Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: Vdekja si ‘gabim’ hyjnor

Ese

Të shkruash mbi vdekjen, nuk është se po i thur himn, por është thjesht meditim mbi një fakt të rëndësishëm të jetës siç është edhe lindja e njeriut, gjithë jeta njerëzore në çdo aspekt.

Unë adhuroj jetën në çdo milimetër të saj, por nuk kam shumë frikë nga vdekja, është diçka që ndodh, duam apo nuk duam ta pranojmë. Prandaj njeriu duhet të mësohet gradualisht me pranimin edhe të saj siç pranon çdo gjë, ndryshe shumë njerëz bien gati në pezmatim dhe depresion kur e mendojnë.

Edhe unë mërzitem nganjëherë, por të shkruash apo të lexosh për të është si terapi.

Pastaj siç shkruajmë për dashurinë, për punën, për festat, për këtë apo atë tjetrën, ç’të keqe ka se i kushtojmë pak rradhë edhe kësaj teme?

Secili e mendon vdekjen sipas mënyrës së vet. Unë bëj veç hamendësime, por asnjë përkufizim sepse kjo gjë nuk më takon mua.

Në rastin e vetvrasjes, edhe unë jam kategorisht kundër, por ka raste të veçanta ashtu si kur je i sëmurë në gjendje të pashërueshme që edhe mund të pranohet.

Por njeriu duhet të edukohet me vdekjen, sepse është një proces i pazëvendësueshëm në jetën e çdo gjallese. Nëse nuk do të kishte vdekje a mund të jetohej në këtë planet? Si do të jetohej vallë?

Në këtë botë e në këtë jetë duhet të jetosh pa e menduar fare vdekjen. Kjo është mënyra më e mirë për ta mbajtur lag vetes. Çdo ditë duhet të zgjohesh me mendimin se ke për të bërë diçka sado e vogël qoftë; të ushqesh 10 pula në oborr, të kundrosh macen, të shohësh nëse ka mbirë bari që ke mbjellë para shtëpisë, gjëra të parëndësishme në dukje, por që të mbushin jetën me gëzim. Kjo mënyrë e të jetuarit do të ishte një himn për jetën duke pranuar dhe duke u edukuar me idenë e vdekjes. Sepse duam apo nuk duam ky ‘gabim’ hyjnor, sado i dhimbshëm, është i domosdoshëm për rinovimin e jetës.

 

Të dish të pranosh vdekjen…

 

Shpesh jetojmë sikur nga çasti në çast do zhdukemi nga kjo botë, nga toka dhe njerëzit, nga çdo gjë. Ndaj, kur themi që s’gjendemi as në qiell dhe as në tokë, duket sikur kemi parasysh një gjendje pezull e të turbullt, paqartësinë e një jete iluzive e të çuditshme, që s’e kuptojmë kurrë siç duhet.

Ndërmjet shkrimtarëve që më kanë befasuar më shumë, është pa dyshim, Jasunari Kavabata, prej romaneve të tij të një bukurie të magjishme, që shpesh përmendin vdekjen e në të njëjtën kohë, afshin e një jete aluzive, plot joshje, parfume e dashuri tragjike. Por ka edhe shumë të tjerë si G. Markezi, Hemingueji, Kundera që na kanë sjellë shembuj të përsosur.

Në lidhje me temën e vdekjes, më ka bërë për vete një tregim që gjendej në një libër që fliste për jetën e Budës, të cilit shkon t’i kërkojë këshillë një grua e dëshpëruar tej mase prej vdekjes së të birit. Ai i kërkoi gruas që t’i sillte një tufë borzilok që do të gjente tek ajo shtëpi që nuk e kishte njohur asnjëherë vdekjen. Gruaja më kot kërkoi, shtëpi më shtëpi, çfarë i kishte kërkuar Buda dhe në fund kuptoi dhe u bind, që vdekja është një eksperiencë kolektive dhe një kusht i përgjithshëm i realitetit të jetës.

 

Njeriu nuk rri mbi dy karrike

 

Një nga makinat më të mëdha që punon për vdekjen, padyshim është lufta.  “Gjersa lufta do të konsiderohet një e keqe- shkruante Oskar Wajdlli – do ketë gjithnjë një lloj joshjeje. Kur të fillojnë ta quajnë si diçka volgare, atëhere nuk do të jetë më kaq popullore sa tani”.

Përse shumë njerëz i tërheq vetvrasja në momentet e tyre më të vështirë të jetës? Ose kur kanë humbur një person të dashur, apo sqimën mbi veten e ndjehen të dështuar? Ose kur janë lodhur nga një botë plot me gënjeshtra dhe marrëdhënie njerëzore krejt të pakuptueshme?

G. Prezzolini shkruante se “e kam menduar gjithnjë vdekjen, bile vetvrasjen. Nuk jam për asgjë romantic, bile e kam konsideruar si një rregull të shkëlqyer moral, qe kur gjendesh në një situatë me të vërtetë të vështirë, duhet menduar për vdekjen sesa tek suksesi apo tek një përfitim i ardhshëm. Besoj se nocioni i vdekjes, që pothuajse të gjithë njerëzit i qëndrojnë larg, e cila mund të na mbërthejë në çdo moment, do të ishte e nevojshme që njeriu të edukohej me vdekjen, nëse edukimi ekziston akoma në ndonjë vend të botës”.

“Njeriu nuk rri mbi dy karrige”- thoshte babai im. Ju çfarë keni zgjedhur për veten tuaj, o njerëz, si përfundim?/albspirit.com

Please follow and like us: