Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Keqkuptimet mbi Festivalin e 11-të në RTVSH

 
Replikë me ata që nuk janë dakord me “Eksklusiven” e Monika Stafës mbi ‘Fest 11’.
Po e filloj me një citat të Kadaresë mbi mbijetesën e artistit në diktaturë, në paliri:
“…gjithçka ndryshoi me shpejtësi, planeti tokë më kujtoi se jetoja mbi të dhe se doja apo nuk doja do t’i bindesha ligjeve të saj…
… Ndjenja e shkretisë dhe e vdekjes…
-Mbahu o ylli im mos bjer…
-Shkrimtari është disa jetësh, në çaste të renda të tij ato me sa duket këmbejnë njëra tjetrën. Siç këmbejnë kuajt korieret e dikurshëm. Shkrimtari jeton, ecën kalëron midis ditëve banale të jetës, po ti nuk e di mbi ç’kalë ka hipur. Ti e godet përpiqesh ta rëzosh, por ai është ndërkaq mbi një kalë të parrëzueshëm nga heshta jote. Shkrimtari është gjithmonë gjetkë. Ti e bombardon strehimin e tij e ai ndodhet në tjetër strehim. Ti e shikon në bankën e të akuzuarve në polici, e ndërkohë ai ndodhet në studion e tij, në labirint, në darkë me faraonin, në çmendinë ose në tempull..
…shpirtin e ke vrer. Por prapë ke një mbrojtje që ata nuk e dinë. Ti ke një perde në sy. Kaq here ata janë përpjekur ta heqin atë perde…
Nganjëherë më vinte çudi se si nuk më ikte mendja. E qetësoja veten me atë që e quaja ‘kalendarin tim të dytë’. Ata ishin të tjerë, unë isha tjetër njeri.
…Si kam mundur të jetoj në këtë vend diktatorial, ku vetë shkrimtarët duhet të çmendeshin, a ka ndonje sekret?
Po një shkrimtar i cili beson në pushtetin superior të botës së letërsisë, shpëton si një fetar që beson në Zot. Kisha një atdhe tjetër atë të letërsisë”.
Ky më lart është një fragment shkrimi, shkëputur prej Kadaresë.
Një shkrimtar, duke pasur, të fshehura brenda vetes, një ‘shumësi jetësh…’ duke pasur dhe një atdhe tjetër, atë të letërsisë, mbijeton.
Kohët provuan se të ndëshkuarit, unë e të tjerët si njerëz e si shkrimtarë, muzikantë, pajisur me mekanizmin si më lart, mbetëm të gjallë.
Mos na e qajë hallin njeri. Nuk ia duam askujt këtë ‘nder’.
Shumë, shumë, Festivali i 11-të nuk ka ç’më duhet mua. Ai është muzikë. Unë bëj letërsi.
Festivali është spektakël, është muzikë, melodi, orkestracion, performim, interpretim, paradë zërash të bukur, është skenografi, regjisurë…
Është edhe tekst, por poezi në shërbim të muzikës, poezi që shpesh jashtë ‘veshjes’ muzikore, nuk ka shumë vlerë.
Muzikantët i shmangen analizës së Festivalit të 11-të. Kam dëgjuar A. Lalon e ndjerë që thoshte se ai si festival nuk kishte asnjë vlerë. Me një fjalë goje, si kjo e Lalos, fjalë pa argument, nuk mund t’i vësh vizën përsipër Festivalit të 11-të, a kujtdo tjetër. Kompozitorët, teoritikët e muzikës heshtin. I bëjnë lak një studimi profesional mbi këtë ngjarje.
Dihet, më shumë se gjithçka, festivali është muzikë. Pse kompozitorët i shmangen kësaj analize? Nuk mund ta them. Kjo është punë e tyre dhe më mirë se gjithë të tjerët ata duhet ta dinë.
A ishin të bukura këngët? A. Lalo i quante pa vlerë. Gazmend Mullahi disa prej tyre, i quan fare të rëndomta.
Ata janë specialistë. Fjalën e tyre nuk e vë në dyshim. Por…
Tish Daja iu përgjigj Lalos, se këngët e ‘Fest 11’ ishin të bukura.
Kjo “ishin këngë të dobta”, “ishin këngë të bukura”, do shtjellim, do studim profesionistësh.
Ka dhe një ngatërresë që duhet sqaruar. U dënua muzika, që ne sot po abuzojmë me të, që ne sot po e mbivlerësojmë atë, apo u dënua ‘Ngjarja’?
Festivali 11 ishte ‘ngjarje’, më shumë se muzikë, më shumë se melodi, poezi, interpretim, spektakël. Ajo si ‘ngjarje’ i përfshin të gjithë përbërësit më lart…
Por ndëshkimi i ‘Fest 11’ si ‘Ngjarje’ ishte qëndrim politik.
Politika ndëshkoi fenomenin, dukurinë ‘Fest 11’, por e veçoi atë nga autorët. Autorët jo të gjithë si Lalo që u dërguan në Kukës, jo si Edi Luarasi, si Gac Çurçia e si Iliriana Çarçani që u përjashtuan përgjithmonë nga skena, jo të gjithë si Sh. Merdani e si M. Luarasi…u futën në burg.
Ata, kompozitorët, me ndonjë pëllëmbë të lehtë a të rëndë, u kthyen, ishin “përsëri në këmbë” në festivalet e radhës.
Në se ‘Ngjarja’ te ‘Fest 11’ ishte liria, atëherë kjo, L i r i a, u vra. Të tjerat vazhduan si më parë. Krijoni, por nën frerin e Partisë.
Ata që e pësuan, ata që u bënë shembull për keq ‘Udhembarë’, në të sëmës u qoftë.
Atyre sot nuk u duhet as lavdia, nuk u duhet as mëshira e ndokujt.
Të mbijetosh është në natyrën e njeriut, përtej fuqive të gjithëkujt tjetër.
Për ata që thonë se kjo “Ngjarje”, ‘Fest 11’ ishte një liri e mbikëqyrur, liri e kontrolluar, që sapo u artikulua, iu hodhën duart në fyt dhe e mbytën. Po…
Po, mund të jetë edhe kështu. Vetëm se kjo ishte një tjetër ‘liri’ .
Kjo liri nuk erdhi nga burgjet, as nga klasat e përmbysura. Atë e prodhoi vetë sistemi, vetë zhvillimet e brendshme të komunizmit, mbanin përbrenda kundërkomunizmin. Ishin bijtë e komunizmit, ishin të shkolluarit në shkollat e Tiranës ata që e prodhuan ‘Fest 11’, që prodhuan ‘Lirinë’ krijuese, artistike nën diktaturë. Ku mund të çonte kjo liri më pas…? Pasojat mund të ishin të frikshme. Ndaj i duhej vënë shkelmi në fyt. Sa më shpejt.
Pikërisht për këtë…
Për të vrarë këtë liri problematike u ndëshkua ‘Ngjarja’ e ‘Fest 11’.
Please follow and like us: