Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Aurora Dollenberg: Betimi i Hipokratit na motivon që profesioni i mjekut të jetë në shërbim të njerëzimit

Mjekët Shqiptar në diasporë realizuan Konferencën e VIII shkencore në luftë kundër Covid-19.  Intervistë me Dr. Aurora Dollenberg, kryetare e Federates së Mjekëve Shqiptarë në Evropë

Intervistoi: Hajriz Mamaj ,Berlin

Federata e Mjekëve Shqiptar në Evropë në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të dhënë kontribut në tejkalimin e pandemisë Covid-19 që ka kapluar mbarë njerëzimin me 13.03.2021 ka organizuar një video-konferencë me mjekë nga shumë vende evropiane të cilët punojnë në klinika e spitale të ndryshme në Evropë dhe më gjerë. Rreth këtij aktiviteti dhe konkluzioneve që u arritën në këtë video konferencë iu lutëm për një intervistë kryetares së Federatës së Mjekëve Shqiptar në Evropë zonjës Dr. Aurora Dollenberg.

Zonja Kryetare ditë më parë Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë ,kryetare e së cilës jeni ju, ka organizuar një video konferencë shkencore me mjekë nga shumë vende Evropiane e më gjerë. Cila ka qenë tema e trajtuar në këtë konferencë?

Dr. Aurora Dollenberg: Së pari dua të falënderoj të gjithë mjekët dhe personelin mjekësor kudo që ata punojnë çoftë në Evropë apo në vendet e origjinës prej nga vinë e që kontributin e tyre e kanë bashkuar në federatë për të ndihmuar të prekurit me Covid 19. Vullneti për punë dhe dashuria për profesionin janë dy gjëra që rriten bashkë dhe e përcjellin njeriun gjatë gjithë jetës. Po tek profesioni i mjekut kjo shkon edhe më larg. Betimi i Hipokritit na motivon dhe edukon që profesioni i mjekut të jetë në shërbim të njerëzimit kudo që e ushtron atë profesion në vendlindje apo jashtë saj. Fati na ka sjellë pa dashjen tonë që të jemi jashtë atdheut dhe këtë profesion ta ushtrojmë në vende të ndryshme Evropjane. Po qëllimi human na bënë bashkë në bashkimin e dijes dhe të gjithë së bashkë ti shpallim luftë kësaj pandemie po edhe të gjitha sëmundjeve me të cilat ballafaqohen pacientët në mbarë botën. Po në këtë moment akut është pandemia Covid-19 që na ka bashkuar në luftë të përbashkët me armën tonë e ajo është dija që kemi marrë në vendet e ndryshme evropjane e botërore. Mbajtja e një konference internacionale mbi te dhënat e fundit në trajtimin e Covid-19 dhe mbi mutacionet e reja ishte një veprim i domosdoshëm që unë si drejtuese e federatës të nisë konsultimet me mjekë që jetojnë jashtë atdheut për një video-konference në këto ditë të vështira që pandemia ka përfshirë botën ku numri i të infektuarve po rritet për ditë e më shumë. Kjo pandemi është shtrirë edhe në vendet tona të origjinës, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut. Duke parë një situatë përkeqësimi e pamë të nevojshme që të bashkojmë dijen dhe përvojën e marrë gjatë punës sonë të përditshme që të diskutojmë së bashku nëpërmjet një video konference për formulat e fundit terapeutike të kësaj pandemie e cila nuk po arrin te kontrollohet mjaftueshëm.

Meqë në konferencë kanë marrë pjesë një numër i madh ekspertësh të fushave të ndryshme mjekësore mund të na flisni pak për temat që kanë dominuar në këtë video konference?

Dr.Aurora Dollenberg: Moto e kësaj konference ishte “Me dijen dhe përvojën tonë të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzish kudo në botë dhe vendet tona të origjinës”. Si ekspertë të fushave te ndryshme të mjekësisë patëm mundësi të shkëmbejmë përvojat tona pozitive dhe ato negative ne lidhje me medikamentet të caktuara të cilat janë aplikuar gjate gjithë vitit në shërimin e kësaj sëmundje të rëndë për mbarë njerëzimin. Arritëm ne konkluzionin e njohur qe vetëm ne fazat e para te sëmundjes duhet të jepen vetëm medikamente mbështetëse si vitamina, paracetamol dhe ilaçe për parandalimin e trombozave. Në fazat e rënda të sëmundjes mund të futën në loje antibiotikët, kortizonikët dhe antiviralët. Detajet mbi përvojën se cili nga ilaçet ka më së shumti prioritet u diskutua me shumë kujdes nga ana e shumë mjekëve të cilët shpalosën përvojat e tyre gjatë ballafaqimit me të sëmbuarit me covid 19,dhe një përvojë e tillë ua përcollëm kolegeve tanë shqiptare në të gjitha trojet shqiptare. T’iu tham të drejtën në këtë situatë, këmbimi i përvojave në përdorimin e terapisë ishte tejet me rëndësi nga të gjithë referuesit. Edhe përvojën që ndamë me mjekët pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut na dha një shtytje edhe më të madhe në trajtimin e pacientëve me Covid-19. Shpresoj shumë që një këmbim përvojash në këtë fushë do të na ndihmojë të gjithëve në trajtimin e kësaj sëmundje me përmasa botërore.

 

Doktoreshë, do ndalemi pak tek vaksinat dhe efekti i tyre në parandalimin e infeksionit me Covid-19. Po e përmbyllim një vit të plotë me këtë pandemi e vaksinat po shtohen nga prodhues të ndryshëm po funksioni i tyre nuk po mirëpritet madje në rrjetet sociale shfaqen regjistrime që mbjellin frikë tek shumë njerëz. Cili është mendimi juaj dhe i eksperteve pjesëmarrës?

Dr. Aurora Dollenberg: Patjetër qe vaksina sikundër dhe çdo medikament tjetër qe aplikohet ka efektet anësore, një i tillë është parë tek vaksina AstraZeneca e cila është aplikuar tek shumë të infektuar. Priten studimet rreth efekteve anësore të kësaj vaksine siç po flitet për tromboza, alergji, dhimbje muskujsh, dhimbje koke etj. Si mjeke urgjencës dhe e familjes do këshilloja që këto lajme shumë të ngarkuara me frikë dhe me dyshime mbi efikasitetin e vaksinave do i marr si jo të besueshme ngase çdo individ ka ndërtim fiziologjik të veçantë. Këtë eksperience e kemi nga gripi dhe çdo vaksine tjetër të aplikuar deri tani ne popullatë kështu që edhe vaksinat e ndryshme qe po përdoren kundër Covid-19 kane efektet e tyre te lehta. Deri tani nuk është vërtetuar ne vendet evropiane që kjo vaksinë ndikon ne rritjen e trombozës në mënyrë te drejtpërdrejt. Ky është një lajm i mire për motivimin e atyre që janë prekur me këtë virus. Çdo vaksinë është e mirëpritur sepse sëmundja më mirë është që të pengohet se sa më vonë të shërohet. Unë prindërve të mi dhe te gjithë pacienteve që trajtoj por edhe atyre që nga larg i këshilloj dhe monitoroj do ju sugjeroja vaksinën e parë që u aplikua në doza të vogla në trojet shqiptare që ishte vaksina ‘Pfizer Biotech’. Kjo vaksinë ka vërtetuar efektshmëri me të lartë deri ne 95% . Është një vaksinë që edhe pse jepet në dy doza pas tre javësh kemi një imunitet në trup që ka efekt një vjeçar. Edhe pse ka vështirësi teknike ne depozitimin e saj ne temperatura shumë të ulëta është vërtetuar që ka efektet më të pakta anësore, kështu që në vend të parë qëndron për mua ‘Pfizer Biotech’. Të gjitha ato vaksina që janë aprovuar nga OBSH si Biontech, Moderna apo edhe AstraZeneca që po aplikohen së fundmi i kanë kaluar fazat e testimit e kontrollit duke vërtetuar që kanë një efikasitet të lartë mbrojtës dhe efekte të ulëta deri ne 5%. Dyshimet për AstraZeneca për efektet anësori duhet lënë kohës dhe studimeve që po përcillen nga studiues dhe përdorues të kësaj vaksine. Ka edhe vaksina të tjera në treg që presin aprovimin për të shpëtuar shumë të prekur nga Covid-19.

 

Zonja Dollenberg federata së cilës ju i prini e ka rritë intensitetin e punës duke ofruar rreth vetës ekspert të njohur mjekësor të cilët shprehin gatishmëri për të ndihmuar të prekurit nga ky virus vdekje prurës. A mendoni që në një të ardhme të afërme të organizoni një konferencë shkencore në Shqipëri apo Kosovë po pse jo edhe në një kryeqytet evropian ku do të trajtohet lufta ndaj kësaj pandemie përmes pjesëmarrjes se ekspertëve të cilët kanë marrë përvoja në luftë me këtë virus?

Dr. Aurora Dollenberg: Kjo pyetje ka një peshë shumë të rëndë përgjegjësie. E para që shumë prej nesh në pamundësi të gjejmë vend pune në atdhe jemi detyruar t’ia kthejmë shpinën atdheut dhe të marrim rrugën e mërgimit dhe e dyta porosia e Rilindëseve na ka përcjell në çdo vend ku jemi vendosur në të katër anët e botës.

Ajo çka kemi marrë me veti nga atdheu është dashuria dhe këtë dashuri dëshirojmë tia kthejmë me dije të fituar në mërgim. Dhe ja tani kur “pandemia“ ka pushtuar botën pa e kursyer edhe vendin tonë të origjinës, në kemi bërë bashkë dijen dhe humanitetin dhe duam që me përvojën tonë ta ndihmojmë atdheun dhe institucionet tona shëndetësore me këshilla dhe përvoja nga klinikat ku ne kemi trajtuar pacient. Dëshira jonë është që të organizojmë një kongres ku mjekët nga diaspora dhe ata vendase do paraqiteshin me kumtesat e tyre rreth përvojave dhe rezultateve në këtë fushë. Shpresojmë për një kongrese në Tiranë apo Prishtinë.

Si gjeni kohë t’i përkushtoheni kaq shumë aktiviteteve vullnetare ku më së shumti përfitojnë pacientët, nga ju vjen kjo energji, kur dihet që federata nuk ka burime financiare?

Dr. Aurora Dollenberg: Pasioni për punën e profesionit të mjekut të cilën e kam në mendje qysh si fëmijë. Kjo dëshirë me ka përcjellë me vite deri sa unë u specializova si mjeke urgjence apo mjeke familje dhe specialiste për Psikoterapi. Energjia me vjen nga fakti kur iu ofroj ndihmë të sëmurëve. Lumturohem kur shoh njerëz pa brenga dhe vuajtje. Ndihem e relaksuar kur vërej buzëqeshjen tek pacienti, të cilit kam arrit t’i ndihmoj me profesionalizmin tim. Nganjëherë dëshira dhe vullneti e tejkalojnë anën financiar edhe pse ka të tillë që mendojnë që të qenurit në krye të një shoqate apo federate paratë rrjedhin si lum. Këtu shumë gabojnë ngase ne jemi federatë jo fitimprurëse dhe aktivitetin e deritashëm e kemi të regjistruar ne Gjermani edhe pse kontoja jonë bankare është zero. Në këtë rast falënderoj të gjithë mjekët që deri në këtë moment aktivitetin e tyre në federatë nuk e kanë kushtëzua asnjëherë me asnjë metelik po me vullnet dhe humanizëm që dijen e fituar në mërgim t’ia dhurojnë pacientëve në atdhe e më gjerë.

 

Çfarë dëshironi të shtoni për fund të kësaj bisede?

Dr. Aurora Dollenberg: Konferenca siç e thashë edhe më herët u realizuar me 13 mars dhe tregoi gatishmërinë e të gjithë mjekeve shqiptarë për të dhënë kontributin e tyre në luftën kundër Covid-19. Nuk është e kot ajo thënia se “guri më shumë pushon në atdhe por guri peshën nuk e humb asnjëherë kudo që atë ta vendosësh”. Kjo vlen edhe për ne mërgimtarët që rritemi me vuajtjet dhe të mirat e bashkëvendëseve tanë në trojet shqiptare. Andaj të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë u përpoqën që dijen e tyre të marrë në mërgim tua ofrojnë familjarëve të tyre, bashkë fshatarëve, qytetarëve po mbi të gjitha pacientëve të prekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse në mbarë botën. Numri i mjekëve pjesëmarrës në Konferencën e VIII internacionale ishte tejet i madh. Ishte kënaqësi të dëgjon eksperienca të ndryshme nga ekspertët shqiptarë që dijen dhe humanizmin e kanë vë në shërbim të pacientëve të tyre po këtë eksperiencë u përpoqëm në këtë eksperiencë ta ndajmë edhe me më të dashurit tanë në atdhe. Në këtë bashkëbisedim me ju dëshiroj nga zëmra të falënderoj të gjitha ata mjekë , ekspert që dijen dhe përvojën arritëm ta ndajmë me në këtë bashkëbisedim elektronik. Me këtë rast falënderoj:

  • Prof.Dr. Kita Sallabanda Diaz-Presidenti i Shoqatës Spanjolle –Radiochirurgie Profesor i Neurokirurgjisë në Universitetin e Complutense Madrid- Spanjë.
  • MD PhD Vedat Eljezi-Kryemjekë Drejtues në qëndra klinike Universitare Gabriel Montpied- Francë.
  • Prof. Dr. Mira Rakacolli-Profesore i Universitetit QSUT Neurologjisë Zv/Ministre e Shëndetsisë- Shqipëri.
  • Dr. Skënder Brataj-Drejtor i Urgjencës Kombëtare-Shqipëri.
  • MD, MPH Gani S. Abazi-Expert i Shendetësisë Publike Politika dhe Menaxhment Shendetsor në Universitetin e Harvard.
  • Prof. Dr. Gani Bajraktari-Drejtues i departamentit të kardiologjisë Profesor i Kardiologjisë në Universitetin e Prishtinës.
  • Prof. Dr. Arben Ivanaj-Drejtues i Departamentit të Hematologjisë QSUT.
  • Dr.med. Shaip Ibishi- Specialist në Gjinekologjisë dhe Obsetrikës Specialist i Onkologjisë Gjinekologjike- Gjermani.
  • Dr. Afërdita Bylykbashi-Mjekësi Forensike Mjekësi Sociale, profili Kujdesi Shëndetesor Preventiv fëmijet/ adolescentët -Hollandë.
  • Dr. Gazmend Berisha-Specialist në mjekësinë Intensive- Norvegji.
  • MD PLLC Skënder Murtezani-Drejtues i shoqatës Vatra, Kryemjek Internist Epidemiolog- Amerikë.
  • Dr.Livia Qose-Departamenti i Shëndetit Publik- Turqi.
  • Dr. Bashkim Kadriu-Drejtues Klinik i Neuroshkencës dhe Mjekësisë Eksperimentale. Janssen Research&Development, La Jolla, CA,- Amerikë.
  • Dr. Fadil Avdiu-Specialist i Mjekesisë së Interne Specialist i Mjekësisë së Urgjencës dhe Familjes- Gjermani.
  • Dr.med.Hatije Ismaili-Specialiste e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës- Slloveni.
  • Dr. Rubena Maci-Specialiste në Mjekësinë e Përgjithshme – Itali.
  • Dr. Arbër Morina-Kirurg Pergjithshem, Endoskopist Kirurg Methabolik – Obesitar.
  • Dr.Esmeralda Babamusta-Specialiste e Dermatologjisë dhe Mjekësisë së Familjes.
  • Dr. Albulena Gerguri- Mjeke Urgjence dhe Familje.
  • Dr. Genc Selmani-Specialist i Mjekësisë së Familjes.
  • Dr.med. Aurora Dollenberg- Specialiste e Urgjencës, Mjekësisë së Familjes dhe Psikoterapisë

 

Sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin e institucioneve te shëndetit ne Shqiperi,Kosove dhe Maqedonia e Veriut?

Dr. Aurora Dollenberg: Po. Ekziston një bashkëpunim me institucionet shëndetësore në trojet shqiptare. Ne Shqipëri kemi një bashkëpunim shume te mirë me Ministrinë e Shëndetësisë përkatësisht me Z/Ministren Mira Rakacolli, me Drejtorin e Urgjencës Z. Skënder Brataj, me Profesorin Arben Ivanaj, Shefi i Departamentit te Hematologjisë. Të gjithë këta mjekë kanë një respekt të lartë në Shqipëri të cilët gjatë gjithë pandemisë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimin e Covid-19 dhe bashkëpunimi me ne ka qenë i mirëpritur. Edhe me mjekët në Kosovë kemi patuar një bashkëpunim të mirë me ç’rast dua ta falënderoj veçanërisht Prof. Dr. Gani Bajraktarin-kardiolog i njohur në Universitetin e Prishtinës ka qene gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish dhe dijesh me mjekët e federatës. Uroj që e ardhmja të na sjelli një intensifikim edhe me te madh bashkëpunimi me shpresën që pacienti shqiptar te trajtohet gjithnjë e më mirë si ne aspektin terapeutik por edhe ne aspektin logjistik e ndihma jonë për ta do jetë përherë aty ku kërkohet.

Please follow and like us: