Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: E përkohshmja dhe e përjetshmja në pikturën e Krist Dimos

 

 

 

 

Ajo që më habit gjithmonë tek pikturat e Krist Dimos është kërkimi i tij i gjatë stilistik për të përcjellë tek te artdashësit thelbësoren me mjete sa më të thjeshta, here-herë të kapshme. E thjeshta tek ai është vetë sinteza e tablosë. Një e thjeshtë që arrin drejtpërdrejt, që trasmeton, veç falë një linje sintetike, një silueti të zhdërvjelltë, një ngjyre agresive dhe plot kontraste, idenë e duhur. Përpara tablove të Krist Dimos, në pamje të parë më duket sikur je përpara disa vizatimeve naive bërë nga fëmijët apo përpara atyre pikturave rupestre nëpër shpellat parahistorike, por kur i vëzhgon me kujdes, atëherë duket qartë se janë medituar thellë nga një artist shumë i përgatitur. Ato më shtyjnë të meditoj mbi nevojën njerëzore për t’u shprehur. Aparenca e tyre naive, pra, më gënjen. Aty ku unë mendoj se gjithçka është një zgjidhje e thjeshtë, e pamenduar, linja të hedhura ashtu si nëpër gjumë, sikur të zhgarravisnim për të kaluar kohën, në të vërtetë fshihet gjithmonë një mesazh filozofik, një gjendje emocionale e thellë, një dialog me vetveten. Dhe kjo trasmetohet me mjetet specifike që ka piktura. Linja, ngjyra, figura. Ashtu si artistët e mëdhenj të shekullit të kaluar, Pikaso, Miro, Braque, Kokoshka, Basquiat, por sidomos Bekon, të cilët për të pikturuar si fëmijë bënë xhiron 360 gradëshe të njohjes, – jemi tek thjeshtësia sintetike dhe filozofike -, po ashtu edhe Krist Dimo, ka ecur dhe ecën në rrugën e artit duke kërkuar mbi të njëjtat gjurmë. Gjurmët e tij janë sa origjinale aq edhe relative dhe të shumë interpretueshme. Sa në dukje ‘naïve’ po aq edhe të koklavitura dhe të rrezikshme, apo të ‘vështira’ për t’u kapur, ndonjëherë.

Punët e Dimos, kanë nevojë për një përgatitje intelektuale, për një rimodelim shijesh, kanë nevojë siç shprehet ai vetë, për emancipim. Një emancipim në formën e shprehjes të cilën ai e ka arritur, mbas një vëzhgimi të gjatë dhe të thellë. Tek ai e shëmtuara bëhet estetikisht e bukur, naivja bëhet medimit i thellë, thjeshtësia trasformohet në sintezë. Silueti i tij shndërrohet gati në ankth ekzistencial. Kemi të bëjmë pra, me një artist të pjekur dhe të formuar, i cili jo vetëm që ka vendosur të merret me njeriun, – tematikë tërësisht esenciale -, por edhe ta shprehë atë me virtuozitet, me gjuhë të kuptueshme dhe të kapshme për të gjithë. Një gjuhë sa abstrakte dhe e shthurur, po aq edhe bindëse dhe intrigante.

Thjeshtësia, ironia dhe origjinaliteti janë vetëm tre nga vetitë kryesore që e karakterizojnë veprën e tij. Ai do të flasë thellë mbi njeriun dhe e arrin atë. Arrin të evidencojë pjesën më të errët të qenies njerëzore, e cila është vetëm një degëzim në pemën tematike të artistit Dimo. Pemë ku thelbësorja, trungu pra, është kerkimi i tij filozofik mbi ekzistencën. Jo pa qëllim, Dimo ka ‘përbuzur’ pejzazhin dhe format e tjera të zhanrit. Duke u marrë vetëm me figurën njerëzore ai do të ndalet tek dialogu- monolog që ai bën mbi fenomenin jetë. Të cilën ai e bën duke hulumtuar njeriun bashkëkohor. Si gati të gjithë piktorët e tjerë, ai e bën këtë hulumtim në mënyrë të pandërgjegjshme. E bën me mjetet e tij, por ai arrin të denoncojë atë shkatërrim ‘moral’ jo vetëm të vlerave tradicionale, por edhe të vlerave të vetë qytetërimit të sotëm. Me tablotë e tij Dimo arrin t’i flasë si intelektualit, ashtu edhe artdashësit të thjeshtë me një formim kulturor modest. Mbi të gjithë spikat tek punët e tij ajo thelbësorja, e përkohshme, ai mohim tradite, stili i vetë jetës së tij. Zhytur në të thella tek psiqika e njeriut, Krist Dimo na flet për të përkohshmen dhe të përjetshmen.

Arti i pikturës, është një art i cili depërton tek shikuesit në formë vizuale, drejtpërdrejt, pa fjalë. Dhe është pikërisht ky shumë interpretim i tabllove të tij, kjo gjithanshmëri pikëvështrimesh arsyja që ia rrit vlerën telajove të Dimos. I bën ato universale. Parregullsia e formave, antikonformiteti i linjës në serinë e portreteve të Dimos, tregon qartë shpirtin e sotëm, frymën bashkëkohore. Tregon shumllojshmërinë e profileve psikologjike, por gjithashtu edhe dështimin e njeriut. Duket sikur, njeriu i Dimos, sillet në një qark të mbyllur, të errët, ku shumë pyetje mbeten pa përgjigje, shumë kërkime nuk të shpien asgjëkundi dhe shumë hulumtime dështojnë. Por dështimi i njeriut të Dimos, është dështimi i vetë njeriut, ndërsa orvatet të gjejë të vërtetën e tij.

Tematikat e tij ekzistencjaliste janë dhënë falë virtuozitetit të linjave. Linja të pasura, plot zhdërvjelltësi, linja ribele që nuk respektojnë as anatominë e natyrës, as ligjet e fizikës, por janë linja të cilat kanë një domethënje shpirtërore. Deformimet e Dimos, janë akti i parë i rrebelimit të artistit, i cili ndjek humorin e brendëshëm, ndjek pulsin e emocioneve të tij. Interpreton pra njeriun, pasi e ka hulumtuar atë thellë dhe me kujdes.

Vetmia boshe e figurave të tij, na flet për një metamorfozë spirituale. Një metamorfozë e vetë ekzistencës së tij. Jetojmë në një shoqëri, ku një larmi kulturash, një përzierje popujsh, po krijon hibridin e ri njerëzor. Dimo nuk është indiferent kundrejt këtij fenomeni. Ai përqëndrohet tek ndërgjegja e njeriut, tek bota e tij e madhe dhe nëpërmjet monologut, dialogut, udhëton gjatë në imagjnatën njerëzore. Dimo me veprat e tij nuk jep zgjidhje. Ai nuk është filozof me paketa të gatshme filozofike që pretendon të dijë të vërtetën. Ai vetëm ngacmon me siluetat e tij provokuese. Tek linjat agresive të figurave, tek sfondet e thjeshta dhe të errëta, tek ekspresiviteti i tyre shpesh i pakapshëm qëndron edhe limfa jetësore e vërtètësisë së artit të tij. Më shumë se sa logjikës racionale, ai i drejtohet pandërgjegjes dhe subkoshiencës. Na tregon me ironi dhe humor, gati me sarkazëm, gjendjen e njeriut bashkëkohor, i cili është sa i madh dhe hyjnor po aq edhe i vogël dhe i pakuptimtë. I vendosur, gati i strukur në një botë që e ka gllabëruar, deformuar, shfytyruar atë. Në një botë të industrializuar, botë kafkiane, ku asnjë nuk arrin të kuptojë FAJIN e tij.

Tallja me banalen, tek telajo ‘Takimi’, ku format e gjëra, na bëjnë të buzëqeshim, fuqia ekzistenciale tek tablloja ‘Njeriu akuzon njeriun’, ironia e thellë e tablosë ‘Njeriu i coptuar në evolucion’ apo ajo e ‘Sulmuesit në mbrojtje’, tregojnë mirë jo vetëm domethënjen e tabllove të tij, por shpirtin e tij novator në art. Shumë interesante është edhe tabloja ‘Njeriu dhe hija e tij’, ku Dimo ndalet gjatë dhe reflekton mbi brendinë e mistershme të njeriut. Duket sikur artisti do të reflektojë mbi vetë identitetin e tij dhe mbi refleksin që kujtesa lë mbi të.

Ky dialog seksesh të ndryshme, ky bashkëbisedim intensiv në rrugën e jetës, nxjerr në pah qartë edhe kontradiktat e vetë njeriut. Dhe Krist Dimo, duke na folur me linjat, me sfondet e tij bosh, na lë në lëkurë shijen e teatrit, ku personazhet e tij, shpesh si – marionetta karikaturale- janë si ato fotografitë e parregullta, të deformuara nga zjarri apo koha.

Dimo është një hulumtues i mprehtë i ndërgjegjes, i vetmisë, i braktisjes. Zbrazëtia e figurave të tij, na flet për një botë prej miliardash, ku njeriu e ka humbur forcën dominuese, siç na e dhanë atë, grekët, romakët apo rilindja italiane. Tek ai mungon njeriu i Madh, i cili mbizotëronte me rregullat tradicionale. Këtu na vjen njeriu i shekullit tonë. Njeriu me misteret e tij, njeriu kompleks, njeriu i cili e ka humbur fillin dhe nuk orientohet dot, pra, humb edhe strukturën e tij. Njeriu skllav i teknologjisë, i modernizimit, i konsumizmit. Gati skllav i një lirie të madhe, por edhe i një boshi të madh. Një bosh intelektual, që Dimo e ka perceptuar me shqisat e tij prej artisti. Zbrazëtia e figurave të Dimos, të cilët nuk i kalojnë kurrë kufijtë e kuadratit të telajos, na prezanton zbratinë ngjethëse të vetë jetës së sotme. Njeriu i tij është i zhveshur nga idealet, nga besimet, nga ëndërrat. Qënie gati e humbur në oqeanin e së panjohurës. Njih dhe hulumto vetveten, duket sikur na thotë ai me figurat e tij.

Dimo, është i fuqishëm, i drejtpërdrejtë. Ai ka arritur të ketë një stil krejt origjinal, të tijin. Një stil që aludon, provokon, thellohet, mediton, ëndërron. Një stil plot pulsione jete, ku Dimo filozof me ngjyra dhe linja na flet me poezinë e tij. Një poezi minimaliste, gati e padeshifrueshme, por gjithmonë e pranishme.

Megjithatë prodhimtaria artistike e Krist Dimos ka nevojë për një thellim kritik dhe një interpretim më të denjë, por ky opinion është thjesht një vëzhgim i përgjithshëm i tematikave dhe i stilit shumë të pazakontë të këtij artisti me personalitet dhe reliev. Një artist i cili ka arritur të shprehet në një mënyrë kaq me origjinalitet, mbas një rruge të gjatë njohëse dhe hulumtuese.

 

Please follow and like us: