Albspirit

Media/News/Publishing

Sokol Beqiraj: Regjimi shtypës antipopullor i Teheranit vazhdon shkeljen e të drejtave të njeriut në Iran

Eurodeputetët në Parlamentin Europian kanë ngritur me të madhe çështjen e shtimit të brutalitetit të regjimit iranian kundër popullit të vet, sidomos pas vrasjes së njerëzve të pafajshëm në demostratat e fundit në qytetet kryesore të Iranit.
Kryengritjet që zhvillohen herë pas here në Iran janë një tregues i qartë se regjimi i mullahëve nuk ka mbështetje në popull dhe i mungon legjitimiteti.
Këto kryengritje do të vazhdojnë sepse regjimi i mullahëve nuk ka zgjidhje për të ofruar kur ka kriza politike dhe ekonomike. Populli iranian zhvilloi protesta kundër diktaturës fetare dhe rrënimit ekonomik që u pasqyrua me ngritjen e çmimit të artikujve kryesor jetikë në vend.
Reagimi i Iranit ishte brutal dhe i pamëshirshëm që degjeneroi në vrasje burgosje dhe tortura mesjetare si ato të regjimit hitlerian.
Regjimi i mullahëve me anë të vrasjeve dhe shtypjes kërkon të ruaj pushtetin e vet, por kryengritjet në Iran do të vazhdojnë të përshkallëzohen deri sa të vendoset liria dhe demokracia e vërtetë.
Të mos harrojmë për asnjë moment se udhëheqësit e shtetit në Iran janë autorët e masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në vitin 1988.
Sigurisht Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të deklarojë kriminelët që shtypën me dhunë kryengritjet e pak kohëve më parë në Iran me qëllim që ata të përballen me drejtësinë.
Gjithashtu komuniteti botëror duhet të dënojë me forcë terrorizmin e internetit që ky regjim po ushtron kundër popullit të vet. Mullahët e kanë zakon që e mbyllin internetin në situata kritike.
Është koha kur bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të njohin luftën e popullit iranian për liri dhe krijimin e një qeverie të republikës demokratike.
Kohë më parë një agjent i Ministrisë së Inteligjencës së regjimit Iranian në Shqipëri, Hadi Sanikhani, i ktheu shpinën regjimit diktatorial në Iran. Në një letër të hapur Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ministrit të Brendshëm Shqiptar dhe Shefit të Policisë Shqiptare, ai zbuloi detaje tronditëse të veprimtarive satanike dhe terroriste të ambasadës së regjimit iranian kundër opozitës së saj demokratike në Shqipëri, Moxhahedin Khalq. Sipas tij regjimi i mullahëve po provon shansin e tij në Shqipëri përmes disa agjenteve të tij, të cilët veprojnë nën petkun e gazetarit dhe hiqen si analistë duke u përpjekur të demonizojnë Rezistencën Iraniane në favor të regjimit diktatorial të Iranit.
Një shembull tjetër i aktiviteteve terroriste të regjimit iranian në tokën evropiane: më 4 shkurt 2021, një gjykatë në Antwerp, Belgjikë, dënoi një diplomat iranian me emrin Assadollah Asadi me 20 vjet burg për pjesëmarrje aktive në një sulm terrorist kundër një tubimi të madh të Rezistencës Iraniane në Paris. Gjithashtu gjykata dënoi edhe tre bashkëpunëtorët e tij nga 15 deri në 20 vjet burg për përpjekjen që ata bënë për të vendosur bomba në tubimin e MEK në Paris. Një nga bashkëpunëtorët e regjimit iranian në vendosjen e bombave, i quajtur Amir Saadouni, zbuloi rolin e Assadollah Asadit, diplomatin e regjimit iranian në planifikimin dhe dorëzimin e bombës. Gjykata belge u hoqi statusin e tyre si refugjatë.
Në pamundësi për të dëmtuar opozitën përmes terrorizmit, regjimi ka zgjeruar operacionet e tij të ndikimit kundër organizatës kryesore NCRI të Mujahedin-e Khalq (MEK), të cilën Teherani e konsideron si armikun e tij.
Më 9 mars 2021, çështja e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Iran u diskutua në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Dr. Ilir Nezaj nga Ambasada Shqiptare në Gjenevë që përfaqëson Shqipërinë, shprehu shqetësimin e tij kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut në Iran. Ai gjithashtu bëri vërejtje në përgjigje të pretendimeve të regjimit iranian se Shqipëria po pret terroristë. Të njëjtat akuza kundër Shqipërisë shprehen edhe agjentët e regjimit iranian në Shqipëri.
Më në fund, për t’iu përgjigjur Iranit se pse Shqipëria po strehon anëtarët e Organizatës Popullore Iraniane Moxhahedin, PMOI, Tirana zyrtare u përgjigj: Pozicionet e qeverisë shqiptare janë të një vendi sovran, të cilat synojnë të mbrojnë të drejtat e njerëzve kudo kur ato shkelen. Shqipëria nuk strehon asnjë terrorist, por është pjesë e një koalicioni të madh ndërkombëtar që lufton grupet terroriste kudo që ato shfaqen dhe veprojnë. Shqipëria ka pranuar PMOI në përputhje të plotë me ligjin shqiptar dhe të drejtën ndërkombëtare, mbi baza humanitare dhe kjo nuk duhet të interpretohet si një veprim që kërcënon duke shenjestruar një vend specifik, përfshirë Iranin.
Raportuesi special i Kombeve të Bashkuara, Javaid Rehman u tha anëtarëve të Këshillit të të Drejtave të Njeriut se Irani ka ushtruar një shtypje brutale të lirisë politike dhe fetare që nga protestat në 2019 dhe u kërkoi vendeve anëtare që ta quajnë Teheranin përgjegjës. Rehman tha se Irani vrau të paktën 304 iranianë gjatë demonstratave të vitit 2019, të cilët protestuan kundër regjimit të vijës së ashpër. Sidoqoftë, media ndërkombëtare duke cituar zyrtarë iranianë raportoi se 1500 njerëz të pafajshëm u vranë gjatë demonstratave.
Irani pretendon të jetë një republikë islamike, por siç e bëri të qartë edhe rezoluta e Kombeve të Bashkuara, ai është gjithashtu një nga regjimet më brutale të botës.
Unë jam krenar që populli shqiptar ka mirëpritur dhe strehuar anëtarët e Rezistencës Iraniane, por edhe për mbështetjen pa rezerva që po u jep atyre në qëllimin fisnik që ata kanë për realizimin e aspiratave të tyre për një Iran të lirë dhe demokratik.
Një Iran i lirë dhe demokratik është garanci për paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe në botë.
Please follow and like us: