Albspirit

Media/News/Publishing

XHEVAT LLURI, BURRI I URTËSISË DHE MËNÇURISË NË PËRJETËSI

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

In Memoriam për burrin e urtë e të mencur, njerëzorin, modelin e njeriut shoqëror, krijuesin, këmbëngulësim, vlerë e Prongjisë, Krahinës së Kardhiqit dhe mbarë Labërisë, burrrit të denjë dhe që ishte nder që ta kishe mik për Xhevat Llurin, që u shua këtë fundmarsi të 2021-it, që ngeli i pashlyer në kujtesën e shumë brezave të studiuesve, të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, të Shoqatës “Labëria”, të miqve e shokëve, bashkëfshatarëve të Prongjisë, si model i mirësisë dhe vlerave njerëzore, një emër i dashur shoqëror, një familjar i përkushtuar për tre vajzat, një gjysh i dashur, një babaxhan dhe veprimtar shoqëror që la vepra të figurave kombëtare, i qetë dhe i dashur, i thellë dhe i menduar, shpirtbardhë, mendimpjekur, që me trashëgiminë që la është ndriçues për brezat duke i bërë një shërbim të denjë vendlindjes, krahinës, Labërisë

 

 

Përnjëherë u krijua një boshllëk në shpirt. Nga jeta iku një njeri i mirë, që dy vjet më parë në “Telegraf”, kisha shkruar “Burri lab i Prongjisë, Mirënjohje e Labërisë”. Para sysh më del jeta e tij plot sakrificë, një jetë e mbushur me dinjitet urtësi dhe krenari. Ai ishte njeriu i urtë që dinte të përballonte cdo sfidë dhe të triumfonte mbi të keqen. Po ja në mbrëmjen e ditës së djeshme lexoj një ikje, një dhimbje, një largim të parakohshëm të burrit të nderuar Xhevat Lluri. Lexoj dhe nuk besoj një status që kishin bërë në facebook, dhëndurrët e tij, njerëz të nderuar dhe respektuar, miqtë tanë Agim Çiraku dhe Engjëll Musai: 

Ikja e një miku të paqtë dhe vjehrrit, Xhevat Lluri! Një lajm i hidhur dhe një ditë e trisht. Largohet nga kjo jetë vjerri, shoku dhe miku ynë Xhevat Lluri. Familja e Xhevatit sot ka më pak dritë dhe më shumë trishtim. Mes shumë kujtimesh një gjë na vjen ndër mend: Urtësia, qetësia, dashuria për njerzit dhe sakrifica për të bërë vetëm mirësi. Qofsh në dritë, o shpirt i madh dhe me vlera humanizmi”.

U detyrova ta rilexoj këtë status që nuk do doja të shkruhej kurrë, për një mik të mirë, për një veprimtar, për një lab, për një nder dhe krenari të krahinës së Kardhiqit dhe mbarë Labërisë. Por e tillë është jeta. Qindra komente e ngushëllime për këtë burrë janë pak sepse e tillë është veprimtaria e tij e përkushtuar, të tilla janë gjurmët e tij, të thella atdhedashurie e përkushtimi, deri në palcë model i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it të popullit shqiptar. Pushoi së rrahurri një zemër e madhe personalitet i shquar, i dashur, i urtë, i zgjuar, që do të kujtohet në breza. Shokët, miqtë, bashkëpunëtorët, veteranët e kanë tepër të vështirë dhe të dhimbshme t’i thonë “Lamtumirë”. Xhevat Lluri ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij veprimtari i shquar, intelektuali dhe publicisti lab i Gjirokastrës, ish ushtaraku me gradë nënkolonel, pinjolli i familjes atdhetare e patriotike e me kontribute të shumta për çështjen e lirisë e pavarësisë së Atdheut, ndër bijtë e përkushtuar dhe të devotshëm të Prongjisë, krahinës së Kardhiqit, Labërisë dhe mbarë vendit. Është një humbje e madhe për vajzat, bashkëshorten, nipër e mbesa, miq e shokë, bashkëpunëtorë në të gjithë Shqipërinë, misionarin e posaçëm që ka shkruar e dokumentuar historinë, depërtuesin në vlerat dhe karakteret jetësore, burrin e përkushtuar e punëmbaruar, që u foli brezave me vepra, me punë, me djersë, me përkushtim, Prandaj ai nuk është një njeri, një burrë, një zakonlli që harrohet lehtë. Ai do të kujtohet përherë sepse ishte dhe mbeti deri në fund të jetës nga një derë dhe oxhak i madh i vlerave që nuk harrohen. Me plot të drejtë mund të themi se ai ishte i mbrijtur dhe brumosur me idealet e fisnikërisë dhe ndershmërisë dhe për këtë punoi gjatë gjithë jetës. Ai ishte dhe ngeli burim frymëzimi edhe për njerëz të tjerë. Ishte i besës dhe jepte shpresë, besonte dhe dinte të bënte vetë atë që besonte. Ai ishte i eshtërzuar fuqishëm nga rrënjët e nënës dhe babait dhe diti ta mbronte fuqishëm idealizmin e tij. Xhevat Lluri rronte idealet dinjitoze dhe krenarinë e mëkuar nga prindërit e tij që në vegjëli. Këtë prush atdhetarie e mbajti, e ruajti dhe e trashëgoi si gjënë më të shenjtë. Dhe për këtë shenjtëri “iku” në fluturim në përjetësi në një ditë të bekuar marsi duke e pasur zemrën plotë mirësi. Në qetësinë dhe mençurinë e tij rronte fuqishëm “xhephanja” e krijimtarisë e vlerave, e intelektualizimit. Prandaj ai ishte aq i lidhur me vendlindjen duke u përpjekur me mish e shpirt, me shumë dashuri e ngrohtësi për vendlindjen. Xhevat Lluri ishte vetë një “copëz” e historisë e krahinës së Kardhiqit e veçanërisht e Prongjisë së tij të dashur. Ai veproi në të gjithë Shqipërinë dhe shkroi emrin e mirë kudo prandaj edhe do të ngelet shok, mik, krenari, për bashkëpuntorët e tij në të gjithë Shqipërinë, një ish-ushtarak me vlera të spikatura, që shërbeu me devotshmeri e përkushtim në dhjetra detyra të rëndësishme e delikate në radhët e organeve të MPB-së sin ë Elbasan, Cërrik, Tiranë, Shkodër, në Tiranë e gjetkë. Aktiviteti i gjerë e i larmishëm lidhet pikërisht me kontributin e tij edhe në organizatën e nderuar të veteranve si dhe kryesisht në Zonën 3 si kryetar deri ditën e fundit ku ai interesohej hap pas hapi për veteranët, për pasardhësit e tyre, për mbrojtjen e luftës së madhe antifashiste të shqiptarëve, për gazetën Kushtrim Brezash, etj.

 

Një proverb lab plotësisht i vërtetuar tek burri i urtë i Prongjisë

Nuk është e rastit që në Labëri dhe jo vetëm të dëgjosh maksimën proverbial: “Bëmë baba të të ngjaj”. Është e njohur se babai i Xhevatit, Majko Lluri, i njohur në trevën labe e në mbarë krahinën e Kardhiqit. Është fakt se “Bëmë baba të të ngjaj”, është si të thuash “Bëmë baba të eci i sigurt në gjurmët e tua”, në gjurmët e atdhetarisë, të besës të trimërisë e urtësisë. Vlera e padiskutueshme e trashëgimisë prindërore qëndron pikërisht edhe për të shprehur bindshëm konsideracionim që përcillet në trashëgiminë popullore labe. Majko Lluri ka qenë frymëzuesi dhe mëkuesi i karakterit të fortë e patriotik, që në Labëri është e natyrshme që bijtë mësohen nga baballarët, por edhe mëkohen me qumështin e nënave. Majko Lluri ishte një burrë i njohur në krahinë e Labëri, i cili ka ndihmuar e furnizuar me ushqime, veshmbathje e municion çetën lavdiplotë patriotike të heroit kombëtar Çerçiz Topulli kur u strehua në fshatin Prongji, në këtë çerdhe të përhershme dhe strehë të sigurt të patriotëve dhe të patriotizmit. Ka qenë koha kur Çerçiz Topulli me çetën e tij përndiqej nga kosharet osmanë, të cilin populli e mori në mbrojtje pas vrasjes së bimbashit turk në marsin e vitit 1908 dhe si i thonë populli di të fshehë edhe “nën gjuhë”, pra që hasmi nuk mund ta gjente kurrë, sepse “po të mori populli nën mbrojtje je si në mbrojtje të perëndisë”. Majkua edhe në vitet 1913-1914 përsëri ka shpëtuar Barjam Ligun, ish-luftëtarin e çetës  së Çerçiz Topulli, që grekët e arrestuan dhe e torturuan pa mëshirë. Më vonë ishte edhe pjesëmarrës në luftën e Vlorës, më 1920. Për këtë aktivitet patriotik Këshilli i Qarkut Gjirokastër me vendim Nr. 7 datë 4 mars 2008, e ka nderuar me titullin “Patriot i Shquar“ me motivacion: “Për veprimtarinë e tij si patriot në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare”. Në 10 prillin e vitit 1914 ka marrë pjesë në kuvendin antiandart në Shtëpëz në këtë Ballkon të të gjithë Labërisë dhe Lunxhërisë, që është një roje e përjetshme që hasmi të mos shkelë vatanin, truallin arbëror. Familja e tij ka qënë tërësishtë e lidhur me LANÇ dy vëllezërit e tij, Ruzhdi Lluri ka qenë partizan në Brigatën VI “Heroinë e Popullit” dhe Petref Lluri, korrier i shtabit partizan në Cepon historike, ndërsa babai në batalionin territorial të krahinës se Kardhiqit bashkë me komandantin fushbardhas trimin e paepur Karafil Bello. Veprimtarinë patriotike të Majko Llurit e përshkruan me saktësi edhe publicisti Sevo Tarifa në vëllimin e 2-të librit “Shpirtra të gdhëndur”. Prandaj edhe bijtë e tij u rritën e burrëruan në prushin e atdhetarizmit dhe të tillë ngelën për gjithë jetën të trupëzuar me atdhedashurinë, urtësinë, mencurinë e natyrshme të Labërisë.

 

Jetë e gdhendur në shërbim të atdheut, për atdheun dhe për kombin

Burri i mençur i Prongjisë, i urti dhe i miri Xhevat Lluri ishte lindur më 15 qershor 1939 në fshatin Prongji të krahinës së Kardhiqit, rrethi Gjirokastër. Ai lindi në ditë të errëta pushtimi, kishte parë e prekur të djeshmen, luftën, punën vështirësitë, fshatin ku lindi dhe u rrit, ku u mëkua me atdhedashuri, për t’u bërë njeri i vlerave të rralla. Xhevati kishte kryer arsimin fillor e 7-vjeçar në fshatin e lindjes, në Prongji të krahinës së njohur të Kardhiqit; ndërsa arsimin e mesëm e kreu në Teknikumin Bujqësor në Fier, në vitet 1954 -1958, me rezultate të shkëlqyera. Më vonë kreu edhe arsimin e lartë juridik. Iu përgjigj thirrjes për të kryer shërbimin ushtarak në vitet 1958 deri 1960, ku kreu me sukses shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Elbasan, ku me pas ka kryer edhe një kurs profesional për t’u formuar plotësisht në rrugën e mundimshme të jetës. Xhevati i apasionuar pas studimeve, duke parë arsimimin, sikurse thoshte Sami Frashëri, si “mendjen e një kombi”, përfundoi sukseshëm Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror në Tiranë në vitin 1976 dhe është titulluar “Jurist”. Detyra në një kohë të trazuar për shqiptarët e thirri në një front të vështirë dhe lebërit nuk e kanë zakon të tërhiqen nga vështirësitë, por dinë ta tregojnë veten denjësisht e krenarisht. Kështu në vitin 1961 titullohet Oficer dhe shërben me korrektësi në organet e Punëve të Brendëshme në disa rrethe të Shqipërisë, ku e kërkonte detyra, nderi, Atdheu. Nga viti 1971 deri në vitin 1992 shërbeu në Aparatin Qendror të Ministrisë Punëve të Brendshme, duke gëzuar nderimin respektin dhe konsideratën e shokëve, eprorëve dhe vartësve. Era e re demokratike e gjen Xhevat Llurin relativisht në moshë të re, por kushtet e rrethanat dhe sidomos një tranzicion i formatit të shtetit bëri që, sikurse shumë kuadro të tjerë pas vitit 1992 të dalë në rezevë pas reformës së ndëmmarë dhe pas ndryshimeve demokratike me gradën e lartë “Nënkolonel”, që gjatë punës së tij ishte vlerësuar me tre dekorata: dy urdhëra dhe një medalje. Xhevati në vitin 1994 ka dalë në pension, por pensioni nuk ishte për të, pasi ka kryer detyra shoqërore në shërbim të komunitetit ku banon në Tiranë, në Organizatën e Veteranëve të LANÇ si pasardhës veterani dhe atë të dëshmorëve. Në vitin 2016 është zgjedhur Kryetar i Nëndegës së Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit”, për Njësinë Administrative nr. 3, në Tiranë. Më 8 dhe 9 dhjetor 2018 ka qenë delegat i rrethit të Tiranës i mandatuar si pjesëmarrës në Kuvendin VI të SHAK “Labëria” që u mbajt në sallën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë si dhe në Universitetin “Pavarësia” të Vlorës. Ai ka qenë plotësisht i denjë dhe i devotshëm i shtetit, sepse ka shërbyer me ndershmëri në detyrën oficer me gradën Nënkolonel me karrierë ushtarake 36 vjeçare dhe ngeli me zemër ative deri në këto ditë marsi të mërzitur nga ikja e tij në përjetësi. Ai ishte babai i tre vajza, të cilat banojnë në qytetin e Tiranës. Xhevati rridhte nga një familje me rrënjë të thella atdhetare e patriotike e me kontribute për çështjen e lirisë e pavarësisë së Atdheut dhe kjo vërtetohet plotësisht edhe nga bëmat e tij në këtë jetë duke ia shtuar vlerat patriotike familjes dhe fisit Lluri.

 

Amaneti i varrit të nënës

Xhevat Lluri iku dhe u shua në përjetësi, por shpirti i tij ishte dhe mbeti në kërkim të varrit të nënës. Është folur e shkruar shumë për jetimët, por vetëm jetimi e di peshën e vërtetë të kësaj fjale. Jeta prej jetimi e kishte detyruar që shumë gjëra t’i përjetonte si jetim, ku dhimbja për nënën e shtypte vazhdimisht kraharorin dhe malli i mblidhej si lëmsh në fyt. Malli e çonte në Prongji shpesh dhe sa herë shkonte përpara i dilte hija e nënës, përfytyrimi i saj. Përfytyrimi për familjen, fëmijët, nipat, mbesat, jetën, shpresën. Ai avitej me një tufë lulesh në duar atje tek të përjetshmit, te varret, me lule për nënën, në kërkim të saj nëpër varreza, për vendprehjen e përjetshme. Ai vërtitej mos gjente ndonjë gur ku të shkruhet emri i nënës. Ecte ëndrrave, lexonte, qëndronte. I kujtohej fëmijëria trevjeçare, të qarat, klithmat “Nënë, nëna ime! Ku je dhe ku më le tre vjeç më le kur ike në qiell…”. Lulet i shpërndante nëpër varre të lagura me lotët e xhanit, sepse askush se dinte vendprehjen e nënës, prandaj psherëtima e shpirtit shkonte tek amaneti i patretshëm, sepse nëna e tij mbylli sytë në atë luftë të kobshme, u varros përmes plumbave dhe plumbat e dy djemve të rritur dhe të burrit binin për liri, ndërkohë që breshëria e plumbave të tyre e shoqëroi në banesën e fundit bashkëshorten e nënën në largësi. Një vdekje prej plumbash, që nga mendja nuk iu ndanë për një jetë të tërë, për vendprehjen e saj. Ai kujtonte një grua që kur ishte fëmijë që i tha: “E di unë varrin e saj dhe do ta tregoj unë, do shkojmë bashkë, por kur shkoi tek gruaja kyç për enigmën e varrit të nënës, e gjeti gruan në arkivol të vdekur”. Fati i jetimit, që nuk e mësoi kurrë varrin e nënës. Edhe një burrë që e dinte vendvarrimin e nënës edhe ai ishte i verbuar dhe jetimit nuk kishte si t’i qeshte buza. Por Xhevat Lluri e mbushi jetën plotë dritë me fëmijët, nipat e mbesat.

 

(Kryebashkiakja Zamira Rami dhe prefekti i qarkut Gjirokastër z. Astrit Aliaj kanë marr pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të patriotit Bajram Ligu ose siç njihet ndryshe Bajram Prongjia, në fshatin Prongji te bashkisë Gjirokastër, në kuadër të 110 vjetorit të luftës së Mashkullorës. Bajram Ligu, pjesë e çetës së Çerçiz Topullit ku bashkë me Hito Lekdushin në mars të vitit 1908 në Gjirokastër kryen vrasjen e Bimbashit Turk. Ky ishte një aksion që bëri bujë jo vetëm në Gjirokastër por edhe përtej kufijve shqiptarë, duke e lartësuar figurën e Bajram Ligut për të gjithë brezat që do të pasonin).

 

Prongjia e shenjtëruar e Gjirokastrës, fisi “Lluri”dhe busti Bajram Prongjia

Nuk ka shqiptar e patriot në gjithë trevat shqiptare që nuk ka njohuri për bëmat e Çerçiz Topullit, Bajram Prongjisë me shokë. Kështu banorët e fshatit Prongji në Gjirokastër dallohen për burrëri, bujari, trimëri e mençuri. Fshati ka një të kaluar patriotike e me tradita të hershme atdhetare. Por prushi i atdhedashurisë rron fuqishëm në #do shtëpi e zemër të Labërisë. Është fakt se nga gjiri vet ka nxjerrë figura të shquara patriotësh e atdhetarë që kanë nderuar mëmëdhenë duke kulmuar me pjesëmarrjen e gjerë të popullit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Janë një sërë figurash të shquara që janë fiksuar në memorien historike, ku ndër të parët që na vjen në mendje është Barjam Ligu ose sikurse e njeh populli Bajram Prongjia, që njihet si atentatori i vrasjes së bimbashit turk, në mars të vitit 1908 në Gjirokastër, ish-luftëtar i çetës patriotike të heroit Çerçiz Topulli. I njohur për guximin e trimëritë e tij edhe në vitet e mëvonshme 1913-1914 , kur andartët grekë kërkonin të pushtonin Jugun e vendit për ta shkëputur nga qeveria e Vlorës së Ismail bej Qemalit, për të krijuar të ashtuquajturin Vorio-Epir, një absurditet të paperceptueshëm. Kur andartët grekë zbarkuan në fshatrat e krahinës së Kurveleshit dhe të Kardhiqit erdhën edhe në fshatin Prongji dhe mblodhën të gjithë burrat e fshatit dhe u kërkuan të dorëzonin armët, por hasën në rezistencën e tyre. Ishte i pari Barjam Ligu që i kundërshtoi dhe u bëri thirrje fshatarëve që të mos i dorëzonin armët. Ky qëndrim i vendosur e burrëror i tij i revoltoi shumë dhe filluan ta torturonin duke i thyer edhe brinjët, se e dinin që ishte luftëtar i çetës së Çerçiz Topullit, sikurse edhe i kuvendit antiandart të Shtëpëzit të 10 prillit 1914, që u kishte kallur datën me aksionet e tij patriotike. Kështu e arrestuan dhe e izoluan në kalanë e Kardhiqit ku kishin komandën e përkohshme. Megjithëse e torturuan përsëri ai nuk u përkul dhe në shenjë hakmarrje i prenë njërin vesh për ta turpëruar para njerëzve, por ai ishte ballëlart dhe nuk e mbuloi kurrë, përkundrazi ia rriste më shumë lavdinë para njerëzve. Për këtë figurë kaq të dashur dhe kaq sinjifikative ishte Xhevat Lluri që nxiti dhe frymëzoi, por edhe udhëhoqi vetë këtë aksion madhor për t’i bërë një bust në fshatin e tij, në Prongji, si kujtesë për të gjithë brezat, se e shkuara që harrohet mund të përsëritet.

 https://www.facebook.com/prongjia/videos/1485229721623928

Arkitekti që ngriti bustin e Bajram Ligut/Prongjisë

Për të bërë gjera të mëdha në jetë nuk të nevojitet buja dhe pompoziteti. Kështu që njerëzit janë produkt i familjes dhe shoqërisë. I tillë ka qenë edhe Xhevat Lluri, produkt i një familje të nderuar dhe një shoqërie të shëndoshë e me vlera të spikatura atdhetarie. Xhevat Lluri është zgjedhur Anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve në tre konferenca rresht dhe është pjesë e stafit të gazetës “Kushtrim Brezash“, botim dinjitoz i Komitetit Kombëtar të Organizatës Veteranëve të Popullit Shqiptar. Me aparatin e tij fotografik ishte kthyer në një fotografues e dokumentues të historisë të organizatës së veteranëve, ku në 25-vjetorin e fillimit të botimit të gazetës “Kushtrim Brezash” ka marrë mesazhe të shumta falenderimi nga kryesia e këtij komiteti, por edhe nga shumë veprimtarë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Një nder meritat shumë të mëdha të llojit të veçantë që normalisht nuk mund të ketë shpërblim është kontributi për ringritjen dhe nxjerrjen në dritë të figurës së madhe patriotike të Bajram Ligu-Prongjia. Është fakt se Xhevat Lluri ka kryer studime dhe hulumtime të mirëfillta për njohjen dhe promovimin e figurave historike e me kontribute të veçanta siç ishte edhe rasti i patriotit prongjiotas Barjam Ligu që njihet në histori si atentatori i vrasjes së bimbashit turk, në mars 1908, në qytetin e Gjirokastrës, dhe me insistimin dhe kontributin e tij u realizua busti prej bronzi që u inaugurua, më 18 korrik 2018 vendosur në qendër të fshatit Prongji, ku pati pjesëmarrje të gjërë nga Prefektura Gjirokastër e Fier, Shtabi i Përgjithshëm i FARSH, nga Bashkia Gjirokastër dhe mori me meritë falënderime të shumta nga të gjithë komuniteti, krahina, Prefektura, Bashkia e Qarku. Xhevat Lluri është hartuesi dhe përpunuesi i Historikut të fshatit Prongji, promovuar në një ceremoni të veçantë me pjesmarrje të madhe në Tetor të vitit 2006, ku morën pjesë edhe titullarë të qarkut dhe të Bashkisë Gjirokastër. Ai e ngjiti Prongjinë në piedestalin e kulturës që i takon, me shkrimet e tij të pareshtura, me librin e fshatit të vet, Prongjisë. Nga ana tjetër Xhevati ka qënë bashkautor në realizimin e filmit dokumentar për 55-vjetorin e krijimit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, në korrik 2012. Së bashku me veteranin e LANÇ Vasil Rrapi realizuan filmin dokumentar për Heroin e Popullit, Shefqet Peçi, në Qershor 2016 me rastin e 110-vjetorit të lindjes, themeluesi i kësaj Organizate me emër në Shqipëri. Shokët e miqtë e tij e njohin mirë që në vitin 2004 me rastin e 60-vjetorit të Çlirimit të Atdheut me kërkesë të Federatës Internacionale të Rezistencës anti-fashiste në Fier, ka përgatitur një fotoekspozitë mbi rezistencën e popullit shqiptar kundër pushtuesve nga viti 1939-1945 me fotografi dhe dokumente arkivore të përgatitura në një CD, e cila është dërguar edhe Institutit të Veteranëve në Bruksel, kryeqendrën e Belgjikës. Ka qenë mjaft aktiv në publikimin e shkrimeve të ndryshme historike në organet e shtypit të pëditshëm e atë periodik në përkujtim të ngjarjeve të mëdha të historisë së popullit shqiptar dhe të LANÇ, si dhe të figurave historike protagonistë kryesorë të këtyre ngjarjeve.

 

Vlerësime që nuk mund të maten me dekorata

 Xhevat Lluri i përket plejadës së atyre burrave që vlerësimet dhe nderimet për të edhe pse plotësisht të merituara, nuk i pa kurrë si qëllim. Misioni i tij ishte atdhetaria e përkushtimi për brezat e sotëm dhe vecanërisht për brezat që do të vijnë. Në gjithë trevën e Labërisë ka një fjalë të urtë proverbiale: “çdo mundim kërkon vlerësim”, edhe pse Xhevat Lluri nuk ka punuar kurrë për vlerësime e dekorata ato vijnë natyrshëm kur organet kolegjale dinë të vlerësojnë njerëzit e përkushtuar si Xhevati. Kështu për gjithë aktivitetin e realizuar ka marrë dhe vlerësime si: Titullin “Nderi Organizatës Veteranëve“ dhënë nga Kryesia e Komitetit Kombëtar të veteranëve të LANÇ, në vitin 2011. Titullin “Nderi i organizatës për dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut” dhënë nga Kryesia e kësaj organizate i është akorduar me rastin e 70 vjetorit të çlirimit në Nëntor 2014. Titullin “Anëtar Nderi” i Organizates së Veteranëve dhënë nga Kryesia e Komitetit të Veteranëve të Tiranës, në vitin 2005. Dëshmi nga shoqata atdhetare për dëshmorët e atdheut për botimin e librit historik “Prongjia dhe njerëzit e saj” për përkushtimin atdhetar të treguar në veprimtaritë për dëshmorët e Atdheut. Dhe së fundi, portretizimin e aktivitetit të tij e përshkruan me mjaft realizëm publicisti i mirënjohur Sevo Tarifa në serine e librave “Shpirtra të gdhënndur”, vëllimi III-të. Xhevat Lluri është gjithmonë me lebërit dhe për lebërit, me veteranët dhe për veteranët dhe punon parreshtur për të mbrojtur me fanatizëm emrin e ndritur të dëshmorëve që kanë derdhur gjakun për atdheun dhe që është shprehje shumë domethënëse e karakterit të formuar të labit fisnik. Por për dëshmorët e atdheut është shkruar, kënduar e do shkruhet e këndohet gjithmonë. Në çdo varg të shkruar, aty gjen të freskët pika gjaku, nga ku lulja e lirisë qëndron ngaherë e pa vyshkur, me rrënjë ngulur në tokën tonë të ujitur nga gjaku i dëshmorëve të Prongjisë, Labërisë, Shqipërisë. Por pranë çdo aktiviteti që lidhet me LANÇ është gjithmonë burri tepër serioz dhe i papërtuar Xhevat Lluri. Ai ishte bërë njësh me historinë si dhe nga ana tjetër ka pasur dhe ka mbartur vlera të veçanta e të spikatura atdhedashurie. Xhevat Lluri ka marrë përgjatë jetës së tij një vlerësim sinjifikativ dhe plotësisht të merituar nga shoqata atdhetare patriotike ndër më vitale që ka Shqipëria, nga shoqata “Labëri”. Është një vlerësim që vjen nga Kryesia e Përgjithëshme e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”; një vlerësim e nderim plotësisht të gjetur në kohë për Xhevat Majko Lluri, Kryetari i Nëndegës së Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, në Njësinë Administrative nr. 3, titulli “Mirënjohja e Labërisë” që i jepet sot me motivacionin:  “Për kontribut të shquar në fushën e njohjes, studimit dhe promovimit të figurave të shquara patriotike të Labërisë, për punë e përkushtim të palodhur për përjetësimin në një bust prej bronxi të patriotit prongjotas Bajram Ligu (Prongjia), i njohur në historinë e kombit shqiptar si atentatori i vrasjes së bimbashit turk në mars 1908 në Gjirokastër. Aktivist i spikatur në promovimin e vlerave labe, si kryetar i Nëndegës së ShKA “Labëria”, i Njësisë Administrative nr.3 në Tiranë, por edhe në fotografimin dhe evidentimin me ilustrime të aktiviteteve bashkëpunuese të Organizatës së veteranëve të LANÇ-it, Organizatës së Dëshmorëvetë LANÇ-it, me Shoqatën Kulturore-Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit, Dega Tiranë”. I tillë ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij në të vërtetë Xhevat Lluri-Prongjia, që gjykimet mendimet dhe idealet i ruante të shenjta, të pandryshueshme, ashtu sikurse thoshte “Klauzeviçi i madh se “ngjarjet dhe figurat historike nuk mund të kuptohen nëse në analizën e tyre nuk vesh e mban parasysh ‘qyrkun e kohës’ dhe këtu kemi parasyshn ‘qyrkun’ kur partizanët jetuan, luftuan e vepruan”. Xhevat Lluri ishte dhe mbeti besnik i idealeve të mëdha të lirisë së kombit dhe i mbron ato me krenari dhe plotësisht me të drejtë! Ngado të takosh shokë e miq të tij kanë sot një brengë e një trishtim në zemër, që ai të kishte një jetë më të gjatë, sepse mendja e tij ishte e kthjellët, ai ishte zotërues i shumë energjive pozitive për të vijuar punën në interes të Organizatës Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar, Organizatës së Dëshmorëve dhe si kryetar i Nëndegës së ShAK “Labëria”, i Njësisë Administrative nr.3 në Tiranë! Ai ishte burri që punoi fuqishëm pa bujë e pa zhurmë, sepse nderimin dhe vlerësimin nuk e ka kërkuar kurrë, edhe pse meritonte të gjitha nderimet e mundshme. Ai ishte një mjeshtër i madh i letrave edhe pse i pashpallur edhe pse i padekretuar, sepse krijimtaria e tij e shumtë janë në themel të historisë së Prongjisë, krahinës së Kardhiqit dhe të mbarë Labërisë. Prania e tij e plotë në shtypin e shkruar ishte mjaft sinjifikative edhe pse veprimtaria e tij kulmon padyshim me veprën e Bajram Prongjisë, e pavdekshme dhe që flet më shumë se mijëra fjalë. Dhënia e një titulli të tillë “Mjeshtër i Madh” është në fund të fundit nderim për kulturën krahinore e më shumë për kulturën kombëtare të letrave shqipe, sepse një jetë të tërë punoi e luftoi për ta dokumentuar. Breza të sotëm dhe të nesërm do ta kërkojnë padyshim nderimin ne Xhevat Llurit në nivelet më të larta, padyshim për meritat që ai ka edhe pse sot jeton në përjetësinë shqiptare. Xhevat Lluri nuk shuhet sepse jeta e tij është në përjetësi. Ai është lartë në kaltërsitë e vendlindjes në Prongji, në tërë Labërinë dhe më gjerë. Ai sheh dhe e shohin sepse kush kujtohet nuk harrohet kurrë.

https://telegraf.al/aktualitet/xhevat-lluri-veprimtari-i-shquar-intelektuali-dhe-publicisti-gjirokastrit/

Please follow and like us: