Albspirit

Media/News/Publishing

Pranvera e Frankofonisë: “Letërsia franceze dhe frankofone në shqip”

Pranvera e Frankofonisë, një muaj dedikuar kulturës franceze, nisi të enjten me aktivitetin “Letërsia franceze dhe frankofone në shqip”. Pranvera e Frankofonisë merr një vëmendje të veçantë gjatë muajit mars në vendi tonë. Përgjatë këtij muaji diskutimet, takimet kulturore, kthen në një festë mbi rëndësinë e një kulture dhe një qytetërimi, që i ka dhënë aq shumë njerëzimit. Pranvera e Frankofosnisë sjell një larmi aktivesh si ekspozita, koncerte, filma, etj, dhe dje u hap me “Letërsia franceze dhe frankofone në shqip”. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Shqipëri ishin organizatorë të këtij aktiviteti. Aktiviteti u moderua nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli. Në këtë aktivitet, të realizuar nëpërmjet platformës zoom, morën pjesë dhe të ftuar të tjerë si ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, ambasadorja franceze, znj. Elisabeth Barsacq, ambasadorja greke, znj. Sophia Philippidou dhe ambasadori zviceran, z. Adrian Maitre. Të pranishëm ishin gjithashtu: zv. rektorja Esmeralda Kromidha dhe prof. Ilia Lëngu, si dhe shkrimtarët Diana Çuli, Mimoza Ahmeti, Ylljet Aliçka dhe studiuesi Thoma Jançe. Në Shqipëri, libri është një ndër sektorët kryesorë, ku kultura franceze dhe frankofone ka lënë gjurmët e veta. Në vendin tonë kemi një terren të pasur të këtyre gjurmëve, si të shkrimtarëve që janë botuar në Francë, të shkrimtarëve që janë formuar në Francë dhe të shkrimtarëve francezë, që janë përkthyer në Shqipëri.

Aktivitetet kulturore

Pranvera e Frankofonisë, është festa e të gjitha vendeve frankofone të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të barabarta. Në këtë kuadër, ambasadat franceze në të gjithë botën dhe vendet frankofone organizojnë me partnerët e vendeve që janë anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë aktivitete për kulturën dhe gjuhën franceze. Në vijim programet kulturore të këtij muaji mund të ndiqen në faqen frankofoni.al. Do të ketë filma, ekspozita dhe koncerte që mund të ndiqen online. Filmat që do të shfaqen janë nga më të ndryshmit, ku mes tyre janë edhe me metrazh të shkurtër. Mes filmave është dhe filmi “The Van” me regji nga Erenik Beqiri në 25 mars. Në faqen e Pranverës Frankofone shkruhet se nga 1 deri më 30 mars, festoni filmat me metrazh të shkurtër me Institutin Francez. Nga 1 deri më 8 mars vijnë filmat “Oborri Babelit”, “Angele dhe Tony” dhe “Bota e bukur”, tre filma të realizuar nga artiste femra të propozuar nga Instituti Francez. Më 5 mars ora 20:00 shfaqet po ashtu online “Kopshti i Qershive” nga Michel Kakogiannis, një dramë e propozuar nga Ambasada Greke. Në 10 mars ora 20:00 shfaqet “Në orën e Kajros” komedi dramatike nga Amir Ramses, propozuar nga Ambasada e Egjiptit. Nga 10 marsi deri më 10 prill janë po ashtu dhe katër filma frankofonë: “Kamera e Afrikës” nga Ferid Boughedir, “Corniche Kennedy” nga Dominique Cabrera, “Lulu grua e zhveshur” nga Solveig Anspach dhe “Fatkeqësitë e Sofisë” nga Christophe Honore, e shumë filma të tjerë në https://ifcinema.institutfrancais.com/fr/streaming/alacarte. Në aktivitetet muzikore, më 10 mars ora 18:00 një koncert i bukur nga “Trio Talisman” arratisje midis muzikës dhe teksteve franceze, propozuar nga rrjeti i Aleancave franceze si dhe të tjera veprimtari. Në 15 mars ora 15:00, teatri “ArTurbina” propozon një atelier mbi Molierin në teatrin bashkëkohor në Francë. Gjashtë ekspertë (Jacques Lassalle, Stéphane Braunschweig, Didier Bezace, Denis Podalydes, Macha Makeieff) do të bëjnë një studim krahasues duke u bazuar në shfaqjet e ndryshme si “Shkolla e grave”, “Don Zhuani”, “I sëmuri imagjinar”, “Kopraci” dhe “Mashtrimet e Scapin”, që do të jetë online. Po për teatrin, 24 mars ora 19:00 teatri “ArTurbina” ju ofron “Zoti i masakrës” nga Yasmina Reza (Facebook streaming). Një shfaqje mbi njohjen e dy çifteve në dukje të civilizuar, të cilët duan të rregullojnë pasojat e grindjeve ndërmjet fëmijëve të tyre. Si pjesë e aktiviteteve janë dhe ekspozitat e ndryshme, ku më 21 dhe 22 mars është ajo me titull “Horizonte të hapura” nga Arkivi Qendror i Filmit shqiptar, me rastin e ditës ndërkombëtare të poezisë, por dhe të tjera në vijim.

Please follow and like us: