Botohet monografia me veshjet e Arbëreshëve
Monografia e studiueses së Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, dr. Silvana Nini është një prej katër librave të botuara nga QSPA.
Një rrugëtim etnografik mbi veshjet e Arbëreshëve të Italisë së Jugut”, shoqëruar me vizatime të veshjeve” është titulli i botimit.
Monografia përbëhet përbëhet nga katër pjesë: 1. Kostumi i gruas arbëreshe në këndvështrimin e një trashëgimie shpirtërore, (rëndësia e simbolikës në ruajtjen e kostumit). 2. Faktorët, që ndikuan në zhvillimin e kostumit arbëresh (gjurmimi i faktorëve nëpërmjet një rrugëtimi historik). 3. Elementet përbërës dhe vlerat estetike të kostumit të nuses/festës. 4 Vizatime të kostumit arbëresh të nuses/festës. Pavarësisht elementeve të përbashkët, vjeshjet arbëreshe shfaqen me karakteristika të veçanta për çdo komunitet edhe pse diku është më shumë e diku më pak e dukshme. Gjithashtu ky dallim vjen edhe në ngjyrimet gjuhësore që marrin emërtimet e këtyre elementeve të veshjes në secilin komunitet. Një hapësirë e veçantë në këtë punim, u është lënë edhe ilustrimeve të kostumeve të nuses/festës për të finalizuar rrugëtimin etnografik të kësaj veshjeje.
Ilustrimet e realizuara nga vetë autorja janë realizuar me teknikën e akuarelit dhe paraqesin veshjet që mbartin karakteristikat më kryesore të çdo varianti dhe, atje ku është parë e nevojshme, është paraqitur edhe ndonjë element specifik i veshjes, si keza apo pandera. Një botim i këtij profili etnografik paraqet interes, sepse bota arbëreshe është e njohur deri më sot tek ne kryesisht përmes letërsisë së saj dhe kjo – e paraqet sigurisht të fragmentuar tërë konstruktin e pasur shpirtëror, që ai komunitet e ka mbartur dhe e ruan prej shekujsh. /dsh/