Thashetheme nga Kupola: Fevzo vendos të thërrasë përsëri Zhulin
Personazhet:
Fevzo nuk ka nevojë për përshkrim
Zhuli është prurja më e re e servilizmit pushtetar, një qenie nënmesatre me një mjekër të rrallë e zë cjerrës, një produkt cinik i species njerëzore, një popullues vullnetar i përnatshëm i banaqeve televizive. I mirënjohur botërisht për publikun si mbushësh sufllaqesh dhe i përgojuar për gjëra që bëjnë me turp edhe thashethemet tona.
Skena 1
Zhuli i braktisur në kafenenë e Topit për ditë të tëra në pritje të ftesës së znj.Eni, më në fund vendosi të tërhiqet. Goditja që i dha neveria e Blushit kur ndeshi fytyrën e tij e bëri të kthehej në shtëpi i drobitur. Mori masat, para se të kthehej, e njoftoi gruan për çdo eventualitet.
Ishte aq i lodhur sa e mori gjumi menjëherë sa vuri kokën në shtrat…
Në ëndërr i ra zilja e telefonit, ishte Kryeministri.
“Zhul, si ke qenë, a të kanë ftu nëpër banaqe Blushi me Fevzon?”
Zhuli: “Faleminderit zoti Kryeministër, kjo telefonata juaj ishte gjëja më e bukur që mund të më ndodhte. Jam përpjekur ta shpërblej me sa mundësi kam. Lexoj gjithë natën, nëpër kafene, kur mbyllet shërbimi. Ka taktika të tëra bota sesi lëpihen këpucët kryeministrore. Madje duke e shitur këtë si kurë për gjuhën. Në Oxford është bërë një studim për superlëpirjen, kam mbrojtë doktoraturën me të. Quhet komunikim tani. Sipas ekspertëve tanë të komunikimit, nëse gjuha nuk lëpin këpucët çdo ditë, rrezikon infeksion të rëndë. Sidomos kur është mësuar. Të them të drejtën zoti Kryeministër studiot tona kanë mbetëur mbrapa. Te Fevzo psh, akoma është ndarja me batalione, njëri pro e tjetri kundra. Servilët e vjetër janë komplet të papërshtatshëm. Ku do shkojmë ne me Lorenc Vangjelin me atë buzëqeshjen e tij të kithët cinike? Ai është bashkëkohës i lashtësisë zoti Kryeministër”…
Në ëndërr ndodhin gjëra të çuditshme. Zhuli shihte përmes telefonit edhe reagimin e Kryeministrit. Kjo nuk shpjegohej por ëndrra-ëndërr. Kryeministri dukej i kënaqur:
“Zhul i dashur, të përgëzoj, ke qenë i jashtëza…”.
Aty Zhulit i erdhi një vrundull emocional i papërballueshëm, një lloj ereksioni total, ndjeu edhe kokën t’i zmadhohej, duart, këmbët… Kjo që po i ndodhte ishte lumturia vetë, kishte kaluar caqet. Bash në kulm të lumturisë, në zenith, i doli gjumi….
Gruaja nuk ishte aty, kishte shkuar në guzhinë të pregatiste sufllaqet, jepte e mertte me sms me Papaqistin që do vinte t’i merrte..
Zhuli u përpoq disa herë të mbyllte sytë me shpresën se do i vazhdonte e njëjta ëndërr… Por ishte e pamundur, realiteti ishte vrastar, dërrmues….
Doli që me mëngjes të nesërmen. Shkoi nga Klani por nuk ia mbante të futej brenda. Sandri ishte i rreptë, të shante parë e mbrapë.
“Do kaloj nga dreka se bëhet pazar dhe nuk bie në sy” mendoi.
Kaloi nga Ora News. Fundja edhe te Lela po shkoj. Ose te Hiçi. Sonila me Betin nuk ia lëshonin sytë. Shkoi ora 11.30 dhe askush nuk u duk aty…
Pa Fevziun të futej me makinë. Kur futej Fevzo gjithmonë sillte zhurmë. Bërtiste nga larg kamarierit, regjisorit, gazetarëve. Donte të merrej vesh ardhja e tij në Klan. Ecte avash, bënte sikur kontrollonte celularin përpara oborrit të Klanit që ta shihnin të gjithë…
Zhuli vendosi të kalonte njëherë andej. Fundja nuk kishte ç’të humbte. U soll vërdallë Fevziut sa mundi por ky nuk e shihte fare. Vendosi të përplasej me të, iu afrua me qëllim. Fevzo pa një hije t’i zinte rrugën dhe me dorën e lirë (me tjetrën fliste në telefon) e shmangu…
Zhuli u bë keq.
“Presor Fevziu, jam Zhuli”- nuk u dorëzua,
“Ohhh, Zhul, si je, si është gruaja”?
Zhuli u skuq. Ç’punë kishte gruaja, ajo bënte thjesht sufllaqet… Por, lëkura shollë si i thonë…
Vendosi të luajë bllofin:
Zhuli: “Erdha këndej se më ka ftuar Gjebrea për të dielën, në emisionin gjysma ime”…
Fevzo: “Gjebro të ka ftuar ty? Po ti hajde te unë sot mor burrë, kemi diskutim për librin e Bashës. Te Gjebro ke kohë deri të dielën”…
Zhuli u lumturua, bllofi funksionoi.
“Ok presor Fevzo, nuk po ta prish. Besoj do flasim pak për politikë”.
Fevzo: “Për politikë do flasim pas zgjedhjeve, tani jemi në fushatë elektorale, flasim për letërsi, krim, seks dhe gatim. Po deshe hajde po deshe rri”.
Zhuli u tmerrua: “Po ça thu mo Presor Fevzo, ça thu. Unë edhe për komçat e kostumeve të Zogut do vija te ti”…
Fevzo: “Ik tani dhe në 5 pasdite hajde se kam regjistrimin”.
Zhuli: “Ja se po pres këtu, vjen menjëherë ora 5”.
Fevzo pa orën. Ishte 12 pa 10.
Please follow and like us: