Erion Dasho: Vaksinat elektorale si krim kundër jetës!
Deri tani në Shqipëri kanë ardhur 32,565 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech dhe 38,400 doza të vaksinës së Oxford/Astra Zeneca për një total prej 70,965 vaksina.
Nga vaksinat e Pfizer, 7,020 arritën në datën 15 shkurt dhe 8,190 në datën 22 shkurt. Sasia e fundit që ka arritur është ajo e Astra Zeneca-s, në datën 12 mars.
Ndërkohë, deri sot janë administruar vetëm 44,830 vaksina ose 63% e dozave. Tendenca gjatë gjithë kohës ka qenë administrimi “me pikatore” për të dhënë përshtypjen se fushata e vaksinimit vazhdon çdo ditë pa ndërprerje.
Çfarë na thonë këto shifra?
Së pari, ato flasin për një dështim të programit të vaksinimit. Jo vetëm që sasitë e siguruara deri tani janë qesharake, por edhe këto pak mijëra doza të siguruara janë përdorur vetëm për qëllime propagandistike dhe aspak sipas kritereve të qarta shkencore.
Me dozat e siguruara në janar dhe fillimin e shkurtit duhej të ishin vaksinuar mjekët dhe infermierët në zonat me risk të lartë të cilët ende nuk e kishin kaluar Covid-19. Vaksinimi i tyre me një dozë duhej të kishte përfunduar që në javën e tretë të shkurtit duke bërë që praktikisht në mars të mos kishim më raste të komplikuara dhe as vdekje nga Covid midis bluzave të bardha.
Kjo nuk u bë dhe, siç e përmenda, vetëm në mars kemi katër humbje jete midis mjekëve dhe po kaq midis infermierëve!
Më pas duhet të kishte përfunduar vaksinimi i gjithë personelit mjeksor, si dhe atij që shëben në sektorët stomatologjik dhe farmaceutik (personat që e kishin kaluar COVID-in të vaksinoheshin me një dozë dhe të tjerët me dy doza).
Nga dozat e mbetura duhej të kishte vazhduar vaksinimi i pedagogëve dhe arsimtarëve sipas të njëjtës logjikë – ata që nuk kishin kaluar sëmundjen në zonat me risk të lartë për të vazhduar me të tjerët, dhe personave që kishin kaluar Covid-19 vetëm me një dozë.
Personeli që shërben në qendrat e kujdesit për të moshuar (disa dhjetëra në gjithë vendin) mund të ishte vaksinuar që në fillim, por numri i tyre është aq i vogël sa nuk luan asnjë rol domethënës.
PRAKTIKISHT NGA FILLIMI I MARSIT DO TË SHMANGESHIN VDEKJET MIDIS BLUZAVE TË BARDHA DHE NGA PRILLI MIDIS ARSIMTARËVE.
Faktikisht, ajo që po ndodh sot është një rrëmujë totale dhe demagogji e pastër.
Përfshirja e stadiumeve dhe palestrave në vaksinim është një palaçollëk propagandistik. Sistemi shëndetësor shqiptar ka një kapacitet vaksinimi prej 20 deri 40 mijë doza në ditë. 70 mijë dozat e ardhura deri tani mund të administrohen brenda 1 jave pa tam-tame dhe fanfara!
Pretendimi se po vaksinohen 80 apo 70 vjeçarët është po ashtu propagandë e pastër dhe mashtrim! Për të vaksinuar 80 vjeçarët duhen 170 mijë doza, kurse për 70 vjeçarët 560 mijë doza! Ku janë këto vaksina??!!
Kuptohet se me dozat e disponueshme deri tani do të vaksinohen vetëm ca të moshuar të përzgjedhur (kush-e-di se mbi cilat kritetere) nën sytë “bamirës” të Boratit dhe boratëve, të cilët do të marrin uratat (dhe pas ca javësh edhe votat) e të vaksinuarve dhe familjarëve të tyre.
***
Vdekjet në mjekë gjatë marsit janë dështimi i radhës së administratës së Boratit dhe boratëve. Madje më tepër se kaq!
Duke i patur në frigorifer vaksinat jetëshpëtuese, por duke mos i administruar ato në kohë dhe sipas prioriteteve të qarta shkencore, boratët kanë konsumuar një krim të tmerrshëm!
Jetët e mjekëve dhe infermierëve të humbura gjatë marsit kërkojnë hetim serioz nga një grup i përbashkët midis ekspertëve mjeko-ligjorë dhe organeve ligjzbatuese.
Është koha për të dhënë llogari!