Albspirit

Media/News/Publishing

Kujtesë qeveritarëve, të vjetër dhe të rinj, për Rrugën e Arbërit në 8-vjetorin e peticionit

 

http://illyriapress.com/kujtese-qeveritareve-te-vjeter-the-te-rinj-per-rrugen-e-arberit-ne-8-vjetorin-e-peticionit/

Nga Grupi i Lobimit

Sot, tetë vite më parë, filloi peticioni online për Rrugën e Arbërit.

 Prej atëherë deri më sot, pavarësisht dëshirës për më të mirën për rrugën dhe interesin e qytetarëve, një bashkëpunim mes qeverisë, opozitës dhe qytetarëve nuk ka ndodhur.

 Kur e nisëm këtë peticion, nuk e kishim menduar se kjo do të zgjaste 8 vite. Sepse premtimet e drejtuesit të opozitës në atë kohë dhe drejtuesit të qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2013 ishte se “rruga do të mbaronte brenda mandatit të parë qeverisës”. Ajo nuk mbaroi as të parin, por nuk po mbaron as të dytin.

 Një mungesë transparence mbi këtë investim ka munguar gjithmonë, qoftë kur u miratua ligji special që ia jepte rrugën me koncension një kompanie kineze, qoftë faktit të anulimit të kësaj kontrate ose edhe kontratës së dytë me kompaninë shqiptare.

 Si qeverisë, ashtu edhe opozitës, u ka munguar vullneti për të bërë transparente çdo hap në këtë proces: investimi, projektimi dhe standardet e ndërtimit, sepse mesa duket atyre u ka interesuar më shumë fushata elektorale me këtë temë, sesa vetë rruga.

 Shqipëria është në vitin e dytë të një situate pandemike dhe opozita vitin e kaluar nisi një fushatë për ndërprerjen e financimit në këtë investim, ashtu si edhe në shumë investime koncensionare të kundërshtuara prej tyre. Por nuk pati asnjë proces se si kjo rrugë e premtuar edhe prej tyre do të ndërtohej apo financohej.

 Ndërsa qeveria nga ana e saj është mjaftuar me fushatën se nga një vepër 3D do ta kthejë në realitet. Ajo është krenuar vazhdimisht e periodikisht me ndërtimin e veprave të artit, urat dhe disa tunele në aksin e rrugës, por asnjëherë nuk është treguar e gatshme të tregojë dhe shpjegojë se pse kanë ndodhur shembjet në Tunelin e Murrizit, më i rëndësishmi i këtij aksi. Cilat kanë qenë kostot që mund të shtohen dhe si e sa do të rëndojë ajo në buxhetin e shtetit?

 Qeveria dhe kompania premtuan në qershor të vitit 2018 se këtë pranverë rruga do të ishte e hapur për qarkullim. Në këtë fushatë elektorale opozita dhe qeveria janë përfshirë në një debat për cilësinë dhe standardet. Dhe, mesa duket, as këtë pranverë rruga nuk do të bëhet e mundur për kalimin e makinave. Dhe kjo ndodh sepse mungon transparenca në ecurinë e punimeve, për të mos thënë se politika e mban peng atë.

 Megjithatë, pavarësisht asaj se çka ndodhur në këto 8 vjet, ne e kemi vlerësuar ecurinë e punimeve, pavarësisht ngadalësisë së tyre. Një vëzhgim i njerëzve tanë në terren konfirmon se traseja e rrugës është e hapur në gjithë gjatësinë e saj, por për ta vënë në funksionim këtë vepër sipas standardeve, duhet akoma punë dhe kohë. Te tuneli i Murrizit akoma po punohet dhe mbarimi i tij do më shumë se 1 vit kohë të mbarojë, ndërsa by-passi në Qafë Murrizë nuk plotëson asnjë kriter për një rrugë nacionale.

 Kështu, edhe në qoftë se ajo hapet për efekte elektorale, drejtuesit e mjeteve duhet të jenë shumë të kujdesshëm në qarkullim, ndërsa është e paqartë se kush do të paguajë për aksidentet e mundshme.

 Me këtë standard të punimeve vihet në dyshim eficenca e saj për lidhjen e nevojshme me Shkupin. Një pjesë e rrugës është në standarde lokale dhe nuk plotëson parametrat e një rrugë ndërnacionale.

 Gjatë 8 viteve të peticionit, Kryeministri Edi Rama nuk mundësoi asnjë hapësirë bashkëpunimi me Grupin e Lobimit. Rruga, sipas projektit që po zbatohet, ka ndryshime me projektin e para viti 2013. Ne mendojmë se, nëse qeveria do të kishte dëgjuar sugjerimet tona, në projektin aktual do të kishte më shumë përmirësime.

 Tani që fushata elektorale sapo ka filluar, kjo temë do të vazhdojë të jetë thelbësore për partitë politike.

 Një çështje që akoma ka mbetur pa përgjigje është nëse rruga do të jetë ose jo me pagesë. Ndaj i ftojmë qytetarët që në takimet elektorale t’i pyesin kandidatët në lidhje me këtë çështje. Sipas nesh, një rrugë interurbane me standardet e ndërtimit të deritanishëm, nuk ka arsye pse të jetë me pagesë.

Peticioni mund të nënshkruhet këtu:

https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

Please follow and like us: