Cikël poetik nga Fatmire Duraku
Vetëm jehona
(trioleta)
I
Unë, hija dhe hëna, një vetmi
Syrit nga rrjedh loti apo ngrin
i kujt është ky pyll, pa gjithësi
Unë, hija dhe hëna, një vetmi.
Ky fat, kjo dhembje, kjo mërzi
Në një bistak tok me verbërinë
Unë, hija dhe hëna, një vetmi
Syrit nga rrjedh loti apo ngrin.
II
Zëri yt askund, vetëm jehona
Për mure bie dhe tret përsëri
Kujtimit nga vij në orët e vona
Zëri yt askund, vetëm jehona.
As hija jo, ditët ikin në kolona
Çdo gjë është e verdhë, bie shi
Zëri yt askund, vetëm jehona
Për mure bie dhe tret përsëri.
III
Kujtoj të tërat që s’i prek agu
Gjethet e blirit mes librit blu
Qenin e vogël fjetur te pragu
Kujtoj të tërat që s’i prek agu.
Ëndrrat ikën, s’ngeli as tragu
Sall hija ime qan për sytë e tu
Kujtoj të tërat që s’i prek agu
Gjethet e blirit mes librit blu.
Vyshkja e lules
në katër pamje
Rërës e vetmuar lë gjurmë
Qielli ka rënë i tëri mbi det
Çdo gjë hesht para stuhisë
E unë ndjek ritmin e zemrës
Dhembjen
E çelur në lule
Një lule e gjallë
E vetmisë
E lotit tim
Ec e ec rërës e harruar
Me dhembjen e vjetër për ty
Të bërë gur në gji
Një gur kaherë
I djegur
e ende gjallë
e vetmuar lë gjurmë në rërë.
II
Ec e ec pa cak
Ndjek ritmin në zemër
Nga pikon gjak
Kurse ik e ik e ik
Vetëm me lulen e vyshkur
E pikëlluar dhe e paemër
Ja dhe dielli bie
Një pëllëmbë mbi det
I ndezur në lak
E unë ec e unë ec e unë ec
Vetmisë pak nga pak
Pa cak.
III
Ç’ngjet vallë
Vdes e nesërmja ime tash
Apo lind para kohe dita
Dikush ja në mua troket
Tri herë i bie zemrës
Tak tak tak
Kush mund të jetë?
Ti s` je kurrsesi
Ty t`i njoh hapat ta njoh frymën
Ty t`i njoh trokitjet ta njoh syrin
Nga shikon përkrye portës
Ty t`i njoh të dridhurat e zemrës
Të dridhurat e dorës
Nga e këpusin mollën
Kushdo të jetë unë s` jam ajo
që të mund t`i përgjigjem
ec e ec gjithnjë me ty
E sall vetëm
IV
ecën dhe ecën e tërësisht vetëm
Kurse dikush ende më troket
tri herë në zemër
ti s`je, ty të njoh nga gishtat
ty të njoh nga të dridhurat e gojës
fjalën ende pa e thënë ta dëgjoj
dhe digjem për të
ndërmjet ujit e rërës
ec dhe ec dhe ec gjithnjë me ty
e krejt e harruar dhe vetëm
Kurse hijes së kujtimit
lulja e harruar nga ne të dy
vyshket në vetmi
rërës e vetmuar lë gjurmë./albspirit.com