Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: Spiro JOVANI – I FRYMËZUARI MISIONAR I DIJES, I PËRKUSHTUARI NË ARSIMIMIN DHE EDUKIMIN E GJENERATAVE

 

Portret i paautorizuar kushtuar Intelektualit Misionar, profesorit të virtytshëm, edukatorit dhe drejtuesit brilant, Mësuesit të Merituar, Spiro Jovani.

 

Në vend të prologut…

«Arkitekti e di që nëse ndërton siç duhet, ndërtesa e tij do të qëndrojë dhe rezistoj ndër shekuj. Mësuesi e di fare mirë se nëse edukon dhe përçon me dashuri dhe sinqeritet,ajo  krijesë do të ekzistojë përgjithmonë».

Mësuesi dhe roli i tij në zhvillimet social-shoqërore,  kurrsesi nuk  mund të  shihet si nëpunës dhe rrogtar, por si një misionar krijues dhe përçues i dijeve dhe kulturës. Misioni i tij, si iniciues dhe hartues idesh,si gur themeltar i lirisë ngadhnjimtare, kurrësesi nuk mund të pajtohet me rolin e papërshtatshëm konjuktural të konsumatorit të ideologjive shterpë. Roli thelbësor i mësuesit si edukator,si «ngjizës» e «mëtues» të dijes, virtyteve, dinjitetit njerëzor, natyrisht që kapërcen shpesh herë edhe kufijtë e kohës.

Misionari mësues, është pikërisht ai që i përkushtohet edukimit, duke ndikuar, orientuar dhe udhëzuar, por që dallon e spikat për mënyrën dhe formën me të cilën ai e realizon. Si një figurë e shenjtë, mësuesi i pasionuar është ai që nuk u imponon nxënësve mendimin e tij, por përpiqet me mënyra të ndryshme interesante dhe intriguese, që nxënësit të kuptojnë dhe binden, se të mësuarit është për të mirën e tyre dhe jo për të mirën e mësuesit.

Misioni i mësimdhënies, natyrisht që përpos të tjerash është një dhunti, një talent që pakkush e ka të lindur dhe  është i destinuar për të. Sepse përmbushja me sukses e një konceptimi themeltar dhe qasjeje të tillë, konsiston si domosdoshmëri imperative, orientimin e frymëzuar, aftësitë komunikuese, shpjeguese, aspektet e kontrollit dhe kujdesit për vlerësimin e njohurive, ashtu sikundër edhe ravijëzimin e një bashkëpunimi perfekt të raporteve mësues-nxënës.

Mësuesi karizmatik me një mendjemprehtësi, luajalitet dhe aftësi komunikimi, zotëron dashuri dhe përkushtim absolut, një metodologji dhe i prirur në hulumtime e kërkime të vazhdueshme dhe të pafundme, në planifikim, rishikim,vlerësim  dhe eksperimentime sistematike.

Vlerësuar në një kontekst më të gjerë, mësuesi pasionant, lipset me shumë dashuri, sakrifica, këmbëngulje dhe talent, për t’u lidhur ngushtë me  nxënësat e tij, duke krijuar me frymëzim, me motivim një raport partneriteti, një dashuri krejt të papërsëritshme. Dhe harmonikisht, duke synuar efektin e ndriçimit dhe formimit të intelektit njerëzor, të shpirtit, sjelljes dhe personalitetit të nxënësve të tij, me mjeshtëri pedagogjike. Duke nxitur kësisoj impaktet e modelit dhe shëmbullit, duke ndikuar që nxënësit, të ndjekin hapat e tij të dobishme në vijimësinë e jetës aktive.

Në çdo hap të tij, mësuesi e sheh veten si një student të përjetshëm, duke përçuar por njëherazi edhe duke u thelluar në të rejat aktuale të shkencës dhe dijes, për të transmetuar aktualitetin dhe saktësinë shkencore, në aradhat e gjithë atyre, që ai me përkushtim edukon, me një mënyrë të hapur dhe krejt të paanshme.

Vlora dhe qytetarët vlonjatë të dekadave të viteve 60-të e në vijimësi, realisht duhet thënë se ishin me fat, që u përballën me individë të thjeshtë, por  edhe udhërrëfyes të jashtëzakonshëm. Figura me vlera të spikatura në fushën e dijes dhe arsimit, Ndërmjet tyre veçojmë në këto aradha, mikun e shtrenjtë me mirësi të pafund, me një dashuri hyjnore për njeriun e thjeshtë,edukatorin me tone të ulëta, Spiro Jovani.

Aspekteve jetike dhe universale të arsimimit, u shërbeu me pasion e devotshmëri, prezenca, jeta aktive, këndvështrimi novator dhe kontributdhënia virtuoze e Misionarit  bashkëkohor të Dritës, Spiro Jovani. Kurrsesi pa hezituar mund të pohojmë se modeli arsimor emblemë, që personifikohet nga ana e zellit misionar dhe konceptimit  autentik të Spiro Jovanit, dëshmon dhe rrezaton padyshim, një periudhë krejt të veçantë, unike dhe shembullore në aspektet e analeve të historisë së ndritur në fushën e edukimit arsimor vlonjat por edhe atij kombëtar.

Horizontet e mëdha shpirtërore dhe guximi krijues, luajnë një rol krejt të spikatur tek personaliteti dhe figura e misionarit Spiro Jovani. Sepse ai shquhet si një promotor dhe orientues shpresëdhënës, tek i cili mishërohet tradita e hershme liridashëse dhe dijedashëse e vendlindjes së tij, prej lashtësisë e deri në epokat e sotme moderne. Modeli i të cilit lartësohet si një edukator i shumanshëm dhe drejtues perfekt e ideal, që më tepër frymëzonte se sa urdhëronte. Me elegancën, me fisnikërinë, me modestinë, duke iu shmangur publicitetit krejt të pavend, Spiro Jovani me skrupulozitetin dhe fisnikërinë e tij të pazakontë, u shqua si një predikues impresionues i iniciativës dhe krijimit, si një ushtar paqësor, pa veshur uniformën e lirisë, si një historian dhe studiues tepër modest dhe i denjë.

Brilanti i përkorë, Spiro Jovani, një personalitet interesant mbresëlënës, human dhe tepër i njohur për më tepër se4 dekada në fushën e arsimit  vlonjat, me kontribute të spikatura në Misionin Hyjnor  të dijes. I përket plejadës së nderuar të figurave më të ndritura  të edukatorëve, mësuesve dhe  drejtuesve, që me thesarin potencial të dijeve të tyre, përmes aftësive shkencore dhe metodike, me mendjemprehtësinë, këmbënguljen, sakrifica e përkushtim madhor, kontribuoi denjësisht në përgatitjen e aradhave të panumërta të qytetarëve dhe intelektualëve vlonjatë.

Rrugëtimi jetësor dhe profesional…

 

Spiro Jovani erdhi në jetë në një ditë pranverore Marsi teksa kalendari shënonte 17 Mars të vitit 1931. Ishte gëzimi i mirëpritur i birit të dytë në familjen e thjeshtë fshatare kudhësiote, por me tradita të hershme, të  atit të tij, Sokrat Jovanit. Vitet e brishta të fëmijërisë, Spiroja i kalon pranë vatrës familjare, në bukuritë malore të peisazheve krejt të veçanta të vendlindjes së tij, përkundruall harmonizmit alternativ të natyrshëm të imazheve të kaltërsisë së bregdetit Jonian me shkëmbinjtë e thepisur malorë të terrenit të Kudhësit. Kohëra tejet të vështira me varfëri dhe pamundësi alternativash, për një vend me shtrirje të kufizuar e thuajse shkëmbore të fshatit të tij. Ndonëse përballjes me vështirësi të parrëfyera, vogëlushi Spiro Jovani, «i mëkuar» me edukatën familjare e duke ndjekur hapat e kulturës së trashëguar prej të parëve të tij, starton dhe vijon shkollën unike në vendlindjen e tij. Kapërcen dhe anashkalon konjukturat e pafavorshme kohore, duke u dëshmuar më i fortë dhe spikatur për zgjuarsinë dhe prirjet e tij dijedashëse,dhe realisht e përfundon shkollën me rezultate të larta.

Çlirimi i vendit, përkon me kërkesën dhe ambiciet djaloshare të Spiro Jovanit, për t’u ngjitur në labirintet dhe rrugët e vështira të progresit dhe dijes. Kësisoj, falë rezultateve të larta, i akordohet bursa për të vijuar mësimet pranë shkollës 7–vjeçare në Aneks Pedagogjiken në Tiranë. Edhe në këtë mjedis kryeqytetas, ai dëshmon seriozitetin dhe këmbënguljen e tij,prirjet e larmishme, duke e përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Mandej vijon të ndjekë sistematikisht mësimet pranë Shkollës së Mesme Pedagogjike «17 Nëntori» në Tiranë, të cilën e  përfundon me sukses dhe rezultate tepër të larta, në vitin akademik 1952-1953.

I vlerësuar për arritjen e rezultateve të larta, i akordohet e drejta e studimit për të vijuar studimet universitare, në Universitetin Shtetëror të Sofies në Bullgari, në Fakultetin e Historisë. I impenjuar dhe përkushtuar rishtaz, ndonëse kushteve të vështira, falë angazhimit të tij dinamik, ia doli mbanë duke afirmuar individualitetin dhe potencialin e tij,  duke u shquar dhe arritur rezultate të larta dhe mandej diplomohet shkëlqyeshëm në vitin 1958.

Kthehet në atdhe dhe me startin e vitit akademik, emërohet dhe starton karrierën tanimë si mësues i Historisë, në Shkollën Pedagogjike «Jani Minga» në qytetin e Vlorës.

Spikat qysh në hapat e para të karrierës së tij, e për rrjedhojë, me startin e vitit akademik 1959-60-të, emërohet si Drejtor në shkollën 11-vjeçare «4 Dëshmorët». Μe karakterin dhe virtytet që e karakterizonin, me formimin shkencor dhe thjeshtësinë e përkryer, Spiro Jovani hyri menjëherë në botën dhe shpirtin e të rinjve dhe të rejave, që aspironin të shquheshin në formimin e tyre të mëtejshëm,ashtu sikundër edhe të kolegëve të tij mësues.

Mandej vihet në krye të drejtimit të shkollës mesme «Halim Xhelo» në qytetin e Vlorës, një sprovë e suksesshme për të nxjerrë në pah aftësitë krejt të veçanta e të mirëfillta, por njëherazi edhe kulturën dhe njohuritë e tij të thella në shkencat historike. Larg bujës dhe reklamave, kokëulur dhe i përkushtuar, Spiro Jovani ravijëzon portretin e një mësuesi të ndjeshëm, të orientuar me kërkesat e kohës, të aftë dhe me vizione të qarta teorike e praktike, duke krijuar indiciet e reja aq të domosdoshme, në krijimin e gjithë premisave të duhura për të përmbushur kërkesat dhe cilësinë e një pune edukative dhe mësimore me nivel të lartë.

Si një emisar i ndritur, si një individualitet i spikatur, simbiozë e së resë, e dijes dhe progresit jetik të vendit, në vitin 1962, Spiro Jovani vlerësohet duke u ngjitur në drejtimin e Arsimit dhe Kulturës së rrethit të Vlorës. Përgjegjësi e jashtëzakonshme, sfida madhore për një emisar bashkëkohor me karakter të fortë, me tolerancë dhe dashuri a e me korrektësi, me aftësi të jashtëzakonshme në aspektin e komunikimit, nuk u zbraps dhe as u tundua asnjëherë përpara barrierave dhe vështirësive të panumërta të kohës.

Si një shembull i ndritshëm, me entuziazmin dhe optimizmin për të transmetuar njohuritë dhe energjitë më pozitive që e karakterizonin, edhe në këtë mision të vështirë, Spiro Jovani spikati me shembullin e shkëlqyeshëm. Me seriozitetin dhe përgjegjësinë që e karakterizonte,në përmbushjen me sukses të imperativave misionare, që lidheshin  me përkujdesin dhe përmirësimin e aspekteve arsimore, si në atë të drejtimit funksional po ashtu edhe në fokusin e nivelit dhe cilësisë mësimore.

Spiro Jovani dëshmonte një shpirt të pasionuar, e të palodhur, plotësisht i përkushtuar në luftën për rivendosjen, zgjerimin si edhe modernizimin e sistemit arsimor, në mbarëvajtjen dhe aspektet e edukimit të nxënësve, në krijimin e kushteve jetike e të favorshme me godina shkollore. I papërtuar dhe kudondodhur, duke lënë gjurmë të suksesshme të angazhimit të tij, jo vetëm në brendësi të qytetit të Vlorës,por edhe gjetkë,si në Vranisht, Novoselë, Brataj, Selenicë, Himarë, Dukat etj.

Prej vitit 1965, Spiro Jovani emërohet si Drejtor i shkollës së Mesme të përgjthshme «Ali Demi» të qytetit të Vlorës. Duke ndjekur maratonën e jetës, për 25 vite rradhazi, me aftësitë dhe autoritetin e padiskutueshëm, me ndershmërinë dhe drejtësinë që e karakterizonte, me mund dhe sakrifica, duke u mbështetur në punën kolegjiale, Spiro Jovani shndërrohet në një Drejtues Emblemë.

Spiro Jovani mori stafetën e drejtimit të këtij Tempulli të dijes vlonjate, siç konsiderohej gjimnazi «Ali Demi» në atë periudhë kohore, prej emrave dinjitozë të paraardhësve të tij, të cilët kishin lënë padyshim gjurmët e tyre të pashlysheme, në forcimin dhe konsolidimin e bazave mësimore të kësaj shkolle. Respektivisht prej Koço Papaprokos, Harilla Kuçulit, Ligor Priftit, Dhimitër Pandës, Remzi Tivarit, Kudret Velçës, Nos Qosjes, Pëllumb Çelit, Rakip Korkutit, Janaq Sykos. I karakterizuar prej ambicieve, pasionit, korrektesës, vullnetit e performancës, ai vlerësohet për energjinë dhe pasionin e zjarrtë, në mësimdhënie. E njëherazi përpos frymëzimit, me metoda bashkëkohore dhe shtysa, orientonte punën krijuese ashtu sikundër motivonte rrënjosjen tek masa e nxënësve, të dashurisë për dijen dhe idealet e larta shpirtërore qytetare. Duke spikatur e dëshmuar aftësitë e një drejtuesi fjalëpak, efektiv dhe tepër energjik, Spiro Jovani jo vetëm hodhi por njëherazi edhe konsolidoi bazat e një kulture drejtimi origjinale e krejt ndryshe. Duke synuar natyrisht mbështetjen në traditën e krijuar, në një mësimdhënie me nivel të lartë shkencor, për forcimin cilësor të aspekteve formuese dhe edukative, si edhe në efektivitetin dhe harmonizimin e raporteve reciproke bashkëvepruese mësues–nxënës.

Ndër vite, duke u mbështetur tek meritokracia, Spiro Jovani synoi si sfidë dhe krijoi një staf pedagogjik shëmbullor dhe model, si parakusht për arritjen e rezultateve cilësore dhe nivelit të lartë, duke pasur rreth vetes, kolegë të ndritur e të përkushtuar, si Ilia Guma, Milo Duni, Eqerem Kushta, Kristaq Suli, Nestor Nepravishta, Tefta Arapi, Milto Shuka, Sotir Kamberi, Ibrahim Zejno,Piro Stefa, Dhimitër Nina, Ali Bala, Veledin Abazi, Aleksandër Babe, Fejzie Sota (Haxhiu), Erazmie Panozaqi, Xhelo Brati, Pandeli Pano, Masar Sinoimeri, Spiro Caushi, Engjëll Saliu, Shyqyri Zeneli, Pajtim Sinani, Maro Pasho, Baki Tushe, Abedin Elmazi, Katina Mëhilli, Mariza Avdullaj, Flutura Pipa, Zhaneta Dodi, Dashuri Ganaj, Afërdita Roshi, Elvira Xhori, Donika Koçi, Enver Hanxhari, Rezar Çorati, Artan Nelaj, Guri Xhuveli, Lefi Kondi, Shyqyri Zeneli, Halo Hyseni, Barjam Hajrullai, Pirro Sava, Serenela Kauri, Pavli Lafe, Veledin Muharremi, Jani Dhjako, Aleko Loli, Miranda Alimerko, Hava Rustemi, Donika Qerimi, Afërdita Aliraj, Marjana Papavangjeli, Marika Jaupi, Mimoza Shaqiri, Dhimitër Sava, Spiro Billa, Gëzim Halili, Lenka Jakupi, Viktor Xhaxho, Agron Begotare, Elvira Beleri, Pranvera Dauti, Kozma Leka, Mimoza Puçi, Athina Sota, Luljeta Çano, Riga Xhaneli, Shyqyri Haxhiraj, Besim Sinanaliaj, Ali Belshi, Saimir Halili, Harallamb Babe, Feredun Bejlosala, Janko Marko,Kastriot Malaj etj.

Duke e ngritur këtë institucion arsimor në një komunitet të fuqishëm të edukimit dhe të nxënit, ndër elitarët në shkallë vendi. Kësisoj, duke dëshmuar njëherazi se performanca, aftësitë, përkushtimi dhe vizionet, lipset t’u shërbejnë ëndrrave dhe nevojave reale të shoqërisë. Jo rastësisht ky gjimnaz renditej ndër 5 më të përzgjedhurit dhe cilësorët e gjithë vendit.

Sepse dimensionet shpirtërore që lidheshin kryekëput me nivelin e mësimdhënies, kurrsesi nuk mund të mjaftohej duke operuar me praktikat e transmetimit mekanik të njohurive dhe dijeve shkencore. Por gjithsesi, duke nxitur dhe kultivuar premisat në rritje të interesave të nxënësve, që ndikonin drejtpërdrejtë në përvetësimin dhe perfeksionimin me nivel të lëndës mësimore.

Tek fizionomia dhe qënia e përkorë Spiro Jovani, nocioni «mësues» dhe «edukator», pa e tepruar mund të pohojmë, se gjeti kuptimin e saj  sinjifikativ, me qasje të thellë pedagogjiko-metodike, duke ndikuar fuqimisht padyshim edhe në çeljen e  horizonteve të reja në fushën e arsimit mbarëkombëtar.

Sepse ai ndihej fatlumtur që historia e ngarkoi të angazhohej dhe kontribuonte me gjithë forcat dhe potencialin e tij shpirtëror, me një mënyrë profesionale dhe perfekte, në aspektin didaktiko-daskalik, me thesarin më të vyer për një shoqëri njerëzore, brezin e ri dhe gjeneratat e ardhmërisë.

Në këtë kontekst, duhet theksuar edhe fakti, se fati realisht i buzëqeshi intelektualit Spiro Jovani, duke bashkërrugëtuar pranë një bashkëshorteje të rrallë e dinjitoze, mësueses Dhimitra Sava. Një grua me cilësi të vyera duke qëndruar gjithmonë pranë tij me një përkushtim emocional dhe dashuri krejt të veçantë. Ai ishte prindi shembullor dhe model për bijtë e tij, Diana dhe Neritan, një baba krenar për arritjet e tyre në jetën e përditshme dhe rrugëtimin e tyre të suksesshëm profesional.

Spiro Jovani, njeriu bujar, përmes sintezës së pazakontë të mëndjemprehtësisë, ofroi një karrierë të lavdishme, duke u fiksuar dhe mbetur një edukator dhe mësues me performancë të jashtëzakonshme, si një emisar tepër i denjë për kauzën e arsimit publik. Si një edukator dhe mësues i devotshëm, studioz, kurajoz dhe fjalëpak e njëherazi aradhat e të shkruarit të tij, ishte dukshme më e paktë sesa ai mundi dhe detyrohej,

Me entuziazmin e përhershëm që e shoqëronte në  çdo hap të jetës së tij, veprimtaria e Spiro Jovanit, përmbledh një  hapësirë të gjerë, komplekse dhe shumëdimensionale. Falë angazhimeve si edhe veprimtarisë sistematike cilësisht mbresëlënëse, ai shpërfaq një spektër të gjerë tematikash edhe në fushën e botimeve. Si në aspektin konceptual por edhe si autor apo bashkëautor, në hartimin e teksteve shkollore të Historisë së Botës, për gjimnazet, ashtu sikundër edhe të teksteve të Historisë, për  klasat e 7-të dhe të 8-të të shkollave 8-vjeçare si bashkëautor me kolegun historian, Myzafer Bejleri. Këto tekste mësimore dëshmojnë qartë vizionet e një studiuesi metodik të Historisë, duke ravijëzuar përvojën e vyer të hulumtimeve, kërkimeve apo vëzhgimeve sistematike shumëvjeçare në këtë fushë specifike. Si një personalitet arsimor, kulturor dhe shoqëror, pena e tij krijuese ofron trajtime origjinale shkencore, të cilat shquhen për pasurimin me informacion të bollshëm bashkëkohor, si qasje me vlera në formimin dhe botëkuptimin e armatës së nxënësve të këtyre profileve respektive.

Krahas kontributit të tij të çmuar në promovimin e librit historik, përpos të tjerash ndihmesa e tij shtrihet edhe në aktualitetin e një sërë artikujve në shtypin e përditshëm, apo kumtesave dhe referateve me tema specifike historike, në konferenca shkencore, duke na lënë një trashëgimi të spikatur shumëvlerëshe, që vlen të admirohet dhe nderohet.

Për  gjithë vlerat, backgraundin si edhe kontributet e pazëvendësueshme që gjatë rrugëtimit të tij jetësor Spiro Jovani ofroi me zemërgjërësi, është vlerësuar me çmime, tituj dhe medalje të ndryshme. Fillimisht është lauruar me Urdhërin «Naim Frashëri», ndërsa në vitin 1980-të me titullin e lartë «Mësues i merituar». Ndërsa Bashkia e qytetit të Vlorës e ka lauruar si «Qytetar Nderi».

Spiro Jovani u shua më 10.11.2009 në kryeqytetin austriak të Vjenës, ku ai jetonte prej shumë vitesh së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.

 

Në vend të epilogut…

 

Gjithsesi sfida e madhështisë portretizimit të një edukatori të shenjtë, të një misionari të dimensioneve të Spiro Jovanit, që në rrugëtimin e tij jetësor, rrezatoi pasion, ndershmëri, virtyte, karakter, krenari, dinjitet, profesionalizëm, kontributdhënie të paçmuar dhe përkushtim të papërsëritshëm në shërbim të kauzës së arsimimit dhe alternativave të afirmimit të dijeve.

Vlerat njerëzore dhe profesionale të Spiro Jovanit, që spikaste edhe për erudicionin e tij, dëshmonin për një dimension të  shumanëshëm vlerash  progresiste dhe humane, ashtu sikundër edhe vizionet elitare të arsimit shqiptar në lidhje me formimin e identitetit dhe nocioneve të qytetarisë.

Spiro Jovani i përket plejadës së shquar të misionarëve të devotshëm, të pas Luftës së Dytë Botërore. Që për më tepër se 4 dekada, sistematikisht dhe në mënyrë aktive misionari i përkushtuar, intelektuali shumëdimensional Spiro Jovani, me përvojën e vyer, me mençurinë, me mendimin gjithmonë të guximshëm, por edhe depërtues dhe thelbësor, me një stil brilant pedagogjik, anashkalonte skemat anakronike, duke kontribuar me seriozitet dhe përgjegjësi në shërbim të kauzës së dijes dhe arsimit.

Askush nuk mund të harroj fisnikërinë e Spiro Jovanit, karakterin brilant, mirësinë dhe modestinë, modelin, peshën e fjalës së tij sa të goditur po aq edhe të mprehtë. E ndonëse vitet kalojnë heshturazi, emri dhe personaliteti i tij, ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe është gdhendur me gërma të arta në memorien dhe historinë e zhvillimeve të arsimit jo vetëm në rrethin e Vlorës,por edhe në atë mbarëkombëtar.

Largpamësia, korrektesa e jashtëzakonshme e Spiro Jovanit, morali i lartë, gatishmëria e paçmuar për të ofruar, mëndjemprehtësia e tij e pakrahasueshme mendore, kultura e tij e thellë erudite, do të vijojë të dëshmojë një shembull të shkëlqyeshëm të një qytetari misionar, sa të devotshëm po aq edhe të përgjegjshëm, për brezat e sotëm ashtu sikundër edhe për gjeneratat e ardhshme.

Personaliteti karizmatik i të ndriturit Misionar Spiro Jovani, që sot do të kremtonte Përvjetorin Jubilar të 90-të Vjetorit të Ditëlindjes, ndonëse fizikisht na mungon,ai është i pranishëm si një Model dhe shëmbull i Përkryer i Vlerave misionare Hyjnore. Të një personaliteti brilant, një edukatori që me pasion, sakrifica dhe përkushtim çeli dritare dhe udhërrëfeu vizione mendimi dhe veprimi, duke u përjetësuar në edukimin e gjeneratave dhe të brezave vlonjate.

Mirënjohja, respekti dhe falenderimet janë të pakta e krejt të pamjaftueshme, për një edukator erudit dhe humanist, si Spiro Jovani. Që si askush tjetër, nderoi Betimin e Shenjtë të Mësuesit dhe Edukatorit, duke përhapur gjithandej themelet e diturisë dhe ndriçimit.

I tillë ishte dhe do të mbetet imazhi i fjalëmbëlit dhe buzagazit realist Spiro Jovani, një simbol legjendar i gjithë aspiratave progresiste, duke e konsideruar jetën, si investim në kërkim të dijes. Ai e mbylli ciklin e jetës me një ndjenjë plotësie, duke ndriçuar dhe gjallëruar jo vetëm të sotmen por edhe ardhmërinë tonë. Si një model i patejkalueshëm i moralit dhe një mësues i jetës, si një harmonizim i meritave, qëndrueshmërisë, dinjitetit, modestisë, krenarisë dhe vetëmohimit.

Gjithë ata që ofrojnë një edukim prioritar të nxënësve dhe gjeneratave, duhet të nderohen shumë më tepër se sa ata që i lindën, sepse prindërit u dhanë vetëm jetë, ndërsa edukatorët aftësitë dhe dituritë për të jetuar sa më mirë dhe me dinjitet – nënvizon filozofi i lashtësisë greke Aristoteli.

Athinë,17.03.2021./albspirit.com

 

Please follow and like us: