Cikël poetik nga Mustafa V. Spahiu
STISJA E VJERSHËS
Ma do mëndja një vjershë të re,
Pas leximit mos të rri punëkotë!
– Ylberesh të ngjitëm përmbi rè,
Djersët çurg – Urtia mirë thotë!
Vargjet mos të jenë me xhelozi,
Gëzimi e gazi t’ndihen si lodër…
Peshk i artë është n’lumin Dri,
Kalon Rozafën drejt n’Shkodër.
Vjersha pranverohet si miqësia,
Flet me gjuhën tonë m’t’bukur!
Shekujsh s’ka për t’u zhdukur,
Trashëgim s’e harrojnë fëmija…
Stisja e vjershës-kërkon dituritë,
Të futet n’kopshtie dhe n’oborre,
Frymëzuar dashuri-gjuhë nënore
Errësirës së natës t’i jep aq dritë.
Vjersha të magjeps çdo shkollarë,
Prandaj vjen me dyjare e thuret –
Fushën e zgjeron s’di të tkurret –
Orientuese e zogjve shtegtarë…
Se ka frikë as tehun e shpatës,
E don vargun mbarë t’i shkojë!
– Me aromë rimash të amësojë,
Malit ku gurgullon Kroi i mjaltës.
Lafshën ia ngashëren këndesit,
T’vërtetën e thotë pa u luhatur!
Në asnjë vend s’don të zgjatur;
I del para dritës së mëngjesit…
E hënë, 8 mars 2021, në Dardaninë Ilire.
SHPJERMËNI NË FSHAT
S’dua mëri – dua përshëndetje!
Shalezen grunajat – n’liqe të erës,
Kaloshinat bartin bereqet t’verës;
Misrishtet zabel – madh’shti jete.
Muza engjëllore më shpjermëni!
T’dëgjoj organo – tinguj fshati, –
Vringëllojnë kosat, simfoni shati
Dua të rioshem – paç merrmëni!
Lagjes gjejë brengë – herë gëzim,
Bukuritë e fshatit dot nuk tretën…
Trëndafilat kujtime më mbetën, e
Pastaj ndanë kroit rritur me bekim!
Stinësh babai blen lesh për plisa, e
Jelekut ia shihte rengun, ngjyrën…
Çevre blinte për ballin e fytyrën,
Nënës mëndafsh për dy këmisha.
Babai vete në pazarin e Gjilanit,
Allashverishte kryente me njerëzi;
Pa çibër, gjeste s’bënte me zili!
Blinte dy palë këpucë t’saftianit.
Përbrenda ruante zemrën e vet,
– Pak pse fliste askush sot s’e di?
Guri krahasohej me qëndrim t’ti’;
Urtia më dukej fliste për 200 vjet!
Im bâ kish’ karakter t’fort’e tipare,
E nderonin fshatrat – tërë mëhalla,
– Legjenda rrëfente vetëm t’gjalla,
Fisi,oda, trimëria e zemra bujare.
E martë, 9 mars 2021, në Dardaninë Ilire.
LINDJA – LOJA E DIELLIT
Sapo lind dielli në lojë paraqitet,
Livadheve të qiellit akrobatitet…
Sa ka rreze – don poaq dëshira,
Në pikë të ditës ato më të mira.
Krejt si fëmijë është ndonjëherë,
E lanë fytyrën me vesë përherë…
Më i ndritshëm ka ëndje të jetë,
Si djalë dëshiri, diell me t’vërtetë!
Nganjëherë fshehet tinës ndër rè,
Ne mendojmë, “përtaci” – po fle! –
Ai na shfaqet, bobo fërkojmë sytë,
Ka sharruar n’krua,hej është mbytë!
Brohorisin gjethet degë mbi degë,
Dielli buzëqeshet me faqet si shegë.
E nis lojën kështu me tërë fëmijët,
Valëve t’krojeve – dhuratë florinjët
Është besnik – s’e humb durimin,
Nga vandaqet nxjerr dritë-gëzimin.
Mandej futet në të rejat hamullore,
I mbush qerret e arta frute diellore.
Dielli është kureshtar sikur fëmija,
Si kallinj grur’i rritë vargjet e mia…
Unë dorën me dashuri ia pehas,
Por kot, nuk mund t’i shkoj mbas!
E enjte, 11 mars 2021, në Dardaninë Ilire.