Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Baladë për Çerçiz Topullin!

 

Sot 113 vjet nga lufta e Mashkullorës

 

Derë lirie Topullarajt,

Derë me kanata të rënda,

Hapen, mbyllen dalë-ngadalë,

Gjithë lavdinë s’e nxënë dot brenda.

 

Në odanë e saj të madhe,

Zgjohen kujtimet në vite,

Kjo shtëpi si një legjendë,

Mes shtëpish gjirokastrite.

 

Çeçua supit maliherin,

Bajua penën s’e lëshoi,

Njeri plumba mbi dushmanin.

Tjetri shqipen pagëzoi.

 

Derë e rëndë e Topullaraj,

Derë e madhe e vatanit,

I mungon frymë e anesë,

Edhe zëri i kapedanit.

 

Se kapedani ka zbritur,

Mbi një bust atje në shesh,

Si një shkëmb që ndal stuhitë,

Si një mal nëpër rrebesh.

 

Me vështrim nga Mashkullora,

Prap në këmbë për mëmëdhenë,

Kapedanët kurrë nuk shtrihen,

Kapedanët kurrë nuk flenë.

 

Ç’mendon vallë ashtu në heshtje,

(Pa atdheun nuk vlen jeta,)

Era zbret nga Mali i Gjerë,

Sikur sjell lajme nga çeta.

 

Ku është Bajram Ligu vallë?

Hito Labi nga Lekdushi?

Mihali shkruan e s’lodhet

Shkronja shqip me copa prushi.

 

Dhe ashtu në busti i derdhur,

Hedh vështrimin malesh tutje,

Vetëtimat shkojnë e ikin,

Tremben t’i ulen mbi supe.

 

Me vështrim nga Mashkullora,

Sikur do flasi me gojë,

“Çdo dushman që prek atdheun,

Do ta bëj të kuq me bojë”!

 

Rri në monument i heshtur,

Dora sërish në gjerdan,

Para tij në gjunjë gjithmonë,

Çdo bimbash e çdo sulltan.

 

Derë lirie Topullarajt,

E tille ishte, e tillë mbeti,

Ndaj lavdinë e kësaj dere

S’e nxen dot i gjithë qyteti./albspirit.com

Please follow and like us: