Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: NJË PAKT PARAZGJEDHOR PËR SHQIPËRINË

 

Acarimet elektorale mund të çojnë në konflikte të rrezikshme. Shqipërisë i duhen zgjedhje të ndershme që të pranohen nga të gjitha palët dhe fokusi duhet të jetë vigjilenca, që vota të numurohet  ashtu siç  “nënshkruan” elektorati.Partitë duhet të deklarohen qartë për pranimin e rezultatit të verifikuar të zgjedhjeve, duke  mos toleruar asnjë shkelje…

 

Pranvera e këtij viti do jetë e vështirë për Shqipërinë dhe shoqërinë  e atyshme. Ne që kemi ikur përpiqemi të kuptojmë se si do të flasë vota e lirë pas 3 dekadash shoqëri demokratike. Unë mbaj mend se fill sapo ra kontrolli i partisë-shtet më 1990, zgjedhjet më të mira ishin ato të vitit 1992, ku gara ishte garë dhe lufta ndaj të djeshmes mbështetej në argumente, logjikë dhe debate  të hapura, aq sa një popull i tërë ndjeu entiziazmin që sillte liria. Besoj se duhet të shikojmë pas dhe të mësojmë nga e kaluara. Edhe pse pa ndonjë kulturë të plotë të votës së lirë, edhe pse pa struktura të plota dhe të pavarura të manaxhimit të votës, shqiptarët në vetëm dy vjet, mundën të shihnin fuqinë e saj dhe shumica jonë dëshmon se ai mbetet momenti kulmor i  fuqisë së lirisë në votime.

Gati 3 dekada më vonë, shoqëria shqiptare vihet përsëri në provë përmes votës dhe vullnetit paqësor. Natyrisht, duke mos pasur një tjetër rrugë më efikase qeverisëse se sa ky system perëndimor, që si të thuash ka treguar një “virulencë” të qëndrueshme dhe shumë premtuese se sa modelet e tjera, fokusimi tek vota e lirë, vota e lexuar qartë, vota e padeformuar, duhet të jetë prioriteti numur një i këtyre zgjedhjeve. Tashmë shqiptarët më mirë se kushdo tjetër e dinë se çfarë alternativa qeverisëse paraqesin palët që kërkojnë pushtet dhe ato që duan të mbeten në qeverisje. Personalisht mendoj se më tepër se sa  sulmet dhe intrigat elektorale, prioritet është dhe duhet të mbetet: zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje të  qeta dhe të verifikueshme, pa eksese, pa dhunë dhe pa urugane urretje.

Ndërsa partitë tashmë kanë mbyllur “qitapet” e listave, që pa dyshim është shembulli më i shëmtuar i një shoqërije që flet për liri dhe shanse të barabarta, por për fat të keq kjo shëmti ka “bekimin” e  “shefave” të partive, fokusi kryesor duhet të jetë ruajtja e integritetit të votës së çdo shqiptari, që kërkon ndryshimin dhe progresin tek kutia e votimit. Ky duhet të jetë preokupimi i vërtetë i pjesës më të shëndoshë të shoqërisë shqiptare. Vetëm bindja se vota jote numurohet dhe ka peshën e vet, vetëm përkushtimi që procesi zgjedhor të jetë i qetë, i ndershëm, dhe i vërtetë, vetëm siguria e secilit  subjet politik se “kur flet vota, hesht partia” do të demonstronte se shqiptarët dinë të çmojnë lirinë për të votuar dhe lirinë për të zgjedhur.

Në 3 dekada të shpërbërjes të asaj partije që na fali “një tufë me parti”, duket se ende na ndjek mallkimi i “mitrës së përgjakur”. Shqiptarët duhet ta kanë kuptuar së paku se çdo kryetar partie mendon  vetëm për “lavdinë e vet” dhe  nuk ka vërtet një shpirt frymëzues, një oratori galvanizuese që të sjellë një “revolucion” nga poshtë. Kjo do të kishte ndodhur nëse “shefat e partive” do të ishin të parët që të grisnin listat si turpi më i madh politik dhe në vend të tyre të kishin thirrur lirshëm individë që të konkuronin dhe të merrnin “vulën” e partive apo programeve përkatëse. Ngaqë nuk mundej të ndodhte kjo, duket se shpresa e vetme e këtyre zgjedhjeve është dhe mbetet legjitimiteti  dhe besueshmëria e tyre. Ndaj në këtë  pranverë që “ndërrohet gjaku” dhe rifreskohet gjithçka, momenti më solemn i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, nuk është thjesht kush fiton dhe kush humb, por kush di të  mbrojë dhe legjitimojë votën dhe të vërtetën e saj. Nëse forcat politike, pas “ringjeve” të tyre elektorale “për jetë a vdekje”, do dinë të gjykojnë me gjakftohtësi atë që akumulohet në kutitë e votimit, ky do ishte realisht shembulli më i madh se shqiptarët dinë ta çmojnë lirinë dhe votën e tyre. Si kurrë më parë është thirrur një ndërgjegje popullore mbarëshqiptare që vota hidhet për t’u numuruar dhe për të “çimentuar” mënyrën qeverisëse për 4 vjet të tjera. Një “ngadhnjim” i tillë do të thotë se shqiptarët kanë marrë leksionet e vërteta të demokracisë dhe shoqërisë së lirë. Votimet nuk janë “luftë fisesh”, siç bërtasin analistët e atyshëm, por vullnet për të zgjedhur e dëshirë për të  njohur shumicën fituese.

Autori i këtyre radhëve nuk ka asnjë interes apo “tifozllëk” për këtë apo atë forcë politike. Personalsiht mendoj se  ai popull ka shumë parti në kurriz, ndaj shumica  e tyre duhet që përfundimisht të dalin në “pension” të përjetshëm më 25 prill, pasi si shushunja  e kanë munduar dhe çoroditur shumë atë elektorat në këto   dekada tranzicioni plot zhgënjime. Gati 3 dekada më parë unë mbaj mend të kem publikuar një artikull të debatueshëm atëhere dhe tani me titull “Njerëz, besoni veten tuaj, partitë gënjejnë”. Ky shënim i atëhershëm, kur unë nuk kisha këtë përvojë  të jetuari e menduari në liri, thjesht i kërkonte votuesit që para se të votojë këtë apo atë forcë politike, duhet të besojë tek vetja. Unë besoj se dhe tani, pas kaq vitesh, besimi tek individi i lirë mbetet  thelbi i kohës që jetojmë. Nuk mundet që çdo shpresë për të nesërmen, çdo dëshirë që duam ta jetojmë  ta shohim si “magji” të deputetëve apo qeverisë që ata do votëbesojnë. Koha që jetojmë është koha e pushtetit  krijues dhe fantazisë frymëzuese të individit si “tulla” e vetme që ndërton, realizon, fiton dhe paguan taksa. Njerëzit në demokraci nuk kanë nevojë për qeveri që zgjidh hallet si “me magji”, por për qeveri që angazhohen në reforma, në ristrukturime juridike dhe bëjnë që pushteti të “zbresë” tek votuesi. Ideja se  demokracinë e shpëtojnë “kalorësit” nëpër zyra, jo  vetëm  është iluzion, por “kampionët”  që kanë provuar të gjitha “kolltuqet” e pushtetit duhet të nxirren në “kemp politik”.

Populli shqiptar nuk është dembel dhe ka krenarinë e vet. Në 30 vjet janë bërë aq shumë ndryshime, aq shumë përmirësime në treg dhe strukturat e tij, në komunikim, turizëm, në shërbime dhe politika  ekonomike  progresive, saqë kanë ndryshuar faqen atij vendi. Këto ndryshime që dëshmohen lehtë, janë rezultante poltikash dhe refomrash, por mbi të gjitha produkt i punës dhe biznesit privat, janë  provë se njeriu  duke punuar i lirë, krijon, zhvillon, ndryshon. Kjo është prova më e madhe që dëshmohet në bizneset e shumta private që në të vërtetë nga qeveria nuk duan as më shumë e as më pak, por ligje, drejtësi, polici, shërbim civil dhe ndëshkim ndaj krimit. Nëse shohim këto 30 vjet së pari si triumf të binzesve private, si triumf të organizimeve të lira të njerëzve jo për të bërë parti, por për të bërë biznes, për të eksploruar tregun duke i sjellë atij atë që i mungon,duke ofruar atë shërbim që i duhet qytetarit dhe komunitetit, të gjitha meritat në të vërtetë i merr individi i lirë, pra ai individ që beson tek sistemi dhe liria për të ndërtuar dhe përmirësuar jetën. Një fokus i tillë, të duket sikur nxjerr jashtë loje shumë parti, shumë kryetarë  që mbajnë  vetëm “vulën në xhep”, shumë deputetë që nuk kanë pasur asnjë fantazi ligjvënëse, por vetëm “fuqinë e kartonit” dhe natyrshëm  fuqia dhe merita i jepet atij që i takon: individit dhe biznesit privat. Parë në këtë vështrim, lufta që bëhet në media ndaj “oligarkëve”, ndaj “trusteve” apo sa e sa etiketimeve të tjera që shpiken në gjuhën tonë shqipe, është në vetvete luftë ndaj individit të lirë, ndaj individit që  ka ndërtuar dhe ndërton. Në një shoqëri ku shteti duhet të “dorëzojë” vullnetshëm shumë funksione, do të thotë se aty është shansi i individit. Zhvillimi nuk vjen nga kryetarët e përjetshëm të pative shqiptare, por nga ata individë që marrin rreziqe dhe investojnë, ndërtojnë, krijojnë dhe i shërbejnë  zhvillimit. Unë besoj se shoqëria shqiptare i njeh ata individë që janë pasuruar vërtet me punë duke marrë rreziqet e tregut.

Duke i parë zgjedhjet si një moment refletimi në këtë vështrim, mendoj se është e domosdoshme që një pakt gjithëpartiak i duhet vendit, duke  denoncuar paraprakisht çdo lloj dhune, vjedhje apo fallsifikim votash, dhe të gjitha partitë që kërkojnë votën e shqiptarëve për t’i qeverisur me një zë të vetëm duhet të deklarojnë: “Njerëz votoni. Ne do respektojmë votën dhe vullnetin tuaj dhe do bëhemi “gardianë” lirisë që fituam 30 vjet më parë”. Ky përbetim publik duhet të bëhet së pari nga ata që qeverisin dhe gjithë të tjerët që kërkojnë  votën  shqiptare.

Një qëndrim i tillë publik i shërben shoqërisë dhe progresit. Duke iu referuar edhe eksperiencës së hidhur në Amerikë, ku mosnjohja e rezultatit çoi gati në rrënimin e tempullit të demokracisë së këtij kontinenti, në javën e parë të këtij viti, një prononcim publik i gjithë politikës shqiptare është  domosdoshmëri dhe urgjencë, përndryshe një acarim  i mundshëm që duket  si kërcënim i besueshëm, do të groposë dhimbshëm edhe atë që realisht është arritur jo pa kosto. Siguria e votës dhe gjithë proçesit, nuk është “fitore e partive”, por duhet parë si arritje e shqiptarëve të çdo kahu dhe bindjeje politike. Kjo është realisht demokracia, kundërshti dhe ide, luftë politike, programe dhe shpjegime, punë dhe liri, jo “Beqo zjarr ”!…

Minneapolis, SHBA, Mars 2021./albspirit.com

Please follow and like us: