Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Gallofi me poture dhe dembelizmi i shqiptarëve

Kryeministrit Rama i është bërë fiksim puna e dembelizmit të shqiptarëve. Vazhdon akoma me atë frymën bulliste t’i trajtoj qytetarët e vendit të tij si përtacër, kafenexhinjë e dembelë. Dhe nga kjo i ka hapur rrugën krahut të punës nga bota e tretë, si vendet e Afrikës a Bangladeshi i largët. Kur them e ka fiksim, kam parasysh se si vite më parë teksa inaguronte ca fasoneri a kasaperira në pazarin e Korçës, e ilustronte shqiptarin me vargun e zagoriotit Andon Zako Çajupit. Me një fjalë burra dembelë, pa zanate, që ushqeheshin nga gratë. Pra përtacër e dembelë, por edhe me pretendime të mëdha. Aosokohe kam shkruar edhe një opionion me titullin ‘Je dembel vëlla, je dembel’. Mund ta gjeni, mjaft të klikoni titullin në google, aty e keni.
Atëhere i kam mëshuar idesë se, dembelizmi është i injektuar qëllimisht ndër ne, pasi kemi treguar vitalitet edhe me kazma duke drenazhuar vendin a hapur udhë të hekurta. Pra, pa pagesë, me punë vullnetare. Kjo nga fakti se provova një shije të hidhur nga ato çfarë nxirrte goja e kryeministrit të vendit tim. Më erdhën parasysh ikjet masive, shtigjet në malin e Gramozit, a Zagorinë në grykën e Drinosit etj. Rrugët e Romës ku djemtë tanë shërbenin në restaurantet, ato të Athinës etj. Ikja më masive ajo post socializëm, si produkt i dështimit të ekonomisë së centralizuar që ndërtoi diktatura e proletariatit etj. Eshtë qasja më e ndyrë e një shtetari karshi qytetarit të vet. Vazhdon edhe sot bash në vigjilje të zgjedhjeve. Ankohet se ka bërë reforma, ka hapur vende pune, po shqiptarët janë dembelë, nuk duan punë, duan qylin. Kjo është me plot gojën përbuzje. Nuk ka asgjë të keqe që Shqipëria pranon emigrantë. Sinqerisht nuk ka. Eshtë pjesë e globalizmit. Sot bota është me territore nocionesh, me simbole, se…, si piacat, bulevardet a shitoret në bregun e detit janë një konglomerat kulturash e gjuhësh. Nuk e di se sa është e rregulluar me ligj aty, megjithëse di që Tiranës dhe gjetkë ka plot syresh pa letra apo të tjera karta identiteti. Pra tregu i zi i krahut të punës vlon edhe aty. Në Bangladesh me njëqind dollarë kalon muajin, në Shqipëri jo, kësisoj ai nga Bangla do të mësyj derën tënde. Por të thuash po sjell krahë pune nga Afrika se shqiptarët janë dembelë, kjo është bulliste. Shqiptarët nuk janë të tillë, nëse do të ishin, shifra e të ikurve nga vendi nuk do ishte sot mbi 40% e popullatës. Nga ana tjetër janë më në dukje ata që bëjnë zhurmë se sa punëtorët. Ata që bëjnë zhurmë janë pjesë e sojit të njëshave që kanë bjerrur vendin për dekada. Nuk janë ata që duan punë. Të jeni të sigurtë për këtë. Jo domosdoshmërisht një qytetar i qaset përfitimit pa u lodhur, por kulturalisht. Kjo ka atë domethënien, si është vendi do bëjmë kuvendin. Tipari dallues i kësaj kulture është në justifikimin me preteksin Berisha. Ne nuk kemi bërë asgjë në raport me ato që ka bërë Berisha, mos shikoni zullumet tona por ato të Berishës. Ashtu si momentalisht po flitet për shitje vendesh pune në administratë, mjafton të firmosësh që do votosh Edi Ramën. Logjikisht qytetari pranon këtë ofertë, edhe pse e di që nuk është e drejtë apo e duhura, e pranon se do marri një rrogë. Edhe pse e di që është shitur, prapë pranon, më mirë një rrogë duke shkruar emrin në shtet, se sa në një fasoneri ku nuk i njihet asnjë e drejtë sociale. Ai e di që është shitur, e di që është budallepsur dhe ka vulosur kështu futjen në rresht. Madje darkave ëndërron të bëhet dikushi, të mund të japi një tender nesër, të marri ca përqindje dhe të rregullohet. Se tashmë është i bindur katërcipërisht, rruga e ndershme e punës, e fitimit, ka vdekur përgjithmonë. Eshtë shitur i gjithi dhe në gjithçka ndaj ul kokën kur kryeministri e quan dembel. Po ta bënte këtë ai i Francës, qytetari francez ia hidhte tasin e supës kokës, po ashtu edhe shoqëria civile. Kurse në Shqipëri, njëshi tall menderen si do dhe kur të dojë. Një kryeministër normal, duhejtë ofronte programe sociale të mirëfillta për të ndrequr këtë ekuivok social të shqiptarëve. Mirëpo kjo ndodh, ndaj shqiptarët hedhin sytë sa majtas dhe djathtas, sa te grushtat e Elbasanit sa tek bandat e palëve. Ndaj edhe durojnë Edi Ramën, ia durojnë edhe pordhët.
Please follow and like us: