Ditari sekret i Enver Hoxhës për ngjarjet me sovjetikët dhe ‘Bazën Ushtarake’ të Vlorës, 9 mars – 30 prill 1961
VLORË, E ENJTE, 9 MARS 1961
BISEDË ME SHOKET BIRMANË E MALEZË
Kishim për darkë shokët birmanë dhe malezë që morën pjesë në Kongresin tonë të VI-të. Ishin jashtëzakonisht të kënaqur. Na folën për vendet e tyre, për luftën, për perspektivat. Ata folën për dëmin e madh që u ka sjellë e vazhdon t’u sjellë vija e gabuar revizioniste e Hrushovit në punën e tyre. Partitë komuniste të këtyre vendeve, reaksioni i lufton me vijën e Hrushovit. Ata e admirojnë Partinë tonë dhe vijën e saj të drejtë.
VLORE, E MERKURE, 15 MARS 1961
HRUSHOVI SABOTON BAZEN DETARE TE VLORES
Nikita Hrushovi përveç provokacioneve e presioneve të tjera po pengon plotësimin e nevojave të bazës detare të Vlorës. Kjo është me të vërtetë një tradhti e madhe. Atje janë pezulluar të gjitha punimet. Kësaj i thonë që të ndihmosh e të lësh të qetë të bëjnë punën e vet imperializmi amerikan dhe Flota e tij e VI-të që ndodhet në Mesdhe. Sazani dhe Karaburuni, që janë kobure kundër forcave imperialiste, po mbeten si trofe të pambushura për faj të revizionistit Hrushov. Kjo situatë është e padurueshme dhe e papranueshme. Për këtë qëndrim ai së bashku me shokët e vet do të përgjigjen!
E HENE, 20 MARS 1961
UDHEHEQJA SOVJETIKE KERKON TE NA KOMPROMETOJE ME DALLAVERET DHE VEPRIMET E SAJ SHKATERRIMTARE
Prita ambasadorin sovjetik J.V. Shikint, i cili më dorëzoi një letër nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku propozohet që mbledhja e Komitetit Politik Konsultativ të vendeve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës, të bëhet në datën 28-29 të këtij muaji. Në letër thuhet se mbledhja duhet të bëhet e nivelit më të lartë, domethënë me pjesëmarrjen e sekretarëve të parë, të kryeministrave, të ministrave të Punëve të Jashtme, atyre të Mbrojtjes dhe të kryetarëve të Komisionit të Planit të çdo shteti anëtar. Në rendin e ditës janë vënë dy raporte: Raporti mareshalit Greçko mbi gjendjen e ushtrive të vendeve të Traktatit të Varshavës dhe ai i kryetarit të Komisionit të Planit të Bashkimit Sovjetik, për industrinë e armëve dhe shpërndarjen e tyre. E pyeta ambasadorin nëse do të kishte raport politik në këtë mbledhje, kush do ta mbante atë dhe cilat ishin tezat. Duke i bërë edhe disa pyetje të tjera -sqaruese-, i vura në dukje se, para se të na kërkohej aprovimi, duhej të na dërgoheshin tezat e raporteve dhe projekt rezolucionet e mbledhjes, që atje të venim të përgatitur dhe jo vetëm sa për të shkuar radhën. Ai nuk i’u përgjigj pyetjeve që i bëra, se s’dinte ç’të thoshte, por premtoi se çështjet që i ngrita, do t’ia referonte Moskës. Siç vihet re, preokupimi i vetëm i Moskës dhe i ambasadorit, është a jemi ne dakord, pa bërë asnjë pyetje që të bëhet mbledhja në datën që caktojnë ata dhe nëse unë do të vete atje. Ato pak mbledhje të Traktatit të Varshavës që janë bërë deri tash, kanë qenë krejt formale, teknike dhe fare pa kuptim, vetëm sa për të thënë që u bë një mbledhje e traktatit. Edhe kjo që thirret tash e asaj natyre është. Nikita Hrushovi e bën këtë mbledhje për arsye të planeve të tij në arenën ndërkombëtare, kurse, për sa u takon tratativave dhe kombinacioneve që ai kurdis, kurrkush nuk i kërkon llogari. Hrushovi pengon dhe refuzon furnizimin tonë me armë. Kurse me vajtjen time në Moskë, kërkon që vetë ne, t’i mbulojmë planet e tij të errëta. Por unë nuk do të shkoj jo vetëm sepse çështjet që do të diskutohen në atë mbledhje janë thjesht teknike, ushtarake, janë për ministrin e Mbrojtjes, por edhe për arsye sigurimi, si dhe për shkak të të gjitha qëndrimeve të poshtra dhe armiqësore që mbajnë kundër Partisë e vendit tonë të gjithë pjesëtarët e Traktatit të Varshavës. Sigurisht, dhënia e armëve ka rëndësi shumë të madhe, por ato mund të na jepeshin edhe pa qenë nevoja të mblidheshim, kështu siç kërkon Hrushovi. Kjo mbledhje duhet të kishte qëllime politike dhe do të ketë të tilla qëllime, por çështjet politike do të shtrohen nga Nikita, siç i interesojnë atij. Ai do t’i paraqesë ato si gjëra të rastit, të dorës së dytë, (kurse ato janë vendimtare), pra, pa raport zyrtar e pa vendime, sepse edhe vendimet që ai vetë i kërkon, po vetë i shkel. Ai bën sikur pyet e këshillohet me të tjerë, (kurse me ne, as këmbën s’e bën), dhe pastaj vepron si t’i dojë qejfi. Këto veprime të Hrushovit janë skandaloze dhe të rrezikshme jo vetëm për vendet tona socialiste, por edhe për njerëzimin. Një procedurë e tillë u ndoq edhe para një viti në një mbledhje të kësaj natyre. Atje Nikita filloi të napë “kundër” imperialisteve, bile u mor vendim që, për çështjen e traktatit të paqes me Gjermaninë “t’u vinim” imperialistëve këmbët në një këpucë, duke nënshkruar ne, shtetet socialiste një traktat të ti11ë me Gjermaninë Demokratike etj., etj. Por asnjë vendim i kësaj mbledhjeje nuk u zbatua, sepse Nikita Hrushovi i mori ato nëpër këmbë. Kështu do të ngjasë dhe me këtë mbledhje. Veprimet e Hrushovit janë ofenduese dhe shkatërrimtare. Ai kërkon që ne t’i mbajmë ison dhe të komprometohemi në dallaveret e tij. Por ne s’i hamë këto. Mjaft më me gënjeshtra!
E MARTE, 21 MARS 1961
DO TE MARRIM PJESE NË MBLEDHJEN E TRAKTATIT TË VARSHAVËS
Udhëheqjes sovjetike i’u përgjigjëm se pranojmë të bëhet mbledhja e Komitetit Politik Konsultativ të vendeve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës në Moskë, duke theksuar se delegacionin shqiptar do ta kryesojë ministri ynë i Mbrojtjes.
E MERKURE, 22 MARS 1961
SHENIM
Bisedova me shokët për qëndrimin që do të mbajë delegacioni ynë në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të vendeve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës, që do të mbahet në Moskë.
E SHTUNE, 25 MARS 1961
DELEGACIONI YNE U NIS PER MOSKE
Ministri ynë i Mbrojtjes, kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit dhe ministri i Punëve të Jashtme, u nisën për në Moskë për të marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës. Në aerodromin e Moskës ata i pritën Poljanski, Firjubini, mareshal Bagramian dhe një gjeneral. Sovjetikët rezidencën u’a kanë caktuar në kodrat “Lenin”. Është hera e parë që një delegacion shqiptar vendoset në kodrat “Lenin”. Atje sovjetikët çonin të tjerët, “miqtë” e tyre të afërt. Por tash na çuan edhe ne, sepse vila e Zareçies “u dogj”. Kur ishim në nëntor të vitit të kaluar në Moskë, ne e braktisëm atë dhe shkuam në ambasadën tonë, se në “Zareçie” na dëgjonin me aparatura përgjimi.
E MARTE, 28 MARS 1961
GRECKO KERCENON, KERKON TE NA TREMBE
Në orën 5 të mëngjesit mora një radiogram nga delegacioni ynë që ndodhet në Moskë për të marrë pjesë Mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të vendeve anëtare të ‘Traktatit të Varshavës’. Më njoftojnë se mareshali Greçko, në orën 23 të ditës së djeshme, u kishte dorëzuar një letër me qëllime frikësimi dhe shantazhi. Në të ai kërcënonte se, në rast se ne nuk pranojmë që baza e Vlorës të bëhet krejt sovjetike dhe të gjitha anijet të merren krejtësisht në dorëzim nga sovjetikët, atëherë ai do ta shtrojë këtë çështje në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës dhe do kërkojë nga qeveria sovjetike, që baza të hiqet fare nga Vlora. Siç shihet, kjo kërkesë kërcënuese sovjetike i përngjet kërkesës së dikurshme titiste për dërgimin e “të famshmëve” divizione jugosllave në Shqipëri, gjë që kishte për qëllim pushtimin e Shqipërisë. Është e qartë, po këto qëllime ka dhe qeveria e Hrushovit. Sovjetikët kërkojnë të shkelin traktatet dhe marrëveshjet që kanë nënshkruar, ta kenë Vlorën bazë të tyre dhe të bëjnë atje çfarë të duan. Por atyre këto nuk u shkojnë dhe nuk kanë për t’u shkuar kurrë me ne. Prandaj i porosita shokët e delegacionit, se si t’u përgjigjen sovjetikëve, zjarr për zjarr, dhe Greçkoja e mori përgjigjen para se të mbante raportin e tij në mbledhje, sot më 28 mars. Në fakt në raportin e tij, mareshalli Greçko nuk e zuri fare në gojë çështjen e bazës. Siç duket, të paktën mareshallin, përgjigjja jonë e bëri që të tërhiqet nga akti i tij i poshtër. Të shohim çfarë do të bëjnë Hrushovi ose pjesëmarrësit e tjerë kur të mbajnë fjalimet e tyre. Sido që të veprojnë ata, ne përgjigjet i kemi gati. Grushte fytyrës do t’i japim kujtdo që do të prekë interesat e popullit, të atdheut dhe të Partisë sonë, grushte të tilla që ata t’i mbajnë mend për jetë.
E ENJTE, 30 MARS 1961
BAZA E VLORES ESHTE JONA E S’DO TE KTHEHET KURRE NË BAZE SOVJETIKE
Delegacioni ynë që mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës, u kthye sot nga Moska dhe na informoi për çka ndodhi atje. Ndodhi ashtu siç e kishim parashikuar. Hrushovi dhe shokët e tij të vendeve të demokracisë popullore, që ishin marrë vesh që më parë, filluan në mbledhje sulmet shpifëse dhe paparim kundër Partisë së Punës, Kongresit të saj të IV-ët dhe Qeverisë sonë. Mbledhja ishte përgatitur apostafat kundër nesh, kurse rendi i ditës ishte vetëm një pretekst dhe politike. Por të gjithë ata morën përgjigjen e merituar nga delegacioni ynë. Qëllimi kryesor i kësaj mbledhjeje ishte të diskreditonin vijën e drejtë të Partisë sonë, të na frikësonin që të kapitullonim ose të pranonim që ta kthenim Vlorën në një bazë detare sevjetike. Natyrisht, shpifjet e tyre u demaskuan, u zbuluan krejtësisht qëllimet që kishin. Për sa i përket bazës nga ana jonë, do t’u japim përgjigjen që meritojnë. Ne do t’ua bëjmë të qartë se baza është jona e nuk do të kthehet kurrë në një bazë sovjetike, se duhet të ruhet statukuoja dhe të gjitha anijet që ndodhen atje, duhet të merren në dorëzim nga pala jonë, siç është parashikuar nga marrëveshjet përkatëse. Në këtë mbledhje, vetëm Janosh Kadari u tregua më i moderuari në qëndrimet ndaj nesh dhe kjo karakteristikë e tij vazhdon të jetë që nga Mbledhja e 81 Partive Komuniste e Punëtore në Moskë. Ambasadori kinez, i cili ishte i pranishëm në mbledhje, mbajti një qëndrim krejt asnjanës. Ai nuk foli fare dhe nuk tha asnjë fjalë atje në mbrojtje të tezave tona. Ky qëndrim i tij, s’është as i rregullt dhe as i drejtë. Kinezi pati druajtje të shfaqë pikëpamje. Pse? E ardhmja do të na e sqarojë këtë.
E PREMTE, 31 MARS 1961
HRUSHOVI ARMIK I SHQIPËRISË EDHE NE PLATFORMË USHTARAKE
Mbledhja e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës që u bë në Moskë, është vazhdim i punës armiqësore të Nikita Hrushovit dhe i grupit të tij kundër Partisë dhe vendit tonë, është vazhdim i të njëjtave qëndrime të tyre në Mbledhjen e Moskës të nëntorit 1960, por këtë herë në platformën politike dhe ushtarake. Nikita Hrushovi, i mbështetur edhe nga të tjerët, në këtë mbledhje mori në fakt vendim të mos na furnizojë më me armatime, të heqë bazën e Vlorës, duke u bërë kështu një koncesion të madh imperialistëve amerikanë e Flotës së tyre të VI-të në Mesdhe dhe t’i presë Shqipërisë ndihmat ekonomike të akorduara që më parë. Ky vendim i tij është njëkohësisht një sulm kundër Kongresit të IV-ët të Partisë sonë dhe vijës së tij të drejtë marksiste-leniniste. Të nesërmen e mbarimit të mbledhjes në fjalë, sovjetika bënë edhe një veprim tjetër armiqësor. Zëvendësministri i Jashtëm sovjetik, Firjubin, lajmëroi ambasadorin tonë në Moskë, se nuk lejohet të shpërndahet në Bashkimin Sovjetik raporti im, mbajtur në Kongresin e IV-ët. Në këtë mënyrë, Hrushovi dhe grupi i tij heq krejt maskën dhe del ashtu siç është, një trockist, një tradhtar i marksizëm leninizmit.
E SHTUNE, 1 PRILL 1961
QENDRIMI YNE PER BAZEN E VLORES ËSHTE I PRERE
Bëmë mbledhjen e Byrosë Politike, në të cilën u raportua mbi punimet e mbledhjes së Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës. Diskutuan të gjithë shokët dhe u shprehën plotësisht solidarë dhe dakord për qëndrimin e mbajtur. Diskutova edhe unë. Në mbledhje vendosëm t’u dërgohet një letër të gjithë anëtarëve të Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës, ku t’u thuhet se ne pranojmë vetëm çka është vendosur prej vitesh në marrëveshjen zyrtare për bazën e Vlorës, domethënë, anijet që ndodhen atje, të merren në dorëzim sa më parë nga ne, shqiptarët, – përndryshe sovjetikët të largohen prej andej.
E HENE, 3 PRILL 1961
AMBASADORI KINEZ VIHET NE DIJENI PËR MBLEDHJEN E TRAKTATIT TE VARSHAVES NE MOSKE
Vumë në dijeni ambasadorin kinez për zhvillimin e mbledhjes së Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës që u mbajt në Moskë, si dhe për pikëpamjet tona rreth çështjeve dhe vendimeve që u morën atje. Ministri ynë i Mbrojtjes më informoi për takimin e bisedimet që u zhvilluan midis gjeneralit sovjetik Antonov, e zyrtarëve të tjerë ushtarakë që e shoqëronin atë dhe gjeneralëve tanë, pjesëmarrës në takim. Këta të fundit ikën pa arritur asnjë përfundim, pse sovjetikët u lanë atyre të kuptojnë që armatime nuk do të na japin.
E MARTE, 4 PR1LL 1961
PERSERI RRETH QËNDRIMIT TE UDHEHEQESVE HUNGAREZE NDAJ VENDIT TONE
Ambasadori hungarez Zhatkullak dha një pritje me rastin e 16-vjetorit të çlirimit të Hungarisë. Shokët që morën pjesë në pritje, i lanë atij të kuptojë që ne e shohim se udhëheqja hungareze nuk na hedh gurin, në një kohë kur të gjithë të tjerët na sulmojnë poshtërsisht. Zhatkullaku paraqitet njeri i mirë. Interesant është se as ambasadori hungarez në Tiranë, as ambasadori hungarez në Sofje dhe as Bella Bisku që mbajti fjalimin në mbledhjen solemne të organizuar me këtë rast në Budapest, nuk e zunë fare në gojë emrin e Hrushovit.
E MARTE, 4 PRILL 1961
TE DEMASKOJME VIZITEN E FLOTES SE 6-TË AMERIKANE NË PORTET JUGOSLLAVE
Rishikova artikullin tim për vizitën e komandantit të Flotës së VI-të Amerikane në portet jugosllave. Ndryshova titullin dhe forcova disa pjesë të tij, e sidomos pjesën ku flitet për komplotet e përbashkëta që jugosllavët dhe amerikanët kurdisin kundër vendit tonë.
E MERKURE, 15 PRILL 1961
KURRE NUK DO TE LEJOJME QE VLORA TE PUSHTOHET NGA TRUPAT SOVJETIKE
Behari u dorëzoi ambasadorëve të vendeve të demokracisë popullore dhe të Bashkimit Sovjetik, letrën e Qëverisë sonë drejtuar qeverive të tyre në lidhje me mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës dhe vendimin që u morr atje mbi të ardhmen e bazës së Vlorës. Në letër ne u’a bëjmë të qartë se refuzojmë që baza e Vlorës të merret në dorë nga sovjetikët. Anijet luftarake që ndodhen atje, duhet të na jepen neve sa më parë, sepse, në bazë të marrëveshjeve që ekzistojnë, ato na përkasin neve. Në rast të kundërt. Qeveria jonë kërkon që ushtarakët sovjetikë të largohen prej andej, sepse kjo do të ishte zgjidhja më e mirë dhe më e dëshirueshme për ne në këto situata. Ne nuk do të lejojmë kurrë që Vlora të pushtohet nga trupat sovjetike. Ne do të mbrohemi vetë nga rreziku imperialist edhe pa pasur bazën, por, po të pranojmë kërkesën e Hrushovit, baza e Vlorës bëhet shumë e rrezikshme për pavarësinë e atdheut tonë. Me anë të letrës sonë, ne hedhim poshtë edhe çështjen mbi të ashtuquajturin ‘komision për kontrollin e komplotit’ që duan të krijojnë Hrushovi me shokë “për të verifikuar saktësinë e hetimeve tona mbi komplotin kriminal që e denoncuam në Kongresin e IV-ët të Partisë dhe i bëjmë përgjegjës për çdo situatë të vështirë, ekonomike, politike dhe ushtarake, që mund t’i shkaktohet prej tyre vendit tonë.
E ENJTE, 6 PRILL 1961
HRUSHOVI, TITOJA DHE GOMULKA EKSPONENTE TE RREZIKSHEM TE BANDES REVIZIONISTE NDERKOMBETARE
Çdo ditë e më shumë po përcaktohen konturet e bllokadës së turpshme të ndërmarrë nga ana e bllokut revizionist me Hrushovin, Titon e Gomulkën, kundër Shqipërisë. Këta të tre janë eksponentët e rrezikshëm të kësaj bande revizioniste me karakter ndërkombëtar, që vepron brenda kampit të socializmit dhe lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Grupi i Novotnit, Dezhit e Ulbrihtit, janë duke ndjekur gjithashtu, rrugën tradhtare të trios kryesore, por deri tash me nuanca të vogla. Për sa i përket Zhivko-Cedenbalit, këta janë marioneta pa vlerë dhe shërbëtorë të thjeshtë të Nikita Hrushovit. Palmiro Toliati që është në krye të Partisë Komuniste Italiane dhe ata që ka përreth, nuk janë veçse revizionistë të pandreqshëm, që veprojnë lidhur me trion kryesore dhe i shërbejnë kapitalizmit italian. Edhe Moris Torezi po ndjek rrugën e tradhtisë së Hrushovit, por edhe ky me disa nuanca. Koha do ta demaskojë plotësisht tërë sojin e tyre. Tito-Hrushov-Gomulka, po sulmojnë nga të katër anët Partinë dhe vendin tonë, në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar. Banda e Titos sulmon haptazi, komploton me imperialistët amerikanë, me monarko-fashistët grekë, kryen akte diversioni në kufirin tonë, organizon gjyqe false kundër nesh dhe boton “Librin e bardhë”. Kurse Hrushovi dhe Gomulka, të mbështetur edhe nga të tjerët, na sulmojnë, po akoma jo publikisht. Ata i kanë prerë ndihmat ekonomike e ushtarake për vendin tonë dhe, duke dashur të mbulojnë komplotet e tyre dhe të Titos kundër shtetit tonë, pretendojnë se kanë të drejtë të kontrollojnë proceset e gjyqit të Teme Sejkos, ngjarje kjo pa precedent në historinë e shteteve sovrane. Ata na kërcënojnë me heqjen e bazës detare nga Vlora, duke lënë kështu dorë të lirë Flotës së VI-të Amerikane në Mesdhe. Ata na akuzojnë ne si luftënxitës dhe turbullues të bashkekzistencës në Ballkan dhe si dogmatikë. E gjithë kjo veprimtari antishqiptare është e organizuar nga revizionistët. Përballë kësaj situate, ne duhet të jemi shumë vigjilentë! Duhet ta shpartallojmë këtë bllokadë, të luftojmë me forcë, me vendosmëri dhe me zgjuarsi në të gjitha frontet! Ne jemi të bindur se do t’i shkatërrojmë këta armiq, pse kemi të drejtë, pse jemi në rrugën e Leninit, pse ata që na sulmojnë janë tradhtarë dhe tradhtia kurdoherë shembet dhe shkatërrohet nga drejtësia, nga lufta e drejtë revolucionare. Masat në partitë komuniste dhe punëtore të botës janë me ne. E drejta jonë do të kuptohet në mos sot, nesër, në mos shumë shpejt, më vonë. Çështja jonë nuk do të humbasë kurrë!
E SHTUNE, 8 PRILL 1961
DEMONSTRIM FORCE I IMPERIALISTEVE AMERIKANE KUNDER VENDIT TONE
Gazeta “Zëri i popullit”, botoi sot artikullin tim me titullin “Anije luftarake të Flotës së VI-të Amerikane në portet jugosllave”. Sikurse kam theksuar edhe në artikull, kjo vizitë është një demonstrim jo pa qëllim kundër vendit tonë. Ajo bëhet pak javë pas Kongresit të 4-t të Partisë dhe denoncimit botërisht të komplotit të rrezikshëm që kishin përgatitur kundër pavarësisë së vendit tone, Jugosllavia në bashkëpunim me Greqinë, me Flotën e VI-të Amerikane dhe me disa tradhtarë shqiptarë. /Memorie.al