Albspirit

Media/News/Publishing

Kadri Kryeziu: Demonstratat e 1981 “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”

E martë 10 mars 1981.

Pas darkës në Mensën e Studentëve vazhduam bisedat për veprimtarinë e mëtejme kombëtare që filluam gjatë vitit 1980 në qendrën e studentëve. Kërkesat për kushte më të mira për jetë në qendrën e studentëve, dhe mosplotësimi i tyre nxiti agresivitetin e grupit atdhetar të studentëve: Gani Koci, Januz Januzi, Bedri Deliu, Murat Musliu dhe Kadri Kryeziu. Për t`i radikalizuar veprimet së pari përmes protestave të lokalizuara e pastaj gjithëpërfshirëse.

Ne ish-studentët e Fakultetit Juridik, Jonuzi, Ramadani, Bedriu dhe unë filluam që Fakultetit Juridik t’ia prishnim rendin juridik. Deri në vitin 1980 absolventët e Fakultetit Juridik vizitën profesionale si jurist e bënin në Rusi.

Si udhëheqës të gjeneratës refuzuam të shkojmë në Moskë, kërkuam që vizitën studimore ta bëjmë në Shqipëri.

Ishte thyerja e parë me sistemin.

Momenti i dytë ishte organizimi i studentëve që të pengohet pritja solemne e Titos në Kosovë. Me ardhjen e Titos në Kosovë u organizuam që asnjë student mos të dalë në rrugë për ta përshëndetur.

Pas debatit të ashpër me drejtorin e mensës njëfarë zotëri Stublla, kur për herë të parë e ndëgjoi fjalën “t`i ishe lopë” nga Jonuz Januzi. Çfarë domethënie kishte atëherë një komunisti jugosllav me i thënë se “je lopë”. E trashëm zullumin, ne vazhduam e kulmi ishte kur në sallën e leximit Gani Koci e theu fotografinë e Titos. Pak a shumë ishte kështu viti 1980. Dhjetori po kalonte, dalëngadalë po hynim në 81-shin, erdhi marsi e ne studentët e konviktit 3 nuk rrinim rehat, të pakënaqur me Titon, të pakënaqur me Fadil Hoxhën të pakënaqur me Xhavit Nimanin të pakënaqur me Mahmut Bakallin dhe veç kur doli në skenë Azem Vllasi: një njeri që donte Jugosllavinë më shumë se nanën e vet.

Debatonim si me ia nis kësaj pune: “A ia nisim bre mensës, po valla aty bëhet kallaballëk shumë studentë tani kishim dhe studentë gazetarë, kishim edhe studentë që nuk ishin studentë që na shikonin qysh po mësojmë”.

Të gjitha këto kondita na shtyn që protestat të mendojmë t`i fillojmë në mensë, por jo gjatë ditës por në mbrëmje se ata studentët raportin ditor e dërgonin në mbrëmje e natën pushonin. Ani në sa ora po e lëmë, thamë në orën 19 se guzhva është ma e madhe edhe nuk merret vesh.

Vendosëm më 10 mars 1981 në mbrëmje për të mërkurën më 11 mars në orën 19:00. Detyrat ishin që secili me i thirrë shokët 15 minuta në orën 19:00 para mensës poshtë dhe pastaj të hynimpër t`i larguar studentët prej rendit, për të darkuar dhe më pas për çudi ishte një kërkesë e imja që tavolinat dhe karriget t`i vendosnim në asfalt, në rrugë por kjo nuk më kaloi.

Në mensë i larguam nga radha e madhe duke pritur nga dy deri në tri orë për një racion, i përmbysëm tavolinat dhe u nisëm për qytet. Rrugës për qytet afër fakultetit kam bërtitur: Kosova Republikë, Gani Koci ma msheli gojën: shuj tha se herët, ta kqyrim si po shkon. Rrugës u acaruam, filluam t`i gjuajmë veturat e pushtetarëve; limuzina të zeza. Te shtëpia e Xhavit Nimanit ia dhamë një rafall sharjes e gjuajtjesh me guralecë. Fotot porno nëpër qytet i thyem dhe i shkyem, kur u kthyem te mensa kishte marrë vesh pushteti, policia me pushkë të gjata: ev thash e të kemi ikë nga Ulpiana.

Bedriut i humbën këpucët, unë rashë në një gropë, mbeta me një këpucë. Duke ik prej policisë në Ulpianë më ka gjuajtur me lakër një grue me tesha të zeza e më rrëzoi, u çova e ia nisëm me ecë më ngadalë. Vazhduam më 26 mars tash ma përnjëmend.

Paradite në oborrin e qendrës aty ku vinte stafeta e Titos, gjithë kemi pasur problem me Titon ka pasë futur shumë patriot në burg bile bacin Adem nuk e lëshojke hiç: derisa vdiq Tito, u lirue baci Adem. Në tubim erdhi edhe Azem Vllasi për të na qetësuar, në ndërkohë nga studentët u shpalosën parullat; “Republikë, Kushtetutë ja me hatër, ja me luftë”, “Trepça punon Beogradi ndërton”, “Nuk jemi jugosllav por jemi shqiptar”, etj. Nuk mundi të na ndalë Azem trimi, shkuam te teatri, ishin duke vallëzuar për stafetën e Titos, kurse ne e prishëm edhe aty. Në mbrëmje forcat policore federale të Jugosllavisë e okupuan qendrën e studentëve nëpër dhoma, zunë studentë të cilët me shkopinj gome i rrahën deri në alivanosje, tortura, maltretime, sharje me nënë, etj. Demonstratat u ndezën në Prizren e Fushë Kosovë, ma e madhja ishte më 2 prill kur u bë zi krejt Prishtina, asokohe studentët patën hipur përmbi tanket serbe. Parulla kryesore ishte : “Kosova Republikë, Republikë,Kushtetutë ja me hatër ja me luftë”. Filluan arrestimet, neve studentëve një nga një deri në korrik, na arrestuan të gjithëve. Çfarë tortura vetëm ata që i kanë përjetuar e dinë.

Shpejt u kryen hetimet, të gjallë dhe alivanosur shkuam në gjykatë. Prokurori shqiptar, gjyqtari i Prizrenit vullnetar erdhi në Prishtinë, Orhan e ka emrin është person zyrtar tash në Kosovën tonë të lirë. Për tri ditë na dënoi burri: 21 studentë shembullor. Merreni me mend asnjëri më pak se 6 deri 15 vjet. Krajata vazhdoi, të gjithë u internuam në Serbi. Prej tyre mua më mbajtën 36 muaj në vetmi në Serbi, të gjithë shokët e mi janë trajtuar keq a më keq. U liruam pas 10 vjetësh, me lirinë tonë u prish Jugosllavia, ajo që ne filluam ta prishnim më 11 mars 1981, ditë e mërkurë para 40 vjetësh./klankosova

 

Please follow and like us: