Ismail Xhaferi: Një letër për politikanët tanë
Në ndihmë të popullit votues
Ne jemi popull shumë i urtë,
Të tillë do jemi jetë e mot,
Nuk duan punë dhe as mirëqënie,
Veç pa mitingje s’rrojmë dot.
Një ligj të bëni urgjentisht,
Koha kërkon akte sublime,
T’i heqim maskat, nuk na duhen,
Dhe të vrapojmë në mitingje.
Nuk duam rrugë, nuk duam drita,
S’na duhet uji dhe sapuni,
Nuk duam shkolla, apo kopshte,
Po s’vodhet ju ne s’na zë gjumi.
S’na duhet fare integrimi,
Europa mos na i qajë hallin,
Nëse s’formohen me parti,
Ne kurrë protestat s’do t’i ndalim!
Nuk duam grindje midis jush,
Se shpesh ju bëni si të marrët,
Kush vjedh ca vjet të hapi krahun,
Të vijnë të vjedhin kundërshtarët!
Për ne si popull nuk ka paqe,
Dhe nuk do jemi kurrë të qetë,
Nëse në parlamentin tjetër,
S’do ketë më shumë analfabetë!
S’e keni keq edhe tani,
Por ne do ndihemi më mirë,
Nëse në parlament s’përdoret,
fjalor akoma më i ndyrë!
Për ne si popull nuk ka paqe,
Të gjithë ne ndihemi të trishtë,
Nëse nuk bridhni nëpër botë,
Me lekët tona natyrisht!
Për ne do jetë padrejtësi,
Asnjë prej jush s’do bëjmë mik,
Nëse fëmijët s’i shkolloni,
Në Europë e Amerikë!
S’e duam as thesin me miell,
Ta lëmë këtë punë me kaq,
Më mirë do ish një thes gënjeshtra,
Ai na ngop e na kënaq!
Na duhen burgje gjithandej,
nuk ka kuptim kaq shumë liri,
Ata që s’dalin për votime,
Duhet të kalben në qeli.
S’na duhet fare asistenca,
Dhe as ilaçe e doktor,
Për ne shëndeti i deputetëve,
Është shqetësimi kryesor.
Vetëm diçka nuk e kuptoj,
Si mund të jeni kaq të qetë,
Nëse ju mbeti ndonjë bankë,
Ku ende s’keni mbyllur lekë!
Nuk ka si ju e nuk do ketë,
Të gjithë ndriçoni porsi yje,
Atdheun tonë e keni shqyer,
Po ne sërish ju mbajmë në krye.
Me ju ne jemi të kënaqur,
Njësoj si peshku përmbi rërë,
Prandaj është mirë të na i bëni,
Më keq nga ç’na e keni bërë!
E dimë sërish që na mashtroni,
E dimë që ngjani me zagarë,
Por ne si popull duam zgjedhë,
Ju duam juve si pronarë.
Ne jemi popull shumë i urtë
Të ndarë në kampe rozë e blu
I vetmi hall që na mundon;
Ç’do bëjmë kur të vdisni ju?!