuar “shokun D”, kur vinte në Përmet.
Ai ishte shumë mëndjemadh, shfryu Bequa midis të tjerash, bile edhe dorën nuk na i jepte tamam, kur na takonte, vetëm dy gishta na jepte. E ka hallall dënimin, se ia ka patur me hile partisë! Harram besimi i popullit dhe i partisë! – e përfundonte diskutimin. Kështu ai donte të fitonte pikë te partia, si militant servil i saj, por harronte se më shumë fitonte urrejtjen e opinionit të ndershëm, si njeri “pa fytyrë”, si lëtyrë.
Beqiri, veç të tjerash, ishte edhe “vigjilent” shumë i zellshëm i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Çorrësi”, punë që e bënte me pasion e përkushtim të veçantë. Denoncimet e shumta të tij në Degën e Brendshme, kishin marrë në qafë mjaft qyqarë. Bequa sigurisht që ndihej i kënaqur kur e aktivizonin si çorrës* në gjuetinë e derrave të egër, ndonse i shkulej fyti e ngjirej nga britmat, për ta nxjerrë gjahun në pusi. Por më së shumti lumturohej kur nxirrte si gjah në pusinë e Sigurimit viktima fatkeqe njerëzore, të cilët përfundonin në pranga për veprimtari armiqësore. Ai nuk mund të ishte njeri nga ata kalecët, apo fuksat* ordinerë, siç mund të ishte më shumë se çereku i popullsisë. Ishte më tepër se aq, ishte “Çorrës”. Kënaqësia më e madhe e Beqos nuk ishte kur nxirrte “në pritë” viktima të pakënaqura nga sistemi, por kur i sajonte vetë qyqarët, si armiq të betuar të pushtetit popullor. Ishte mjaft tronditës një nga rastet e shumta të bashkëpunimit të Beqos me Sigurimin, një rast i padëgjuar, i treguar nga vetë ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, sigurisht pas përmbysjes së regjimit komunist. Bequa kishte denoncuar një person në Degën e Brendshme, për veprimtari armiqësore “agjitacion e propagandë”. Duke e ditur se denoncimet e tij, jo rrallë ishin të dyshimta, operativi i degës kërkoi nga ai më shumë prova, para se të vendosej përfundimisht për arrestimin e “armikut”. Për këtë qëllim i dha atij një magnetofon portativ, ku do të regjistrohej fshehtas bashkëbisedimi, i cili do të ishte prova e pakundërshtueshme, që do ta vinte me shpatulla pas murit të akuzuarin për “agjitacion e propagandë”.
Mbas dy ditësh “Çorrësi” i befasoi, jo vetëm opertativin por edhe shefin e sektorit, bile edhe kryetarin e degës, me regjistrimin që dorëzoi në degë, të cilin tha se e kishte bërë me “armikun” në Përmet.
Në magnetofon dëgjohej bashkëbisedimi “shoqëror” midis tyre, i cili, pas përshëndetjeve e muhabeteve të zakonshme, vazhdonte me ankesat e “Çorrësit”:
-U vizitova tek doktori, e ngau bisedën ai, e ç’më tha, thua ti? Të mbash periz, më tha, se je me tension e diabet! E pashë një herë në sy doktorin, tallej me mua ai, apo bënte kastile si budalla. Pika që s’i bie, thashë me vete! Po ç’periz kërkon ky, ka periz më të fortë nga ai, që na ka vënë qeveria?! Hë mo, si thua ti? Buka me listë, ushqimet me talon… kiles së mishit, që na japin në muaj, sa i marrim erë, se aq sa jemi ne, s’na vjen rradha të hamë asnjë çikë. Le që ç’erë t’i marrim? Ku ka erë ai mish? Si mish elefanti duket, i mbajtur me vite në frigoriferët e botës. Dit’ e zezë, ç’të thuash më parë?! Hë mo, nuk është periz e kaluar perizit ky, si thua ti? kërkonte miratim “Çorrësi”.
-Tamam, periz është, ke të drejtë mo, po ç’të bëjmë? Na ka zënë, pranoi me gjysëm zëri bashkëbiseduesi. Pa le qumështi, vazhdonte ankesat “i pakënaquri”, ngrihem që me natë e më shumë s’arrij ta marr një të flamosur shishe. Mu thanë fëmijët për një pikë qumësht. Apo, ti arrin të marrësh? Hë mo, folë, ti të pyes! ngulmonte Bequa.
-Jo mo, ç’ne, edhe unë më shumë nuk marr, se vjen me pakicë e s’harrin për të gjithë, ia ktheu bashkëbiseduesi. Ç’është e verteta, mua nuk më takon të qahem, vazhdoi “i pakënaquri”, se kam luftuar për këtë pushtet, po ka arritur aty ku s’mban më! Apo jo?! Jo, po thuaj që s’kam të drejtë, kundërshtomë po deshe, këmbëngulte “Çorrësi”.
-Të drejtë ke, ta thashë një herë, miratoi tjetri. Po, nejsè, këtu i thamë e këtu i lamë, e mbylli bisedën provokatori.
Dhe, kishte të drejtë, aty i la, në shiritin e magnetofonit, si “pakënaqësitë” e tij, ashtu edhe “pohimet armiqësore” të bashkëbiseduesit. Po, ajo që i habiste e i befasonte më shumë sigurimsat, ishte se si kishte mundur “Çorrësi” ta bënte regjistrimin me një person që, sipas verifikimeve, jo vetëm nuk ndodhej prej ditësh në Përmet, por kishte qenë i shtruar në spital në Tiranë. Mbas kuriozitetit, por më shumë këmbënguljes së tyre, ai u detyrua të pranonte se regjistrimin e kishte bërë i vetëm, duke imituar zërin e fatkeqit me përgjigjet “armiqësore”.
Çfarë “mjeshtërie” në ligësinë çnjerëzore! Me sa gjakftohtësi kriminale përpiqej të çonte në pranga një qyqar, i cili do të shkatërrohej përfundimisht me gjithë familjen! E pa imagjinueshme!
Beqo “trimit”, “Çorrësit” të Degës, jo vetëm pa fytyrë, por sidomos pa shpirt, kurrë “nuk i hynte gjëmb në këmbë”, bile edhe kur guxonte “t’ia hidhte” Sigurimit të Shtetit, sepse të tillë monstra i pillte vetë diktatura!
TË NDEROSH PARTINË!
Më 2 korrik 1990, në Tiranë ndodhi ngjarja e pazakontë: në ambasadat e huaja, kryesisht në ato perëndimore hynë nga muret e gardhet rrethuese rreth pesë mijë qytetarë nga e gjithë Shqipëria.
Ishte koha kur në Shqipëri pakënaqësia e krijuar nga regjimi komunist dhe urrejtja ndaj tij kishin arritur kulmin, prandaj të rinjtë guximtarë e të pa shpresë vërshuan drejt ambasadave të huaja, për t’i thënë lamtumirë diktaturës dhe për të shkuar në një botë të lirë e demokratike.
Kjo ishte tepër diskredituese për një shtet komunist, që pretendonte se ishte fanar ndriçues i socializmit në botë. Prandaj 2 korriku mbetet datë simbolike, që na kujton një nga ngjarjet më të mëdha dhe të bujshme politike në fundin e regjimit komunist, ngjarja që i dha nje grusht të fortë diktaturës.
Dhjetë ditë më vonë, në mitingun propagandistik të organizuar në sheshin “Skënderbej” nga partia në pushtet, “të ikurit”, me shumë ligësi, u quajtën “jashtëqitje e kombit”, ndërsa për familjarët e tyre u paralajmërua persekutimi. Shqetësimi i familjarëve ishte shumë i madh, sa për fëmijët apo të afërmit, që kishin ikur nga Shqipëria drejt të panjohurës e për të cilët nuk kishin asnjë lajm, po aq edhe për ata që kishin mbetur në Shqipëri e ishin të kërcënuar me persekutim: me përjashtim nga partia për komunistët, si dhe me heqje nga puna, apo edhe nga qyteti, për nëpunësit. Frika, pasiguria e shqetësimi i madh dallohej lehtësisht, sidomos nëpër institucionet e Tiranës.
Në këtë periudhë pasigurie e terrori psikologjik isha në Tiranë, në Institutin e Projektimit. Rastësisht u ndodha pranë dhomës së dezhurit, kur një telefonatë nga Gjermania kërkonte urgjent një punonjës të institutit. Punonjësi erdhi gjithë ankth dhe u drodh nga emocionet e u përlot kur dëgjoi zërin, që i fliste në telefon. “Ku ndodhesh, mor djalë? Në ç’vend? Si je me shëndet? Ne jemi shumë mirë, mos ki merak fare për ne”! – i foli me zë të mekur, por, pasi pa rrotull që po e shikonin e po e dëgjonin mjaft sy e veshë kureshtarë apo “vigjilentë”, vazhdoi me zë të lartë: “Dhe, dëgjomë mirë! Të nderosh atdheun! Të sillesh mirë aty, ku ke shkuar! Të nderosh Partinë. Alo, alo! Nuk të dëgjoj. Alo”!
U pre linja…
Ishte biseda e parë plot emocion me djalin e ikur në ambasadë, me njerin prej “jashtëqitjeve të kombit”. Sa groteske m’u duk kjo skenë, aq keqardhje ndjeva për babain e gjorë, i cili nuk arriti dot të sqarohej me birin e vetëm, që, i ikur në ambasada, për prindin konsiderohej i humbur përfundimisht. Nga frika për të mos humbur edhe vendin e punës, u detyrua të shtirej “i partishëm” për veshët “vigjilentë”, që po e dëgjonin me vëmendje aty rrotull. A thua se djalin e kishte dërguar atje partia, për të përfaqësuar denjësisht atdheun socialist?! Çfarë paradoksi!
Sqarime:
* Çorrës – person, që bërtet nëpër pyll për të nxjerrë në pusi derrat e egër.
* Kalec, Fuks – Persona me pagesë, bashkëpuntorë të Sigurimit të Shtetit.