Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: QUMËSHT I BARDHË, QYMYR I ZI

Para dy javësh në një drekë me tim vëlla, ra fjala për kushëriun tonë, Selfon. Im vëlla kërceu: “Qumësht i bardhë, qymyr i zi, / unë me Selfon kemi pirë një gji”. Më shtangu. Si ka mundësi? Mbante mend vargje shkruar 50 vjet më parë?
Nuk i janë shlyer nga kujtesa?
Kjo poezi ka lidhje me një histori që po e tregoj.
1. Berat, Qershor 1943, Starovë. Bektash Selfo Bejkon e kanë qëlluar me një plumb në kofshë.
Hidhe poshtë shkabën e ballistit dhe ne të mjekojmë, të shpëtojmë jetën, i thanë.
Bektash Selfo Bejko me një plumb tejpërtej në kofshë, nuk kuptonte pse duhet të hidhte shkabën. Ai kishte lënë nënë Hasimenë, kishtë lënë nusen e re, kishte lënë foshnjën Selfo dhe kishte dalë luftëtar antifashist. Kishte varur pushkën në sup kundër të huajit. Si luftëtar i kishin dhënë një shkabë në ballë.
Nuk flitet për ato që sot i quajmë formim, ndërgjegje politike etj, por ai kishte dhënë fjalën, kishte dhënë besën diku dhe nuk mund t’u dilte fjale.
Nuk e ndërroi shkabën me yllin. Gjaku vazhdoi të rridhte nga kofsha… dhe Bektash Selfoja vdiq. Si ballist.
2. E ëma e Selfos, një fëmijë 17 vjeçe, mbetur pa burrë, u kthye te prindërit. Kërthiu Selfo i mbeti në prehër Hasimesë. Hasimeja, një gjyshe rreth 40 vjeçe, i thoshte nënës sime: Jepi pak qumësht dhe këtij. Pa nënë, pa baba, por duhet të rritet. Nuk është faji i tij që mbeti bonjak.
Shtëpitë i kishim ngjitur. Ishim kushërinj të largët, por shkonim si vëllezër.
3. U rritëm. Nëna më thoshte: Selfon ta duash. T’i dalësh krah. Njëlloj si vëllezërve të tu. Kam ndarë njërin nga gjirët për të. I kam dhënë qumështin tënd.
Nënat të lënë mbi supe barrë: duhet të mendosh dhe për një vëlla… prej qumështi.
4. Tiranë, 1971. Jam redaktor i teksteve të këngëve në Radio Televizionin shqiptar. Një mbasdite në telefonin e zyrës del Selfua. Më fliste nga miniera Memaliaj, sektori i tretë. Si e kishte gjetur numrin e telefonit? Folëm disa herë. Ishim në kulmin e largësive nga njëri-tjetri. Unë në eterin e valëve të Radios që kapin qiellin, ai dy-tre kate nëndhè, në qymyr, në galeri. Unë isha lart… ai- nëntokë… Sa herë më telefononte, tronditesha. Pa dashje sikur po më ndillte të shkoja tek ai. Ato ditë shkrova poezinë “Qumësht i bardhë – qymyr i zi”.
Nga nëna më vjen një lajm. Selfua ka një të fejuar, por ia pengojnë… biografia. Shkuam me tezen në Mamaj, në fshatin e Dritës. I dolëm garant Selfos se nuk kishte gjë në biografi. Tezja ime, Fatime Çela, atëherë ishte sekretare e partisë për disa fshatra. Ndonjë vit më pas ajo e pësoi, e përjashtuan nga Partia. (Është një histori më vete kjo e tezes). Edhe unë e pësova.
Por Selfua dhe Drita prej atëherë e deri më sot janë bashkë.
5. Memaliaj, 1974.
Jam në minierën Memaliaj. I dënuar. Më bëjnë demaskimin para punëtorëve.
Sh. Leli, instruktor partie, kishte ardhur nga Komiteti i Partisë Tepelenë që të më “hiqte maskën” para punëtorëve.
U fol për një falsifikim dëftese. E hodha poshtë. Thashë: Falsifilimi të çon në burg. Pse më sillni në minierë? Po e kam bërë, më çoni në burg.
E ke xhaxha babanë e Selfos. Jo, jemi kushërinj të shtatë. Babai im është fëmijë i vetëm. As vëlla, as motër. Kam një çertifikatë familjare që e vërteton këtë.
Sh. Leli: Ke shkruar për Selfo Bejkon poezinë “Qumësht i bardhë, qymyr i zi”. Poezia nuk është për Selfon. Hiqe emrin Selfo. Vër një emër Agim, apo Besim në vend të emrit Selfo, poezia mbetet prapë ajo që është. Ka një përmbajtje, një mesazh pavarësisht nga emri.
Kur mbaroi mbledhja demaskuese, isha i tronditur. Isha sjellë si torollak, mendjemadh. Në këto mbledhje nuk duhet ta kundërshtoje të deleguarin nga Komiteti i Partisë. Me pak hipokrizi, duhet të bëje autokritikë. Sido që të ishte e vërteta, ti ishe i gabuar. Partia kishte të drejtë, prandaj të dënonte. Isha sjellë pa tru. Kundërshtova çdo akuzë.
Pas mbledhjes demaskuese, në vend që të më shihnin si armik, disa punëtorë m’u afruan me dashamirësi, me aprovim për ato që thashë. Aty kishte provokatorë. U thashë, (tani pas mbledhjes më kishin ardhur mendtë), se partia kishte të drejtë. Mirë ma bëjnë. Ata më thanë se partia nuk kishte hiç të drejtë dhe ti u mbrojte shumë mirë. Unë: Gjepura! Mos harroni, partia gjithmonë ka të drejtë.
Kaluan 50 vjet. Çfarë mendoj? Poezia është ajo që ka qenë. Si poezi… nuk ka nevojë që autori ta shpjegojë.
Sa për Selfon? Po. Ai e ka frymëzuar atë poezi.
Please follow and like us: