Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Politikën shqiptare e ka mbuluar një mjegull e tmerrshme dhe s’lë asgjë të shihet qartë

Shqiptarët vazhdojnë të manifestojnë ndjesi gati sensuale tek flasin për politikë e politikanë dhe si nxënës të këqij të historisë, ata vazhdojnë të mos i dëgjojnë këshillat e të mençurve që thonë ‘mos bini në dashuri me politikanët’.
Ata historikisht kurrë s’i ka lumturuar politika, por kjo s’i pengon që të jenë tifozë të flaktë politikë dhe në tema politike, të reagojnë bash si tifozë tribunash të përndezura.
Secili njeri normal që sheh turfullimet e përditshme, pezmin madh dhe jo racional që mbretëron mes shqiptarëve, s’ka sesi të mos brengoset për të ardhmen e politikës – në sensin ontologjik dhe për cilësi politike, për çka më s’flet kush dhe kjo vërtet është fatkeqësi kombëtare.
Politika shqiptare është e mjerë dhe kjo e vërtetë s’mund të mbulohet, siç s’mund të mbulohet dielli me shoshë.
E kemi reduktuar politikën në një rreth fjalësh e fjalish të shkreta dhe krejt tallava.
E kemi përlyer politikën dhe më kush s’di të dallojë më çfarë është normale e çfarë jo, çfarë është etike e çfarë jo, çfarë është diturore e çfarë mediokre.
Kudo mbizotërojnë gjysmë të vërtetat e thashethemet, kurse mendimet qëllimmira rrallohen përditë.
Mjerisht, shqiptarët politikën e kanë kthyer në një lloj sporti, ku argëtohen ata që luajnë dhe dalldisen ata që u shkojnë pas, tifozët, që të verbuar nga mllefi e të bombarduar nga propaganda, bëjnë tifozëri si në tribuna politike.
Një popull që kequshqehet me politikë, ai vjell trishtim e mërzi. Dhe kur të bën zarar politika, të vjellat janë të mëdha, kundërmojnë gjatë dhe lënë pasoja të paparashikueshme.
Politikën shqiptare e ka mbuluar një mjegull e tmerrshme dhe s’lë asgjë të shihet qartë.
E kjo është arsyeja pse aleatët tanë, na shikojnë të habitur, sepse sjelljet tona janë krejtësisht foshnjore dhe si pasojë e këtyre sjelljeve, kemi mbetur të varfër e të izoluar dhe po rrezikojnë krejt atë që kemi arritur vjetëve të fundit.
Prandaj, për punë higjiene mentale e shpirtërore, duhet ta heqim këtë pseudopolitikë nga shujta e përditshme, që së paku breznitë e reja të mos i infektojmë.
Shoqëritë e topitura kulturalisht, intelektualisht dhe moralisht flasin kaq shumë për politikë. E në fakt, shqiptarët nuk shquhen aspak në këtë zanat, për të mos thënë, në politikë janë shumë të mjerë, në mos më të mjerët në kontinent, prandaj, Paulin Margjokaj te libri “Kush janë anmiqt e Shqipnisë”, para disa dekadave shkruante:
“Shqiptarët flasin për gjithçka, por sidomos për politikë. Natyrisht, sa me pak të dijë njeriu, aq me shumë flet. E për politikë, nuk ashtë kush qi flet aq shumë sa Shqiptarët. E me pvete, nder 100 vete ndoshta memzi njani din se ka vjen fjala politikë e shka shenjon e shka don me thanë”.
Njerëz, mos prodhoni dhe mos konsumoni kaq shumë pseudopolitikë, sepse dëmet estetike dhe shpirtërore janë serioze dhe shumëfish më të rrezikshme se korrupsioni, kapja e broçkulla të tjera, me të cilat tema e kalon kohën tifozëria politike./albspirit.com
Please follow and like us: