Haris Vongli: Në ty vdiqën gjithë burrëritë
Në ty vdiqën gjithë burrëritë
E unë çdo fytyre të re i vesh nga një gabim.
Çdo përbërje e lëndë, shije e gërryerje,
Stërmundim e pëshpërimë, rrugë e përbetim
I ngjan Iliadës, siç i ngjan nga pak edhe ti.
Sot kam fare pak inat e shumë zhgënjim.
Jam e marrë, të dy e dimë.
Vetëm një marrëzi mund të të krahasonte ty
me 2.500 vjet filozofi.
Dje e për çdo sekondë ti deti ishe
Dhe unë qielli përmbi –
Të mbrojta sa humba yjet e tërë magjinë.
Ti ike për të kërkuar në rikthim miqësinë.
Ndaj unë dot s’ta fal…
Vetëm se humbe ti tërë matësit e sasitë,
Vetëm se zhbëre me sklerozë dashurinë.
U shpërbëmë e qamë gjer në kocka
Sytë e mi s’patën më as lot e as dritë.
Gërrmadha jonë s’mbajti dysheme e as tavan
E asgjë s’ndodhi gjithsesi, kujtohu!
As nuk mi mblodhe dot copëzat
Dhe as unë ty frikërat e lojrat.
Në ty vdiqën gjithë ëndrrat e burrëritë
E unë çdo fytyre të re i vesh nga një gabim./albspirit.com
Please follow and like us: