Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: DEMONSTRATAT E VITIT 1981…

(Nga libri “Vite të humbura”, 1995)
… Për nga forca e lëvizjes, për nga shkalla e masivitetit, demonstratat e vitit 1981 Ishin një epope shqiptare. Shqiptarët e Kosovës për herë të parë treguan një vitalitet të tillë që nuk ishte njohur deri atëherë. Ata, gjithashtu, bënë të ditur se janë popull me vetëdije të formuar kombëtare, se kanë synime të qarta politike dhe se rrethanat historike dhe tragjeditë nëpër të cilat kaluan, nuk arritën ta zhbëjnë substancën e tyre.
Koha e shkurtër e jetës në rrethana pak më normale jo vetëm nuk i çorientoi, nuk i bëri “kombësi jugosllave“, por, përkundrazi, ua krijoi një hapësirë minimale për regjenerim të tërësishëm. Faktori shqiptar, për herë të parë pas një kohe të gjatë, bëhet i rëndësishëm në Ballkan. Shikuar nga aspekti i kërkesave politike, demonstratat e vitit 1981 ishin vazhdimësi e atyre të vitit 1968. Por tashmë rrethanat në Jugosllavi kishin ndryshuar. Nuk ishte më Titoja të neutralizonte, të krijonte balancime e të amortizonte nacionalizmat. Ideja e jugosllavizmës, si kuadër ideal për jetë të përbashkët të të gjithëve, në Kosovë pësoi goditjen më të fortë.
Përse duhej të fillonte në Kosovë dhe pse pikërisht aty duhej të niste faza pararendëse e shkatërrimit të Jugosllavisë? Sespe ishte statusi i paqëndrueshëm i Kosovës që reflektonte antagonizma dhe konflikte. Status-kuoja e vendosur me autonominë e vitit 1974 la të pazgjidhura dy çështje parësore: nuk i neutralizoi
kërkesat serbe për Kosovën dhe nuk i realizoi kërkesat reale politike të shqiptarëve. Pavarësisht nga paqja e heshtur dhe pavarësisht se konflikti ndërmjet synimeve politike serbe dhe shqiptare dukej se zhvillohej në margjina, ai ishte konflikt themelor, historik dhe aktual dhe projektohej në konceptet për të ardhmen
e të dy palëve. Integralizmi jugosllav për një periudhë kohe e kishte neutralizuar nacionalizmin serb, jo duke e hequr atë nga skena politike serbe dhe jugosllave, por duke e futur në një lojë tjetër, fundi i së cilës as dihej, as ishte shumë i sigurt.
Programi nacional serb ishte në krizë të identitetit, sepse transformimi i tij në “program jugosllav“ nuk ishte shumë bindës, jo sepse nuk ishte parashenjën serbe, por nga se kishte shumë kufizime konceptuale dhe praktike. Integralizmi jugosllav i kishte sjellë dëme edhe integralizmit shqiptar në Kosovë: kishte krijuar mashtrimin për mënjanimin e shovinizmit serb nga Kosova, kishte luhatur dukshëm identitetin politik të një shtrese të popullsisë (autonomistët), kishte bërë ca ndryshime të vogla pozitive që pengonin ndryshimet e mëdha dhe, mbi të gjitha, në njëfarë mase kishte krijuar një mentalitet të lëkundshëm, që gradualisht po mësohej me gjysmëlirinë, me gjysmëpavarësinë, me të gjitha gjysmat e kësaj bote. Ai, pra, integralizmi jugosllav, e kishte lidhur së tepërmi Kosovën për
Jugosllavi, ekonomikisht, politikisht dhe në të gjitha planet e tjera dhe, po të vazhdonte ende, kërcënohej seriozisht me shkatërrimin e identitetit politik të Kosovës.
Please follow and like us: