Ismail Xhaferi: Diku…
Diku jeta rrjedh e paqtë,
Diku brenga me ne flë,
Diku lind një rreze shprese,
Diku humb e s’kthehet më.
Diku çel një manushaqe,
Dhe mbi borë nis buzëqesh,
Diku pema e bajames,
Trupin me të bardha vesh.
Diku hëna shfaqet befas,
Nis lundrimin nëpër natë,
Nuk e di nga ç’ëndërr del,
Dhe në ç’ëndërr humbet prapë!
Diku shkojnë e vijnë mesazhe
Do të flesh, por dot nuk fle,
Tek dy njerëz, tek dy zemra,
Lind një dashuri e re.
Diku ëndrrat krejt të bardha,
Çelin si një lule bliri,
Diku tjetër ëndrrat zgjatin,
Sa zgjat flakë e nje qiriri.
Diku zemrat që janë ndarë,
Mbushen shpesh me psherëtimë,
Diku larg një shami dasme,
Digjet bashkë me vajzërinë.
Diku fushës gjethe vjeshte,
Bien tokës me përtesë,
Si ca letra dashurie,
Që s’mbrijnë kurrë në adresë.
Diku mali shkund qeleshen,
Sapo bora nis të shkrijë,
Nëpër rrjedhën e një përroi,
Shoh pranverën që të vijë.
Diku jeta rrjedh e qetë,
Diku brenga me ne flë,
Diku çel një rreze shprese,
Diku humb e s’kthehet më./albspirit.com