Studim mbi pakicën shqiptare të Rumanisë
Mira Skënderi, Bukuresht
Instituti per Studimin e Pakicave Kombëtare, me selinë në qytetin e Kluzhit, publikoi para pak kohësh një studim prej 200 faqesh, kushtuar minoritetit shqiptar të Rumanisë. Libri përmban artikuj të disa autorëve rumunë që janë marrë me problemet e këtij minoriteti, si Xhelku Maksutovici, Cătălina Vătăşescu, Marius Dobrescu, Cristia Maksutovici, Radu Săvulescu, Plainer Zsuzsa. Një numër i konsiderueshëm faqesh i është dedikuar historisë së këtij komuniteti nga historiani i njohur Gelku Maksutovici, autori i historisë së parë të shqiptarëve të Rumanisë. Duke filluar nga vala e parë shqiptare, ardhur në tokën rumune në vitin 1595 dhe deri në ditët tona, studimi i Maksutovici-t na jep të dhëna historike interesante mbi jetën dhe karierrën e familjeve shqiptare që përbëjnë komunitetin e sotëm. Një artikull tejet interesant është ai i Marius Dobrescu-t, i cili analizon komunitetin shqiptar nga pikpamja sociologjike. Dobrescu bën një prezantim të komunitetit, duke filluar nga origjina e anëtarëve të tij, duke kaluar te zhvillimi socio-ekonomik i tyre dhe duke arritur në vitet e komunizmit. Ashtu si në atdheun e tyre, shqiptarët e Rumanisë kanë qenë të detyruar t’i nënshtrohen këtij regjimi shtypës, i cili e niveloi, e barazoi dhe e varfëroi shoqërinë rumune. Artikulli i Cătălina Vătăşescu është një prezantim i përgjithshëm i pakicës shqiptare të Rumanisë, kurse ai i Radu Săvulescu bën një histori të organizatës që përfaqëson sot këtë pakicë, Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë.
Libri i Institutit per Studimin e Pakicave Kombëtare ka një rëndësi të veçantë në literaturën mbi minoritetet kombëtare të këtij vendi. Ai është, në fakt, një prezantim shkencor poliedrik dhe i shumëanshem, i atyre që gjatë dy shekujve të fundit kanë kontribuar për zhvillimin e vendit të prindërve të tyre dhe, në të njëjtën kohë, të vendit që është bërë atdheu i dytë e tyre, të Rumanisë.