Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro Fotiadhi: In memoriam, Odise Grillo!

Odise GRILLO – KRIJUESI EMBLEMATIK DHE INSPIRUESI I BOTËS MAGJIKE TË FËMIJËVE!

 

Në vend të prologut…

 

Letërsia shërben për të shprehur shpirtin njerëzor dhe për ta bërë këtë, ajo disponon një mjet unik – fjalët, nënvizon Eric Hobsban, një historian dhe mendimtar  i spikatur  i shekullit të 20-të. Letërsia për fëmijë, ashtu sikundër edhe ajo klasike, nuk mund të jetë përveçse fantazisë që grish dhe tërheq përmes bukurisë së fjalës. Një fantazie që gjithë frymëzim, me mjeshtërinë e gjuhës së autorit krijues, sendërton botën imagjinare, të prekshme e të pëlqyeshme nga vogëlushët dhe fëmijët. Një fantazie që lodron duke sajuar histori dhe personazhe, të cilat shndërrohen në motivuese dhe promotore në përditshmërinë e jetës së fëmijëve. Τeksa përmes rrëfimeve pasionante dhe delikatesës së përsosmërisë shprehëse gjuhësore, e  tërheq pa u ndjerë  lexuesin, në rrjedhën e miteve të  saja estetike,në udhëtime të gjurmimit të vetë shpirtit njerëzor, me rrezatime në të tashmen dhe të ardhmen. Drejt aureolave të  dritës shpirtërore të gëzimit dhe ringjalljes, përmes historive intriguese që përkunden në shtigjet e pashtershme të dashurisë.

I tillë ishte rrugëtimi letrar i shkrimtarit Odise Grillo, cili përmes veprës së tij të rëndësishme letrare, me personalitetin e tij krijoi një epokë dhe histori suksesi, duke spikatur në qasjen dhe reflektimin bashkëkohor. Duke ofruar botime të mrekullueshme impresionuese dhe na lënë një trashëgimi të shkëlqyer letrare dhe me vlera të jashtëzakonshme, në aspektin e vlerave njerëzore.

Krijuesi elitar i përkushtuar në botën magjike çudibërëse të fëmijëve, Odise Grillo, një personalitet i shquar, një misionar i talentuar, iu përkushtua me një  pasion të papërsëritshëm filizave të së ardhmes, botës magjike të fëmijëve. Duke shpalosur me frymëzim gjithë thesarin e vyer e të pashtershëm të botës së brendshme shpirtërore të tij. Duke motivuar e nxitur shpirtrat e pastër kristalorë të armatës së lexuesve të vegjël, të preknin dhe jetonin një botë të larmishme dhe magjepsëse. E njëherazi duke shpërfaqur me finesë mesazhe jetike universale, të përjetshme dhe përherë koherente me jetën, virtytin, moralin, dashurinë, paqen, optimizmin, shpresën dhe progresin.

Si një shkrimtar dhe krijues i guximshëm, Odise Grillo falë supertalentit dhe pasionit të tij, sendërtoi në gjithë impaktin e krijimtarisë së tij të suksesshme, një ligjërim mbresëlënës dhe elegant krejt të veçantë, sugjestionues e tërheqës, enigmatik dhe zhbirues, dinamik dhe të gjallë. Duke rrëfyer opusin e rrjedhës së tregimeve, midis reales dhe imagjinatës,që autori dëshmon për veten dhe botën që e rrethon.

 

 Rrugëtimi jetësor dhe ai letrar…

 

Si sot, shumë mote më parë, në një ditë pranvere gjithë shkëlqim, teksa kalendari shënonte 21 Mars të vitit 1932,në familjen e shquar dhe me tradita atdhetare, kulturore e arsimore të Kiço Grillos, në fshatin e Vunoit, vjen në jetë Odise Grillo. Kurrsesi nuk mund të ishte i rastësishëm fakti, që ati i Odisesë, i arsimuar jashtë, ishte pikërisht iniciatori dhe ai që motivoi çeljen e të parës shkollë shqipe në fshatin e Vunoit. Ashtu sikundër prej këtij oxhaku, gjatë 50-vjeçarit të dytë të shekullit të XIX-të, kanë kontribuar në mënyrë aktive në fushën e arsimit, pesë mësues.

Fëmijërinë e brishtë dhe mësimet e shkollës fillore, Odisea i starton dhe i kryen në vendlindjen e tij në Vuno. Në vijimësi,  si ndjek mësimet e ciklit të lartë të shkollës shtatëvjeçare në Tiranë. Po në Tiranë, Odisea përfundon shkollën e mesme, në gjimnazin «Qemal Stafa», dhe në vijimësi starton studimet e larta për Gjuhë–Letërsi dhe për gazetari pranë Fakultetit të Histori-Filologji dhe në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike.

Me përfundimin e studimeve dhe pas diplomimit, Odise Grillo për disa vite, punon në revistën «Hosteni» duke iu përkushtuar satirës dhe humorit. Mandej ai kalon pranë Shtëpisë Botuese «Naim Frashëri», në redaksinë e letërsisë për fëmijë, ku kontribuoi dhe ishte i angazhuar energjikisht, deri sa doli në pension.

Odise Grillo, si një krijues brilant, duhet thënë se spikati dhe u shqua për ndihmesën e çmuar shumëvjeçare, në  proceset e hedhjes s bazave të shëndosha ashtu sikundër në vijimësi, në formatimin dhe begatimin e lulëzimit të letërsisë për fëmijë. Qysh prej startit të tij në vitin 1954, duke botuar librin e parë me titull «Shtatë ngjyrat».

Ai bën pjesë në atë plejadë të bekuar dhe njëherë të favorizuar të krijuesve, që kategorikisht, asnjë kritik nuk mundi të kontestojë apo kritikojë atë talent të jashtëzakonshëm që ai shpalosi me vokacionin e tij krejt të pazakontë, në fushën e letërsisë artistike për vogëlusha dhe fëmijë.

Odise Grillo spikat dhe veçohet si një prej autorëve i cili ka lëvruar të gjitha gjinitë, të gjitha llojet: vjershën, poemën, fabulën, tregimin, novelën, përrallën, romanin, pjesët teatrale duke patur autorësinë e 120 krijimeve në gjini të ndryshme. Dhe në vitet e mëvonshme, me një dëshirë krejt të vecantë, është iniciatori dhe novatori, është kontribuesi me një lloj autenticiteti letrar, që në letërsinë shqiptare nuk ishtë kultivuar, por që bota e civilizuar e kishte shumë të preferuar, siç është aspekti i përshtatjes për fëmijë e kryeveprave të letërsisë botërore dhe atyre të letërsisë tonë.

Në këtë spektër përmendim titujt e veprave emblematike si «Ai që mundi perandorin», «Balada e burrave të Vunoit», «Balada e lirisë, «Një zog e një lule», «Zërat e fëmijërisë», «Njeriu i natës», «Shtatë ngjyrat», «Pushkë në bregdet», «Një njeri u bë majmun», «Çamçakëzi», «Tradhëti në sarajet Topiase», «Përtacukët», «Erdhi dit’ e Arbërit», «Gabimet e veshkaushit» etj.

Odise Grillo si një krijues potencial dhe erudit, përgjegjësi, me një stoicizëm karakteristik synoi gjithçka në krijimtarinë e tij, e përpos të tjerash një nivel dhe cilësi të lartë. Askush nuk mund të anashkalojë, magjinë dhe gjenialitetin që me penën e tij sqimatare ai ofroi tek fëmijët, vepra madhore të letërsisë bashkëkohore si «Don Kishoti i Mançes» apo «Odisenë» e Homerit. Me një zell krejt të veçantë, i ndikuar prej motiveve atdhetare dhe patriotike, përmes ndjeshmërive të thella dhe një artikulimi befasues, Odise Grillo konfiguroi dhe shkruajti «Historine e Skënderbeut» të Naim Frashërit, apo veprën  «Kur njerëzit kanë bisht» etj.

Në rrugëtimin e tij të suksesshëm letrar, si një vizionar  dhe novator, përmes  aspekteve edukative të një sfondi njohës dhe reflektiv, të harmonizuar me ngjyra, me nuanca të cilat krijonin impresione kaq të afërta, ai solli për moshat fëminore, veprën legjendë, «Lahutën e malësisë» të Gjergj Fishtës.

Ashtu si gjithë artistët dhe shkrimtarët e tjerë në atë periudhë kohore, edhe Odise Grillo përjetoi kalvarin e vuajtjeve dhe peripecive tmerruese, për shkak të disa vargjeve në poezinë, «Syzjarret partizane». Për të cilën befasisht u penalizua padrejtësisht nga makabrët çensorë të nomeklaturës komuniste. Fatalisht pezullohet nga ushtrimi i të drejtës së botimit, e ndëshkohet duke u internuar në qytetin e Elbasanit, ku vuajti dënimin për 7 vite rradhazi.

Shumëllojshmëria dhe niveli i lartë i krijimtarisë së  larmishme të Odise Grillos, tek opusi i  «Historisë së Skënderbeut», rikrijuar sipas poemës së Naim Frashërit është vlerësuar si një nga veprat e shquara të 10-vjeçarit të fundit nga Instituti i Studimeve të Letërsisë për fëmijë në Mynih të Gjermanisë, nga IJB (Internacionale Jugendbibliothek). Po ashtu ai është lauruar me medaljen «2000 Millenium» akorduar nga ana e Institutit Ndërkombëtar Biografik të Amerikës (ABI).

Odise Grillo, për gjithë vlerat dhe kontributdhënien e tij, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me medaljen «Mjeshtër i madh». Ndërkohë mbante titullin «Profesor».

Edhe  pas  dekadës së viteve 90-të, Odise Grillo, nuk mund të rehatohej si një pensionist pasiv, por me dëshirë dhe pasion, me ndjenjë të lartë  përgjegjësie, ai vijon të ofrojë kontributet e tij sistematikisht për disa vite rradhazi pranë  Shtëpisë Botuese «Toena». Vijonte dita-ditës, në udhët  pasionit e tij të jetës,- letërsinë për lexuesit e vegjël, deri  në momentet fatkeqe që ai  u  shua përjetsisht nga jeta, më 24 Shtator 2003.

Për më shumë se 10 vjet, Odise Grillo, drejtoi me përkushtim Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, fillimisht si nënkryetar e më pas si President i saj.

Realisht  ndihemi të privilegjuar dhe me shumë fat, gjithë ne bashkëkohësit dhe gjeneratat e fëmijëve të dekadave të viteve 70-të, 80-të, 90-të, që u ndeshën dhe përballën me thesaret letrare, krijimet autentike të shkrimtarit Odise Grillo. Duke u shndërruar në pjesëza aktive në qasjet me realitetin dhe jetën, në peisazhet e botës fantastike të mirësisë, të ngrohtësisë, të fisnikërisë, të bukurisë natyrore si edhe virtyteve njerëzore.

Jo rastësisht,për  një figurë poliedrike si Odise Grillo, vendlindja e tij Vunoi, me bukuritë natyrore krejt të papërsëritshme, duhet thënë se ishte muza dhe frymëzimi i tij i përhershëm. Askush në ditët e sotme, nuk mund të imagjinojë Vunoin, pa personalitete, pa krijues, pa individët e shquar që kanë lënë gjurmë dhe shkruar histori, si Odise Grillo.

Krijimtaria e Odise Grillos, si një personaliteti të jashtëzakonshëm shumëdimensional, ndonëse vitet kalojnë, ajo vijon të mbetet  origjinale dhe interesante, e gjallë dhe aktuale ashtu sikundër edhe aktive e koherente që vijojnë të frymëzojnë. Duke vijuar të «ndriçojë» botën e brishtë të fëmijëve

Në vend të epilogut…

Odise Grillo, krijuesi që me mjeshtëri, përmes origjinalitetit dhe nostalgjisë së rrëfimit, shpalosi dhe dëshmoi energji krijuese të pazakontë dhe një gamë  të gjerë e të larmishme të tematikës joshëse, me  vlera të përhershme. Odise Grillo, i spikatur si një  krijues dhe zë origjinal në historinë e  letrave shqipe, si personifikim i individualizimit të vitalitetit, ledhatonte gërmat, përkedhelte vargjet, hymnizonte aradhat për t’u bërë pjesëz e shpirtit të lexuesve të tij, fëmijëve, dashuria për të cilët ishte e pakufi. Gjithë jeta e tij, si një  burim i shkëndijëzave imagjinare krijuese, ishte në thelb një sprovë e heshtur e një dashurie universale pa kushte, një përkushtim madhor, me vlera të jashtëzakonshme.

Përherë i shqetësuar dhe në kërkime krijuese, në kërkim të novatorizmit ai reflektonte me dinamizëm, duke mëtuar mesazhe shpenguese në aspektet e pasqyrimit të opusit të ndjesive më të brishta dhe më delikate, të shpirtit të tij krijues, teksa mbizotëronin dhe  promovonte përfytyrimin, fantastiken, mitin dhe imagjinatën ashtu sikundër dhe imazhet onirike.

Gjithë opusi i veprës letrare të Odise Grillos, me spontanitetin e pafajësisë së vetë dhe një mori mesazhesh të përndritura që përçon, intrigon me mjeshtri dhe i mëshon paqes, mirësisë, virtyteve, fisnikërisë,duke ëndërruar realisht me vizionin e një bote krejt tjetër. Një jete ku përherë shkëlqen dhe rrezaton Drita, Shpresa, Progresi, në kontrast me botën e zakonshme që jeton  e zhytur në kaosin e pakuptimtë.

Shkrimtari Odise Grillo, pa e tepruar asfare, jo vetëm në rrugëtimin e tij jetësor dhe krijues, por edhe sot dhe në vijimësi, ndonëse faktorit kohë që ecën rrëmbimthi, ishte dhe do të vijojë të mbetet një udhërryes i vërtetë shpirtëror. Një vlerë e jashtëzakonshme, një busull dhe thesar dijesh e rrëfimesh, një burim frymëzimi për shumë breza  fëmijësh e vogëlushësh që hedhin të sigurta hapat e para të jetës, duke ndeshur në frymëzimin e botimeve të tij interesante, magjinë e përditshmërisë së vetë jetës.

Pikërisht në thelb, këto dimensione përbëjnë vlera krijuese të padiskutueshme dhe tepër njerëzore. Ku spikat dhe ndriçon edhe shkëlqimi i  vunjotasit mitik Odise Grillos, i intelektualit dhe krijuesit që me kontibutin dhe krijimtarinë e tij, na dhuroi shumëllojshmëri vlerash origjinale.

Me mirënjohjen dhe dashurinë e pakufishme, për gjithçka që ofroi dhe kontribuoi shkrimtari i prkor Odise Goro. Në këtë ditë të shënuar të Përvjetorit të Ditëlindjes, ndonëse fizikisht nuk është i pranishëm, por gjithsesi ne përulemi tek madhështia e gjithë veprës së tij krijuese.

Odise Grillo i përket atyre qënieve njerëzore që me talentin e tij kapërceu kufijtë e suksesit, duke u shndërruar në një  model dhe simbol krenarie, mirënjohjeje dhe respekti të pakufishëm. Trashëgimia e paçmuar e thesarit të krijimtarisë së tij me vlera të jashtëzakonshme, tanimë i përket Përjetësisë.

I paharruar ndër Mote, frymëzuesi dhe krijuesi brilant, Odise Grillo!

Athinë,21.03.2021./albspirit.com

 

Please follow and like us: