Albspirit

Media/News/Publishing

In memoriam Vilson Blloshmi

Bedri Blloshmi

Lindi më 18 mars 1948 në Bërzeshtë rrethi Librazhd. Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në fshat ku u dallua si një nxënës i shkëlqyer kështu që familja vendosi ta dërgonte në Elbasan për të mbaruar shkollën pedagogjike. Për arsye të biografisë nuk mund t’i jepej bursë për të vazhduar shkollën. Ai e filloi pedagogjiken si nxënës i jashtëm. Gjatë kësaj kohë rrinte te një mik i familjes e cila paguante të gjitha detyrimet për të. Në vitin 1963 arrestuan babain. Vilsoni erdhi në shtëpi shumë i mërzitur duke i thënë xhaxhait (Bukuroshit) se do ta linte shkollën ngaqë tani duhej të punonte për të mbajtur familjen. “Do vij të punoj në Stravaj, me ju”, mbylli bisedën Vilsoni.
Xhaxhai i mërzitur nga burgosja e vëllait tjetër dhe nga hallet që shtoheshin përsëri këmbënguli që Vilsoni të vazhdonte shkollën. “Detyra jote është të mësosh dhe vetëm të mësosh”. Por Vilsoni këmbëngulte në vendimin e tij. Kjo bëri që xhaxhai ta urdhëronte të kthehej në shkollë. Në vitin 1966 mbaroi shkollën pedagogjike, u diplomua. Pas kësaj u paraqit disa herë në Drejtorinë Arsimore të rrethit të Librazhdit, por ata nuk e morën parasysh asnjëherë diplomën e tij. Kjo diplomë mbeti një copë karton pa asnjë lloj vlere.

Kështu u detyrua të punonte në Stravaj ku bënte vetëm punë krahu. Në dhjetorin e vitit 1968 e thirrën për të bërë shërbimin ushtarak dhe e dërguan në Tale të Lezhës në brigadë punë. Atje ishte njohur me një prift i cili e ndihmoi të studionte gjuhët e huaja dhe i dha një mori librash. Në maj të vitit 1968 Blloshmët u pranuan të futeshin në kooperativë. Vilsoni pasi mbaroi shërbimin ushtarak në 1970 punoi në kooperativë, punë që ishin nga më të rëndomtat: kafshar, roje, bari lopësh. Periudhës së dimrit kur bënte roje në malin e Turjes në mes të dëborës, miqtë e tij ishin libri, ariu dhe ujqërit.

Në vitin 1975 e hoqën nga miniera e Prrenjasit ku punonte në thellësinë 1500 metër dhe e kthyen sërisht në kooperativë. Në nëntor të këtij viti u martua. Në shtator të vitit 1976 i lindi vajza, Enerieta. Me 5 gusht të vitit 1976 Vislonin e arrestuan në Librazhd dhe e nisin menjëherë për në Tiranë. Kur e sjellin në Librazhd, dorën e majtë e kishte të paralizuar nga torturat me pranga. Më 6 qershor të vitit 1977 na nxorën në gjyqin formal pasi vendimi qe marrë me kohë nga Komiteti i Partisë. Pretenca u dha: dënim me vdekje, (pushkatim).

Vendimi i gjykatës së 13 qershorit 1977 nuk ndryshoi as në seancën e Gjykatës se Lartë as dhe në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Kështu më 17 korrik 1977 u zbatua urdhri i Ministrit të Punëve të Bredshme i cili urdhëronte ekzekutimin e Vilson Blloshmi në orën 00:00. Gjatë vitetve 1966-1977 Vilsoni krijoi në shtëpi në bibliotekë të pasur me autorë të huaj, kryesisht francezë. Studionte ditë e natë pa e hequr nga samari i mushkës, si librin dhe fletoren e tij të përkthimeve.

Autorët e tij të preferuar ishin Viktor Hygo, Lukreci, Shatobriandi, Lamartin, Edgar Allan Poe, Theofil Gutier, Rasin, Bodler, Vërlen, Malarme, Pol Klodel, Artur Rembo, Gyjom Apoliner, Pol Eluard, veprat e të cilëve i përkthente nën dritën e kandilit e nën flakën e zjarrit në mes të borës kur bënte rojë në pyllin e Turjes, kur punonte në sektorët e Holtës, Blacës, Lirasit dhe Breg Plepit. Për të udhëtuar drejt Tiranës pasi linte punën nga miniera e Prenjasit merrte trenin e mbrëmjes duke udhëtuar kështu gjithë natën dhe po natën kthehej në shtëpi i ngarkuar me libra. Asnjeri nuk e dinte nëse kishte ndonjë mik apo shok në Tiranë, Elbasan e Korçë të cilët e ndihmonin të gjente libra. Një ndihmë në pajisjen me libra ia ka dhënë kushërira e tij Lume Blloshmi, piktore. Nëse nuk do të ishte ekzekutar nga diktatura komuniste, Vilson Blloshmi do të ishte 73 vjeç.

Please follow and like us: