Albspirit

Media/News/Publishing

Nexhat Halimi: Shtëpia me shtatë zemra

 

Tregim

 

Bora binte butë dhe dendur.

Në hapësirën e kopshtit të madh me pemë, me pisha të zeza e pemë përreth, deri te udha nën borë, me gjurmë të freskëta zogjsh. Udha, e cila e ndante kopshtin përgjatë, pa gjurmë thuajse askush nuk ka hyrë e as ka dalë jashtë në këtë mëngjes,  lidhej me gjuhën e lëvizjes së gjatë deri te malet e vjetra të Stan Tërgut…

Tashmë zbresin në galeritë e minierës, minatorët me vullnet e elan të përhershëm, t’ia shkëpusin zemrës së tokës m’u në zemër mineralet e plumbit, të zinkut e të arit. Zbresin më të varfër e dalin nga zgafellja më të pasur. Zbresin të buzëqeshur nga të gjitha viset e Kosovës, të bëjnë dhe një betejë për Kosovën, në udhë nga horizontet e bardha të dritës…

Udha e përhirtë, gjarpërore, sillej e ngjitej më pastaj lart mes pemësh, në fshatrat e lagjet, në shtëpitë dhe bukuritë e rralla të Shalës së Bajgorës.

Dera vetëm disa hapa para meje me kangjella të gdhendur me mjeshtri, ndrinte nën tufa të thyera të dritës me ngjyra. Mëngjes dimri, me strehë të gjata mbi dritaret e shumta me pamje në oborr të ndërtesës së gjatë në një sipërfaqe të lëmuar, nëpër të cilën vetëm gjurmë zogjsh kishin kaluar për të lënë harmoninë përrallore të pamjes. Papritur, ndërsa hamendesha të krijoja bindjen se brenda shtëpisë nuk është kush i gjallë, dera do të hapet lehtë dhe do të dalë një fëmijë i vogël.

– Ktheu brenda. Ku ik. A sheh bora ka mbuluar çdo gjë.

– Vetëm dua ta shtrihem në borë.

– Çfarë të duhet ajo gjë.

-Ta shikoj nga brenda pastaj siluetën time, – tha ai dhe përnjëherë u shtri me duar dhe këmbë të hapura, ende në pizhame do të përplaset mbi borë. La një shenjë të trupit të vet, gjurmë apo siluetë, një formë të ëndrrës së vet. Prapë kërceu i ngazëllyer dhe me dridhje të lehta hyri brenda.

-Ky veprim ma përkujtonte poezinë e poetit Ujkani ‘E fjetur je më e vërtetë se e zgjuar’, në të cilën vasha që rrezitet buzë ujit lë gjurmë formash të veta në rërën e imtë.

E lëviza veten dhe mora t’i afrohesha ndërtesës, në të cilin krijonin ëndrrat e veta kaq shumë fëmijë me synime të veçanta nga vise të ndryshme të Kosovës, të mbetur bonjakë…

Qe dita e fundit e dhjetorit, me frymëmarrjet e një motmoti ikte. Binin çastet nën akrepa, palosen në heshtje, që motet të ndahen, t’ia thonë lamtumirën njëri—tjetrit, e bota për katër stinë të jetë më e moçme, për një vit më e re. Fiken treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë që bota të nis rrethin e ri rreth vetes e diellit edhe për aq ditë, në të cilat do t’i radhisim, do t’i zgjasim  ylberet, do t’i gdhendim çastet, synimet e jetës, do t’i lëmë gjurmët e dashurisë e të rritjes.

Ja, e tillë  është jeta, lëviz. Ajo që kalon me kohën më s’kthehet kurrë prapa. Mbete vetëm kujtimin për ta kujtuar, vetëm shkrimi për ta faqosur në histori. Çdo gjë i ngjan ëndrrës, lëviz, i ngjan njeriut, lumit. Dhe. Ne ecim andej në të nesërmen, tek secila rrugë na shpien te një breg i dritës, më të afërt për një këngë, për një dashuri.

Ecja për te porta e shtëpisë me shumë dritare, te porta e punuar me mjeshtri me kangjella me ngjyra të ylberta. Ende pa trokitur në portë, dera përnjëherë do të çilet lehtë e në të qe fëmija, të cilin e kisha njohur pak çaste më parë, ndërsa doli të hidhej në borë për ta bërë portretin e vet nga shpina, ende i veshur në pizhame.

-Kush je ti, – shpërtheu zëri me furi.

-Baba dimri?

-Ha-ha-ha… e ku e ke mjekrën e bardhë? Ku i ke sajat dhe ku i ke drerët që të tërheqin qiellit rreth e rreth botës?

Tashmë më rrethuan, të buzëqeshur dhjetëra fëmijë.

Vështrova brenda hapësirës së ndërtesës, e shtrirë nën degë të pishës së stolisur,  të zgjatur mbi hije të vet, e cila lidhej me ëndrrën që kishte kaq vjet me jugun  e njëherësh digjej nga malli për pikën më të ngrirë të veriut, të mbetur jashtë tërësisë së lashtë.

– Pse veç me jugun!

-Veriun deri te Molla e Kuqe e kishin vjedhur ndër vrasje e rrëke gjaku ata që e mbanin tashmë pjesë të vetes, të vjedhur dhe të vetmuar. Kjo ngjante në degë tashmë të këputur gjysmë të tharë dhe gjysmë të gjelbër…

– Kjo degë, e sapo gjethuar-e shtata, e trungut, në mënyrë të çuditshme krijonte simbolikën e tokës së copëtuar nga tërësia e vet e lashtë, ndërsa fytyrat e mërdhezur e të përlotura të një grupi fëmijësh, të humbur herë shikonin qiellin që lidhej me pishën e herë tokën me borë jashtë ndërtesës, që lidhej me tokën e humbur gjatë vitesh e stuhish të egra të rëna mbi rrënjën e prejardhjes së trungut. Degët, të ndara nga e shtata, të gjashtat, veç e veç iknin herë nga qielli e herë tjetër vareshin nga toka. Këtë pikturë, përveç meje nuk e lexon as e zbërthen në këtë mënyrë kush tjetër dhe kjo është gjëja më e mirë që ka lëshuar rrënjë në artin tim të shkrimit… Koha prapa nuk kthehet, por kujtimi nuk vdes. Qe gjë e mirë kjo sidomos vitet e ikura, gjatë të qenit rob në tokën tënde dhe zemrën e mbyllur me dry. Zemra gjente udhë të krijonte herë – herë fjalë, forma, radhë e mendime për krijime dhe hapësira të vogla të lirisë.

-Asnjëri nuk e ka mësuar fjalën “urdhëro brenda”.

-Ha-ha-ha… a kështu duket babadimri?

-Urdhëro brenda, – e lëviz derën me kangjella dhe ajo hapet.

Eca nga pema, shtatë degësh, me njërën të shtrirë kaq shumë mbi një degë tjetër. Shfaqet papritur një pikturë e minierës Trepça. Copëzat e xehes e kokrrat e dheut ende të freskët ndrisin ngjashëm me grimca ari nën tufat e agut, që vjen e përzihet me një mjegull të dendur. Mjegulla dendësohet ende, ngrihet lart e bashkë me kodrën ik dhe humb diku qiellit. Zot, ç;është kjo? Ne kemi atdhe, zot… e ja, përzihen gjërat, ikin nga vendi i vet, çfarë ndodh?

E gjej prapë fijen e ndritshme të agut e ec nga maja e pishës. Shtatë fëmijë dihasin, nxjerrin nga brendia e tyre e pafund avull e ndonjë kollitje. Përsëri dëgjohet kori i hutuar, zëri  i atyre jehon. Lulet, në tufa, që i mbajnë në parzëm ngrijnë, në radhë nga një. Të ngrira-të gurta, për të gjitha kohët, për një zemër, që mungon  e prapë është aty, rrah mes tyre amshueshëm, me dritë fjale, me dritë lulesh të malit nga lëshojnë aromën e pranverës… Pisha tashmë – e ngrehur lart,  me degë të zgjatura e mban mbi kurrizin e vet qiellin, e mban pak atdhe e pak dashuri, e mban gjithë dhimbjen e buzëqeshjen e botës. Luginat kanë humbur në mjegull të dendur e aty pisha e gjethuar, me njërën degë të zgjatur mbi mua dhe fëmijët. Eci mes tyre, e ndjek nga përvidhet drita mes degësh, herë e kuqërreme e herë tjetër e mbytur në gjak.

Fëmijët heshtin. Lotët e kristaltë u ikin nga sytë.

– Kjo dritë e përgjakur, – flas unë, për ta thyer heshtjen e rëndë e të gjatë.

– Është dritë e pemës, – dëgjohet zëri i parë.

– Kjo pemë është e gjakut të secilit…- dëgjohet zëri i dytë.

– Pemë me shtatë degë?  – i ndërpres.

– Po kaq i ka, – shpërthejnë ata në kor, kush me zë kumbues, kush me zë të çjerrë. Ndonjëri sy kaltër, tjetri flokëverdhë, i treti zeshkan… Secilin ta gërryeje brenda shpirti do të nxirrte jashtë vetëm bardhësi.

Mendohem pak i heshtur para tyre. E ik shikimin larg për kurriz të kohës, e cila cilësohej vetëm me shtatë degë, njëra e zgjatur mbi Kosovë, të cilët ndanë i qëndronte Pisha e zezë.

– Shtatë degë, – e dëgjoj veten nga them.

–Po shtatë. Kaq i ka… – zgjohen zërit të vet ata përsëri.

– Malësia e Madhe…

– Guri i kuq, Gurët e Zinj…

– Ti, që ke mbledhur lule të kaltra, prej nga vjen, – e shikoj të parin.

– Vij prej Gurishte, –  përpihet ai, i pikëlluar.

– Të dhemb kund, – i them.

–Ka kund që s’më dhemb, – m’i zgurdullon sytë.

– Nuk më shpjeguat pse i ka shtatë degë pema, nën të cilën i deklamoni vargjet e poetit .

– I ka shtatë, – flet Dardania.

-Ende nuk të është e qartë, – më pyet, përmes habisë së thellë, Iliri.

–Pse hesht ti që vjen prej Gurishte, – e zgjoj nga mendimi.

– Dega, që ik  pak e gjethuar, rrënjën e ka Toplicë.

– Dega tjetër, ajo që e mban qiellin barrë në vete, shpërthen nga Çamëria.

– E treta e ka hijen në Rizonë. Gjysma ka zënë t`i thahet…

– E katërta lidh mollë në Iliridë.

– E pesta, ah e pesta…

– E pesta, çfarë?

– Është  Shqipëria.

– Dega tjetër është Kosova e flijuar…

– E shtata, do të jetë kjo degë mbi varr, përmes së cilës zogu i bardhë ik te besimi i vet?

– Jo, dega e shtatë, ik nga një gdhe i trungut ngjashëm me feniksin e vjen e kthehet prapë në kohë.

– Koha nuk kthehet kurrë.

– Kthehet dhe nuk vdes kujtimi.

– Nuk vdes kujtimi, nuk vdes, nuk vdes… – ia shikoj secilit lulet e ngrira në dorë e ik. E lë shtëpinë me shumë zemra të puqet tërësisht përmes me qiellin, shkeli mbi mjegullën që ka rënë dendur mbi luginën, që derdhet përmes grykësh dhe futet në secilën shtëpi përmes dritaresh, përmes dyersh, përmes dhembjes që ka pllakosur sheshet, rrugët, ullinjtë, pjeshkat…

Ja, nga qëndrojnë kokulur deri në pafundësi, me degë të thyera, me gjethe të thara, kaq të pikëlluara.

E vështroj hapësirën e mbështjellë me mjegull e më derdhen vargje të dhimbjes për tokën e kaq larg tashmë dhe kaq afër, megjithatë. Ec, i humbur e flas vargje në heshtje e shaj ashpër…

E tërë kjo hyrje për një shkrim, që do te flasë për njerëzit dhe ëndrrat, për një shtëpi, tek shkruajnë qindra buzëqeshje, për një shtëpi, e vetmja e tillë në rrethinë, për edukimin e fëmijëve pa prindër, ku jeton një familje e madhe, që ka një tryezë të përbashkët, aty të shtrohet buka dhe uji, bashkë me diellin ta ndajnë në pjesë të barabartë dashurinë dhe vetminë.

Secili këtë është rrëfim në vete.

Është dashuri e veçantë në këtë rrotullim të tokës rreth vetes e rreth diellit për një vit.

Është botë specifike me shumë udhë që kalojnë, nëpër ëndrra, nëpër dashuri dhe natyrisht, gjithnjë duke i prekur vetmit e thella të vetes.

Secili fëmijë këtu ne vizatojnë të përditshmen, e vizatojnë diellin, fluturimin e zogut që merr udhë nëpër fushën e syrit.

Ja, derisa në këtë shtëpi, që ka një mision të posaçëm, kujdesin, edukimin dhe pavarësimin për jetë të fëmijëve – secilit duke ia treguar udhën që e ka më të afërt me zemrën, që fati ua shkroi të mbeten jashtë kujdesit të nënës e babait. Ata, megjithatë i kanë sytë e ndritur, të cilët flasin për kornizat e ndritshme të jetës, për bukën e ajrin e ujin.

Ata, ndjekin afër nga ndërrohen turnet e minatorëve në Stan Tërg , nga afër ndjekin derisa minatorët zbresin në zemër të tokës… Në shikimin e tyre rrjedh kënga e kompozitorit,  e inxhinierit  që projekton fushën për kullën e re, ndërsa shkrimtarin e lind veprën e re dhe ajo e lind shkrimtarin të bëhet i famshëm, e – larg, në stinën e kaluar, të pranverës, gruri merr lart, me pëllëmbë ndahet nga toka e – ca zogj fluturojnë qiellin e kaltër…

-Or ti, nuk je babadimri, jo! Babadimrin e presin të vijë me dhurata në orët e mbrëmjes,  – më ndoq në dalje zëri i vogëlushit në pizhame, ndërsa vërejta bulëzën e ujit të vazhdonte të çelte udhë të reja nëpër shtrezën e avullit, të shtrirë qelqit të dritares…/albspirit.com

 

Please follow and like us: